Kapja e Spiunëve të Dyshuar të MUP-it

Histori spiunazhi të kohës së Luftës së Ftohtë (1949-1989) mes CIA-s e KGB-së, “janë ringjallur” në miniaturë, nga rasti i arrestimit të katër policëve kosovarë në Shtërpcë gjatë marsit. 

Këta të katër dyshohen se bartnin informata nga institucioni ku punonin te Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). 

Bashkë me ta, për të njëjtat dyshime është kapur edhe një pylltar, te i cili është gjetur arsenal i fuqishëm armatimi. Edhe pylltari kishte kontaktuar me policë të shtetit fqinj.

Gjithçka nisi në dhjetor të vitit të kaluar kur Policia e Kosovës arrestoi personin e quajtur Llazar Llaziq. 

Te i arrestuari u gjetën dosje të forcës kosovare të rendit, ndërsa u vërtetua se Llaziq ishte pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). 

Policia e Kosovës gjatë hetimit, zbuloi “fijet e lëmshit” të dyshuar të spiunimit nga Llaziqi, duke vënë në pranga tre muaj më pas zyrtarë të lartë policorë nga stacioni i Shtërpcës. 

Shefi i Operativës Radisha Jovanoviq, ai i Hetimeve Dragan Markoviq dhe dy policët Dejan Stevanoviq dhe Dejan Jorgoviq dyshohen se e furnizuan Llaziqin dhe nëpërmjet tij MUP-in me informata që ruheshin në stacionin e tyre policor. 

Zyrtarë policorë kosovarë mendojnë se një rrjet i tillë i rrjedhjes së informacionit funksionoi për disa muaj. 

“Hetimi ka nisë duke u bazuar në një arrestim që ka ndodhë me datën 1 dhjetor të vitit të kaluar. Policia ka arrestuar një person të dyshimtë që ka qenë pjesëtar aktiv i MUP-it serb”, thotë Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës në Ferizaj, për emisionin Drejtësia në Kosovë, të transmetuar në RTK, më 8 mars. 

Sipas Hoxhës, pas hetimeve që zgjatën me muaj, pista e tyre u zgjerua edhe ndaj disa zyrtarëve të cilët dyshohet se kanë zbuluar sekretin zyrtar. 

Arsenal armatimi në shtëpinë e pylltarit

Bashkë me katër policët e arrestuar, po hetohet edhe Dragotin Ivanoviq, një pylltar, i kapuri i pestë nga Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë aksionit të 4 marsit 2014. 

Ivanoviqit që po hetohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij iu gjetën dy armë automatike AK-47, dy pushkë, tri granata dore, ekploziv i llojit C4 dhe mbi 800 fishekë .

“Veprimet inkirimuese që kanë rezultuar në këtë hetim kanë qenë se [të dyshuarit] kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Kjo është dhënia e informacionit ndonjë personi tjetër. Me këtë dyshim edhe kemi fillu hetimet”, shpjegon Jetullah Aliu, shef i Hetimeve të  Inspektoratit Policor të Kosovës. 

Avokatët mohojnë akuzat 

Mbrojtësit e të arrestuarve thonë se klientët e tyre nuk kanë kryer veprën e spiunazhit. 

“Klienti im nuk e ka pranuar asnjërën prej akuzave. Mendon se nuk i ka kryer këto vepra, ndërsa tani pritet që prokurori të paraqesë dëshmi të qarta, të forta dhe të qëndrueshme jo vetëm për klientin tim, por edhe për të tjerët”, thotë Miodrag Brklaq, avokat i Dejan Stevanoviqit. 

Stevanoviq po ngarkohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për posedim ilegal të armëve. 

Edhe avokati i Dragan Markoviqit konteston dëshmitë e prokurorit. 

“Prokurori nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për akuzat me të cilat klienti i tij ngarkohet, prandaj kërkesa e paraburgimit mbështetet vetëm në paragjykime se është kryer vepra penale”, thotë avokati. 

Ndërsa Millosh Petkoviq që mbron Dejan Jorgoviqin mohon se klienti i tij ka bartur informatat sekrete. 

“Klienti im nuk i ka dhënë askund këto informata për të cilat po dyshohet”, thotë Petkoviq. 

Avokatët e Dragan Ivanoviqit dhe Dragisha Jovanoviqit, nuk deshën të flasin për Drejtësinë në Kosovë.

Strukturat e Serbisë duhej të shuheshin 

Dy ditë pas arrestimit, më 6 mars, Gjykata Themelore e Ferizajt ua caktoi të arrestuarve masën e arrestit shtëpiak prej tridhjetë ditësh, edhe pse Prokuroria e Shtetit kërkoi paraburgim njëmuajsh. 

Në këtë gjykatë nuk e komentuan për emisionin këtë masë sigurie të shqiptuar ndaj pesë të pandehurve,  edhe pse te Dragutin Ivanoviqi u gjet një sasi e konsiderueshme e armëve. 

Zyrtarë të gjykatës dhanë vetëm komunikatën për arrestin shtëpiak, ku huhet se kjo masë është marrë në pajtim me ligjin. 

Kur ekzistojnë mundësitë e rrezikimit të rendit e ligjit, ndikimit në dëshmitarë, ose ikjes, zakonisht caktohet paraburgim për të dyshuarit. 

I pakënaqur me këtë vendim të gjykatës, kryeprokurori i Ferizajt  Agron Qalaj tregon se prokuroria ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli ka vendosur që të lirojë katër policët nga arresti shtepiak  dhe ata do  të mbrohen në liri. 

Në arrest shtëpiak vazhdon të mbetet vetëm i dyshuari ku është gjetur armatimi. 

Policia Speciale e Kosovës, gjatë bastisjeve të 4 marsit, kur arrestoi të dyshuarit për spiunazh, hyri edhe në objektin e gjykatës ilegale të Shtërpcës. Madje në këtë ndërtesë policia gjeti edhe prova se në këtë institucion janë nxjerrë edhe vendime. 

“Dyshojmë se përmes këtyre dokumenteve Serbia ka ushtruar veprimtari ligjore, edhe pse me marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi, Serbia ka pranuar se do t’i tërheqë të gjitha këto struktura nga Kosova. Kështu që ne do të shohim nëse është shkelë kjo marrëveshje dhe ligjet e Kosovës”, thotë Gazmend Hoxha drejtori i Policisë në Ferizaj. 

Sipas marrëveshjes mes dy shteteve të nënshkruar më 19 prill 2013 në Bruksel, Serbia duhej të shuante strukturat e saj në Kosovë deri më 15 qershor të vitit të kaluar. 

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, në një intervistë për emisionin Jeta në Kosovë, të transmetuar në RTK më 6 mars, në prag të trevjetorit të fillimit të dialogut me Serbinë, tha se në Kosovë më nuk ekzistojnë sruktura të shtetit fqinj. 

Me marrëveshjen Kosovë Serbi ishte paraparë që strukturat e MUP-it të cilat deri në vitin 2013 vepronin ilegalisht në Kosovë, të inkuadrohen në Policinë e Kosovës.

Në dhjetor të vitit të kaluar Policia e Kosovës në bazë të kësaj marrëveshjeje nisi rekrutimin në radhët e veta të serbëve kosovarë që punonin për Ministrinë e Brendshme të Serbisë. 

Policia e Kosovës edhe më herët arrestoi spiunë të dyshuar. Atëherë ata ishin agjentë të Shërbimit Sekret të Gjermanisë (DNB). 

Më 15 nëntor të vitit 2008, pas një shpërthimi të ndodhur në objektin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) që mbikëqyrte pavarësinë e kushtëzuar, PK-ja arrestoi tre gjermanë, dy prej të cilëve agjentë sekretë. 

Kjo ngjarje acaroi atëkohë marrëdhëniet Berlin-Prishtinë, pasi agjentëve të arrestuar iu zbuluan fytyrat. 

Kancelarja gjemane Angela Merkel që vizitoi Kosovën tre vjet më vonë, më 19 dhjetor 2011, u takua shumë ftohtë me kryeministrin Thaçi, vetëm në aeroportin e Prishtinës, pa shkelur në ndërtesën ku rri i pari i ekzekutivit.