100 Ditëshi i Mitizuar dhe Kritikuar

Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, Ramush Haradinaj kishte postuar një video në llogarinë e tij në Facebook, në të cilën shihet ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova duke dhënë një vlerësim për të.  

“U preka. Dhe më duhet ta pranoj: u ndjeva krenar!”, e kishte komentuar ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjniit këtë video.  

“Projektin që e nisëm së bashku me Dr. Rugovën dhe që u ndal për shkak të padrejtësive të asaj kohe do ta vazhdoj dhe do ta jetësoj me ‘Drejtimin e Ri’. Për këtë ia kam dhënë atij fjalën. Për këtë ia jap vendit tim fjalën. Kosovën do ta bëjmë ashtu siç e ideuam dhe punuam së bashku për 100 ditë me presidentin Rugova”, thoshte Haradinaj në këtë video.

“100 ditëshi” i qëndrimit të Haradinajt në krye të qeverisë së Kosovës, në fakt, ka qenë karta kryesore që ai ka përdorur gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti.

Me këtë, Haradinaj kërkon një rast të dytë për t’u ngjitur në katin e dytë të ndërtesës gjigante në Prishtinë, aty ku tash e shtatë vjet punon shoku i tij i dikurshëm i armëve dhe rivali i tanishëm politik, Hashim Thaçi

Në opinionin e Haradinaj, por edhe të bashkëpunëtorëve, Kosova në ata muaj ka pasur qeverisjen më efektive.

Dhe me shembullin e atij 100 ditëshi, lideri muskulor kosovar synon t’i japë Kosovës një “Drejtim të Ri”.

Para se të postonte atë video të fushatës, Ramush Haradinaj mund të këtë llogaritur se historia e vjeshtës së vonë të vitit 2004 mundet të përsëritet prapë pas zgjedhjeve të së dielës së dytë të qershorit të këtij viti.  

Atëherë ai përfitoi nga “mëshira politike” e Ibrahim Rugovës. E një ditë pas zgjedhjeve, ai shfrytëzoi një situatë të vështirë politike të pasardhësit të Rugovës në krye të LDK-së, Isa Mustafës.

Por nëse Rugova e bëri kryeministër përnime, rruga për ta bërë këtë me Isa Mustafën sapo ka filluar dhe ajo duket me plot “kthesa” dhe “drejtime” të panjohura.

Në vitin 2004, si lideri i partisë së tretë më të votuar në vend, ai u bë kryeministër i Kosovës më 3 dhjetor 2004, me pëlqimin e Ibrahim Rugovës që në atë kohë u zgjodh president. Rugova dhe kreu i PDK-së Hashim Thaçi atëherë kishin marrëdhënie të vështira. 

“Haradinaj dhe partia e tij, koalicioni, në atë kohë janë ndihmuar nga faktori ndërkombëtar… LDK-ja dhe PDK-ja kishin polarizuar skajshmërisht jetën politike dhe shoqërinë në atë kohë. AAK-ja u pa si parti më e vogël që do të luante rolin e mesëm”, thotë Naim Rashiti, drejtor për Kosovën në Balkans Policy Research Group.

Standardet e ndërprera nga Haga

Por në ditën e 95-të të kryeministrimit, ende pa mbërritur 100 ditëshin, një dokument i ardhur një mëngjes marsi 2005 nga Gjykata e Hagës që  akuzonte Haradinajn për krime lufte, ia ndërroi atij drejtimin. 

Ai dha dorëheqje nga kreu i ekzekutivit më 8 mars 2005, duke shkuar vullnetarisht në Hagë bashkë me dy ish-luftëtarë të UÇK-së Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn. 

Të tre dyshoheshin për krime kundër njerëzimit, përndjekje (ngacmim, veprime çnjerëzore, shkatërrim i pronës) dhe shkelje të ligjeve të luftës, trajtimi mizor, tortura e dhunim të dinjitetit njerëzor.  

Pranimi burrëror i akuzave nga Haradinaj, atëherë nuk mbeti i pavërejtur nga ndërkombëtarët. Vendimi për t’u larguar pa zhurmë dhe thirrjet e tij për qetësi i dhuruan lëvdata nga diplomatët, duke përfshirë ish- sekretarin për Politikë të Jashtme të Britanisë Robin Cook dhe zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden.  

As Ibrahim Rugova, partneri i madh i koalicionit me Haradinajn nuk e çoi mandatin deri në fund-vdiq nga vdekja natyrale më 21 janar 2006, teksa Haradinaj po përballej me gjykatën ndërkombëtare. 

Në kohën e bashkëqeverisjes së këtyre dy liderëve, Kosova e shtyrë nga bashkësia ndërkombëtare kishte hyrë në fazën e përmbushjes së disa standardeve, para se të caktohej statusi i saj. 

Standardet kërkonin themelim të institucioneve demokratike, liri të lëvizjes, kthim të të shpërngulurve, të drejtat për komunitetet, sundim të ligjit, etj. 

“Ne kemi një plan 6 mujor për realizimin e standardeve dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura deri tani që dita e parë e qeverisë, të udhëhequr nga unë, të jetë ditë pune dhe të fillojë me programin e qeverisë”, i thoshte Haradinaj “Zërit të Amerikës” në vitin 2004, një ditë para se të zgjidhej kryeministër. 

Por ky program nuk u miratua nga Kuvendi i Kosovës deri më 23 dhjetor, ndërsa Haradinaj qëndroi në kryeministri pak më shumë se tre muaj, pa mundur të shihet nëse qeveria e drejtuar prej tij do të përmbushte standardet ashtu siç kishte premtuar. 

Zenun Pajaziti, tash deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës si koordinator i përmbushjes së këtyre standardeve.

Nëntë vjet më vonë, Pajaziti thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk ka vërejtur ndryshime në qasjen e Haradinajt ndaj përmbushjes së këtyre standardeve, përkundër përshtypjes që Haradinaj dhe ekipi i tij mundohen ta lënë përshtypjen se proceset politike drejt zgjidhjes së statusit janë përshpejtuar.

“Personalisht nuk kam vërejtur as më të voglin ndryshim, jo vetëm në tre muajt në vazhdim, por as në tre vjetët në vazhdim në këtë proces”, thotë Zenun Pajaziti. 

Por Pajaziti kundërshtohet nga Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së.

“Është pikëpamje nga këndvështrimi personal i z. Pajaziti. Madje, është subjektivizëm i nisur nga shikimi i ngushtë partiak, nga ana e tij. Përgjigja më e mirë në këtë pyetje është deklarimi i ish-shefit të misionit të OKB-së në Kosovës, z. Soren Jessen-Petersen”, tha Luma. 

Ai citon deklaratën e Petersen i cili, sipas tij,  ka vlerësuar angazhimin e Haradinajt në përmbushjën e standardeve para statusit. 

“Edhe në fushën e vendosjes dhe respektimit të rendit dhe të ligjit, që ishte një prej kritereve kryesore në rrugën drejt statusit dhe pavarësisë, në praktikë dhe në çfarëdo forme tjetër ishte vetë z. Haradinaj ai që punoi palodhur dhe, madje e tejkaloi edhe veten, në të mirë të vendit dhe proceseve tona të rëndësishme”, shtoi Luma. 

Miti dhe kritikat

100 ditëshin e Ramush Haradinajt pak më ndryshe e shikon Naim Rashiti që në atë kohë ishte pjesë e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG).  

“Ndryshime te konsiderueshme janë vërejtur në ofrimin e shërbimeve të administratës shtetërore, e cila filloi të sillet në mënyrë shumë më të përgjegjshme. Megjithatë ka qenë e pamundur të vërehet ndonjë vizion, reformë, apo program afatmesëm, sepse keto ishin vetëm 3 muaj qeverisje”, shpjegon Rashiti. 

Haradinajn vazhdojnë ta lavdërojnë për drejtimin e ekzekutivit para nëntë vjetësh edhe zyrtarë nga partia e tij. 

100-ditëshi i tij është përmendur edhe nëpër fushata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Qeveria e Haradinajt e ka ndryshuar dinamikën qeverisëse”, thotë Ahmet Isufi, që refuzoi të qëndrojë si ministër në qeveri pas largimit të Haradinajt drejt Hagës më  8 mars të vitit 2005. 

Edhe kolegia partiake Melihate Tërmkolli, pjesë e qeverisjes së atëhershme që nuk mund t’i ndalte lotët kur në mars 2005 Ramush Haradinaj njoftoi dorëheqjen dhe shkuarjen vullnetare në Hagë, kreut të AAK-së ia atribuon shumë suksese. 

“Në atë periudhë kohore ka filluar procesi për projektin e “Kosovës C”, ndryshimet në administratën publike, puna në secilin dikaster ministror, fillimi i fizibilitetit për autostradën e kombit që u realizua nga të tjerët, por që ka filluar nga zotëri  Haradinaj”, thotë ajo. 

Por analisti Leon Malazogu edhe pse thotë që 100 ditëshi i Haradinajt ishte karakterizuar me vrull dhe energji për punë mendon se këto ditë janë pak për ta vlerësuar ish-komandantin e kthyer në politikan. 

“100 ditëshi i dikurshëm është shumë pak për të vlerësuar sukseset apo mossukseset e një qeverie”, shton ai. 

Në atë kohë kishte njerëz që nga qeveria Haradinaj kërkonin më shumë, sidomos për komunitetet. 

“Është me rëndësi që të bëhet me tepër, veçanërisht në sigurimin e të drejtave të refugjatëve dhe personave të zhvendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre dhe për të krijuar siguri për të gjitha komunitetet dhe për të reformuar qeverisjen lokale,” kishte thënë në muajin shkurt të vitit 2005 i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Grupin e Kontaktit, Stjuard Holidej. 

Më 26 maj 2005, më shumë se një muaj pas shkuarjes së Haradinajt në Hagë, lideri i atëhershëm opozitar Hashim Thaçi, krijoi Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, një mekanizëm të stilit anglez të qeverive nën hije me të cilin do të ndiqej puna e ekzekutivit të koalicionit LDK-AAK. 

Atëkohë Lirak Çelaj ishte anëtar për kulturë i këtij kabineti. Njësoj si bashkëpartiaku i tij Pajaziti, edhe Çelaj nuk mban mend diçka të mirë nga qeverisja Haradinaj. 

Afrimi i Haradinajt me PDK-në

Por kur u lirua nga Gjykata e Hagës si i pafajshëm më 29 nëntor 2012 Haradinaj u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri Thaçi. 

“Jam i lumtur që drejtësia ndërkombëtare konfirmoi që rruga jonë e lirisë ishte e drejtë dhe e pastër”, tha Haradinaj atë ditë, pasi zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe u shfaq më i afërt me kreun e PDK-së. 

Naim Rashiti mendon se pikërisht ndërrimi i kursit të Haradinajt ndaj partisë në pushtet, i kushtoi AAK-së me humbje të disa qyteteve në zgjedhjet lokale të vitit 2013. AAK-ja atëherë pësoi në bastionet e saj të mëdha Pejë e Gjakovë. 

“Kur u kthy, u fut në kalkulime politike për qëllime vetëm personale. Afrimi i tij me PDK-në nuk u mirëprit nga votuesit e tij dhe humbja në zgjedhje lokale është përgjegjësi që bie mbi sjelljen e z. Haradinaj pas kthimit nga Haga”, thotë Rashiti për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Këtë afrim me Thaçin, Haradinaj e shpjegoi për “Zërin e Amerikës”, një javë pasi fitoi pafajësinë nga Haga. 

“Në këtë ofrim, ne ofrojmë me marrë përgjegjësitë për të qeverisë me vendin, përfshirë edhe vetveten për përgjegjësinë e parë në qeverisje”, tha Haradinaj, pasi iu rikthye aktiviteteve politike. 

Këtë përgjegjësi Haradinaj nuk arriti ta marrë nga Thaçi, por ai mund të ulet përsëri në karrigen e preferuar të kryeministrit për ta vazhduar 100 ditëshin e ndërprerë, nëse jetësohet marrëveshja  e AAK-së me ish-partneren e koalicionit të para nëntë vjetëve LDK-në dhe Nismën e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit të ndarë nga PDK-ja më 28 shkurt 2014. 

Këto tri subjekte u morën vesh dy ditë pas zgjedhjeve të tetë qershorit që të qeverisin bashkë vendin, duke e nominuar Ramush Haradinajn për kryeministër, edhe pse PDK-ja e Thaçit fitoi më shumë vota.  

Leon Malazogu nga D4D-ja tërheq vërejtjen që 100 ditëshi i Haradinajt mes viteve 2004 dhe 2005 nuk duhet të jetë një trampolinë që e vlerëson Haradinajn kryeministër të suksesshëm. 

“Nuk ishte dashur të shihej 100 ditëshi si bazë për të përcaktuar nëse z. Haradinaj do duhej te jetë kryeministër. Më shumë do duhej të shikohej vizioni dhe projekti që ai e ka për vendin duke mos përjashtuar këtu edhe përfaqësimin e tij me votën popullore qe mori në zgjedhjet e fundit,” thotë Malazogu.