Kriza Politike Lë Ambasadat e Kosovës Pa Rroga

Në së paku pesë ambasada të Kosovës në shtete të ndryshme të Evropës, për më shumë se dy muaj nuk janë bërë pagesat për objektet me qira dhe pagat e zyrtarëve që punojnë në këto ambasada.

Një zyrtar që punon në njërën nga ambasadat në Evropën perëndimore, ka thënë se stafi në atë ambasadë është duke kaluar periudhë të vështirë si pasojë e mungesës së mjeteve financiare

“Ka dy muaj që nuk kemi marrë pagesat për rroga dhe ato për qira dhe kjo ka filluar të paraqesë problem për stafin”, tha burimi i KALLXO.com nga një ambasadë e Kosovës në një shtet perëndimor.

“Me sa jam i informuar, nuk është vetëm ambasada jonë në këtë gjendje. Janë edhe disa të tjera nëpër Evropë që po përballen me problem të njëjta”, u shpreh burimi, emri i të cilit është i njohur për redaksinë.

Bëhet fjalë për misionet diplomatike në Berlin, Vjenë, Paris, Bernë dhe Romë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka pranuar se në pesë ambasadat nuk janë kryer me kohë pagesat për paga dhe qira.

Sipas ministrisë, deri tek kjo situatë është arritur në mungesë të rishikimit të buxhetit të vitit 2014.

“Për shkak të mos rishikimit të Buxhetit të Kosovës, praktikë kjo e paraparë edhe me ligjet në fuqi në gjysmën e dytë të këtij viti, kemi pasur vonesa dhe vështirësi të vogla në ekzekutimin e pagesave për qiratë dhe pagesat e stafit lokal në pesë misione diplomatike,” ka qenë përgjigja e MPJ-së.

Rishikimi i buxhetit ndodh në mes të vitit, por për shkak se Kuvendi i Kosovës është jofunksional, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani.

Vendimi i fundit që deputetët e Kosovës kishin marrë daton në muajin maj, kur ata vendosën që vendin ta dërgojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Që nga ajo kohë, Partia Demokratike e Kosovës, në njërën anë, dhe koalicioni paszgjedhor i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, dhe Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, janë zhytur në garën për ta marrë postin e kryeparlamentarit, duke vonuar në krijimin e institucioneve qendrore.

Por, edhe pse sipas ministrisë problemi me pagesat “tashmë ështe tejkaluar”, pasi thonë se Ministria e Financave ka nisur të mërkurën proceduar për ekzekutimin e mjeteve të nevojshme,  burimi me të cilin ka kontaktuar KALLXO.com ka thënë se nuk ka marrë pagën ende.

Në anën tjetër, Ministria e Financave ka thënë se e ka pranuar një kërkesë të tillë nga MPJ, por është ende duke e trajtuar atë.

“[Kërkesa e MPJ-së] është duke u trajtuar dhe kjo do të realizohet duke u  bazuar në procesin e rregullimeve buxhetore të tremujorit të fundit,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Megjithatë, MPJ nuk duket të jetë e brengosur nga këto vonesat, sepse sipas tyre e gjithë kjo situatë nuk ka ndikuar “fare punën dhe funksionimin normal të misioneve diplomatike.”

Njohës të çështjeve ekonomike i kanë thënë KALLXO.com se mos rishikimi i buxhetit do të sjellë pasoja të mëdha në funksionimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë si pasojë e vendimeve të ekzekutivit pa mbulesë financiare.

Alban Hashani, thotë se në mungesë të rishikimit buxhetor, qeveria nuk arrin të përmbushë politikën e saj fiskale dhe ndryshimet që kanë ndodhur ndërkohë.

Sipas tij, qeveria e ardhshme do të jetë e shtyrë të operojë me buxhetin të cilin e përfundon mandatin kjo qeveri.

“Ky buxhet, edhe pse është dizajnuar duke përcjell rregullin fiskal, në mungesë të mekanizmave të kontrollit që janë paraparë në kudër të kuvendit nuk është imun ndaj keqpërdorimeve eventuale që rezultojnë si pasoj e mungesës së një mbikëqyrje të kujdesshme”, shtoi Hashani.