Votimi i Fillestareve për Simbolikë dhe Antikorrupsion

Teuta Rugova dhe Labinotë Demi-Murtezi në garën e tyre për deputete në zgjedhjet e tetë qershorit mes tjerash patën edhe atë që shkrimtari brazilian Paulo Coelho e quan “fat të fillestarit”-një ndihmë sipas tij jashtënjerëzore që u jepet atyre që nisin një rrugë për herë të parë. 

Rugova që garoi për LDK-në mori 37 mijë e 178 vota duke lënë prapa për besim votuesish edhe figura të njohura të kësaj partie si Sabri Hamitin e Ismet Beqirin. Ajo u rendit e shtata për nga votat e mbledhura në nivel nacional. 

Edhe Labinotë Demi-Murtezi nga Partia e Drejtësisë që garoi së bashku me PDK-në, PShDK-në dhe Partinë Konservatore fitoi 14,232 vota, duke qenë më e votuara nga kandidatet e këtij koalicioni. Ajo kishte 5 mijë e 224 vota më shumë se lideri i partisë së saj Ferid Agani. 

Kjo nuk është gara e parë politike e Demi-Murtezit. Ajo guxoi t’i sfidojë burrat e Gjilanit, duke qenë e vetmja kandidate femër për kryetare të kësaj komune në zgjedhjet lokale të 2013-ës. Atëherë mori vetëm 1 mijë e 133 vota, ose 2.36 për qind. 

Analistët mendojnë se këto dy deputete të ardhshme u votuan me shumicë edhe për atë që përfaqësojnë. Teuta Rugova është e bija e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë kosovar të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Labinotë Demi -Murtezi një praktikuese e fesë islame e mbuluar me shami. 

“Si Teuta ashtu edhe Labinotë janë votuar si simbole të një trashëgimie. Nuk shoh gjë të keqe këtu meqë simbolika ndonjëherë luan rol të madh në përcaktimet e votuesve kudo në botë”, thotë analisti dhe sociologu Dukagjin Gorani për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Votimin e këtyre dy kandidateve edhe për simbolikë nuk e pëjashton as Albert Krasniqi, hulumtues në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), por ai nuk e lidh me gjininë votimin e tillë. 

“Votimi për shkak të simbolikave nuk ka të bëjë me aspektin gjinor. Te rastet të cilat i përmendni ka shumë mundësi të jetë ashtu, por nuk mund të lidhet me gjininë”, thotë Krasniqi. 

Edhe Teuta Rugova e ka të qartë se është votuar edhe për shkak të babait të saj. 

“Unë e kam cekur edhe më herët se vota për mua është pa dyshim votë për presidentin Rugova, mbiemri që unë mbaj ka një peshë të veçantë në zemrat e mijëra votuesve në mbarë Kosovën, siç u pa edhe me pritjet e jashtëzakonisht të mira që pata në të gjitha qytetet e vendit”, thotë ajo. 

Pritjen mirë nga elektorati e përmend edhe Labinotë Demi- Murtezi. 

“Përderisa kemi zonja e zonjusha qe shkollohen dhe po ashtu janë të mbuluara, prania e një femre me mbulesë shihet dhe pritet kudo”, thotë Demi- Murtezi. 


Teuta Rugova | Foto: Facebook

Vota përtej kuotës 

Gratë deputete kane fituar peshë politike nga votat e qytetarëve edhe në zgjedhjet e kaluara.

Para shtatë vitesh në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, tri deputetet femra më të votuara ishin Nekibe Kelmendi nga LDK-ja me mbi 39 mijë, Flora Brovinën nga PDK-ja me mbi 37 mijë vota dhe Edita Tahiri me mbi 33 mijë vota. 

Kurse, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2010, tri deputetet femra më të votuara ishin: Mimoza Kusari –Lila nga AKR-ja me mbi 19 mijë vota, Nekibe Kelmendi nga LDK-ja me mbi 12 mijë vota dhe Vlora Çitaku me mbi 12 mijë vota. 

Ndërkaq në zgjedhjet e tetë qershorit të këtij viti është rritur numri i kandidateve për deputete, të cilat kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës duke fituar vota vetë, e jo nga 30 përqindëshi i garantuar me Kushtetutën e vendit. 

Më shumë vota se Rugova e Demi-Murtezi, ka marrë vota Vjosa Osmani e LDK-së. Derisa në zgjedhjet e 2010-ës kishte fituar vetëm 9,778 vota, katër vjet më vonë katërfishoi votat duke u votuar nga 39,911 persona, për t’u bërë kandidatja e dytë më e votuar në LDK, pas Isa Mustafës. Dhe e gjashta me më së shumti vota në nivel nacional. 

“Vjosa është votuar për shkak të aktivitetit të saj gjatë mandatit të kaluar. Ishte e artikuluar, dominuese dhe e drejtëpërdrejtë si përfaqësuese e opozitës”, shjegon Dukagjin Gorani arsyet e shtimit të votave për Osmanin.

Shumë vota në zgjedhejt e muajit të kaluar mori edhe Puhie Demaku e “Vetëvendosjes”, duke hyrë në mesin e pesëshes më të votuar të këtij subjekti. 

Dukagjin Gorani ka përgjgje edhe për këtë. 

“Demaku duket të ketë qenë aktive nëpër fushatat dhe takimet me elektoratin e ‘Vetëvendosjes’, thotë Gorani. 

Suksesin e këtyre deputeteve Albert Krasniqi i KIPRED-it e lidh me përkrahjen që ato kanë pasur nga subjektet që do të përfaqësojnë në Kuvend. 

“Ato janë votuar për shkak të hapësirës mediale, përkrahjes nga niveli qendror i partisë, përgatitjes profesionale, lidhjes me elektoratin, konsistencës nëqëndrime”, mendon hulumtuesi Krasniqi. 

Edhe Puhie Demaku një pjesë të meritave për suksesin ia lë subjektit për të cilin garoi. 

“Në lëvizjen ku bëj pjesë, përpjekja për angazhimin e grave dhe vajzave në jetën politike është e përditshme”. 


Labinotë Demi-Murtezi | Foto: Gazeta Jeta në Kosovë

Vota për më pak korrupsion 

Dukagjin Gorani mendon se disa nga deputetet e ardhshme janë votuar edhe për të ndryshuar mentalitetin e qeverisjes në Kosovë. 

“Shumë më pak femra në Kosovë ndërlidhen me afera korruptive, krahasuar me meshkujt. Po ashtu, aktiviteti i femrave si deputete vazhdimisht është përqendruar në zgjidhje të problemeve dhe tejkalim të mosmarrëveshjeve—hiq ca përjashtime. Në përgjithësi, janë treguar më pak grindavece se meshkujt”, thotë Gorani. 

Ngjashëm shprehet edhe Teuta Rugova. 

“Pa dyshim se shumë votues kanë zgjedhur të kenë femra si perfaqësuese të tyre në pushtet, për arsye se besojne se janë më pak të korruptuara dhe se janë lodhur duke pasur gjithmonë burra që flasin në emër të tyre”, thotë Rugova. 

Labinotë Demi-Murtezi megjithëse thotë se të dy gjinitë e kanë rolin dhe vendin e vet, pajtohet se femrat janë më pak të prira të shkojnë drejt dukurive negative. 

“Sa kam lexuar ne media nga pozitat që posedojnë më shumë gjithnjë kemi meshkuj të korruptuar, sesa femra dhe në këtë kontekst mund të themi se është edhe votë për zyrtarë më pak të korruptuar”, thotë Demi-Murtezi. 

Albert Krasniqi i KIPRED-it tregon se në zgjedhjet e tetë qershorit kishte më shumë votuese se votues. Këtë e konsideron emancipim të përgjithshëm shoqëror. 

“Shifrat e zgjedhjeve të fundit na flasin për një pjesëmarrje prej 4 për qind më të lartë të grave në raport me burrat”, thotë Krasniqi.


Puhie Demaku | Foto: Facebook

Kuota bjen vetë 

Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë garantojnë përfaqësimin e femrave në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas tyre çdo i treti deputet duhet të jetë i gjinisë së bukur. 

Ky është një diskriminim pozitiv për shkak të patriarkalitetit tradicional të shoqërisë kosovare dhe pabarazisë gjinore shikuar historikisht.

Deputetet e ardhshme mendojnë se kuota gjinore që garanton 30 për qind të tyre në Kuvend, duhet të mbetet. 

“Sa i përket kuotës, mendoj se është akoma herët të hiqet kuota, por nëse vazhdon ky intensitet i afirmimit te gruas politikane në Kosovë besoj që shumë shpejt nuk do të ketë më nevojë për të”, parashikon Teuta Rugova. 

Labinotë Demi-Murtezi kuotën e arsyeton me obligimet e shumta të grave. 

“Një grua nuk është asnjëherë vetëm një politikane, është një zonjë shtëpie, është nënë, është edukatore, është edhe amvise, për të arritur më në fund te politika. Kuota mbetet shumë e nevojshme edhe per një kohë relativisht të shkurtër”, thotë Demi-Murtezi. 

Për vazhdimin e kuotës është edhe Puhie Demaku. 

“Kuota duhet të mbetet për të siguruar përfaqësimin e nevojshëm. Por e shoqëruar me angazhim të vërtetë publik e politik, jo vetëm në institucione”, thotë Demaku. 

Albert Krasniqi edhe pse e konsideron të suksesshme kuotën gjinore, mendon se në listat e subjekteve politike për deputetë femrat dhe meshkujt duhet të përfaqësohen me nga 50 për qind dhe votuesi të bëjë pastaj zgjedhjen. 

“Do të ishte mirë sikur përbërja e listave të kandidatëve të partive politike të përbëhej proporcionalisht nga të dy gjinitë, pra të ishin të barabarta në aspektin gjinor, pastaj të lihej në dorën e votuesit të zgjedhë përfaqësuesit”, thotë Krasniqi. 

Edhe Dukagjin Gorani beson që kuotës gjinore po i afrohet fundi. 

“Mendoj që po i afrohemi kohës kur kjo kuotë mund të heqet, meqë shihet se ka filluar të formësohet një kulturë e femrave aktive në politikë, si në kuptimin sasior ashtu edhe në atë cilësor”, thotë Gorani. 

E deputetja e re Teuta Rugova thotë se do të përfaqësojë ata që nuk dëgjohen. 

“…I përkas gjeneratës ku mundësitë për punësim sa vijnë e bëhen më të vogla për shkak se nuk kemi lidhjen e duhur mes tregut të punës dhe edukimit. Unë u kam premtuar se do te jem zëri i të rinjve kosovarë në Kuvendin e Kosovës. Ata kurrë nuk kanë pasur rast të kenë një bashkëmoshatare të tyre në Kuvend”, tregon planet Rugova. 

Edhe Labinotë Demi-Murtezi thotë se do të angazhohet për mirëqenie të qytetarëve. 

“Le të shpresojmë që gjatë këtij mandati të bashkëpunojmë sa më shumë dhe më mirë, për t’u kthyer shpresën për mirëqenie qytetarëve tanë”, premton Demi-Murtezi. 

Dukagjin Gorani pret që të shohë se si këto dy deputete do ta përfaqësojnë vullnetin e votuesve të tyre. 

“Aktualisht, të dyjave u është dhënë një shans i madh të cilin duhet ta shfrytëzojnë për karrierë të vet dhe mundësisht—për të mirën e shoqërisë. Diçka tjetër është nëse ato do ta arsyetojnë besimin e dhënë”, deklaron Gorani. 

Pavarësisht votave të shumta për deputete të caktuara, në legjislaturën e re do të jenë vetëm 39 femra, një më pak se herën e kaluar, për shkak se në Kuvend sivjet do të ketë më pak subjekte parlamentare.