Mbi të Mosfolurit

Njëzetetetë deputetë nuk morën pjesë asnjëherë në diskutimet parlamentare të mbajtura në gjashtëmujorin e parë të 2013-tës, thotë një raport i Institutit Demokratik të Kosovës, organizatë që monitoron punën e Parlamentit. 

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi deputetët e vlerësuar si më pasivët nga raporti. Disa nuk pranojnë as të flasin e të tregojnë përse ata zgjedhin të mos diskutojnë, e disa të tjerë nuk kanë vlerësim të lartë për fjalën.

“Ju përshëndes…Përshëndetje”, ishte përgjigja e Azem Sylës, pasi dëgjoi pyetjet se përse ai nuk flet në seanca parlamentare. Syla ka qenë vazhdimisht në top-listën e deputetëve pasivë. 

“Nuk ka demokraci pa debat dhe nuk ka debat pa demokraci. Astrit Salihu

Skender Hyseni, ish-ministri i jashtëm dhe i katërti nga më pasivët, nuk komentoi fare.

“Nuk kam merak të dal në televizor”, tha ndërkaq deputeti Bali Muharremaj. “Njeriu mund të flasë 24 orë pa ndalë, por unë jam ithtar i asaj që të flitet pak e të punohet shumë”.

Kuvendi ka zhvilluar 36 seanca parlamentare, dy prej të cilave të jashtëzakonshme dhe njëmbëdhjetë të karakterit solemn e përkujtimor. Institucioni kritikohet në raportin e KDI-së, të muajit korrik, për kontroll të dobët të qeverisë.  

Por, përveç kësaj, sipas detyrës së tyre dhe vetë origjinës së emrit të vendit ku punojnë (parlement:diskutim), deputetët pritet të flasin dhe të diskutojnë.

Për filozofin gjerman Jurgen Habermas “elementi qendror i një procesi demokratik qëndron në procedurën e politikave të diskutimit”. 

Habermas promovon arritjen e konsensusit politik përmes konfliktit në sferën publike. E kjo e fundit, thotë ai në librin e tij të njohur “Transformimi strukturor i sferës publike”, ishte transformuar në mënyrë radikale me diskutimet parlamentare që u bënë publike në Angli, në shekullin e shtatëmbëdhjetë.

Filozofi kosovar Astrit Salihu, i cili i referohet edhe Habermasit në librin e tij “Aporitë e modernes”, thotë se debati dhe demokracia shkojnë me njëra-tjetrën. “Nuk ka demokraci pa debat dhe nuk ka debat pa demokraci”.

“Deputeti nuk ka asnjë funksion tjetër përpos pjesëmarrjes në debate. Salihu

Pak deputetë kosovarë dallohen për retorikë serioze. Vetë Visari Imeri, deputeti më aktiv këtë vit, thotë se “përgjithësisht deputetët janë të painteresuar për punën në Kuvend”. Shumë prej tyre, edhe kur flasin janë jashtëzakonisht të rëndomtë, edhe pse në teoritë e komunikimit të folurit publik konsiderohet si i folur më i përzgjedhur për shkak të ndërlidhjes që ka me shëndetin publik të një vendi. Për shembull, vetë kryetari i kuvendit mund të dëgjohet duke përdorë metafora të tipit: “E keni bërë kuvendin si strajcë të magjupes…”.  

“Niveli i diskutimeve shpeshherë është i devalvuar në atë masë sa që ato debate shndërrohen më shumë në shfaqje komike banale sesa të një debati të sofistikuar a të avancuar”, thotë Astrit Salihu, ligjërues i filozofisë në Universitetin e Prishtinës. 

“Nuk po them që nuk duhet të ketë cinizëm e ironi në debatin parlamentar, përkundrazi ato janë elemente të një retorike të thelluar e të menduar, por po flas për mënyrën se si tek ne kundërvihen pikëpamjet – ndonjëherë ato më duken shumë primitive dhe të pashije”, shton ai.  

Salihu thotë se shumica e deputetëve janë njerëz koti, të padijshëm dhe pa asnjë ide se çka do të thotë të mbash atë pozitë. 

“Deputeti nuk ka asnjë funksion tjetër përpos pjesëmarrjes në debate”, thotë ai.

“Natyrisht, duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mundet secili prej deputetëve të jetë aktiv në secilin debat…por pjesëmarrja në debat, ngritja e çështjeve të shumta që shqetësojnë qytetarin si dhe artikulimi i qartë i dilemave që qartësojnë rrjedhojat e mundshme të vendimeve parlamentare janë të vetëkuptueshme për mandatin e një deputeti ose për të gjithë ata që kanë kërkuar besimin e qytetarit që t’i përfaqësojnë në parlament”.  

“Na ruajt Zoti – ata janë totalisht të anestezionuar nga [kryeministri Hashim] Thaçi. Rada Trajkoviq

Sipas Salihut, nuk mund të thuhet se ka refuzim për të marrë pjesë në debate. “Më shumë mund të jetë që janë të papërgatitur për çështje të cilat debatohen, ose, thjeshtë, ingranohen në mekanizmin votues partiak për të shtyrë agjendat e caktuara përpara”.

Të ardhurat e deputetëve, përfshirë angazhimet në komisione dhe mëditjet, shkojnë deri në katërfishin e pagës mesatare publike në vend që sillet në 300 euro.

Sipas raportit të KDI-së, e prirë nga deputetja serbe Rada Trajkoviq, lista e ligjvënësve pasivë vazhdon me Florin Krasniqin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sreten Ivanoviqin nga Lista e Bashkuar Serbe, Skender Hysenin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sasha Gjokiqin nga Partia Demokratike Serbe e Kosovës dhe Metohisë, Vesimir Saviqin nga Lista e Bashkuar Serbe, Ukë Rugova nga Koalicioni për Kosovë të Re, Vesna Mikiqin nga Lista e Bashkuar Serbe, Bali Muharremajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe mbaron me Azem Sylën nga Partia Demokratike e Kosovës.

Po të mos ishte Vetëvendosja…

Bekim Baliqi, ligjërues i shkencave politike gjithashtu në UP, thotë se pasiviteti i deputetëve mund të reflektojë në rënien e numrit të votuesve në zgjedhje. 

“Kur qytetarët e shohin se deputetët po marrin një rrogë të mirë e po jetojnë mirë, ndërsa nuk po përfaqësojnë interesin e tyre, një pjesë e madhe pastaj nuk do të dalë më për të votuar”, tha Baliqi.

Deputetja Rada Trajkoviq nga Lista e Bashkuar Serbe ishte autokritike për pasivitetin e saj dhe kritikoi edhe kolegët tjerë serbë. 

Por Trajkoviqi e vlerësoi Vetëvendosjen.

“Edhe pse shumë shpesh debatohet në aspekt negativ në lidhje me shtetin serb dhe serbët nga ana e ‘Vetëvendosjes’, po të mos ishte ky grup parlamentar ai parlament (i Kosovës) do të ishte krejtësisht pa kurrfarë iniciative”, tha ajo. 

“Këta tjerët janë vetëm si hije, shtiren sikur çdo gjë është në rregull”, shtoi Trajkoviq. “Ka shumë pak iniciativë nga përfaqësuesit e tjerë, e lëre më të flas për përfaqësuesit serbë…Na ruajt Zoti – ata janë totalisht të anestezionuar nga [kryeministri Hashim] Thaçi”.

Partitë politike në Kosovë funksionojnë sipas parimit patrimonial. Besnik Pula

Sipas Visar Ymerit të Vetëvendosjes, në parlament duhet zhvilluar debat politik në funksion të materializimit të vullnetit të qytetarëve, mbrojtjes dhe avancimit të interesave të tyre. “Por kuvendi është edhe vendi ku mbrohet republika”, tha ai.

Baliqi, ligjërues i analizës së politikave publike, thotë se në rastin e Parlamentit ka mungesë të llogaridhënies dhe mungesë të përgjegjësisë ndaj elektoratit. “Parlamentarizmi në Kosovë ka filluar të humbë rolin e vet”.

Kjo mund të jetë pasojë e dy zhvillimeve, sipas sociologut Besnik Pula, aktualisht kërkues postdiplomik në Universitetin Princeton, SHBA. 

Së pari, sipas tij, një numër deputetësh shfrytëzojnë pozitën në kuvend fillimisht për aktivitete biznesi. 

“E dyta, partitë politike në Kosovë funksionojnë sipas parimit patrimonial në të cilin pozitat partiake i shpërndanë dhe përcakton lideri ose një grup i ngushtë që dominon partinë”, thotë Pula. “Kjo përforcon autoritetin e lidershipit të partisë dhe nga deputeti kërkon vetëm lojalitet”. 

“Shumica e deputetëve në Kuvend nuk kanë bazë të vetën popullore”.

Salihu: Haraçi i shoqërisë sonë

Filozofi Salihu thotë se në përgjithësi zvetënimi i debatit, si resurs i rëndësishëm në jetën parlamentare, është një indikacion për atë se shoqëria në përgjithësi është larg përvetësimit dhe përbrendësimit të premisave demokratike.

“Në shikim të parë kjo duket shumë e thjeshtë”, thotë ai. “Ata (deputetët) duhet të ndëshkohen me votë dhe që në mandatin tjetër të zëvendësohen me të tjerët më të përgatitur…”. 

“Por, këta deputetë të pavlerë hiqen prej skene vetëm në një kontekst tjetër, në të cilin afirmohet një debat më i gjerë shoqëror, një debat i avancuar brenda shoqërisë, ku përfshihen të gjithë”. 

“Në mungesën e impulseve shtytëse të mendimit për çështjet publike, nuk mund të pritet që votuesi i thjeshtë të jetë ai që do të korrigjojë mangësitë e thella kulturore të shoqërisë tonë. Andaj edhe për një kohë do të kemi praktikën e njëjtë të përfaqësimit të padenjë si dhe të votimit të strukturuar tribal pa aktivizimin e logjikës qytetare”, shton ai.

“Prandaj, ky është haraçi që i paguan demokracisë secila shoqëri e pa emancipuar. Astrit Salihu

Kështu, sipas Salihut, votuesi kosovar është ende i pa emancipuar për të identifikuar njerëzit të cilët meritojnë votën e tyre për t’i përfaqësuar. 

“Prandaj, ky është haraçi që i paguan demokracisë secila shoqëri e pa emancipuar”, thotë ai.

Gjithsesi – shton Salihu – debati aktiv i deputetëve, shtrimi i argumenteve, trajtimi i hollësishëm i çështjeve mund të ketë efekte të caktuara në bërjen e politikës. 

“Natyrisht nuk duhet pasur iluzionin se janë vendimtare ato debate, por që mund të kenë njëfarë ndikimi – është mese e sigurt”, thotë ai. “Por debatin në parlament nuk mundemi ta shohim të veçuar nga debati i përgjithshëm shoqëror në të cilin gjenerohet edhe i tërë diskursi publik”.