Limaj e Krasniqi Thërrasin Në Vendlindje Kundër PDK-së

Malisheva kishte zgjuar vëmendjen e mediave botërore kur para pesëmbëdhjetë viteve ishte shpallur zonë e lirë e kontrolluar nga guerilët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Por, një dekadë e gjysmë më vonë qyteza e vogël në qendër të Kosovës është rikthyer në vëmendje për shkak të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit dhe kundërshtimeve të hapura brenda partisë më të madhe në pushtet.

Limaj po synon rrëzimin nga pushteti lokal të Partisë Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaçi, ish-drejtues politik i UÇK-së. 

Ish-komandanti i zonës ka përkrahjen edhe të ish-zëdhënësit të gueriles Jakup Krasniqi që po ashtu mbështet rrëzimin e PDK-së në vendlindjen e Limajt në Malishevë nëpërmjet Iniciativës Qytetare për Malishevën dhe në vendlindjen e tij në Drenas duke mbështetur Iniciativën Qytetare për Drenasin.

Kryeministri Thaçi ende nuk ka komentuar lëvizjet e Limajt e Krasniqit për rrëzimin e PDK-së nga pushteti lokal në këto dy komuna. 

“Limaj po synon rrëzimin nga pushteti lokal të Partisë Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaçi, ish-drejtues politik i UÇK-së. 

Xhavit Haliti, nënkryetar i PDK-së, deklaroi se beson që Limaj ka dalë vetëm kundër degës së PDK-së në Malishevë por jo edhe kundër krejt partisë. 

Treshja më e votuar në Partinë Demokratike të Kosovës Thaçi, Limaj e Krasniqi lëvizën bashkë në politikë që nga demilitarizimi i UÇK-së pas luftës e deri më 2010 kur Eulex-i filloi të hetonte  Limajn për  korrupsion të kryer gjatë kohës sa ishte ministër për Transport e Postë-Telekomunikacion.

Në janar të vitit 2013 në kongresin e gjashtë të PDK-së, Limaj ishte në paraburgim dhe nuk morri pjesë ndërsa Krasniqi refuzoi të shkonte duke e quajtur Thaçin “sundimtar të gjithëpushtetshëm të PDK-së” dhe duke e akuzuar se e ka kthyer partinë në pronë private. Të dy humbën pozitat e larta në parti që mbanin. Limaj ishte nënkryetar ndërsa Krasniqi sekretar i përgjithshëm i PDK-së.

Kryeministri Thaçi pati vetëm një votë kundër në rizgjedhjen e tij në krye të partisë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 e konfirmuan kryeministrin si njeriun me më peshë në parti duke fituar 160 mijë vota. Pas tij u rëndit Limaj, atëherë nënkryetar partie,  me mbi 75 mijë vota ndërsa i treti prej PDK-së u radhit Jakup Krasniqi atëkohë sekretar i partisë me mbi 35 mijë vota.

Malisheva-Vendlindja e Limajt

PDK-ja në nivel lokal do të sfidohet në nëntor nga ish-anëtarët e saj në Malishevë nga vjen Fatmir Limaj i lindur në fshatin Banjë. 

Njerëz të mbështetur nga ish-nënkryetari i PDK-së do të garojnë kundër anëtarëve të partisë së kryeministrit Thaçi.

Në dhjetor të vitit të kaluar nga një rrjedhje e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, në “Youtube” dhe e përcjellur tek mediat e vendit, u zbulua se Hashim Thaçi kishte drojën të shkojë në degën e PDK-së në Malishevë, që vlerësohet si bastion i nënkryetarit të partisë Fatmir Limaj.

Limaj në një tubim në Malishevë më 23 shtator konfirmoi përkrahjen për Iniciativën Qytetare për Malishevën dhe kërkoi rrëzimin e pushtetit në këtë komunë. 

Endrit Shala, ish-këshilltar i Limajt në kohën kur ishte ministër, deklaroi të premten se ish-nënkryetari i PDK-së nuk do të japë intervista për synimet e tij në zgjedhjet lokale të nëntorit. 

“Unë edhe pse kam qenë kandidat për këshilltar komunal kam marrë më së shumti vota nga qytetarët e Malishevës. Ragip Begaj

Limaj nuk ka folur asnjëherë publikisht nëse do të jetë pro apo kundër PDK-së në nivel nacional. 

Aktualisht kryetar i Malishevës është Isni Kilaj i zgjedhur më 2009 pas garës në balotazh përballë JanuzKastratit, kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kilaj fitoi atëherë 49.8 për qind të votave që nuk i siguronin fitore në raundin e parë të zgjedhjeve.  

Ai do të sfidohet edhe nga ish-bashkë partiaku i tij, Ragip Begaj, që është kryetar i asamblesë komunalë në Malishevë. Begaj është nominuar për kryetar komune nga Iniciativa Qytetare për Malishevën. 

KQZ-ja ka certifikuara 33 anëtarë të saj të kandiduar për asamblistë të qeverisjes lokale.

Begaj thotë se në zgjedhjet lokale më 2009 ka marrë më shumë vota se sa kryetari aktual Isni

Kilaj. 

Në listën e shpallur nga KQZ-ja, për zgjedhjet lokalë të 2009, Ragip Begaj figuron se ka marrë 10 mijë e 78 vota. 

Kaq vota ka marrë PDK-ja në Malishevë. Ai ishte bartës i listës së kandidatëve për asamblistë më 2009.  

Po ashtu, në këtë listë figurojnë edhe votat që kanë marrë Enver Hoti, Blerim Thaçi dhe Fadil Shala, të cilët i’u kanë bashkuar Iniciativës Qytetarë për Malishevën. 

Sipas kësaj liste, Enver Hoti ka marrë 450 vota, Blerim Thaçi 360 vota dhe Fadil Shala 344 vota.

Kurse, në listën e shpallur nga KQZ-ja në vitin 2009, për kryetar të komunave, kryetari aktual Isni Kilaj figuron se ka marrë 9,776 vota.

“Unë edhe pse kam qenë kandidat për këshilltar komunal kam marrë më së shumti vota nga qytetarët e Malishevës”, thotë Begaj.

“Në bazë të kësaj logjike matematikore, unë do të fitoj bindshëm edhe në zgjedhjet e 3 nëntorit, thotë ai.

Por, kryetari aktual Isni Kilaj, ka mendim të ndryshëm për votat që ka marrë Ragip Begaj, në zgjedhjet lokale të vitit 2009.

“Begaj, ka qenë bartës i listës dhe të gjitha votat e degës së Partisë Demokratike të Kosovës, i kanë shkuar atij. Unë jam i sigurt se zotëri Begaj, po mos të kishte qenë bartës i listës, nuk do t’i kishte marrë këtë numër aq të madh të votave”, thotë kryetari Kilaj. 

“Begaj do të garojë në zgjedhjet e 3 nëntorit e  pastaj do të shohim, se a do t’i fitoj të gjitha këto vota”, shton Kilaj.

Kundër kandidati i tij Begaj është i sigurt se do të fitojë pasi që ka përkrahjen e Fatmir Limajt. 

Ish-nënkryetari i PDK-së dhe ish-ministri i Transportit në Qeverinë e Kosovës në një tubim në Malishevë më 23 shtator përkrahen publikisht Iniciativën Qytetare për Malishevën. 

“Begaj do të garojë në zgjedhjet e 3 nëntorit e  pastaj do të shohim, se a do t’i fitoj të gjitha këto vota. Isni Kilaj.

“Unë kërkoj nga ju që të votoni kandidatin Ragip Begaj, dhe të ndërrohen pushtetarët e korruptuar të cilët janë duke qeverisur në Komunën e Malishevës”, deklaroi Limaj.

Begaj thotë se me deklarimin publik të Fatmir Limajt për mbështetjen e Iniciativës Qytetare për Malishevën, ai do të fitojë votat për kryetar komune. 

“Ish-komandant Limaj ka bërë shumë për Kosovën dhe për këtë qytetarët janë mirënjohës ndaj tij. Andaj, deklarimi publik i zotëri Limajt për mbështetjen e Iniciativës Qytetare të Malishevës, do të na çojë drejt fitores”.

Sipas tij qytetarët e kanë kuptuar se me qeverisjen e PDK-së në Komunën e Malishevës, nuk do të kenë zhvillim ekonomik në nivel lokal dhe as ngritje të mirëqenies sociale.

Limaj,  përveç  prejardhjes nga Malisheva dhe komandimit të zonës gjatë luftës së UÇK-së, gëzon popullaritet te banores e kësaj ane edhe për shkak se gjatë mandatit të tij si ministër u sigurua që autostrada Kosovë-Shqipëri të kalonte kah Malisheva e jo kah Shtimja, siç parashihte traseja e vjetër. 

Drenasi –Vendlindja e Krasniqit 

Partia Demokratike e Kosovës po sfidohet nga ish-anëtarët e saj edhe në njërin prej bastioneve të saj në zonën e Drenicës, në Drenas, andej nga vjen Jakup Krasniqi i lindur në fshatin Negrovc të kësaj komune. 

Komuna e Skënderajt dhe e Drenasit llogariten si bastione të partisë së udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi i lindur në fshatin Burojë e Skënderajt. 

Krasniqi nuk pranoi të deklarohej për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me zgjedhjet lokale në Drenas. 

Por, ai më 17 shtator deklaroi për Kohën Ditore se mbështet Iniciativën Qytetare të Drenasit për shkak se anëtarët e saj mund të sjellin ndryshime për mirëqeverisje në këtë komunë. Krasniqi konfirmonte se e mbështeste edhe Iniciativën Qytetare të Malishevës. 

Krasniqi po ashtu nuk ka folur asnjëherë publikisht nëse do të jetë pro apo kundër PDK-së në nivel nacional.

Ndërkohë, ai në zgjedhjet lokale të vitit 2009 fitoi mbi 80 për qind të votave në Drenas. 

Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të këtij viti kandidati i PDK-së do të përballet me ish-kryetarin e kësaj komune të qeverisur nga PDK-ja. 

“Unë në zgjedhjet e fundit, kam marrë 24 mijë vota. Nexhat Demaku.

Izeti Ibrahimi, është ndarë nga PDK-ja në muajin gusht të këtij viti dhe ka themeluar Iniciativën Qytetare për Drenasin, ku edhe është certifikuar në KQZ, si kandidat për kryetar të komunës. 

Iniciativa Qytetare për Drenasin ka 34 kandidatë të certifikuar për këshilltar të Kuvendit Komunal.

“Unë kam qenë njëri nga themeluesit e degës së PDK-së në Drenas, kryetar dege dhe për tre mandate anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, në nivel qendror”, thotë Ibrahimi.

Ibrahimi ishte  kryetar i Drenasit në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (1999) dhe në vitet 2000-2004.

Izet Ibrahimi thotë se do t’i fitoj votat në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit për shkak të keq qeverisjes nga kryetari aktual Nexhat Demaku. 

Ai tha se në fitoren e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit do të ndikojë mbështetja publike e Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt që i kanë bërë Iniciativës Qytetarë për Drenasin. 

Ndërkohë, Nexhat Demaku, kryetari i Komunës së Drenasit, thotë se largimi i Izet Ibrahimit nuk ia rrezikon aspak mandatin e tij të tretë në krye të qeverisjes lokale.

“Unë në zgjedhjet e fundit, kam marrë 24 mijë vota”, thotë Demaku.

Ai ishte zgjedhur kryetar i Drenasit më 2007 dhe kishte fituar sërish më 2009. “Po ashtu e them me përgjegjësi të lartë se gjatë këtij mandati kemi punuar shumë për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të Drenasit”.

“Qytetarët janë të vetëdijshëm, sa i përket punës dhe projektet qe ne i kemi realizuar gjatë këtyre katër viteve”, shton Demaku.