Qeverisja e Hazirit-100 Ditë me Borxhet e Trashëguara (TV)

Duket se qëndrimi në zyrën e kryetarit të Gjilanit mes viteve 2000 – 2005 ia kishte lënë ëmbël Lutfi Hazirit, i cili në zgjedhjet e nëntorit 2013 hyri me vrull, e duke përdorur edhe çështje mjaft delikate, si ajo e mbulesës së nxënëseve.

Ai përgjatë gjithë fushatës kishte  premtuar se do të lejonte shaminë në shkolla, përkundër që për këtë ia tërhiqnin vërejtjen kryetari i partisë së tij dhe Ministria e Arsimit, duke ia bërë me dije se një gjë e tillë nuk është kompetencë komunale.

Tash kur kanë kaluar 100 ditë prejse ka rimarrë zyrën e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri nuk ka arritur të bëjë ndonjë gjë për lejimin e shamive në shkolla, por vazhdon të premtojë.

Ai vazhdon të thotë se shkollimi është i garantuar me Kushtetutë dhe se shkollimi fillor është obligativ, por nuk ka arritur ta ndryshojë, ose së paku të iniciojë ndryshim të udhëzimit administrativ që ndalon shaminë në shkollat e Kosovës.

Përveç kësaj, Lufti Haziri u kishte premtuar votuesve gjilanas, rregullim të infrastrukturës dhe kanalizimit, depolitizim të arsimit, mbështetje për klubet sportive, parqe, kopshte, ndriçim publik, zgjerim të rrugëve, mbështetje të bujqësisë, e shumë të tjera, por në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, këto premtime ende mbeten në fazën e vlerësimeve dhe planifikimeve.

Përgjatë kësaj kohe, Haziri thotë se është marrë me borxhet e trashëguara, të cilat sipas tij kapin vlerën e 9.6 milionë eurove. Edhe pagesa e këtyre borxheve ka qenë premtim i fushatës së Hazirit.

“Ne kemi fillu  që përveç zbardhjes së borxhit dhe kategorizimit, edhe me servisimin e tyre, pra pagesat e para të këtyre borxheve”, thotë Haziri.

Sipas tij komuna nën qeverisjen e tij ka punuar paralelisht edhe në angazhimet që dalin nga programi i shpalosur gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Qemajl Mustafa, ish kryetari i Gjilanit në qershor të vitit të kaluar duke folur për borxhet e kësaj komune i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë se më shumë se borxhit, duhet kushtuar rëndësi faktit se si është krijuar ai borxh. Nëse është krijuar për të bërë efekt në qeverisje, apo jo?

Mustafa atëherë ishte ankuar se buxhetet e komunave kanë mbetur të njëjta ndër vite, ndërsa kërkesat ndaj tyre vazhdimisht janë rritur.

“Organizmi është rritur, e këmisha ka mbetur e njëjtë. Kështu dikur këmisha shqyhet. Kjo është situata në të cilën ndodhemi tash”, pati thënë Qemajl Mustafa.

Ulje dhe ngritje e taksave komunale

Në anën tjetër, një nga premtimet e tij ka qenë edhe ulja me 100 për qind e taksave komunale .

“Draft-tarifa komunale e miratuar në asamble ka bërë uljen e kategorive të veçanta të tarifave, të të hyrave dhe taksave tjera komunale, në mënyrë që me stimulu biznesin e vogël dhe familjar në veçanti”,  thotë Haziri.

Por sipas vendimit të  marrë në mars, disa nga këto kategori kanë pasur edhe ngritje të tarifave dhe taksave komunale.

Për shembull  bastoreve, lotarive dhe  lojërave tjera të fatit taksa prej 1000 eurosh u është ngritur  në 2000,  për kazinot nga 1500 taksa ka shkuar në 3000 euro dhe leja për ndalje të ngarkim-shkarkimit të mallrave në ato vende ku nuk pengohet komunikacioni, për një muaj ka qenë 20 euro, ndërsa me vendimin e ri është 40 euro.

Në anën tjetër ky vendim  ka liruar ndër të tjera parkingjet e rezervuara të komunës rreth objekteve të banimit kolektiv, ku tarifa  vjetore për persona fizikë ka qenë 100 euro, ndërsa tani është 70. Qiraja mujore për metër katror për të gjitha objektet komunale me material të fortë ndërtimor, me destinim lokal afarist për zonën A/I, ka qenë 15 euro, ndërsa është  zbritur në 10.

Është hequr fare tarifa prej 5 eurosh për pranimin e kërkesave për shërbime publike.

Po ashtu pa taksë vjetore do të mund të shfrytëzohen objektet komunale për ushtrimin e veprimtarive zejtare si këpucëtar, kapelapunues e të ngjashme, e cila ka qenë 5 euro deri tash.

Sipas Hazirit, do të ketë së paku 40 për qind ulje të tatimit në pronë, sepse llogaria sipas tregut në vitet e kaluara ka qenë e mbivlerësuar.

Mirusha legjendare

Ndërsa premtimet për përmirësimin e infrastrukturës ende mbesin në fazën e premtimeve, Haziri thotë se këto investime në fazën e parë do të jenë 2.5 milionë euro dhe do të përfshijnë investimet në kanalizim, rrugë dhe ndriçim.

“Këtë vit do t’i japim përparësi përfundimit të shtratit të lumit Mirusha”, thotë Haziri, duke folur për një projekt që e kishte përcjellë kryetarin e kaluar të Gjilanit Qemajl Mustafën në dy mandatet e tij.

Një ndër problemet kryesore që e kanë zvarritur këtë projekt ndër vite ka qenë edhe shpronësimi.

Sipas Hazirit në 100 ditëshin e parë janë bërë edhe 300 mijë euro shpronësime, ndërsa vlera e përgjithshme e pjesës së mbetur të projektit është 1.9 milion euro.

Kryetari i Gjilanit ashtu sikurse paraardhësi i tij shpreson në ndihmën financiare të qeverisë për finalizimin e këtij projekti.

Haziri po ashtu kishte premtuar 1 milion euro për bujqësi qysh në vitin e parë, por tash arsyetohet se e ka gjetur buxhetin të miratuar nga ish-kryetari dhe kuvendi, por shton se është në fazën e evaluimit dhe se do të ketë subvencione të drejtpërdrejta për bujqit.

Lutfi Haziri është pak më specifik kur flet për premtimin se do ta lirojë zyrën e kryetarit, në mënyrë që i tërë objekti i komunë t’i jepet Muzeut të Qytetit. 

“Vendimi është formu dhe ky objekt do t’i bartet muzeut të qytetit dhe do të administrohet nga zyrtarët e përkohshëm që do ta themelojnë muzeun, ndërsa Zyra e Kryetarit do të bartet te administrata”, thotë Haziri, duke premtuar se ky dorëzim do të bëhet në qershor.

Sipas zyrtarëve të komunës objekti në fjalë është njëri prej objekteve më të vjetra në Gjilan dhe është objekt i mbrojtur në kuadër të listës për monumentet dhe trashëgiminë kulturore.

Femrave të Gjilanit Lutfi Haziri u kishte premtuar shkollim falas.

Haziri thotë se shkollimi falas për femra nënkupton transport falas dhe bursa, por shton se këtë vit duhet të paguajë 50.000 euro borxhe që i kishte trashëguar nga viti i kaluar, meqë studentët nuk i kishin marrë bursat.

 “ Në Gjilan mandatin e kaluar nuk janë mbyllur subvencionet,e që është problem ligjor…Paralelisht po punojmë në mbylljen e një numri të madh subvencionesh dhe me i planifiku subvencionet (e reja)”, thotë Haziri.

Në këtë ndihmë Haziri ka menduar të përfshijë kategoritë e femrave që kanë probleme sociale, të shkollimit të mesëm, ose universitar.

Po ashtu Haziri u kishte premtuar të gjitha klubeve sportive se do të kenë buxhetin e ndarë vjetor, ndërsa tash thotë se sporti është në fazën e vlerësimit dhe planifikimit.

Premtimet për pastërtinë e qytetit, parqet, kopshtet për fëmijë dhe ndriçimin publik sipas tij janë në fazën e programimit.

Ndërtimi i katër korsive të premtuara për rrugën  Gjilan-Prishtinë, ai thotë se do të fillojë këtë vit, bashkë me rrugën Gjilan-Bujanovc.

Edhe premtimet e tij për arsim te depolitizuar dhe qasje të secilit qytetar në mjekësi, mbesin ende premtime.

Kështu, përkundër tejkalimit të numrit të punëtorëve në arsim dhe shëndetësi, Haziri thotë se do të krijojë arsim të depolitizuar duke i përfshirë edhe këshillin e nxënësve dhe prindërve nëpër panele, ndërsa për shëndetësi thotë se do të ketë kontrolle sistematike mjekësore në shkolla, çerdhe e sidomos fshatra.

Gjatë 100 ditëshit të parë Lutfi Haziri ka larguar rreth 30 punëtorë të administratës komunale. Sipas tij të gjithë këta punëtorë kanë qenë me kontrata në vepër dhe se janë larguar për shkak të kostos buxhetore dhe mbingarkesës së madhe të stafit.

PDK: Haziri ende në fushatë

Sahit Abazit shefit të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Gjilan, 100 ditëshi i qeverisjes së Lutfi Hazirit i krijon përshtypjen se është ende në fushatë.

“Luta po vazhdon me premtime, por në fakt asnjë nga premtimet e fushatës, pas fushatës,  nuk është realizuar në praktikë“, thotë Abazi.

Sipas tij, krejt ajo çka ka ndodhur në Gjilan deri tash janë vazhdime të projekteve të qeverisjes së kaluar dhe  nuk ka asnjë projekt të ri nga qeverisja e re.

Megjithatë Abazi ia vlerëson një punë Lufti Hazirit.

“ Për mos e me ba krejt kritikë, Luta ka dalë dhe i ka heqë disa hekura,  një rrethojë te objekti i ish-gjykatës dhe këtu mund t’ia bëjmë një ‘tik’ pozitiv“, thotë Abazi

Sahit Abazi e ka kritikuar kryetarin edhe për  siç thotë air-vizitat  e shumta jashtë shtetit.

Por sipas Hazirit vizitat jashtë vendit kanë qenë zyrtare dhe se shumica prej tyre kanë qenë të aranzhuara para zgjedhjeve lokale.

VV: Qeverisja e LDK-së e përgjumur

Ismajl Kurteshi, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje për Gjilanin e quan qeverisjen e Lutfi Hazirit administratë të përgjumur
 
“Është një administratë e përgjumur e cila për këta tre muaj që mjaftojnë për identifikimin e problemeve por edhe fillimin e zgjidhjeve të këtyre problemeve që janë të shumta, akoma asgjë nuk ka ndodhë “,  thotë Kurteshi. 

Kurteshi e kritikon Hazirin edhe për faktin se i janë dashur  rreth tetëdhjetë ditë që të emërohen drejtorët komunalë.

Sipas njoftimit zyrtarë të Zyrës për Media të Kuvendit Komunal të Gjilanit, emërimi i drejtorëve komunalë është bërë me 22 shkurt 2014, pra gati dy muaj pasi Lutfi Haziri kishte marrë detyrën si kryetar komune.

Por sipas Hazirit vonesa e zgjedhjes së drejtorëve nuk ka të bëjë me kohë, por me tranzicion.

Kryetari i Gjilanit thotë se në fillim ka vendosur që në muajt e parë të punojë me ushtrues të detyrave, të cilët, siç thotë ai, kanë qenë shërbyesit më të vjetër civilë kryesisht dhe njerëz që e kanë njohur administratën.

Fehmi Sylejmani, bashkëpartiaku i Kurteshit dhe këshilltar komunal thotë se kryetari nuk e ka përmbushur premtimin për reduktim të drejtorive dhe për hapjen e një zyreje për Luginën e Preshevës.

Muhamet Halili, gazetar dhe themelues i portalit informativ “2lonline.com”, që ndër të tjera e monitoron edhe punën e kuvendit komunal,  thotë se në terren nuk është parë ndonjë gjë konkrete gjatë 100 ditëshit të parë.

 “Ekziston përshtypja që këto 100 ditët e para më tepër kjo qeverisje është marrë me riorganizim të brendshëm në të gjitha strukturat dhe ekziston përshtypja që në raport me qytetarin, ose në raport me veprimet në terren nuk është parë ndonjë veprim konkret”, thotë Halili.

Sipas  tij në terren është punuar vetëm te lumi “Mirusha”.
 
“Në aspektin e brendshëm është ulja e shpenzimeve që e ka bërë ky pushtet, ku sipas zyrtarëve komunalë në të gjitha drejtoritë shpenzimet janë ulur deri në 50 për qind, e ky vlerësohet një veprim i mirë edhe nga qytetarët”, thotë Halili.

Edhe Muhamet Halili i përmend udhëtimet e shumta të kryetarit jashtë shtetit.

“Nëse e marrim 100 ditshin e parë, mund të llogaritet se mbi 30 për qind të asaj kohe kryetari nuk ka qenë në Gjilan”, thotë Halili.

Ai thotë se nëse do të dalë diçka e mirë për Gjilanin si rrjedhojë e këtyre vizitave, atëherë kjo do të vlerësohet si veprim i qëlluar.

“Në të kundërtën, këto vizita do të konsiderohen të kota”, mendon Halili. 

Qytetarët shpresojnë

Muharrem Emini, qytetar i Gjilanit, thotë se Haziri edhe më herët ka qenë kryetar i Gjilanit dhe se e kishte dorëzuar në gjendje të mirë komunën.

“Sa e di unë minus 7 milionë është mbetë borxh Qemajl Mustafa. Unë nuk e di tash çka mundet me ba ky me këto borxhe”, thotë Emini.

Megjithatë, Muharrem Emini thotë se gjatë kësaj kohe nuk vërehet ndonjë ndryshim.

Edhe Lindita Korbi, shitëse në një dyqan lulesh, thotë se këto 100 ditë nuk ka vërejtur ndonjë punë të madhe, por ajo thotë se ndoshta 100 ditë nuk janë të mjaftueshme për të bërë shumë punë.

“Nëpër portale po shohim informacione, takime me njerëz të ndryshëm dhe po shpresojmë që ditët e ardhshme të ketë më shumë ndryshime se qeverisja e kaluar ”, thotë Korbi.

Ajo beson se kryetari do t’i mbajë premtimet.

Lutfi Haziri ka qenë kryetar i Gjilanit edhe më herët prej vitit 2000 deri në janar të vitit 2005.

Përkundër Qemajl Mustafës që ka jetuar në Prishtinë, kryetari i tashëm thotë se jeton në Gjilan, në rrugën “Mulla Idrizi”.

LDK-ja në Gjilan është në koalicion me AAK-në, Partinë e Drejtësisë, Partinë Republikane, Lëvizjen Vatra , Partinë Turke – KDTP, Partinë Social Demokratike dhe Lëvizjen për Integrim dhe Zhvillim.