Urrejtja Që Nxit Protestë

Të premten në Shkup janë paralajmëruar protesta të shqiptarëve dhe maqedonasve. Të parët do të vazhdojnë protestimin e nisur para gjashtë ditësh kundër dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në rastin e njohur me emrin “Monstra”. 

Alil Demiri, Afrim e Agim Ismailoviq, Fejzi e Haki Aziri dhe Sami Luta morën dënimin më të rëndë të shtetit maqedonas më 30 qershor. Ata akuzoheshin për vrasjen e pesë maqedonasve pranë liqenit te hekurana në Shkup në vitin 2012. 

Protestuesit shqiptarë një vendim të tillë po e konsiderojnë të padrejtë, duke bërë thirrje me anë të rrjeteve sociale për protesta deri në lirimin e të dënuarve. 

Rrjetet sociale për thirrjen e protestës së të premtes para selisë së Qeverisë së Maqedonisë i kanë shfrytëzuar edhe maqedonasit. 

“Presim që të vijnë në numër sa më të madh që t’i dërgojmë porosi Qeverisë së Maqedonisë së ne maqedonasit nuk jemi qiraxhinj në shtetin tonë”, thuhet në paralajmërimin maqedonas për protestë. 

Kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve u protestua të mërkurën edhe në Prishtinë. Disa nga të pranishmit në protestën e kryeqytetit të Kosovës dogjën edhe flamurin maqedonas, ndërkaq një veprim të tillë e dënoi presidentja Jahjaga. 

Analistët në Kosovë e Maqedoni pajtohen se protestat në Shkup po ndodhin për shkak të tensionimit të marrëdhënieve ndëretnike. 

“Jam njoftuar edhe unë me paralajmërimin e protestave nga të dyja palët, por sipas meje  

rreziku më i madh që përballet në këtë shtet është një regjim i cili e nxit urrejtjen ndëretnike”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti. 

Mehmeti shton se protestat janë vetëm pasojë e nxitjes së kësaj urrejtje nga regjimi. 

Edhe Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë përmend tensionimit e raporteve mes maqedonasve dhe shqiptarëve si arsye të protestave. 

“Protestat vijnë si rrjedhojë e tensionimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni në 2 vjetët e fundit. Dhe kjo u pa që nga prishja e rendit publik e deri te rigjiditeti politik i Shkupit zyrtar, i cili vazhdon të mos jetë tolerant ndaj përfshirjes së shqiptarëve në shoqërinë maqedonase”, tha Qehaja.

Mehmeti jep si zgjidhje shtetin dyetnik, ndërsa nuk pret përshkallëzim deri në luftë mes dy popujve dominues në Maqedoni. 

“Maqedonia brenda saj ka dy shoqëri të cilat nuk korrespondojnë njëra  me tjetrën. E ardhmja e Maqedonisë do të jetë një shtet dyetnik ku do të mund të funksionojë një demokraci konsensuale ndëretnike, e jo kjo e derisotshme”, thotë ai. 

Por Qehaja pret që protestat e njëkohshme paralele mund ta tensionojnë edhe më shumë situatën. 

“Është një moment i duhur që të kontrollohen masat, sepse përkeqësimi i situatës nuk i konvenon askujt dhe as shqiptarëve. Po ashtu, protestat paralele mund të eskalojnë në dhunë që kapacitetet e agjencive të sigurisë së Maqedonisë nuk mund t’i përballojnë dot”, mendon Qehaja.

Kritika elitës shqiptare

Të dy analistët janë skeptikë ndaj elitës shqiptare në Maqedoni. 

“Gjenerata që neve na kthyen shpresën në vitin  2001, ua vrau shpresën shqiptarëve të Maqedonisë”, shtoi Mehmeti. 

Të njëjtën gjë e mendon edhe Florian Qehaja. Ai tha se në aspektin politik shqiptarët janë në pozicion shumë më të favorshëm, mirëpo elitat politike të shqiptarëve vazhdojnë të jenë të varura dhe të nënshtruara ndaj pushtetit maqedonas.

Në vitin 2001 shqiptarët e rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare luftuan me forcat maqedonase për më shumë të drejta. Ish-luftëtarët pastaj themeluan BDI-në e cila vazhdon të jetë në pushtet, si partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së. 

Ndryshe, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, të martën ka kërkuar një rigjykim transparent dhe një prezantim publik të provave të cilat quan në  dënimin e gjashtë shqiptarëve etnikë, shkruan “Balkan Insight-i. 

Para dy ditësh edhe kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski komentoi protestat kundër dënimit të shqiptarëve me burgim të përjetshëm për mediat maqedonase. 

“Protestat në të cilat përdoret dhuna nuk mund të përkrahen në asnjë shtet, në asnjë ambient, prandaj as në shtetin tonë”, tha Gruevski. 

Ai më tutje shtoi se protestat po keqpërdoren nga individë e organizata për agjenda personale. 

“Ekzistojnë organizata dhe individë të cilët u munduan në ditët e kaluara të bëjnë tubime masive për agjenda personale. Këta individë nuk punojnë për interesa të shqiptarëve, as maqedonasve,… as të krishterëve e as myslimanëve”, shtoi Gruevski.