Buroja e Gllogjani Mbështesin Bijtë e Tyre

Fshatrat e lindjes së Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit po u qëndrojnë fuqimisht besnikë bijve të tyre të shpërngulur në Prishtinë që nga viti 1999, në një kohë kur është rritur pasiguria rreth asaj se cili prej tyre do të jetë në krye të qeverisë së ardhshme. 

Vetëm 26 kilometra i ndajnë fshatrat Gllogjan dhe Burojë, por kur është fjala për tiparet dhe qëndrimet e banorëve të tyre, ato mund të jenë në anët e kundërta të botës.  

Banorët e të dyja fshatrave- Gllogjanit në zonën e Dukagjinit dhe Burojës në Drenicë- jo vetëm se kanë aksente të ndryshme në të folur, por edhe politikën e diskutojnë pak më ndryshe.

Deri sa dy liderët luftojnë rreth asaj se cili ka të drejtë për ta formuar qeverinë kur ende nuk janë publikuar rezultatet e zgjedhjeve, nuk është e pazakontë që secili nga këto dy fshatra përkrah birin e vet. 

Jashtë shtëpisë së familjes Thaçi valviten disa flamuj me sllogane të Partisë Demokratike, PDK, të Hashim Thaçit.  Duke tymosur cigare përpara shtëpisë trekatëshë të ndërtuar pas luftës së viteve 1998-1999, babai i Hashimit, Haxhiu nuk dëshiron të spekulojë rreth të ardhmes politike të birit të tij.

“Unë flas vetëm atëherë kur të kryhet kjo punë”, thotë ai.

Por bashkëvendasit e tij janë shumë më të sigurt rreth karierrës së ardhshme politike të Thaçit.

Shefqet Shaqiri, banor i Burojës, thotë se dëshiron që Thaçi të bëhet kryeministër sërish, sepse “ka bërë shumë gjëra të mira.”

“Unë nuk mund të them asgjë rreth ndryshimeve që ka bërë në Kosovë, por ai ka bërë disa gjëra të mira këtu, ka ndërtuar disa shkolla dhe rrugë”, thotë Shaqiri.

“Ai është i zoti dhe ka punuar shumë.  Unë besoj thellë se ne do të shkojmë përpara me Thaçin”, shton ai.

Rivaliteti në mes të dy ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ringjall sërish pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit që nuk nxorrën asnjë fitues absolut të procesit.

Partia e Thaçit që fitoi mbi 30 për qind të votave dhe pritet të ketë diku 36 ulëse në kuvend po mendonte për partnerët eventualë në formimin e qeverisë, kur papritmas doli lajmi se është bashkuar blloku opozitar për t’ia pamundësuar Thaçit një mandat të tretë si shef i qeverisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga Haradinaj, Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës dhe Nisma për Kosovën e udhëhequr nga Fatmir Limaj u bënë bashkë dhe planifikojnë krijimin e një qeverie të re të “kthimit të shpresës”.

Por, Gani Thaçi nga Buroja (v.j jo vëllai i madh i kryeministrit)  që është pronar i një dyqani të vogël ushqimor, thotë se të krahasosh Hashim Thaçin me Haradinajn është sikur të krahasosh “ditën me natën.”  

“Njerëzit nuk e duan atë”, thotë ai.  “Të bëhesh kryeministër me vetëm 8 për qind të votave do të jetë fatale për popullin tonë”, vijon Thaçi, duke iu referuar rezultatit të ulët të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, të Ramush Haradinaj në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në fakt bazuar në të dhënat e KQZ-zë partia e Haradinajt ka fituar 9.62 përqind të votive. 

Në shumë aspekte fshati i Haradinajt, Gllogjani, krijon ndjenjën e një vendi nga një kohë tjetër.  Të afërmit e këtij politikani jetojnë në kulla tradicionale nga guri, të cilat janë ndërtuar pas luftës.  

Një mur i lartë i rrethon kullat e familjes së tij të ndërtuara pas luftës, ndërsa shtëpia e vjetër kishte shërbyer si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kososvës gjatë luftës së viteve 1998-1999.  Ajo u bë shënjestër e forcave serbe, ndërsa Haradinaj dhe vëllezërit e tij fituan statusin legjendendar atje për heroizmat gjatë luftës.

Vendasit flasin me dashamirësi për tre muaj që Haradinaj kishte qenë kryeministër deri në mars të vitit 2005 kur u tërhoq për t’u ballafaquar me akuza për krime të luftës në Tribunalin e Hagës.  Tani ata janë të lumtur që ai po kthehet sërish.  

“Ramushi nuk është vetëm njeri i Gllogjanit, por ai është i krejt Kosovës”, thotë Sadri Malaj derisa po pushonte pasi kishte kositur barin përpara shtëpisë së tij.

“Njerëzit janë lodhur…Kosova do të jetë shumë fatlume që ta ketë Ramushin për kryeministër”, shton ai.

“Gjatë tre muajve sa ai ishte kryeministër kishte shumë suksese dhe rezultate të qeverisë.”

Partia Demokratike e Kosovës kishte ardhur në krye të qeverisë pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2007, por gllogjanasit kanë pak fjalë të mira për formën e qeverisjes së Thaçit.

Aziz Dervishaj, thotë se gjatë dy mandateve të qeverisjes së Thaçit rajoni i Dukagjinit është lënë pas dore.  

“Thaçi ka ndërtuar një autostradë deri tek udhëkryqi i Komoranit, ka ndërtuar fabrika dhe ka përkrahur atë zonë.  Mirëpo, Gjakova, Peja, dhe Istogu, kanë mbetur në varfëri”, thotë Dervishaj.

“Ramushi do të ndryshojë gjërat për së miri, sepse është njeri shumë i drejtë,” shtoi ai.

Dervishaj tha se ka pritje të mëdha nga Haradinaj në qoftë se bëhet kryeministër.

“Jam i bindur se pas katër vjetëve Kosova do të duket si Gjermania apo Austria”, tha ai.

Ajnja, një grua nga fshati që punon në dyqanin e ushqimit jashtë qendrës së fshatit, thotë se kthimi i Haradinajt në qeveri do të ishte gjë e drejtë meqë ai nuk është  shpallur fajtor për krimet e luftës dy herë.

“Ramushi e meriton të jetë kryeministër.  Fati e deshti që ai të shpallet i pafajshëm dhe shpresojmë që do të vazhojë punën e tij”, tha ajo.

Hashim Thaçi

Nofka: Gjarpëri

Mosha: 46 vjeç

CV: Drejtor politik i UÇK-së, kryeministër

Thaçi iu bashkua kauzës për pavarësinë e Kosovës mjaft herët duke qenë kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Më vonë, mori rol udhëheqës në UÇK duke u bërë përfaqësuesi më i lartë politik i saj.  Për pak kohë ka udhëhequr qeverinë e përkohshme të UÇK-së pas luftës dhe formoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).  

Më 2008 ai u bë kryeministër dhe udhëhoqi shpalljen e pavarësisë. Gjatë qeverisjes së Thaçit, ka pasur përmirësime të mëdha në infrastrukturë, posaçërisht në atë rrugore. Rrogat e zyrtarëve qeveritarë janë rritur dukshëm.  Mirëpo Thaçi është shoqëruar nga skandalet korruptive nga njerëzit rreth tij, pastaj pandehmat për përfshirje në trafikimin e organeve, si dhe shkallën e lartë të papunësisë.


Shtëpia e famijes Thaçi në Burojë | Foto: Edona Peci

Ramush Haradinaj

Nofka: Rambo

Mosha: 45 vjeç

Vendlindja: Gllogjan

CV: Komandant i UÇK-së, kryeministër

Haradinaj u dallua për heroizmat e tij si komandant i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit gjatë luftës së viteve 1998-1999.  Pas luftës ai themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.  Në dhjetor të vitit 2004 u bë kryeministër pasi kishte hyrë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK. Ai mbajti postin e kryeministrit më pak se 100 ditë kur dha dorëheqje për t’u ballafaquar me akuza për krime të luftës në Hagë. 

Në vitin 2008 është shpallur i pafajshëm dhe po ashtu në vitin 2012 pas një rigjykimi. U kthye në Kosovë si hero, por disave nuk u erdhi mirë që shumë shpejt iu afrua kryeministrit Hashim Thaçi në përpjejke për t’u kthyer në qeveri.  Tani kjo duket si një kujtim i largët kur po udhëheq një koalicion, i cili ia pamundëson Thaçit mandatin e tretë si kryeministër.


Kulla e families Haradinaj në Gllogjan | Foto: Edona Peci