Pragu 2.5 Për Qind Mban Mbyllur Kuvendin për të Pavarurit

Partitë politike qoftë të  pozitës ose të opozitës si duket nuk e kanë ndërmend që të bëjnë kompromis për të ulur pragun zgjedhor nga 2.5 për qind në 1 për qind për kandidatët e pavarur, edhe pse kjo është kërkesë e një numri organizatash joqeveritare dhe vetë Avokatit të Popullit.

Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme që kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 3 prill të këtij viti, është duke u shqyrtuar në Komisionin për Legjislacion, ndërsa së shpejti mund të miratohet nga legjislativi.

Aty parashihet ky prag i lartë për ata që ia mësyjnë vetëm, e pa subjekt politik karriges së deputetit.

Përfaqësuesit e subjekteve politike kanë shpjegime të ndryshme pse janë për pragun prej 2.5 për qind.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri mendon se në Kosovë ka individë që mund ta kalojnë këtë prag.

“Mendoj që nuk është shumë relevante te çështja e kandidatëve të pavarur sa e kanë pragun, pasi në Kosovë ka personalitete të cilët mund të marrin vota edhe me këtë përqindje”, thotë Beqiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Glauk Konjufca i “Vetëvendosjes” këtë prag e arsyeton me legjitimitetin e të pavarurve.

“Mendojmë që do të ishte shumë më rëndësi që për deputetët të cilët janë të pavarur, nëse veç hyjnë në Kuvend të Kosovës të jetë një masë e votave të konsiderueshme që janë të pranueshme për qytetarët e Kosovës”, thotë Konjufca.

Ardian Gjini që drejton grupin e deputetëve të AAK-së dhe është anëtar i Komisionit për Legjislacion shfaq drojën se zvogëlimi i pragut për kandidatët e pavarur do ta bëjë shumë të gjatë listën e atyre që duhet të votohen.

“Nëse ulet pragu zgjedhor prej 1 për qind [të pavarurit], do të garojnë për 100 vende. Shumë njerëz në Kosovë që besojnë se i marrin [votat], atëherë një fletëvotim prej 100 e diçka  subjekteve është vështirë edhe për t’u shtypur”, thotë Gjini.

Partitë e centralizuara

Por Albert Krasniqi nga KIPRED-i, shpjegon se subjektet politike mbështesin këtë prag për një arsye tjetër.

“Partitë politike kërkojnë që pragu zgjedhor për kandidatin të jetë i lartë, më qëllim për t’i mbajtur partitë të centralizuara dhe të lidhura me liderin”, thotë Krasniqi për gazetën.

KIPRED-i është njëra nga organizatat që i shkroi institucionit të Avokatit të Popullit për të bërë presion që të ulet ky prag në 1 për qind.

Kësaj nisme iu bashkuan edhe Demokracia për Zhvillim (D4D), Developing Together (DT), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut (KHK) dhe Qendra Politike për Avokim (QPA).

Avokati i Popullit më 20 shkurt shqetësimet e OJQ-ve në formë raporti ua dërgoi kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqit dhe kreut të Komisionit për Legjislacion Arben Gashit. Raporti i ombudspersonit u shkoi edhe anëtarëve të këtij komisioni.

Avokati i Popullit në raportin e tij kërkon që neni 111, paragrafi 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që rregullon ndarjen e votave ose pragun zgjedhor të riformulohet.

“Për subjektet politike kolektive pragu zgjedhor të jetë maksimumi 3 për qind, kurse për subjektet politike individuale (kandidatë të pavarur), të jetë maksimumi 1 për qind nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet në Kuvend”, kërkohet nga Avokati i Popullit.

Aktualisht pragu zgjedhor për subjektet politike është 5 për qind, ndërsa në projektligjin e ri krahas 2.5 përqindëshit për kandidatët e pavarur është propozuar pragu 7.5 për qind për koalicionet.

Neni 111, pika 2.a e Ligjit të vjetër për Zgjedhjet e Përgjithshme shpjegon që 100 vendet në parlament ndahen mes subjekteve të komuniteteve shumicë dhe joshumicë që gjatë zgjedhjeve kanë fituar së paku 5 për qind të votave.

Selatin Kllokoqi nga Instituti Demokracia nw Zhvillim(D4D)  thotë se nuk dihet saktë sa vota do t’u duhen kandidatëve të pavarur për ta kaluar pragun prej 2.5 për qind, pasi për këtë duhet ditur numrin e atyre që do të dalin në zgjedhje dhe nga ai numër të nxirret 2.5 përqindëshi.

Në zgjedhjet e kaluara sipas Driton Selmanajt nga KDI-ja, pragu zgjedhor ka qenë pesë për qind për subjekte politike dhe kandidatë të pavarur.

“Kjo ka qenë shumë e pakuptimtë se një subjekt politik nëse ka fituar 5 për qind të votave ka marrë diku deri në 6 ulëse në Kuvend, kurse një kandidat i pavarur është dashur t’i marrë 5 për qind të votave për të hyrë në Kuvend”, shtoi Selmanaj.

Deputeti i PDK-së Arsim Bajrami thotë se asnjëherë në Kuvendin e Kosovës nuk ka hyrë dikush si deputet i pavarur. Fajin për këtë ai ia lë pragut zgjedhor të lartë.

Pragu i pakalueshëm

Albert Krasniqi nga KIPRED-i, pragun për të pavarurit e cilëson shkelje të të drejtave të njeriut.

“Është shkelje e të drejtave të njeriut, pasi që është e pamundur që një kandidat t’i marrë diku rreth 25 mijë vota për të hyrë në Kuvend”, thotë Krasniqi.

Edhe deputeti Emin Gërbeshi që nga Koalicioni për Kosovë të re kaloi si i pavarur, për t’u bërë pjesë e “Vetëvendosjes” në fund të marsit 2014, pragun e cilëson të pakalueshëm.

“Unë mendoj që nuk ka kandidat në Kosovë që të kalojë me kushte të tilla, bile edhe liderët e partive politike e kanë shumë vështirë të sigurojnë kaq vota po të mos u shkonte vota e partisë”, thotë Gërbeshi.

Nëse mbetet ky prag për të pavarurit, Alma Lama që nga “Vetëvendosja” kaloi në LDK tetorin e vitit të kaluar, ua heq frikën subjekteve politike, nga ata që konkurrojnë pa parti në zgjedhje.

“Nuk është shumë e lehtë si kandidat i pavarur të marrësh shumë vota, përveç nëse je ndonjë personalitet shumë i njohur dhe me influencë në opinion publik,  kështu  që nuk mendoj që është arsye për të pasur frikë asnjë parti”, tha Lama.