Deputetë që Nuk e Dinë pse Votuan

Kur u përball me Glauk Konjufcën e “Vetëvendosjes” të mërkurën, derisa votohej marrëveshja ndërkombëtare me BE-në që brenda vetes ka edhe Gjykatën Speciale, deputeti i PDK-së Berat Buzhala votimin në Kuvend e bëri të lehtë.

Duke thënë se “Vetëvendosja” çdo herë ia ka huqur, Buzhala tha se “njeriu mundet edhe qorrazi me vendosë kur ju sheh juve, për me u pozicionu në anën tjetër”.

Një ditë pas votimit, Buzhala e pranoi se deputetët që i thanë po marrëveshjes nuk i dinë detajet e asaj që kanë votuar, por sipas tij gjykata do të ketë juridiksion ndaj krimeve të pretenduara nga Raporti i Dick Martyt në Këshillin e Evropës gjatë 2010-ës.

“Jo qartë nuk e kena, saktësisht, llojin e krimit, por na e dimë se Kuvendi do të ketë edhe vendime të tjera për këtë çështje. Ky ka qenë vetëm vendimi i parë i Kuvendit dhe nuk është thënë fjala përfundimtare”, thotë Buzhala për Gazetën Jeta në Kosovë.

Marrëveshje ndërkombëtare u përpilua në bazë të letërkëmbimit të presidentes Jahjaga me shefen për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së Catherine Ashton. Jahjaga i shkroi Ashtonit më 14 prill, ndërsa baronesha ia ktheu presidentes letrën katër ditë më pas.

Në letrën që Ashton ia ktheu Jahjagës thuhet mes tjerash edhe se “Puna e Task-Forcës Speciale Hetuese të EULEX-it (SITF) dhe çdo procedurë juridike që del prej saj do të vazhdojë për aq kohë, derisa Këshilli i Evropës të njoftojë Kosovën që hetimi dhe këto procedura do të përfundojnë”.

Kjo pjesë e deklaratës së Ashton-it merret si bazë për krijimin e gjykatës, ndërsa Task-Forca është krijuar për të hetuar pretendimet e Martyt.

Kompetencat e panjohura të gjykatës

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri e pranoi se nuk e di cili do të jetë mandati i gjykatës, por edhe ai e përmendi Raportin e Dick Martyt si bazë të saj.

“Ka qenë një projektligj për këtë gjykatë dhe për EULEX-in, ndërkaq nuk është në autoritetin tim për të ditur se me çfarë krimesh do të merret. Është thënë se bazë e themelimit të saj do të jetë raporti i zotit Marty, i miratuar në Këshillin e Evropës”, thotë Beqiri.

Ndërsa Adem Grabovci që drejton deputetët e PDK-së në Kuvend tha se gjykata do të trajtojë vetëm pretendimet për krime të dala nga raporti i Dick Martyt.

Njësoj u shpreh edhe Ardian Gjini, drejtuesi i Grupit Parlamentar të AAK-së.

“Gjykata bazohet në Raportin e Dick Martyt, ne i themi raporti i Dick Martyt, por në fakt është raporti i Këshillit të Evropës”, thotë Gjini.

Ai ngushëllohet se Gjykata do të veprojë me ligje të Kosovës, ndërsa sipas Gjinit nuk do të dalë jashtë pretendimeve për krime nga raporti i Martyt.

“Gjykata do të veprojë me kompetenca të Kosovës. Republika e Kosovës ka Kod Penal, ka Kod të Procedurës Penale edhe kompetencat e një gjykate. Për me dalë jashtë kompetencave të Raportit të Këshillit të Evropës ka ende EULEX dhe ka ligje të Kosovës”, shtoi Gjini.

As Presidenca nëpërmjet zëdhënësit të saj Arbër Vllahiu nuk tregoi kompetencat.

“Çështjet e organizimit, funksionimit dhe të veprimit të gjykatave duhet t’i kërkoni tek institucionet kompetente të drejtësisë në Kosovë, edhe ato vendore, edhe ndërkombëtare”, tha Vllahiu.

Por shefja e Grupit Parlamentar të KKR-së mendon se kompetencat e gjykatës janë të qarta.

“E kanë parë të gjithë tekstin, nuk është e vërtetë që nuk dihen kompetencat e kësaj gjykate.Teksti ka qenë i shpërndarë për të gjithë deputetët dhe të gjithë e dinë punën e kësaj gjykate që ka të bëjë me raportin e Dick Martyt”, thotë Selmani.

Më e qartë për gjykatën është letra që Jahjaga i dërgoi baroneshës Ashton para dhjetë ditësh, të cilën të plotë e siguroi Gazeta Jeta në Kosovë.

“Në pajtim me këtë, një gjykatë e specializuar brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe një zyrë e specializuar prokurorie do të shfrytëzoheshin për procedurat gjyqësore të Kosovës dhe të apelit që dalin nga hetimet e SITF-së”, thuhet në letrën dërguar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme.

Letra vazhdon me fjalët se kjo gjykatë do të ketë një seli në Kosovë,  por procedurat e ndjeshme, duke përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve, do të mbesin jashtë vendit, varësisht nga natyra e akuzave.

Deputeti i “Vetëvendosjes”  dhe ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi që si të tjerët e subjektit të tij votoi kundër marrëveshjes ndërkombëtare me BE-në thotë se kompetencat e gjykatës nuk i di as qeveria, e as ndokush tjetër.

“Pra, po votohet diçka, për çka nuk dihet”, tha Selimi.

“Gjykata pengon pajtimin shqiptaro-serb”

Krenar Gashi drejtor në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) mendon se Kuvendi nuk themeloi gjykatën.

“Konsideroj qe kuvendi nuk e ka bërë themelimin e gjykatës, por vetëm e ka deleguar këtë proces te BE-ja, gjë që më bën të mendoj se nuk ka asgjë joetike në këtë votë”, thotë Gashi.

Edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se ka paqartësi rreth gjykatës.

“Juridiksioni i Gjykatës Speciale nuk është i përcaktuar në mënyrë konkrete në mes të letërkëmbimit të zonjës Jahjaga dhe zonjës Ashton,  i cili është ratifikuar në Kuvend përmes një projektligji”, thotë Korenica.

Korenica kërkon përgjegjësi më të madhe të deputetëve kur votohen çështje të tilla të rëndësishme.

“Deputetët e Kosovës e kanë bërë zakon që të votojnë akte në Kuvend pa pasur një qartësi në atë se çfarë po votojnë”, thotë Korenica.

Rexhep Selimi gjykatën e konsideron paragjykuese.

“Kjo Gjykatë Speciale paragjykon për këto krime jo vetëm Kosovën, jo vetëm UÇK-në, por shqiptarët për krime”, thotë Selimi.

Por Ismet Beqiri mendon se është më mirë që gjykata u votua në Kuvend.

“Do të ishte një gabim shumë i madh për t’u formuar një Gjykatë Speciale me vendim të Këshillit të Sigurimit”, shpjegon Beqiri.

Por edhe pse deputetja Rada Trajkoviq të mërkurën tha se miratimi i marrëveshjes ndërkombëtare me BE-në do ta hapë rrugën e pajtimit shqiptaro-serb, Krenar Gashi i INDEP-it mendon se gjykata do të ketë efekt të kundërt në marrëdhëniet mes këtyre dy popujve.

“Kjo gjykatë do të ketë rol negativ sa i përket pajtimit shqiptaro – serb, pasi që ndërton shpresa të mëdha te serbët se do të ketë një balancë politike sa u përket krimeve te luftës”, thotë Gashi.