A Mund T’i Thërrasë Presidentja Zgjedhjet e Jashtëzakonshme?

Pasi që deputetet e zgjedhur tash e katër muaj nuk po arrijnë të zgjedhin kryetarin dhe nën kryetarët e Kuvendit, Presidentja Jahjaga, ka ftuar në disa raunde në takim liderët e partive politike, në mënyrë që ata të arrijnë një marrëveshje  për konstituimin e institucioneve.

Arbër Vllahiu nga Presidenca, thotë se Presidentja ka një rol lehtësues në diskutimet me liderët e partive politike dhe, sipas tij, ajo po e kryen rolin e saj kushtetues, të faktorit të unitetit të popullit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve.

Kurse, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të premten pas takimit të radhës me presidenten Jahjaga, ka thënë se gjatë takimit Presidentja Atifete Jahjaga ka përmendur dy opsione për daljen nga kriza.

“Është e qartë se po qarkullojnë dy lloj mundësish që u përmenden nga Presidentja. E para është mundësia e zgjedhjeve të reja dhe e dyta është kërkesa e Presidentes që ne të gjejmë ndonjë marrëveshje për të dalë nga kjo krizë”, ka thënë Kurti.

Por, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit të së martës me liderët e koalicionit VLAN, ka përjashtuar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve nga ana presidentes, pasi që sipas tij kjo mund të bëhet vetëm nëse mungon shumica parlamentare.

“Kur ka shumicë parlamentare, atëherë nuk vijnë në shprehje zgjedhjet. Presidentja mund të vendosë për vete, por jo për zgjedhjet, sepse bëhet fjalë për 2/3 e deputetëve që nuk kërkojnë zgjedhje”, ka shtuar Haradinaj.

Edhe analisti, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë  se nuk ka bazë ligjore që vendi të shkoj në zgjedhje të reja.

Sipas tij, janë tri mundësi për të shkuar në zgjedhje.

“Ato tri mundësi lidhen me pamundësinë e zgjedhjes së Presidentit nga ana e Kuvendit, pamundësinë e Kuvendit për të miratuar Qeverinë dhe nëse dy të tretat e deputetëve do të votojnë për shpërbërjen e Kuvendit”, tha Doli.

Kurse, analisti Driton Selmanaj thotë se nuk ka hapësirë kushtetuese për të shkuar në zgjedhje, por sipas tij një gjë e tillë mund të arrihet me vullnetin e klasës politike.

“Në bazë të kësaj qa po ndodh nuk ka hapësirë kushtetuese që askush të thërret zgjedhje pa vullnetin e klasës politike”, tha Selmanaj.

Sipas tij, nëse ekziston vullneti i subjekteve politike atëherë zgjidhje juridike lehtë i jepet përgjigje kësaj.

“Njëra prej mundësive është që ata të pajtohen që të zgjedhin një person krejtësisht neutral në krye të Kuvendit dhe më pas po të njëjtën ditë të mund të mblidhet pas ditë në seancë të jashtëzakonshme dhe ta shpërndajë Kuvendin”, shtoi Selmanaj.