Huqjet e Figurave Publike Gjatë Vitit 2013

Shkrimi fillimisht është publikuar më 30.12.2013

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shquar për gabimet e saj gjatë fjalimeve të ndryshme.

Fillimin e 2013-ës presidentja e nisi me një takim me ambasadoren amerikane në Kosovë, ku Jahjaga siç duket nuk e kishte të qartë muajin në të cilin ndodhej, prandaj me nervozizëm kërkoi ndërhyrjen e këshilltarit të saj Arbër Vllahiut, për t’i dalë në ndihmë.

Presidentes iu ngatërrua edhe emri i Republikës së Kosovës, të cilën në një rast e shqiptoi si Republika e Koqovës.

E për të qeshur na bëri edhe me fjalimin e saj në parlament, ku duke folur për Studimin e Fizibilitetit tha që ai hap “fuzën” e nisjes së negociatave, për ta zëvendësuar pastaj këtë fjalë me fjalën rrugë.

Po ashtu gjatë vitit 2013 presidentja ishte zënë në fotografi, derisa po i shkelte rregullat e komunikacionit. Në një moment gjatë kohës sa po kalonte në rrugët e Prishtinës, Jahjaga ishte zënë nga fotografët duke kaluar semaforët në të kuqen.

Presidentja gjatë vitit që po e lëmë pas ka rënë pre edhe në dy raste: në rastin e parë portalet kishin publikuar fotot e të pasmeve të saj, ku i dukeshin linjat e të brendshmeve dhe në një video të rrjedhur nga emisioni Rubikon, ku ajo shihet tek e qorton një pjesëtar të stafit të saj që “hyn e del” nga zyra.

Fotoja ishte larguar të nesërmen nga portali që e publikoi fillimisht atë. Stafi i presidentes Jahjaga u ankua se fotoja nuk ishte origjinale.

Largimi ishte bërë me urdhër të gjykatës që vendosi masë të përkohshme. Gjykata ende nuk ka marrë vendim nëse fotoja e publikuar ishte origjinale, ose jo.


Atifete Jahjaga | Foto: Faqja zyrtare e Presidentes në facebook

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi përveç që la nam gjatë 2013-ës me deklaratat e tij bombastike kundër kryeministrit Thaçi, na bëri edhe të qeshim me veprimet e tij në një institucion  siç është  Kuvendi i Kosovës.

Momente interesante ishin ato kur ai i nervozoi deputetët duke ua ndalur mikrofonin. Por në mikrofon iu hakmorën, kur Albin Kurti duke mos dashur që Thaçi të marrë miratimin e deputetëve për marrëveshjen e 19 prillit në seancën e kuvendit në muajin qershor, me ashpërsi ia rrëmbeu për një çast mikrofonin kryeparlamentarit.

Krasniqi u kundërpërgjigj dhe mbrojti mikrofonin me forcë.

Në një seancë në nëntor të këtij vitit, Jakup Krasniqi e filloi mbledhjen e kuvendit duke lexuar një letër në të cilën deklaronte se po kalonte si deputet i LDK-së. Meqë raportet e tij me kreun e PDK-sa ka kohë që janë të ftohta, deklarata e tij dukej reale, derisa ai në fund bëri me dije se sapo lexoi deklaratën e deputetit Muhamet Mustafa që kishte lënë radhët e koalicionit qeverisës për të kaluar në partinë më të madhe opozitare.

Kryeparlamentari dha një deklaratë interesante për Gazetën Jeta në Kosovë, kur u pyet për librat e tij.

“”Librat studimorë kryesisht i kam punuar gjatë ditëve të vikendit dhe kohës se pushimeve verore dhe në orët e vona të natës, pasi natën nuk e kam çuar nëpër lokale të natës”, kishte deklaruar Krasniqi

Bexhet Pacolli, zëvendëskryeministër i Kosovës, përkundër që iu gëzua shumë fitores së partisë së tij në dy komuna të vendit, në disa raste gjatë 2013-ës, pati momente të pakëndshme dhe ndodhi që i lanë shije të hidhur.

Në një mbledhje të Komisionit për Integrime Evropiane që u mbajt në mars të 2013-ës, ai e kishte lëshuar mbledhjen, pasi nuk ishte i kënaqur për vendin që ia kishin caktuar të ulej.

“Nuk ka shans unë si zëvendëskryeministër  me u ulë në qosh”, ishte ankuar Pacolli, duke u larguar më pas i revoltuar nga salla.

Pacolli na bëri të qeshim edhe në një rast, kur foli në Kuvend për baroneshën Ashton duke iu referuar asaj “si një grue qe do të mbetet në mendjen e fëmijëve tanë”, por edhe atëherë kur nuk i dinte emrat e kandidatëve për kryetarë  të partisë që ai vetë drejton, siç ishte rasti i ngatërrimit të emrit për kandidatin  e Prizrenit Naser Breza, të cilin e quajti Nasuf.

Vlugu i zgjedhjeve, presidentin e AKR-së e gjeti në një situatë shumë të çuditshme kur kishte shkuar ta promovojë kandidatin e tij në Pejë, por kandidati Arsim Belegu nuk i kishte ardhur.

Pacollli kishte dalë para simpatizantëve dhe kishte thënë se “kandidati në mënyrë dinake dhe jo të sinqertë është terhjekë para tri orëve”.

Isa Mustafës iu kthye bumerang deklarata e tij se do ta fitojë Prishtinën me duar në xhepa. Në një intervistë për Radio Dukagjinin ai tha që “edhe nëse i shtim duart në xhepa deri në fund të vitit të ardhshëm dhe nuk punojmë asgjë, prapë do ta fitonim Prishtinën”. Por, ai humbi përballë Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes dhe nuk është më kryetar i Prishtinës.

Nëse jo me politikë, Mustafën e lidhi me Pacollin gafa e njëjtë ku të dy kryetarët e partive nuk i njihnin kandidatët për kryetarë komunash.


Jakup Krasniqi | Foto: Donjetë Hoxha

Rasti konkret ishte në qytetin e Klinës ku kryetari i LDK-së u bënte thirrje qytetarëve të votojnë Fadil Feratin, e që në fakt kandidati, mbiemrin e kishte Gashi.

Ramush Haradinajt në vitin që lamë, më së shumti telashe i kanë dalë me hoxhallarët. Ishte bërë cak i kritikave të tyre prej që Haradinaj kishte pjekur e shpërndarë “pleskavica” në muajin e Ramazanit, në qytetin e Therandës.

Ky veprim i tij për shumëkënd u cilësua si një gafë e hidhur  dhe pati reagime të shumta, por që për Haradinajn kjo nuk paraqiste problem.

E për t’i acaruar edhe më shumë hoxhallarët, në një video ishte shfaqur Haradinaj duke deklaruar që “nuk e di pse është mysliman. Kurrë nuk kam qenë në xhami, as për lutje as për asgjë”, kishte thënë Haradinaj. 

Edhe Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Europiane, di të tregohet qesharake në situata të ndryshme, e sidomos në ato që janë serioze për banorët e Kosovës.

Për qytetarët e Kosovës është preokupim i madh data e mundshme e udhëtimit pa viza. Kur u pyet për këtë, Vlora Çitaku tha se ”nuk e ka ndërmend të qesë fall” për këtë punë.

Ajo gjatë 2013-ës u tregua shumë miqësore me komisionarin europian për zgjerim Stefan Fule-n, ndërsa edhe humoriste kur deklaroi në Interaktiv se duhet kohë e gjatë derisa t’i numërojë fakultetet që i ka kryer. 

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka pasur punë sivjet me zgjedhjet e nëntorit e më pas edhe balotazhin e dhjetorit.

Në një rast, Daka e lodhur nga leximi i emrave të kandidatëve për kryetarë komunash ia ndryshoi “gjininë”, njërës ndër të paktat kandidate femra, duke e shqiptuar emrin e Labinota Demi- Murtezit,  si Labinot.

Mujë Rugova, ish rektor i Universitetit të Prishtinës,  me, ose pa shaka, në emisionin e mëngjesit në RTK më 19 dhjetor, i ka arsyetuar skandalet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, duke thënë që gjëra të tilla ndodhin në gjithë botën.

Ai madje ka deklaruar që nuk është keq të regjistrohen jashtëligjshëm fëmijët e politikanëve, bujqve, ose fshatarëve, edhe kur ata nuk dinë, pasi sipas Mujës kjo nuk është shkelje.

I pyetur  për regjistrimin e fëmijëve të politikanëve edhe kur ata nuk kishin aftësi për studime universitare, Rugova deklaroi që “për një rast e dy raste hiq nuk e ndij veten që mem brejt ndërgjegja”, e që sipas tij kjo ishte favor për kontributin që politikanët kanë dhënë.

Ndërsa për dyfishimin e numrit të studentëve gjatë kohës sa ishte ai rektor, thotë të ketë qenë vepër humane, e jo e jashtëligjshme. 

Ramiz Lladrovci, deputeti i PDK-së ka ditur t’i tregojë dy anët emocionale të tij gjatë 2013-ës-humorin dhe agresivitetin.


Vlora Çitaku | Foto: mei-ks.net

Gjatë një pauze në Kuvendin e Kosovës, ai ishte zënë nga kamerat duke u tallur me deputetët e LDK-së, tek u thoshte “lene se ju ka mujtë Vetëvendosja”.

Ndërsa në një moment tjetër ai ishte treguar agresiv kur deputetët e VV-së u munduan ta pengonin punën në Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjes së 19 prillit. Lladrovci kishte dashur t’ua “tregonte qefin” këtyre deputetëve, por kryeministri Thaçi ishte përkujdesur që ta qetësonte.

Ardian Gjinin, deputetin e AAK-së, parlamentarët kosovarë do ta mbajnë mend si deputet i cili ua sqaroi atyre “feminizmin” dhe dallimin mes femrave dhe meshkujve.

Në një seancë parlamentare në Kuvend, Gjini dha një shpjegim të vlefshëm: “femra e meshkuj janë kafshët, peshqit, gjirafat, ose arushat”.

Ndërsa shpjegoi po ashtu edhe rrënjët e fjalës feminizëm, duke thënë që ka prejardhjen “prej njëfarë Shoveni” por që për momentin nuk po i kujtohej emri i plotë.

Nenad Rashiq-i, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, prej që e ka marrë këtë post është munduar të flasë sa më mirë shqip, por edhe të krijojë marrëdhënie të mira me kolegët e tij shqiptarë.

Në një mbledhje të Komisionit për Buxhet dhe Financa në nëntor të 2013-ës, teksa Albana Fetoshi deputetja e VV-së kritikon ministrin Beqaj, ministri Rashiq përpiqet ta qetësojë Beqajn, duke e këshilluar të marrë frymë i qetë, sikurse që gratë marrin frymë gjatë lindjes.

Ndërsa në një rast tjetër Rashiq mundohet disa herë ta shqiptojë fjalën “sensibilizuese”, por që ajo çka krejt arrin ai të bëjë është të thotë “senbilizuese”.