Monologët e Thaçit në Facebook dhe Qeveri

Kryeministri Hashim Thaçi ka hyrë në vitin e fundit të qeverisjes së tij të dytë me vendin, pa pasur për asnjë moment zëdhënës të ekzekutivit që nga shkurti i vitit 2011 kur nisi punën qeveria PDK-AKR dhe minoritetet. 

Kreu i qeverisë, duke mos pasur zëdhënës, ka shkelur Rregulloren 02/2011 të nënshkruar nga vetë ai. 

Rregullorja për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive, në nenin 30, pikën 1, e obligon kryeministrin që ta “emërojë një nga këshilltarët politikë në cilësinë e zëdhënësit të Qeverisë”.

Një këshilltar politik i kryeministrit kreu detyrën e zëdhënësit, vetëm në qeverinë e paspavarësisë Thaçi I. 

Memli Krasniqi ishte zëdhënës nga tetori i 2008-ës, deri në dhjetorin e 2010-ës, kur vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, të shkaktuara nga prishja e koalicionit të atëhershëm qeverisës PDK-LDK. 

Zgjedhjet i fitoi përsëri PDK-ja, por Krasniqi, nuk vazhdoi punën e mëparshme. Ndërroi detyrë dhe u bë ministër i Kulturës, Rinisë Dhe Sportit. 


Kryeministri Hashim Thaçi në njërën nga mbledhjet e Qeverisë

Hapja dhe mbyllja e Qeverisë

Qeveria Thaçi I që mori detyrën më 8 janar 2010, në veprimet e para të saj vendosi që mbledhjet e qeverisë t’i hapë për mediat dhe rrjedhimisht edhe publikun. 

Në fjalimin e tij të parë në kuvend si kryeministër teksa prezantoi programin qeveritar, Hashim Thaçi premtoi një qeveri që do t’u japë llogari qytetarëve për punën e saj. 

“Të gjitha këto iniciativa do të jenë të pakuptimta, në rast se nuk do të kemi qeveri të hapur dhe transparente. Unë dua ta nxjerr qeverinë nga mjegulla dhe ta bëj atë të përgjegjshme para qytetarëve “, tha Thaçi më 9 janar 2008. 

Në një publikim të Zyrës së Kryeministrit për 100-ditëshin e qeverisë Thaçi I, njëra nga fjalët kyçe ishte transparenca. Fjalë të tjera drejt të cilave Thaçi pretendonte ta çojë vendin ishin forcimi i pavarësisë së Kosovës dhe rruga e saj evropiane. 

Në këtë kohë qeveria Thaçi I e teproi në emër të transparencës. Zyra për Marrëdhënie me publikun në Kryeministri, më 16 prill 2008, në emër të informimit të publikut për aktivitetet qeveritare, kërkoi nga televizionet dhe radiot e shtrirjes nacionale transmetimin e koordinuar të fjalimeve të kryeministrit. 

Komisioni i Pavarur për Media, në majin e vitit 2008 këtë tendencë të qeverisë e vlerësoi si presion ndaj mediave, ndërsa ia bëri të ditur ekzekutivit se mediat vetë përcaktojnë programin e tyre, gjithnjë duke respektuar Kodin e Sjelljes për Mediat Elektronike në Kosovë. 

Gazetarët “në dorë” të Hajredin Kuçit për informata

Qeveria e mandatit të dytë të Thaçit, kur ka ardhur gati në fund të qeverisjes, për asnjë moment nuk pati zëdhënës zyrtar. Gazetarët kosovarë e kanë shumë vështitë të marrin përgjigje për çështje të caktuara nga ekzekutivi i vendit.

Në kryeministri funksionon Zyra për Komunikim Publik, por mediat ankohen se nuk marrin përgjigje prej saj. 

“Zyra për Informim që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kryesisht shërben për dërgimin e komunikatave. Nga kjo Zyrë nuk mund të marrësh kurrë një përgjigje, për një pyetje të caktuar”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, Valmir Klaiqi, gazetar i “Tribunës”. 

Xhemajl Rexha – zv/shef i Deskut Informativ në “Kohavision” (KTV), ka vërejtje për mungesë transparence të qeverisë.

“Kjo qeveri mund të cilësohet nga më jotransparentet e pasluftës në Kosovë. Pjesëtarë të qeverisë së Kosovës shumë pak debatojnë ose japin shpjegime në publik për vendimet e tyre”, thotë Rexha. 

Për mbyllje të qeverisë ankohet edhe gazetari i Radio-Kosovës Bajram Lani. 

“Ka muaj që pas mbledhjeve të Qeverisë, para mediave nuk del asnjë zyrtar qeveritar në konferencë, madje as atëherë kur ndonjë pjesë e mbledhjes është e mbyllur”, thotë Lani.

Bahri Cani nga Deutche Welle mendon se ekzekutivit të vendit i duhet një zëdhënës për shumë arsye. 

“Ky post ka mbetur i zbrazur që për mendimin tim është gabim. Qeveria e Kosovës me 19 ministri dhe me mbi 40 zëvendësministra, ka pasur dhe ka nevojë për një komunikim më të mirë me opinionin”, thotë Cani, derisa shprehet se punën e zëdhënësit të ekzekutivit kosovar mund ta kryejë vetëm një njeri me përvojë, i cili do të dijë të shpjegojë sfidat e mëdha të Kosovës në këtë kohë transformimi. 

Gazetarët tregojnë se vetëm nganjëherë marrin përgjigje për pyetjet drejtuar qeverisë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi. 

“E vetmja formë e komunikimit me zyrtarë të Qeverisë për punën e ekzekutivit, për mua si gazetar është komunikimi me mesazhe telefonike me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi. Ai përgjigjet në disa raste me përgjigje të shkurtra me sms, por jo gjithherë”, thotë Valmir Klaiqi. 

Të njëjtën e pohon edhe Bajram Lani. 

“Qeveria gjatë këtij mandati nuk ka pasë fare zëdhënës, ndërkohë që zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shpeshherë e ka luajtur një rol të tillë, qoftë duke u prononcuar për media, qoftë me deklarime pas mbledhjeve të Qeverisë”, thotë Lani. 

Vetë Kuçi, e pranon për Gazetën Jeta në Kosovë se mungesa e zëdhënësit të qeverisë vërehet. 

“Mungesa e zëdhënësit me siguri që është vërejtur në rastin e plasimit të qëndrimeve tona në opinionin publik, por edhe të përgjigjeve të ngritura nga mediat. Por është tentuar që të jepen qëndrime nga zëdhënësit e ministrive dhe përgjigje direkte nga ministrat”, thotë Kuçi. 

Por ai thotë “nuk jam kompetent për konstatime të tilla”, kur pyetet nëse qeveria e Kosovës duke funksionuar pa zëdhënës, ka shkelur Rregulloren 02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive. 

Mbledhjet e hapura të qeverisë për Xhemajl Rexhën e KTV-së nuk paraqesin transparencë. 

“Mbledhjet e qeverisë janë zakonisht monolog i kryeministrit Thaçi, pas të cilave ai nuk i pranon pyetjet e gazetarëve për temat e trajtuara”, thotë Rexha.


Faqja zyrtare e kryeministrit Thaçi

Thaçi “zëdhënës” i punës së qeverisë 

Në dhjetor të vitit që shkoi, kryeministri Thaçi hapi profilin e tij në rrjetin social Facebook. Në fund të janarit, ai u bë edhe pjesë e Instagramit, duke njoftuar se ka hapur një kanal të ri të komunikimit me qytetarë.  

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi gjatë janarit për mburrjen e Thaçit në Facebook me punët e tij dhe të qeverisë që drejton. Thaçi, një ditë para se të niste vitin e shtatë të qeverisjes, më 8 janar 2014, në rrjetin më të njohur social përmendi vetëm sukseset, duke “harruar” dështimet. 

Edhe Bahri Cani nga Deutche Welle, postimet e Thaçit në rrjetet sociale i quan reklamë

“Prezantimi në Facebook mund të kuptohet më shumë si reklamë personale, ose reklamë për aktivitetet e caktuara. Ai kurrsesi nuk mund ta zëvendësojë institucionin e zëdhënësit, ose komunikimin e drejtpërdrejtë me mediat”, thotë Cani. 

Bajram Lani mendon se Thaçi me hapjen e profilit në Facebook, deshi vetëm të bëhet lajm nëpër mediume. 

“Kryeministri Hashim Thaçi hapi profilin e tij në rrjetin social Facebook, duke bërë kështu që nga karrigia e tij, ose e kujtdo që mund të kujdeset për profilin e tij, të bëhet kryelajm në secilin medium”, thotë Lani. 

Valmir Klaiqi nga gazeta Tribuna, thotë se nëpërmjet Facebook-ut kryeministri Thaçi trajton temat të cilat atij i shkojnë për shtati.

“Për lajmin që e dha euro-deputetja Ulrike Lunaçek se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave deri më 2016, nuk ka asnjë reagim dhe asnjë deklaratë ende nga kryeministri, i cili liberalizimin e kishte premtuar për 15 muaj në vitin 2010 gjatë fushatës zgjedhore”, thotë Klaiqi.

Edhe Bahri Cani i Deutche Welles, ka mendim të ngjashëm me Klaiqin. 

“Ky është një komunikim i njëanshëm, vetëm për çështje të caktuara, ku nuk ka interaksion, nuk mund të kërkohen informacione shtesë, apo të shtrohen pyetje”, thotë Cani. 

Por Hajredin Kuçi e mbron shefin e tij. 

“Inkuadrimi i kryeministrit në Facebook është qasje moderne e tij me opinionin publik. Me siguri jep mundësi më shumë për të shprehur qëndrimet në opinionin publik”, thotë Kuçi. 

Bajram Lani nga Radio-Kosova çuditet se si gazetarët dhe shoqatat e tyre “nuk e ngrejnë zërin (deri në bojkot) për këtë qasje të Qeverisë. 

“Mediumet lejojnë që gjithçka t’u ‘redaktohet’ në katër rreshta që kryeministri, ose kushdo tjetër mund t’i shkruajë për një çështje në rrjetin social Facebook”, thotë Lani.