AAK-ja Dështon t’i Dalë Para VV-së

Kërkesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për t’u fuqizuar në Kuvend si subjekti i tretë politik nuk gjeti mbështetje nga Gjykata Kushtetuese. 

Aleanca e udhëhequr nga Ramush Haradinaj dërgoi lëndën në Kushtetuese, pas refuzimit të kërkeses sw saj nga kryesia e Kuvendit të Kosovës. 

I kërkoi Kushtetueses që të intepretojë ligjshmërinë e vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kushtetuesja më 14 nëntor të këtij viti vendosi që ta shpallë të papranueshme kërkesën e AAK-së. 

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, përveç që lëndën ta dërgojnë në Kushtetuese, pasi që Kryesia e Kuvendit nuk e ka dërguar çështjen në seancë plenare.

“Kërkesa jonë nuk është adresuar, sepse pyetja thelbësore në ankesën tonë ka qenë çfarë me bë kur një realizim i një të drejte kushtetuese duhet me dalë në seancë, e kryesia nuk e qet në seancë, cila është zgjidhja, kjo ka qenë pyetja”, deklaroi Gjini për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se në partinë e tij ende nuk është marrë një vendim i ri se si do të veprohet për të realizuar këtë kërkesë.

Përveç zëvendësimit të Glauk Konjufcës të Vetëvendosjes me ndonjë deputet të AAK-së në pozitën e nënkryetarit, AAK-ja kërkon edhe ndryshimin e radhës së fjalës, ulëseve në kuvend dhe renditjes nëpër dokumente zyrtare të legjislativit, për ta nxjerrë atë para Vetëvendosjes. 

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nisën kërkesen për fuqizim në Kuvend, menjëherë pas largimit të deputetes Alma Lama nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Lama e larguar nga Vetëvendosja më 5 korrik 2013, me arsyetimin se  ky subjekt doli me qëndrimin se femrat e moshës 16 vjeçare me leje të prindërve mund të mbajnë shami fetare, shkoi drejt LDK-së, për ta lënë lëvizjen me të cilën hyri në Kuvend, me vetëm 11 deputetë. 

Duke pasur një deputet më shumë, AAK-ja gjatë verës nisi procedurat për t’u njohur zyrtarisht si subjekti i tretë për nga madhësia në Kuvend.

Në vitin 2010, pas zgjedhjeve që nga ish-ambasadori amerikan Christopher Dell u kritikuan për “vjedhje industriale të votës”, Vetëvendosja u pozicionua pas dy partive më të mëdha të vendit PDK-së e LDK-së, me 14 deputetë. 

Subjekti i drejtuar nga Albin Kurti atëkohë ishte në koalicion me Lëvizjen për Bashkim të Avni Klinakut. 

AAK-ja atëherë kishte 13 deputetë dhe brenda vetes kishte edhe Listën “Ibrahim Rugova”. 

Por Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe themelues i listës, braktisi AAK-në në vitin 2011, për t’u bërë pjesë e qeverisë me Koalicionin Kosova e Re. Në të njëjtin vit, VV-ja e pati një rrjedhje tjetër, i ikën dy deputetë të Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta e Aurora Bakalli. 

Në këtë kohë VV-ja dhe AAK-ja kishin nga 12 deputetë në Kuvend, por largimi i Lamës nga lëvizja e Kurtit ndryshoi raportet. 

Kërkesa e AAK-së nuk hyri në seancë plenare

Më 15 korrik, dhjetë ditë pasi Alma Lama braktisi VV-në, drejtuesi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ia dorëzoi Kryesisë së Kuvendit kërkesën që AAK-ja të ketë nënkryetar të vetin në Kryesi, duke zëvendësuar Glauk Konjufcën e VV-së, pasi sipas tij ky subjekt kishte një deputet më shumë, se partia e tretë në vitin 2010. 

Gjini kërkesën e bazonte në nenin 67.3 të Kushtetutës, i cili thotë se tri grupet më të mëdha parlamentare në Kuvend propozojnë kandidatë të tyre për nënkryetarë, të cilët zgjidhen pastaj me shumicën e votave të legjislativit. 

Gjini, i kërkonte Kryesisë së Kuvendit që përveç zëvendësimit të Konjufcës me ndonjë deputet të AAK-së, kërkonte edhe ndryshimin e radhës së fjalës, ulëseve në kuvend dhe renditjes nëpër dokumente zyrtare të legjislativit, duke e nxjerrë AAK-në para Vetëvendosjes, në bazë të fuqisë aktuale politike të dy subjekteve. 

Kryesia e Kuvendit, kërkesën e AAK-së e shqyrtoi në mbledhjen e 22 korrikut, pa e ngritur këtë çështje në Kuvend për diskutim e votim. 

“Kryesia nuk e mbështeti kërkesën e Grupit Parlamentar të AAK-së, për emërimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radha e depuettëve të këtij grupi parlamentar”, thuhet në përfundimin e Kryesisë së Kuvendit. 

Arsyeja e refuzimit nga Gjykata Kushtetuese  

Por AAK-ja nuk u ndal me kaq. “Betejën” për atë në të cilën besonte një javë më vonë e zhvendosi në Gjykatën Kushtetuese. 

Më 29 korrik, Ardian Gjni i mbështetur edhe nga 11 deputetët tjerë të partisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, e dërguan për vlerësim kushtetutshmërie në gjykatën më të lartë të vendit, përfundimin e Kryesisë së Kuvendit që refuzonte kërkesën e AAK-së për një nënkryetar në legjislativ. 

Grupi Parlamentar i AAK-së kërkesën e bëri sipas nenit 113.5 të Kushtetutës. Ky nen thotë se dhjetë, ose më shumë deputetë, brenda një afati prej tetë ditësh nga miratimi, mund të kontestojnë çfarëdo vendimi të kuvendit, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e aproimit të tij. 

Por kolegji shqyrtues më 14 nëntor, i rekomandoi Gjykatës Kushtetuese që ta mos e shqyrtojë kërkesën e AAK-së për kushtetutshmërinë e përfundimit të Kryesisë së Kuvendit nga mbledhja e 22 korrikut, me arsyetimin se një interpretim i kësaj kërkese është jashtë juridiksionit të Kushtetueses. 

Vendimin për papranueshmëri në këtë lëndë, gjykata në aktvendimin e saj, e argumentoi nëpërmjet nenit 113.5 të Kushtetutës, me fjalët se ka të drejtë të vendosë vetëm për ligjet dhe vendimet e miratuara nga kuvendi, por jo edhe për aktet dhe vendimet e brendshme të kuvendit, siç e konsideroi vendimin e Kryesisë së legjislativit. 

Sipas Gjykatës Kushtetuese, pyetja e parashtruar në kërkesën e AAK-së është nëse përfundimi i Kryesisë së Kuvendit është një “…vendim i miratuar nga Kuvendi.”  

Në aktvendim thuhet se “’vendimi’ i Kryesisë së Kuvendit” dallon nga një vendim i Kuvendit, për të cilin kërkohet shumica e votave të deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë.

“Në mënyrë që një akt i kuvendit të behet vendim, duhet të kalojë procesin e votimit në kuvend, siç parashihet me nenin 65.1 të Kushtetutës,” thuhet në aktvendim. 

Sipas Kushtetueses, vendimi i kryesisë nuk ka kaluar nëpër procedura të tilla, prandaj nuk mund të quhet vendim i Kuvendit. 

AAK-ja në kërkesën e saj u mundua të argumentojë të kundërtën, duke thënë se vendimi i kryesisë, mund të konsiderohet si vendim i Kuvendit, ngase ky organ me përbërjen e tij reflekton atë të Kuvendit. 

AAK-ja tha gjithashtu se vendimi i kryesisë, i ka dëmtuar ata, duke qenë në të njëjtën kohë i paapelueshëm, prandaj edhe i janë drejtuar Kushtetueses për interpretim. 

“Grupet parlamentare duhet t’u nënshtrohen dinamikave që kalojnë nëpër tërë legjislaturën. Një grup parlamentar të cilit i ka ndryshuar madhësia, ose është shuar nuk  mund të mbajë postet që ka fituar për shkak të madhësisë së vet”, thuhet mes tjerash në kërkesën e AAK-së. 

Dërgimi çështjeve politike në Kushtetuese

Aktualisht, në Kryesinë e Kuvendit, përveç Jakup Krasniqit që është kryetar, janë edhe pesë nënkryetarë: Xhavit Haliti (PDK), Sabri Hamiti (LDK), Glauk Konjufca (Lëvizja Vetëvendosje), Petar Miletic (SLS), dhe Albert Kinolli (Grupi 6+). Dy të fundit u takojnë komuniteteve pakicë, ndërsa zgjidhen me shumicë votash të deputetëve. 

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se partitë politike duhet ta shfrytëzojnë juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. 

“Shfrytëzimi i juridiksionit te Gjykatës Kushtetuese është çështje pozitive për demokracinë në Kosovë. Kjo i ndihmon partitë politike opozitare të vëjnë nën kontroll kushtetues të gjitha aktet që miratohen nga shumica parlamentare në Kosovë”, thotë ai. 

Por Doli porosit subjektet politike që të kenë kujdes kur mundohen ta shfrytëzojnë gjykatën më të lartë të vendit për qëllimet e tyre politike. 

“Besoj qe partitë opozitare përveç realizimit të qëllimeve të tyre politike duhet kenë kujdes në dizajnimin e kërkesave të tyre për Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është organ i specializuar për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të parlamentit dhe këtë çështje e bën mbi baza të pastra juridike e kushtuese”, këshillon ai. 

Vetëvendosjes, subjektit politik që dërgon shpesh kërkesa për interpretim kushtetutshmërie në Kushtetuese, i është pranuar vetëm kërkesa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ndryshim-plotësimit të ligjit për buxhet 2013. Kushtetuesja disa elemente të këtij ndryshim-plotësimi i konsideroi të papranueshme. 

Por VV-së Gjykata Kushtetuese nuk ia pranoi kërkat për kontestimin e Ligjit të Amnistisë dhe atë për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë. Të parin kushtetuesja, përveç disa neneve, e ka vlerësuar në pajtim me kushtetutën, ndërsa të dytin, në rregull proceduralisht. 

Këto ligje VV-ja i dërgoi në gjykatë gjatë korrikut e gushtit.

AAK-ja edhe pse në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe 1 dhjetorit humbi Pejën, Gjakovën, Rahovecin e Suharekën, ndërsa mbajti vetëm Deçanin e Junikun, duke fituar Obiliqin, me vota në nivel vendi doli e treta parti politike për nga madhësia.