Mbajtja e Zgjedhjeve në Qershor vë në Siklet KQZ-në (TV)

Nëse zgjedhjet nacionale në Kosovë mbahen në qershor, siç janë preferencat e disa partive politike, kjo do ta fusë në siklet të madh Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sepse do të ketë shumë pak kohë për t’u përgatitur për këtë proces.

Megjithatë, partive politike nuk u intereson fort kjo çështje. Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, së fundmi u takuan për të biseduar për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, e që për LDK-në, muaji qershor do të ishte ideal.

Procesi i reformës zgjedhore ka filluar para afro tre vjetësh, por ende nuk është finalizuar ajo. KQZ-ja paralajmëron se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale në qershor, siç pretendojnë disa parti politike, do t’i shkaktonte telashe KQZ-së.

Kryetarja  e këtij komisioni, Valdete Daka, tha në debatin e emisionit Jeta në Kosovë, ku u diskutua pikërisht për reformën zgjedhore, se mënyra më e mirë do të ishte që zgjedhjet nacionale të mbahen në afatin e rregullt-në fund të vitit.

“Personalisht konsideroj se nëse zgjedhjet mbahen në qershor, natyrisht se mund të na sjellë probleme, sepse ne tash duhet që në të njëjtën kohë të merremi edhe me çështje ligjore, edhe me përgatitje të zgjedhjeve”, thotë ajo.

Madje, ajo thotë se KQZ-së vazhdimisht po i bie që të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme.

<iframe width=”420″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/maAHqszv74U” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>)

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, po ashtu tha në këtë debat se KQZ-ja duhet të jetë e gatshme kurdo që ka nevojë të mbahen zgjedhje në Kosovë.

“KQZ-ja duhet të jetë e gatshme që të mbajë zgjedhje në Kosovë. Duhet të punojnë, të angazhohen dhe t’i bëjnë të gjitha përgatitjet”, deklaroi Gashi.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, e pranon se janë vonuar me reformën zgjedhore.

“Jemi vonuar në reformën zgjedhore. Por partitë normalisht se nuk e kanë të lehtë të merren vesh”, tha ndër të tjera ai.

Sa i përket vendeve të rezervuara në Kuvend për minoritetet, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, thotë se LDK-ja e ka bërë të qartë se nuk i përkrahë ato.

“Unë personalisht, por as LDK-ja nuk e përkrahë çështjen ë vendeve të rezervuara për minoritetet”, thotë Gashi në debatin Jeta në Kosovë, ku është diskutuar pikërisht për reformën zgjedhore.

Për më tepër, ai dyshon se hapja e Kushtetutës për çështjen e shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), po bëhet që kjo më pas të kompensohet me vendet e rezervuara për minoritetet në Kuvend, të cilën gjë tashmë e kanë bërë të qartë minoritetet se do ta kërkojnë.

Kjo vjen për shkak se duhen 2/3 e votave të deputetëve minoritarë në Kuvend për ta ndryshuar kushtetutën.

Në këtë drejtim, deputeti Gashi thotë se formimi i FAK-ut do të mund të bëhej në një formë tjetër, duke ia vazhduar mandatin EULEX-it dhe duke pranuar krijimin e Tribunalit për Krime Lufte në Kosovë, por jo duke e futur këtë çështje në pazar me vendet e rezervuara në Kuvend.

Kur panelistët u pyeten se a do të kemi zgjedhje të rregullta, deputeti i LDK-së thumboi partinë në pushtet.

 “Varet prej PDK-së sa ka vullnet me vjedhë”, tha Gashi.

Ndërkaq Musmurati deklaroi se PDK-ja është parti që ka vullnet politik për të organizuar zgjedhje të rregullta dhe demokratike.

<iframe width=”420″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/5QyyCYaF4D8″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>)

 Në debatin e emisionit Jeta në Kosovë, ku temë diskutimi ishte “Zgjedhjet me, apo pa reformë”, morën pjesë edhe Albert Krasniqi nga KIPRED-i dhe Selatin Kllokoqi nga Demokracia për Zhvillim (D4D).

Këtë debat mund ta ndiqni sonte në RTK pas lajmeve qendrore.