Muja - 100 Ditët e Para Nëpër Gjykata (TV)

Pak ditë pasi i kishte bërë 100 ditë si kryetar i rikonfirmuar i Prizrenit, Ramadan Muja u “shpërblye” nga Gjykata Themelore e këtij qyteti më 2 vjet burgim me kusht.
   
Ai bashkë me 5 zyrtarë tjerë komunalë që morën dënime më të lehta, u dënuan për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar. Për këtë Muja është ankuar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

Kjo situatë, sipas opozitës, ngre dilema të shumta morale sa i përket qeverisjes në Prizren.

Hanefi Muharremi nga LDK-ja thotë se premtimet e shumta të kryetarit Muja kanë mbetur vetëm premtime në letër.

Ai përmend premtimet për rregullimin e shtratit të Lumbardhit, ndërtimin e një teleferiku për kala dhe ndërtimin e impiantit dhe zonës së parkut të biznesit.

“Janë këto premtime kapitale për të cilat qytetarët e Prizrenit, kanë pritë të paktën të fillojnë punimet, por nga kjo nuk ka asgjë”, thote Muharremi.

Muharremi shton se nga kryetari është pritur të investohet edhe në hapjen e vendeve të punës, mirëpo sipas tij as kjo nuk ka ndodhur.

Muharremi mendon se pengesë kryesore për mosrealizimin e premtimeve të kryetarit Muja, kanë qenë gjykimi dhe dënimi i Mujës si dhe protestat e qytetarëve për dorëheqjen e tij.

Arbër Rexhaj, Kryetari i Vetëvendosjes për Prizrenin, mendon se në këtë komunë nuk ka çfarë të analizohet mbi performancën 100 ditore të qeverisë lokale.

“Brenda këtyre 100 ditëve nuk ka pasur asnjë projekt i cili ka qenë konkret ose i realizuar, po ashtu brenda këtyre 100 ditëve Muja nuk është marrë me asgjë tjetër pos me seanca gjyqësore”, tha Rexhaj.

Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik Zafir Berisha thotë se Muja dhe drejtorët e tij një pjesë të madhe të kohës e kanë kaluar në gjykatë. Sipas tij, nga qeverisja aktuale mungojnë edhe veprimet simbolike.
 
“Mendojmë se 100 ditëshi i kësaj qeverie të korruptuar identifikohet me gjykatën dhe me përballjen me organet e drejtësisë. Në fakt nuk jemi duke parë ndonjë realizim të ndonjë projekti të premtuar, përpos ndonjë mbulimi të gropave dhe shkatërrimi të natyrës në qendër të qytetit siç e kanë vërejtur edhe qytetarët, ku drunjtë që janë edhe 50 vjeçarë i shkatërrojnë”, thotë Berisha.

Për mospërmbushje të pritjeve të qytetarëve nga qeverisja e Mujës flet edhe Naim Cahani, nga KDI-ja që monitoron punën e komunës.

“Vlen të potencohet neglizhenca për inicimin e një premtimi që për ne ka qenë shumë i domosdoshëm, është zgjidhja e problemit të parkingjeve dhe tregjeve në partneritet publiko- privat, do të thotë deri në këtë periudhë nuk ka lëvizje që kryetari të fillojë të përmbushë një premtim që vërtet qytetarëve të Prizrenit u mungojnë edhe tregjet edhe parkingjet”, tha Cahani.

Cahani thotë se gjatë këtij mandati kanë filluar të realizohen vetëm dy premtime.

“Gjatë kësaj periudhe ajo çka është vërejtur në kuadër të këtij mandati të tretë qeverisës, është projekti i ndërtimit të sheshit të Lidhjes dhe disa aktiviteteve tjera prokuruese, në këtë rast subvencionimi i serrave me participim. Aktivitete tjera prokuruese gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur”.

Ndryshe nga opozita dhe shoqëria civile, zëdhënësi i komunës njëherësh këshilltari politik i kryetarit Muja, mendon se gjatë kësaj periudhe është punuar në komunën e Prizrenit.

Berisha, thotë se opozita është e lajthitur dhe nuk e kupton faktin që qytetarët e kanë vazhduar kontratën me PDK-në edhe për një mandat, meqë i kanë besuar Mujës.

“Opozita me të thënë të drejtën është duke e jetuar një moment krize të brendshme dhe po mundohet që atë krizë ta interferojë ose ta shpërndajë në opinionin publik me adresë të gabuar”, tha Berisha, duke e përmendur si përmbushje premtimi fillimin e punimeve në sheshin përballë Lidhjes së Prizrenit, i cili ka filluar të ndërtohet para dy javësh.
 
Ai tha se duhet  referuar  OJQ-së “Ec ma ndryshe” që gjithashtu monitoron komunën e Prizrenit, e cila sipas Berishës demanton ato që thotë opozita.

Sipas Berishës në webfaqen e kësaj organizate mund të shihen vendimet e shumta që ka marrë Komuna e Prizrenit .

Por Elmedina Baxhaku nga “Ec Ma Ndryshe”, thotë se monitorimi i tyre bazohet në tri pika: Gjykimi i kryetarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mosemërimi i ekzekutivit lokal me kohë dhe mostakimi i kryetarit me drejtorët, në përjashtim të dy rasteve.

“Ne nuk kemi identifikuar ende që është realizuar ndonjë projekt. Është premtuar për 100 ditëshin parkingu që do të bëhet, pastaj lëshimi me partneritetin publiko-privat dhe këto nuk janë realizuar ende, do të thotë nuk mund të mendojmë që komuna ka bërë diçka për këtë 100 ditësh, do të thotë që ka vazhdu diçka për mandatin e tij të tretë”, tha Baxhaku.

Megjithatë këshilltari politik i kryetarit Muja, thotë se shumë prej projekteve janë vazhdimësi e punës nga mandati i kaluar dhe se sipas tij shumica prej premtimeve të dhëna kanë filluar realizimin dhe se për shumë prej tyre kanë filluar politikat tenderuese.

Si projekte të iniciuara, ai përmendi shtimin e kapaciteteve të ujit të pijes, ndërtimin e lokacionit të ri për varrezat e reja të qytetit, impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, pajisje të reja për diagnostifiikimin e sëmundjeve, vendosjen e kamerave në hapësirat e qytetit, pajisjen e zjarrfikësve me mjete moderne, infrastrukturën për turistët, lokacionin për ndërtimin e 300 banesave sociale, hapjen e një kuzhine popullore, subvencionimin e klubeve sportive etj.

Si ngecje Berisha përmendi disa projekte të cilat as që kanë nisur, por pritet të kryhen brenda mandatit katërvjeçar.

Këtu ai futi ndërtimin e shkollës së muzikës dhe arteve, hartimin e planeve rregulluese, funksionalizimin e parkut të biznesit në 84 hektarë, terminalin prej 300 hektarësh në zonën “Boka”,  ndërtimin e dy qendrave të mjekësisë familjare nëpër fshatra, mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë së varrimit për të vdekurit,  si dhe rregullimin e teleferikut prej Lidhjes së Prizrenit në kalanë e lashtë ilire.

Si dy projekte më të rëndësishme që ka arritur Komuna e Prizrenit nën udhëheqjen e dy mandateve të Ramadan Mujës, këshilltari i tij i përmend arritjen e furnizimit 24 orësh me ujë të pijes dhe ndërtimin e tranzitit të vjetër që ka kushtuar  rreth 5 milion euro

Edhe qytetarët e Prizrenit janë të vetëdijshëm për kohën që kryetari i tyre është dashur ta kalojë në gjykatë.

“Qeverisja gjatë 100 ditëshit, ka qenë ndoshta pak me ngecje, për arsye se kanë shku disa procedura gjykuese për kryetarin Ramadan Muja, mirëpo ato çka janë premtu, disa aty këtu janë prekë, kanë nisë të ndërtohen, mirëpo jo të finalizohen të gjitha”, tha qytetari Lulzim Xhaferi.

Megjithatë ai tha se pret ditë më të mira nën qeverisjen e Mujës

Halim Krasniqi, një qytetar i moshuar mendon se gjatë kësaj kohe nuk ka ndryshuar ndonjë gjë dhe se Muja nuk duhet të qeverisë me qytetin e Prizrenit, për shkak të moshës që e ka.

”Un[ s’po shoh. Mu kanë shihen gjanat…Ramadan Muja, e ka marrë veten në qafë. 75 vjeçar çka ka me lyp aty?”, tha Krasniqi.

Opozitarët  nga BD-ja, LDK-ja dhe VV-ja edhe me rastin e 100 ditëshit të qeverisjes së Mujës kërkuan kërkuan dorëheqjen e tij, por këshilltari i Mujës e hedh poshtë këtë mundësi.

“Opozita nuk e ka të qartë edhe këtu me kërku dorëheqje është ambicie dhe me ambicie as nuk qeveriset një komunë, as nuk bëhet politikë”, tha Berisha, i cili shtoi se përkundër përballjes me akuzat për korrupsion, Muja vazhdimisht e ka pasur vullnetin për t’u marrë me projektet e komunës.