Të Rinjtë Dominojnë Listën e të Arrestuarve për Terrorizëm

Aksioni i policisë ka përfshirë bastisjen e 60 lokacioneve në qytete të ndryshme të Kosovës, në të cilat janë gjendur edhe armë dhe mjete eksplozive.

Lista e të arrestuarve e treguar nga Policia e Kosovës, vetëm me inicialet e atyre që u vunë në pranga, tregon për dominim të të rinjve.

Mosha mesatare e 40 të arrestuarve është 31 vjeç.

Më i riu në mesin e të arrestuarve është 20 vjeçari E.L. nga Gjilani, ndërsa më i vjetri është 53 vjeçari M.H. nga Peja.

Mosha e dhënë nga Policia gjithashtu tregon se 18 nga 40 të arrestuarit janë të moshës ndërmjet 20 dhe 30 vjeçare.

Sipas Policisë së Kosovës, operacioni policor “është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale.”

Përveç të arrestuarave të cilët janë duke u marrë në pyetje, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar në një konferencë për media se janë duke u hetuar edhe disa imamë të xhamive brenda vendit.

Sipas Baki Kelanit, zëdhënës i Policisë së Kosovës, policia ka qenë duke hetuar aktivitetet e të dyshuarve që nga mesi i vitit 2012.

“Kjo është arsyeja pse kemi pritur deri më tani,” ka treguar Kelani.  Sipas tij, numri më i madh i të arrestuarve janë rekrutues.  

Një numër i shqiptarëve nga Kosova i janë bashkuar grupeve të shpallura terroriste në konfliktin në Irak dhe Siri.

Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit, beson se rreth 300 luftëtarë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, dhe Shqipëria i janë bashkuar këtyre grupeve.

Në anën tjetër, sipas një deklaratë për media të Policisë së Kosovës, 16 shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën deri më tani në luftimet në ato zona.  Gjatë fundjavës është raportuar edhe për një të vrarë, Patriot Matoshi, 18 vjecari nga Gjilani që ka humbur jetën në Siri.

Pak ditë më parë, Lavdrim Muhaxheri, një shqiptar nga Kosova që ka shkuar për të luftuar në Irak dhe Siri, ka bërë bujë në media pas shpërndarjes së disa fotografive në të cilat ai shihet duke i prere kokën një të riu.

Aksionin e Policisë së Kosovës e ka mirëpritur Presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka thënë se “Kosova nuk do të bëhet strehë e ekstremizmit.”

“Këto dukuri po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Jahjaga ka zhvilluar një takim edhe me ambasadorët e Quintit, me të cilët ka diskutuar për aktivitetet e institucioneve të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit e Quint-it vlerësuan lart angazhimin e Presidentes Jahjaga dhe të institucioneve përgjegjëse të sigurisë duke theksuar mbështetjen e qeverive të tyre në parandalimin dhe luftimin e kërcënimit nga ekstremizmi.

Përmes një deklarata për media, Qeveria në largim e Kosovës, ka thënë se toleranca ndërfetare dhe etnike kanë qenë dhe do të mbesin vlera të pacenuara të shoqërisë tonë/

“Çdo kërcënim ndaj këtyre vlerave fondamentale të shtetit dhe shoqërisë sonë do të ndëshkohet pamëshirë”, thuhet në deklaratën e ekzekutivit të vendit.  

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, po ashtu ka mirëpritur aksionin e policisë, sepse siç ka thënë ai, “rrezikshmëria nga këto grupe ka kaluar nga niveli i ulët, i mesëm dhe tash së fundi në nivelin e lartë.”

“Sado që është i vonshëm, ky operacion është shumë i domosdoshëm sepse aspekti që ka çaluar më së shumti në këtë drejtim, është mungesa e koordinimit ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave. Ato kanë reaguar vetëm pasi janë alarmuar të gjithë aktorët e shtetit dhe shoqëria”, ka shtuar ai.

Ndërsa profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, tha se shumë prej të arrestuarve të sotëm janë “të indoktrinuar nga të tjerët” ndërsa kërkoi që ndëshkimet juridike nga organet e drejtësisë të orientohen drejt atyre që po nxisin dhe rekrutojnë të rinjtë kosovarë për luftë në Siri dhe Irak.

Dhe për ta bërë këtë, sips Salihut, mjaftojnë dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, pasi që një ligj i inicuar në Kuvend kundër rekrutimit të kosovarëve në luftërat e huaja, u miratua vetëm në shqyrtim të parë, pa mundur ta marrë miratimin final nga deputetët për shkak të shpërbërjes së legjislaturës së kaluar.

Profesori i së Drejtës Penale, mosmiratimin e këtij ligji nuk e sheh si hendikep të vendit për luftë kundër terrorizmit.

“Nuk ka zbraztirë ligjore, nuk ka pengesa për ndjekjen ligjore te këtyre personave”,  deklaroi Salihu.

Sipas tij të dyshuarit për terrorizëm duhet të dënohen për cenim të rendit kushtetues të vendit.

“Kodi Penal i Kosovës, në kapitullin Veprat Penale kundër Kosovës dhe rendit kushtetues të Kosovës, i kushton dhjetë nene rregullimit të akteve terroriste, me të cilat janë të inkriminuara dhe të sanksionuara aktet terroriste”, shpjegoi Salihu.

Arrestimeve të ditës së sotme i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat e rëndësishme ndërkombëtare, siç janë Reuters dhe Associated Press.  

Agjencia e lajmeve Asoshieted Press raporton se operacioni i sotëm është më i madhi i zhvilluar ndonjëherë kundër radikalëve islamikë në Kosovë.

AP gjithashtu ka sjellë fotografi gjatë operacionit në një xhami të improvizuar në lagjen “Dardania” në Prishtinë.