Gjakova Si Gjermani dhe Premtime Pa Kufi

Më 27 maj, një ditë para nisjes së fushatës teksa po vizitonte Gjakovën kryeministri në largim Hashim Thaçi u tha gjakovarëve se qyteti i tyre do të jetë Gjermani, nëse ai votohet nga ta edhe për një mandat. 

Në zgjedhjet lokale të 2013-ës bashkë partiaku i Thaçit, Enver Hoxhaj, derisa ishte në Lipjan, kishte thënë se ky qytet me fitoren e PDK-së do t’u ngjante vendbanimeve të Francës

Por kosovarët janë të vetmit qytetarë të Ballkanit që nuk kanë të drejtë pa viza t’i vizitojnë mes tjerash edhe këto dy shtete të fuqishme evropiane. 

Pikërisht kur erdhi në pushtet për së dyti në shkurtin e vitit 2011, kryeministri Thaçi premtoi liberalizim të vizave pas pesëmbëdhjetë muajve të qeverisjes së tij numër dy. Kosovarët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë drejt Zonës Schengen, edhe tash kur kjo qeveri po e përfundon mandatin. 

Në fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 qershorit PDK-ja premtimin për lëvizje të lirë ua ka lënë subjekteve tjera rivale. 

Të njëjtën ditë kur Thaçi vizitoi Gjakovën, kreu i LDK-së Isa Mustafa në një tryezë për siguri dhe politikë të jashtme tha se qeverisja e LDK-së brenda vitit të parë të mandatit do të plotësojë kriteret për liberalizim vizash. 

Ramush Haradinaj i AAK-së udhëtimin pa viza e ka bërë edhe më të shpejtë. Ai në Mitrovicë para katër ditësh tha se qeveria e tij do të mbërrijë liberalizimin deri në fund të vitit. 

Europarlamentarja Tanja Fajon, ish-reportere për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian, kur erdhi në Kosovë gjatë shkurtit të këtij viti nuk dha ndonjë datë se kur kosovarët do të lëvizin të lirë nëpër Evropë. 

Edhe Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, kur foli në Emisionin Jeta në Kosovë në prillin e vitit të kaluar, nuk dha shumë shpresë së vizat do të hiqen shumë shpejt. 

Bashkimi Evropian nuk ua jep lirinë e lëvizjes kosovarëve nga frika e një numri të madh të azilkërkuesve nga Kosova. 

Vetëm në Hungari verën e vitit të kaluar kërkuan azil mbi 5000 mijë kosovarë, të cilët sipas disa prej tyre u mbajtën në kushte të papërshtatshme. 

Në nëntor të 2013-ës kosovarët që në kërkim të strehimit kishin shkuar në Francë duke ndërtuar një kamp tendash nën një urë të Lyon-it, u dëbuan nga atje prej autoriteteve franceze. 

Duke ditur këto, PDK-ja është koncentruar në premtime për vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik. Ajo thotë se nëse fiton mandatin e tretë për formimin e qeverisë, brenda katër vjetëve do të punësojë 200 mijë persona. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, u zotua gjithashtu se mund të krijojë 200 mijë vende të reja pune dhe ta rrisë në një mijë euro rrogën mesatare, që është 750 më shumë se sa ajo aktualja.

Me të njëjtin trend po bën fushatë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës duke premtuar më shumë se 120 mijë vende të reja pune. 

Subjektet tashmë të provuara politike janë “ricikluar”, duke u paraqitur si të reja. PDK-ja bën fushatë me planin “Misioni i Ri” që parasheh krijimin e një fondi të punësimit prej 1 miliard e 500 milionë eurosh.  

AAK-ja reklamon “Drejtimin e Ri”, një plan të ngjashëm për nga fjalët me PDK-në. LDK-ja kërkon votën me “Kthesën”, ndërsa “Vetëvendosje” me moton: “A jeni lodhë”. 

“Nisma” e dy politikanëve tashmë të provuar në PDK, Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit me emrin e saj tenton të paraqitet si risi në skenën politike. 

Program zhvillimor, pa përmendur shifra punësimi shfaq edhe AKR-ja me fjalët: “Na kryemë punë”. Edhe “Vetëvendosje” nuk jep shifra të vendeve të punës, por premton se do të angazhohet për ringritjen e industrisë së rëndë kosovare. 

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, i cilëson si “joreale” premtimet e tilla për vende pune.

“Ekonomia e Kosovës duke përfshirë sektorin privat që është dominues nuk e ka kapacitetin për të krijuar 200 mijë vende të reja pune”, thotë ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Deri më tani, nga gjashtë mijë deri në 10 mijë individë janë punësuar për çdo vit. Pra, si synojnë ata të krijojnë 50 mijë vende të reja të punës për çdo vit”?, pyet Limani. 

Ai i konsideron jovizionare subjektet politike kosovare.

“Të gjitha partitë e kanë bërë prioritet ekonominë, por nuk kanë ndonjë program, strategji ose vizion”, shtoi ai.

Edhe Albert Krasniqi hulumtues në KIPRED mendon se të gjitha premtimet gjatë fushatës “dështojnë t’i përshtaten realitetit të vendit dhe rrjedhimisht do të jenë vështirë për t’u zbatuar”.

“Deri më tani kemi dëgjuar vetëm se si do ta shpenzojnë buxhetin, por askush nuk pyet se si do të krijohet ai buxhet i shpenzuar”, shpjegon ai.

PDK-ja e LDK-ja gjithashtu nëse votohen nga qytetarët kanë plane edhe për hekurudhat e Kosovës. 

LDK-ja dëshiron lidhje hekurudhore Kosovë-Shqipëri, sipas saj për ta rritur shkëmbimin tregtar dhe zhvilluar ekonominë. Por “Rruga e kombit” e ndërtuar në të dy anët e kufirit mes dy shteteve që kushtoi rreth 2 miliardë euro nuk po përdoret shumë për qëllime ekonomike. 

Idenë për lidhje hekurudhore Kosovë-Shqipëri e dha në vitin 2009 ish-kryeministri Sali Berisha, por në atë kohë shteti shqiptar nuk kishte para për ta sjellë hekurudhën deri në kufi me Kosovën. 

Nisma, partia që u nda nga PDK-ja më 28 shkurt 2014, kritikon më së shumti premtimet e partisë në të cilën nisëm karrierën politike drejtuesit e saj. 

Në faqen e internetit të Nismës, plani i PDK-së për krijimin e 200 mijë vendeve të reja punës cilësohet si “mashtrim elektoral”.

“Gjatë këtyre zgjedhjeve, Hashim Thaçi po perpiqet të manipulojë ndjenjat e qindra-mijëra kosovarëve të varfër për të cilët vendi i punës është bërë një makth i përditshëm”, thuhet në këtë faqe.