Numri i Votuesve dhe Banorëve në Kosovë Pothuaj i Barabartë

Listës së votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit i janë shtuar 33. 735 emra të rinj.

Ata do të kenë të drejtë që për herë të parë t’u drejtohen kutive të votimit të dielën kur kosovarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin 120 anëtarësh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 28 maj ka certifikuar listën përfundimtare, ku të drejtë vote në këto zgjedhje do të kenë 1.782.454 votues, të ndarë në 38 komuna. 

Numri i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është 1.739.825 banorë, sipas regjistrimit zyrtar të bërë gjatë vitit 2011.

Por në dhjetor të 2012 agjencioni kishte rishikuar numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe ka vlerësuar se tash në territorin e Kosovës jetojnë 1.815.606 banorë, sipas një raporti të publikuar gjatë muajit maj të 2014-ës.

Nga kjo del se në Kosovë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të kenë vetëm 33.152 banorë.

Një raport tjetër i Agjencionit të Statistikave të Kosovës, thotë se çdo vit rreth 35 mijë të rinj konsiderohet që mbushin 18-të vjet. Nëse vazhdon me këtë rritje, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas katër viteve, numri i votuesve do ta kalojë numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë. 

Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se regjistrimi i popullsisë dhe numri i votuesve janë dy çështje që duhen shikuar ndaras.

“Në regjistrim të popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezidentë (domethënë që kanë qenë në Republikën e Kosovës në momentin e regjistrimit), kurse në listën përfundimtare të votuesve përfshihen edhe ata që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi. 

Ndërsa, akoma nuk dihet numri i saktë i kosovarëve që jetojnë jashtë Kosovës, rezultatet e para të regjistrimit do të publikohen në fund të vitit 2014, sipas Ministrisë së Diasporës.

KQZ i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se deri në përfundim të periudhës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës i kanë pranuar 29.745 aplikacione për t’u regjistruar për të votuar. 

“Prej tyre janë aprovuar 16.569 aplikacione, kurse janë refuzuar 13.176”, ka thënë Elezi. 

Ndërsa, Gazeta Jeta në Kosovë, ka raportuar me 27 maj se ka pasur probleme teknike që kanë lënë mërgimtarët pa u regjistruar. 

Sipas Elezit, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 numri i aplikacioneve nga diaspora të aprovuara ka qenë 13.652, kurse në zgjedhjet parlamentare të katër viteve më parë numri i aplikacioneve të aprovuara ka qenë 1.640.

Selatin Kllokoqi, nga Instituti i Demokracisë për Zhvillim (D4D) thotë se regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 ka regjistruar të gjithë banorët rezidentë, përderisa numri i përgjithshëm i votuesve përfshinë të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeçare që jetojnë edhe jashtë Kosovës. 

“Jashtë Kosovës janë rreth 350 mijë deri në 500 mijë banorë, numri i votuesve që jetojnë në Kosovë është rreth 120 mijë votues [pa banorët nën moshën 18 vjeçare] dhe kur këtij numri i shtojmë diasporën, personat e vdekur që gjinden në listën votuese, atëherë vijmë te numri prej 1.782.454 personave në listën votuese”, ka shpjeguar Kllokoqi. 

Por sipas statistikave të fundit që janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të ASK-së, del se në Kosovë jetojnë rreth 626.963 banorë nga mosha zero deri në 18 vjeç.

Kllokoqi: “Gjendja e tanishme e listës, ofron mundësi manipulimi”

Selatin Kllokoqi nga D4D, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se gjendja e tillë e listës votuese nuk do të duhej të ndikonte në procesin zgjedhor.

“…por nga e kaluara kemi përvojën e keqe që emrat e të vdekurve si dhe të diasporës janë keqpërdorur dhe është votuar në emër të tyre”, tha ai.

Kllokoqi shprehet se nëse secili votues voton vetëm në emër të vet dhe nëse emrat e tepërt në listë nuk keqpërdoren atëherë procesi do të jetë i rregullt.

“Në të kundërtën nëse ka vullnet për të keqpërdorur gjendja e tanishme e listës votuese ofron një mundësi të tillë”, ka thënë Kllokoqi.  

Instituti D4D nga vjen edhe Kllokoqi, në maj të vitit të kaluar, kishte publikuar një raport në të cilin ka trajtuar topmashtrimet zgjedhore. Në raport janë trajtuar 12 probleme – ndër to, lista e zgjedhësve e ka vendin e parë.  

“Njëri prej problemeve më të mëdha zgjedhore në Kosovë është lista e votuesve”, thuhet në raportin e D4D. 

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar edhe vitin e kaluar rreth kësaj çështjeje, KQZ-ja pati thënë se kanë pastruar listat e votuesve, por megjithatë  numri i njerëzve me të drejtë votimi i afrohet numrit të popullatës. 

Për dallim na numri i tashëm i votuesve në zgjedhjet e para parlamentare në nëntor 2001 ishin regjistruar 1 milion e 249 mijë e 987 votues sipas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërsa në ato të 12 dhjetorit 2010 kishin të drejtë votimi 1 milion e 630 mijë  e 636 persona.

Raporti votues- banorë në vendet e rajonit

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar edhe listat e banorëve dhe të votuesve në Shqipëri, Maqedoni e Serbi të cilat kanë më shumë dallime mes banorëve të këtyre shteteve dhe atyre që kanë të drejtë vote. Madje në Shqipëri, numri i votuesve është më i madh se ai i banorëve. 

Në Shqipëri sipas statistikave jetojnë 2.821.977 banorë, ndërsa të drejtë vote kanë 3.271.885 votues. Sipas kësaj i bie se janë 449.908 votues më shumë se banorë. 

Ndërsa në Maqedoni të drejtë vote kanë 1.779.572 votues, ndërsa janë 2.058.539 banorë. Në Maqedoni nga kjo kuptohet se janë 278.967 më shumë banorë se votues.

Ndërsa në Serbi, sipas statistikave të këtij shteti jetojnë 7.186.862 banorë, ndërsa të drejtë vote në këtë shtet kanë 7.026.579 votues. Nga kjo i bie se në Serbi janë 160.283 banorë më shumë se votues.