Vendimi Human i Krasniqit Në Prag të Zgjedhjeve

Shqiptaro-amerikani i Vetëvendosjes Florin Krasniqi vendimin  për heqje dorë nga paga dhe beneficionet e deputetit e shpjegoi me fjalët e ish-presidentit të ShBA-ve John Kennedy.

“Kennedy ka thënë mos pyet se çfarë bën vendi yt për ty, por çka bën ti për vendin tënd”, i tha Krasniqi Gazetës Jeta në Kosovë të martën.

Teksa më 13 mars disa deputetë në Kuvend po kundërshtonin rritjen e pagave të tyre, tri ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, Krasniqi paralajmëroi heqjen dorë nga paga dhe përfitimet tjera, duke e cilësuar rritjen të padrejtë dhe të pamoralshme.

Më 10 mars ekzekutivi i vendit rriti pagat e shërbyesve civilë për 25 për qind. Një rritje e tillë përfshiu edhe deputetë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë e institucionalë.

Të njëjtën ditë kur Krasniqi paralajmëroi mosmarrjen e pagës, kolegia e tij nga LDK-ja Hikmete Bajrami gjithashtu njoftoi se nuk do ta marrë shtesën e rrogës.

Një ditë pas këtyre zhvillimeve në Kuvend në mbledhjen e qeverisë më 14 mars, kryeministri Thaçi nuk i përfshiu deputetët dhe zyrtarët e lartë qeveritarë e të presidencës në këtë rritje, duke ua dedikuar fëmijëve të sëmurë nga leukemia fondin prej 5 milionë e gjysmë që “teproi” nga rritja e pagave.

Deputeti Krasniqi, njëherësh pronar i kompanisë “Triangle General Contactors Ink” të hënën (dje) njoftoi zyrtarisht Kryesinë e Kuvendit se heq dorë nga paga dhe kompensimet e deputetit.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Krasniqi merr pagë vjetore nga Kuvendi në vlerën 23 mijë e 377 euro.

Shefqet Rexhepi nga administrata e Kuvendit të Kosovës shpjegoi procedurat që legjislativi ndjek në rast kur deputetët lënë vullnetarisht pagat.

“Nuk duhet të marrë vendim Kryesia [për pagën e Krasniqit] dhe kjo gjë të shkojë në Kuvend, pasi ky është vendim personal i deputetit”, tha Rexhepi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Krasniqi: E bëra për buxhetin

Deputeti Florin Krasniqi tha se pagën nuk do ta marrë për ta forcuar buxhetin e vendit.

“Buxheti është i të gjithëve, nuk është veç i jemi, është diçka e përbashkët që ne me vullnet e me sakrifica e kemi krijuar, edhe me vullnet dhe me sakrificë duhet ndërtuar”, tha Krasniqi.

Por përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që monitorojnë punën e Kuvendit e quajnë elektoral vendimin e Krasniqit.

“Po nisem nga fakti se po bëhet në fund të mandatit, unë mendoj që kjo fatkeqësisht mund të kuptohet që po shfrytëzohet për qëllime elektorale”, tha Driton Selmanaj nga KDI-ja.

Edhe Agron Halitaj, redaktor i politikës në gazetën Tribuna mendon  se vendimi i Krasniqit është veprim elektoral.

“Fakti se vendimi për të hequr dorë nga paga është marrë në prag të zgjedhjeve të parakohshme, pashmangshëm  të sjellë në këtë përfundim. Sikur kjo të bëhej pa bujë, do ta rrëzonte këtë teori, pasi humanizmi nuk ka nevojë për pompozitet”, tha Halitaj.

Por Krasniqi përmend pikërisht njerëzoren si motiv që e ka shtyrë të mos marrë pagën.

“Është tepruar shumë me rrogat e zyrtarëve, sepse ato janë shumë të larta në krahasim me rrogën mesatare, edhe unë kam dashur të tregoj se gjithë jetën time nuk kam me marrë ndonjë pare prej buxhetit të Kosovës në asnjë formë, por unë kam vetëm për të kontribuar për buxhetin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Kësaj nuk i beson Driton Selmanaj.

“Realisht çështje të tilla më tepër bëhen me karakter populist për të krijuar përshtypjen se po mërziten për hallet, për dertet socio ekonomike që ka kjo shoqëri”, tha Selmanaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe Halitaj e konteston sinqeritetin e deputetit Krasniqi.

“Vendimi është personal dhe si i tillë duhet respektuar. Mirëpo, nëse e marrim parasysh kohën kur është marrë ky vendim, atëherë  kjo lë për të dyshuar në sinqeritetin e deputetit”, tha Halitaj.

Por Krasniqi thotë se asnjëherë paratë nga paga e deputetit nuk i ka marrë për vete, por ia ka lënë subjektit të tij politik.

“Rrogën ia kam dhënë “Vetëvendosjes” në fakt”, tregoi ai.

Deputetja e VV-së Albulena Haxhiu thotë se deputetët e këtij subjekti që nga hyrja në Kuvend pas zgjedhjeve të vitit 2010 janë marrë vesh gojarisht që një pjesë të pagës së tyre ta japin për subjektin që i takojnë.

Ky subjekt tashmë ka zyrtarizuar këtë praktikë.

“Vitin e kaluar Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes ka marrë një vendim që deputetët në legjislaturën e ardhshme ta ndihmojnë partinë financiarisht, por nuk është caktuar shuma”, tha Haxhiu.