Në Veri të Kosovës Ende Mbretërojnë Trenat e Serbisë

Nuk ekziston asnjë kafene në stacionin hekurudhor në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Nuk ekziston madje asnjë kiosk për të blerë një gazetë për të lexuar në tren. 

Sidoqoftë, ka trena. Prej tetorit të kaluar stacioni në Mitrovicën Veriore ka qenë pikë e hipjes për shërbimet e trenit për dy herë në ditë për në Kralevë të Serbisë. 

Për 392 dinarë (€3.30), udhëtarët mund të shkojnë në Kralevë për tri orë e gjysmë, prej ku pastaj mund të marrin trenin tjetër në Llapovo e të vazhdojnë për në Beograd.

Pasi të niset treni i saporiparuar i prodhimit rus nga Mitrovica, kalon nëpër pjesën më të madhe të kompleksit të minierës së rrënuar të Trepçës dhe pastaj nëpër një deponi të madhe ku dy mbledhës kërkojnë çdo gjë që mund të shitet, për disa para të imta.  

Vazhdon duke përqafuar shtratin e lumit Ibër duke arritur shpejtësinë më të madhe prej 70 kilometrash në orë dhe ndalet në një stacion të vogël që duket si të jetë e ndërtuar në kohërat e Austro-Hungarisë.

Për pensionistët dhe studentët në tren në një të premte, është një mënyrë normale për të qëndruar në lidhje me të afërmit, ose për ata që udhëtojnë ndërmjet shtëpive dhe vendeve të punës ose studimeve. 

Por, për zyrtarët kosovarë, treni i kompanisë kombëtare të hekurudhave të Serbisë, Zeljeznice Srbije, e cila ka në pronësi dhe operon me trena, është një ndërhyrje ilegale në territorin e një shteti sovran. 

Pushtim i huaj

“Ky tren është përtej kontrollit të autoriteteve të Hekurudhave të Kosovës”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Edita Tahiri, zëvendëskryeministre dhe kryenegociatore e Kosovës në bisedimet me Serbinë. 

Treni ka operuar rregullisht nga Serbia për në Zveçan në veri të Kosovës që nga qershori i 2008-ës. Por që nga tetori i kaluar treni ka nisur të arrijë deri në Mitrovicë të Veriut. 

Udhëtimi me tren nuk ishte përmendur në marrëveshjen e ndërmjetësimit të BE-së prillin e kaluar, në “normalizimin” e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo çështje nuk ishte diskutuar në dialogun ndërmjet dy palëve.

Serbia për një kohë të gjatë ka mbajtur prani zyrtare dhe jozyrtare në veri të Kosovës. Operatorët mobilë të Serbisë kanë operuar atje për vite – ilegalisht, sipas zyrtarëve kosovarë. Bisedimet në Bruksel nxorën një marrëveshje për të lejuar të gjithë këta operatorë të vazhdojnë punën. 

Në të njëjtën kohë, bisedimet e udhëhequra nga BE-ja kanë tërhequr veriun jashtë orbitës së sundimit të drejtpërdrejtë të Beogradit. Në një numër të konsiderueshëm, serbët në veri të Kosovës morën pjesë në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar të organizuara nga Qeveria e Prishtinës. Megjithatë, sistemi i trenit ka lëvizur në një drejtim tjetër-me Serbinë që ka zgjeruar shërbimet e saja në Kosovë.

E vetmja marrëveshje ekzistuese për udhëtimin me tren është një memorandum mirëkuptimi i vitit 2003 ndërmjet Hekurudhës Jugosllave, të paraardhësit të Hekurudhave të Serbisë dhe siç ishte e njohur në atë kohë të Hekurudhave të UNMIK-ut. Udhëtimi me tren në Kosovë atëherë ishtë në duart e misionit të OKB-së në Kosovë. 

Kjo theksonte se të dy sistemet hekurudhore nuk do të operojnë në territoret e njëra-tjetrës.

Tahiri e quan shërbimin e ri të trenit në Mitrovicë si “intervenim ilegal” dhe thotë se mund të cenojë përparimin kundrejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Edhe pse një shërbim treni i udhëhequr nga Serbia ka operuar në veriun e Kosovës që nga 2008-ta dhe asnjë përpjekje nuk është bërë për ta ndaluar atë, Tahiri thotë se “pa zbatimin e marrëveshjeve aktuale, ne nuk do të vazhdojmë dialogun.” 

Kundërshtimi pas pavarësisë

Treni nga Serbia për në Zveçan ka filluar të operojë në qershor 2008, pasi misioni i BE-së në Kosovë, EULEX mori nën kontroll kufijtë verior të Kosovës nga UNMIK-u, pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës. Nga 2000 deri në 2008, Hekurudhat e UNMIK-ut kanë operuar në të gjitha linjat hekurudhore nëpër Kosovë.  

Gjersa ishin nën kontrollin e UNMIK-ut, hekurudhat u konsideruan si një institucion i mbrojtur pjesërisht, sepse ato ndihmuan minoritetet etnike në Kosovë që të mbesin të lidhur me njëri-tjetrin.  

“Liria për Lëvizjen e Trenit” ka operuar dy herë në ditë nga qyteti jugor i Hanit të Elezit afër kufirit me Maqedoninë për në Leshak thellë në veri dhe dy herë në javë nga Hani i Elezit për në Graçanicë.  

Në atë kohë, operatorët e trenave ishin nga Kanadaja dhe Kenia dhe një udhëtim kushtonte 0.50 euro.

Në shkurt 2008, kur Kosova deklaroi pavarësinë, serbët në veri morën nën kontroll linjën për një periudhë të shkurtër, derisa UNMIK-u i mori përsëri në përgjegjësi 50 kilometrat nga veriu i Mitrovicës e deri në kufi, në muajin mars. 

Në qershor 2008, UNMIK-u hoqi dorë nga përgjegjësia nga kufiri verior dhe trenat i mori EULEX-i dhe trenat ditorë rifilluan. 

Një zëdhënës i EULEX-it i tha Gazetës Jeta në Kosovë se në përputhje me Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ekipi i personelit të misionit evropian “kryen kontrolle të rregullta nëpër trena dhe udhëtarë në stacionin e trenit në afërsi të Leshakut në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare dhe Doganat e Kosovës, te të dy kalimet kufitare”.

Pothuajse të gjitha ulëset e trenit ishin të zëna, kur ngadalësonte shpejtësinë afër Leshakut, ndalesa e fundit para Serbisë. Disa anëtarë të policisë serbe vinin rrotull për të kontrolluar identifikimin e udhëtarëve. 

Një grua që udhëtonte u befasua për prezencën e një polici. Herën e fundit, tha ajo, policia e Serbisë kishte kontrolluar dokumentet e saja, por para asaj, askush nuk shikonte.

Rrugës nga Kraleva për në Kosovë, anëtarët e Policisë së Serbisë përsëri hypën për të kontrolluar dokumentet e udhëtarëve. Anëtarët e Policisë së Kosovës dolën jashtë nga një xhip dhe hypën në tren, duke ecur përmes pa folur me ndokënd dhe dolën jashtë. 

Shefi i Policisë Kufitare të Serbisë, Nenad Banoviq, konfirmoi se kufiri nuk është nën juridiksionin e tij, pasi që Serbia e konsideron atë si një kufi të brendshëm administrativ, por monitorohet nga policia.  

“Pasi që treni kalon pikën administrative, anëtarët e Policisë së Kosovës janë të lejuar të kontrollojnë trenin po ashtu, por ajo ndodh rrallë”, tha Banoviq.  

Vija e parë hekurudhore e Kosovës, ndërmjet Hanit të Elezit dhe Mitrovicës, u hap më 1874, kur Kosova dhe një pjesë e madhe e pjesës jugore të Serbisë ishin nën Perandorinë Otomane.

Sot, linja nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë nuk funksionin fare. Në një depo në Fushë Kosovë, katër trenat për këtë vijë qëndrojnë të fikur. Udhëheqësi i Sindikatës së Hekurudhave të Kosovës, Sabit Thaçi thotë se trenat janë menduar të udhëtojnë nga Kosova Jugore deri në Leshak, ashtu siç kanë bërë gjerë më 2008.

Hekurudhat e Kosovës morën kompetencat nga UNMIK-u në vitin 2008 dhe në vitin 2011, në përputhje me direktivat e BE-së, kompania u nda në TrainKos, që menaxhon operacionet e transportit, dhe InfraKos, e cila mbikëqyr infrastrukturën fizike të trenave. 

Dy kompanitë thonë se ata nuk kanë pranuar asnjë pagesë nga Hekurudhat e Serbisë për shfrytëzimin e pronës së tyre-hekurudhave.  

“Nuk na japin asnjë para, ky është një uzurpim ilegal, madje edhe një pushtim”, i tha Thaçi Gazetës Jeta në Kosovë. “Ata duhet t’i përmbahen marrëveshjes së vitit 2003”, shtoi ai.

Sipas Thaçit, pjesa veriore e linjës do të jetë nën kontroll të Kosovës pas zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë më 16 mars. 

Thaçi tha se përfitimet e  vërteta do të vijnë me qarkullimin e lirë të mallrave me trena. “Mallrat që vinë nga Evropa tani duhen të shkojnë përmes Serbisë dhe pastaj përmes Maqedonisë, para se të vijnë te ne me trena. Kemi nevojë për një linjë direkte nga Evropa”, tha ai.

InfraKos nuk u përgjigj në interesimin tonë nëse ka për qëllim të ndalojë Hekurudhat e Serbisë nga shfrytëzimi i linjës.   

EULEX-i i tha gazetës se ndalja e trenave nuk është nën mandatin e misionit dhe autoriteti përfundimtar rreth çështjes u mbetet TrainKos-it dhe InfraKos-it.

Shefi ekzekutiv i InfraKos-it, Agron Thaçi, tha se ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndalojë trenin, por asnjë veprim nuk është ndërmarrë.  

Ai po ashtu tha se nuk ka asnjë informatë në lidhje me dorëzimin e autoritetit për hekurudha në veri pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Fundi i linjës 

Hekurudhat e Kosovës janë të penguara nga fakti se kompanitë nuk janë anëtare të ndonjë organizate të madhe ndërkombëtare të hekurudhave.   

Bashkësia e Hekurudhave të Evropës, e cila lobon në Bruksel në emër të 75 rrjeteve të trenave në kontinent, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ka konsultuar me Kosovën në lidhje me çështjen, por që Kosova nuk ka dorëzuar aplikacion formal për t’u bashkuar me këtë organizatë. E njëjta gjë është edhe me OTIF-in, organizatës ndërqeveritare për transportin hekurudhor.

Tahiri thotë se tema e hekurudhave dhe udhëtimit ajror do të ngrihet me Serbinë në raundet që vijnë në dialogun që udhëhiqet nga BE-ja.   

“Çfarë ka atje [për hekurudhat] është ndërhyrje ilegale në shtetin e Kosovës. Kjo duhet të adresohet në dialog”, tha ajo.