Pantiq Ndeshet Me Ligjet e Shtetit të Kosovës

Krstimir Pantiq, kryetari i zgjedhur i Mitrovicës Veriore mund të bie ndesh me ligjet e Kosovës, për shkak të mbajtjes së pozitës së zëvendësit të Aleksandër Vulinit, shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. 

 Ai ishte emëruar zëvendësdrejtor nga qeveria e Serbisë më 31 dhjetor të vitit 2012.

Qeveria serbe e riemëroi atë në këtë pozitë më 10 dhjetor të këtij viti.

Por kundërshtuesi i institucioneve shtetërore të Kosovës, vetëm nëntë ditë para se të riemërohej në këtë pozitë, kishte fituar më 1 dhjetor në balotazh mbi 54 për qind të votave për kryetar të Mitrovicës Veriore. 

Pantiqi, kandidati i Iniciativës Qytetare Serbe (GIS) mposhti në balotazh Oliver Ivanoviqin e Iniciativës Qytetare SDP. 

Menjëherë pas rezultateve të para të KQZ-së, Krstimir Pantiq deklaroi më 2 dhjetor  para gazetarëve se “kryetarët e sapozgjedhur serbë, nuk e pranojnë Kosovën shtet të pavarur dhe se ata nuk janë qytetarë “’të së ashtuquajturës Republika e Kosovës”. 

Por, ligji thotë që mbajtja e dy pozitave politike në të njëjtën kohë nga ana e tij, vë në pikëpyetje aftësinë e Pantiqit për kryerjen e punëve, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë për rastin e Pantiqit tregoi kufizimet ligjore që parashihen për mbajtjen e pozitave tjera publike nga kryetarët e komunave. 

 “Bazuar në nenin 59 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, pika 59.1, menjëherë pas zgjedhjes së tyre, kryetarët e komunave ndërpresin çdo kontratë apo lidhje që kanë, e cila mund ta vë në pikëpyetje aftësinë e tyre për kryerjen e përgjegjësive në mënyrë të drejtë dhe të paanshme”,  thuhet në përgjigjen e MAPL-së. 

Pantiq ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë për mbajtjen e dy pozitave publike që bien ndesh me ligjet e Kosovës. 

Qeveria mund të suspendojë një kryetar komune

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, kur u pyet për rastin e Pantiqit që bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, deklaroi se “do t’i kërkohet të veprojë sipas ligjit”. 

Por cilat janë mekanizmat që e detyrojnë të dorëhiqet nga njëri post, një kryetar komune që nuk e njeh Republikën e Kosovës?

“Janë të parapara rastet kur shkarkohet”, deklaroi Kuçi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ligji për Vetëqeverisje Lokale i jep mundësinë Qeverisë të suspendojë një kryetar komune. 

E drejta e Qeverisë për ta bërë këtë përkufizohet në nenin 64 të këtij ligji.

“Kryetari i komunës mund të suspendohet me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës brenda afatit prej 30 ditëve, nëse kryetari ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në ligj.

Ligji përcakton se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i rekomandon suspendimin Qeverisë së Kosovës. 

Brenda 30 ditësh, Qeveria e Kosovës mund të suspendojë kryetarin e një komune dhe i dorëzon lëndën Gjykatës Kushtetuese. 

 “Nëse Gjykata Kushtetuese e përkrah vendimin, Qeveria mund ta shkarkojë nga detyra kryetarin”, thuhet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Ndërkohë Besnik Tahiri, ekspert i pushtetit lokal, ka thënë të mos jetë e lejueshme mbajtja e dy posteve politike, pasi puna e kryetarit është me orar të plotë. 

Sipas Tahirit nëse një palë bën ankesë në gjykatë për Pantiqin, ose cilindo kryetar tjetër që mban dy poste politike, ekziston mundësia për t’u ndëshkuar me ligj.

“Nëse dikush bën padi, qoftë shoqëri civile, grup asamblistësh, ose parti politike, se ndonjë kryetar është duke i mbajtur dy poste politike, ka rrezikshmëri të sanksionohet me ligj”, ka thënë Tahiri, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kandidat për kryetar të Prishtinës. 

Sipas Tahirit, Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt që nëpërmjet MAPL-së t’i dërgojë një njoftim me letër zyrtare që të dy kryetarëve të komunave serbe që janë duke mbajtur dy poste, të tërhiqen prej njërës, sepse kjo sipas Tahirit nuk është e lejueshme.

Por, derisa një post politik në Kosovë dhe një në Serbi, nuk është bërë aktualisht pengesë për Pantiqin, ai më herët ishte detyruar të tërhiqej nga njëra pozitë publike. 

Mbante dy poste, por ishte detyruar të respektonte ligjet e shtetit serb. 

Analisti serb, Dushan Janjiq ka thënë të jetë konflikt interesi mbajtja e dy posteve politike në dy shtete të ndara. Sipas tij kryetar komune mund të jesh vetëm në një shtet. 

Analisi serb shpreson që kur të bëhet betimi i kryetarëve, Pantiq do të largohet nga pozita e zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Serbi.

“Ky është konflikt interesi …Unë supozoj se kur të bëhet betimi i tyre dhe kur të merret funksioni për kryetar, Pantiq do të braktisë pozitën e zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovë”, ka thënë Janjiq.

Ai nuk e di si do të trajtohet kjo çështje me ligjet e Kosovës, por që është shprehur se kjo nuk përbën problem për Serbinë, pasi ajo e trajton Kosovën si pjesë e saj.

Më i rezervuar është shprehur gazetari serb, Branimir Krstiq. Ai nuk ka dashur të komentojë shumë çështjen e mbajtjes së dy posteve jashtëligjshëm nga Pantiq-i. Sipas tij, një situatë e tillë nuk është problem i Pantiqit, por është çështje që duhet zgjidhur nga bisedimet në Bruksel. 

“Unë nuk dua të jap vlerësime për dy postet e Pantiqit, vetëm mund të them që problemi është te Brukseli. Adresa për këtë problem është në mes të Thaçit dhe Daçiqit, pasi në veri shumë gjëra janë në pikëpyetje, duke përfshirë edhe punën e Pantiqit”, ka thënë Krstic.

Sipas tij Pantiqi punon sipas direktivave të Beogradit dhe që çdo kërcënim kundër Paniqit është direkt kërcënim ndaj Beogradit.

Respektimi i ligjit të Republikës së Serbisë 

Krstimir Pantiq në vitin 2010 ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë në postin e kryetarit të Mitrovicës Veriore. Kjo pozitë llogaritej ilegale-paralele, nga institucionet e Kosovës. 

Pantiq kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në muajin shkurt të vitit 2013, për shkak se disa muaj më herët, në dhjetor të vitit 2012, ishte emëruar në postin e zëvendësrejtorit të Zyrës së qeverisë serbe për Kosovën. 

Dorëheqjen e kishte arsyetuar me respektimin e legjislacionit serb, i cili nuk ia lejonte të mbante dy poste publike.

 “Sipas kushteve të legjislacionit për luftën kundër korrupsionit, i cili përcakton se asnjë zyrtar publik nuk mund të mbajë njëkohësisht dy pozita publike dhe në përputhje me ligjin përkatës dhe afatin kohor të përcaktuar në ligj, kam vendosur për të dorëzuar dorëheqjen time si kryetar i komunës, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal “, kishte deklaruar Pantiq, sa ishte kryetar ilegal në Mitrovicën Veriore, transmeton B92.  

Pantiq pranoi bursë nga shteti që nuk e njeh 

Krstimir Pantiq, i lindur në Koloshin të Zubin Potokut, përkundër që është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, para katër vjetësh kishte pranuar një bursë për studime nga Qeveria e Kosovës.

Bursën për studimet e doktoraturës në Fakultetin e Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Beograd, ai e kishte marrë nga Ministria për Komunitet dhe Kthim, e cila drejtohej nga bashkombësi i tij Boban Stankoviq. 

Shuma e bursës që ai kishte marrë nga Qeveria e Kosovës ishte 90.000 dinarë, ose 1097 euro. 

Pantiq kishte pranuar për mediat serbe se e kishte marrë këtë bursë nën arsyetimin se pranimi i saj ishte bërë para 17 shkurtit të 2008-ës, pra para se të shpallej pavarësia e Kosovës.

Por në vendimin e ministrisë kosovare, thuhej që data e pranimit të bursës ishte 4 prilli i vitit 2008, pra dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. 

Nga kritikat që Pantiq kishte marrë nga mediet serbe për pranimin e bursës nga “Qeveria e Hashim Thaçit” ishte mbrojtur me pretekstin e gjendjes së rëndë financiare që ai kishte.

 “Unë nuk kam asgjë për të fshehur, unë kam pranuar një bursë nga ministri i atëhershëm Boban Stankoviq për shkak të situatës së palakmueshme financiare që kisha. Unë nuk kisha para për një bursë për studimet e doktoraturës “ kishte deklaruar Pantiq për portalin serb Press Online në nëntor të vitit 2012.