Kryetari i Parteshit Ishte Dënuar për Dhunim

Kishte mahnitur bashkëfshatarët e tij kur erdhi nga Zvicra në vitet nëntëdhjetë. Nenad Cvetkoviq shëtitej me veturën e tij Porsche dhe kishte plot para.

Kështu e përshkruante kryetarin aktual të Parteshit prokurori në aktakuzën që e ngarkonte për dhunim të dy vajzave, më 1996.

Më 17 janar 1997 Gjykata e Qarkut në Gjilan kishte shpallur fajtorë Cvetkoviqin dhe shtatë të tjerë pasi për dy ditë radhazi kishin dhunuar dy vajza, banore të Graçanicës.

Cvetkoviq ishte dënuar me gjashtë vjet burgim kurse Grupi nga Pasjani ishte dënuar me gjithsej 46 vjet heqje lirie.

Të dënuarit e tjerë ishin Srgjan Ivkoviq (lindur më 1974), Sreten Maksimoviq (1975), Todor Ivanoviq (1973), Branko Periq (1963), Miroslav Saviq (1974), Stojan Steviq (1972) dhe Zoran Stojanoviq (1972) – që të gjithë nga Pasjani, tani fshat i komunës së Parteshit.

 

 

“Cvetkoviq ishte dënuar me gjashtë vjet burgim kurse Grupi nga Pasjani ishte dënuar me gjithsej 46 vjet heqje lirie.

 

Gazeta Jeta në Kosovë posedon aktgjykimin, aktakuzën, procesverbalin e seancës gjyqësore të datës 13 janar 1997 dhe letrën e zyrës së vendit në Graçanicë dërguar Gjykatës së Lartë ku kërkohej gjykim i drejtë.

Këto të dhëna nuk kanë qenë të prezantuara në opinionin kosovar deri më tash.

Kryetari i sotëm i Parteshit, Nenad Cvetkoviq, i kontaktuar në lidhje me këtë aktgjykim, i tha Gazetës Jeta në Kosovë vetëm se “ky rast është politik”.

Cvetkoviq dhe shtatë shokët e tij ishin arrestuar më 15 shtator 1996 nga policia në Gjilan pas denoncimit të dy viktimave.

Polici i njoftoi dhunuesit me vajzat

Më 14 shtator 1996, viktimat A.P (atëherë 17 vjeçe – e mitur) dhe S. B (18 vjeçe), të dyja me banim në Graçanicë, të nacionalitetit serb, kishin shkuar në Gushtericë të ulët (tani në komunën e Graçanicës), rreth 20 kilometra nga Prishtina, së bashku me dy shokë.

Arsyeja e shkuarjes në këtë fshat ishte përcjellja e një shoku të shokëve të tyre i cili shkonte të shërbente në ushtri. Viktimat nuk kishin shprehur dëshirë që të kalonin shumë kohën në festë dhe kishin kërkuar të kthehen në Graçanicë.

Nenadi dhe shtatë shokët e tij kishin shkuar po ashtu atë ditë në Gushtericë të Ulët për të kaluar pak kohë. Nenadi takohet me shokun e tij, policin Zvonimir Markoviq nga fshati Janjevë, i cili ishte në shoqëri të dy viktimave.

Miku polic i kërkon Nenadit që t’i dërgojë vajzat në fshatin e tyre, Graçanicë. Nenadi i kërkon Srgjan Ivkoviqit ta kryejë këtë punë.

Në deklaratën e tij në seancën gjyqësore, Srgjan Ivkoviq thoshte: “Nenadi më ka thënë t’i dërgoj në Pasjan, Graçanicën nuk e ka përmendur në asnjë moment…dhe vajzat hynë në veturë”. Ai shtonte se Nenad Cvetkoviqi i kishte thënë që t’i dërgojë ato në shtëpinë e tij.

Përveç viktimave, Ivkoviq kishte në veturë edhe dy të akuzuarit e tjerë, Stojan Steviq dhe Miroslav Saviq.

Ata i mashtruan viktimat duke u thënë se po marrin një rrugë tjetër për në Graçanicë, duke i vozitur në “Korado” me regjistrim të Zvicrës.

Srgjani dhe Nenadi ishin me punë të përkohshme në Zvicër.

Nenadi, i njohur si “Çiçko”, i lindur në Pasjan, më 14 mars 1970, i martuar, baba i një fëmije, i cili kishte të kryer shkollën e tregtisë, kishte kryer shërbimin ushtarak në Surdulicë (Serbi) më 1990, ishte i gjendjes së mesme të pasurisë, asnjëherë i dënuar, i rritur. Kështu përshkruhej ai në aktakuzë.

Pas dërgimit të policit mik në Janjevë, Nenadi kthehet në Pasjan së bashku me katër të akuzuarit e tjerë, Sretenin, Zoranin, Brankon dhe Todorin.

Në shtëpinë e Srgjanit, gjendeshin viktimat. Aty, tetë burrat, të gjithë me radhë, gjatë tërë natës i kishin dhunuar vajzat.

 

 

“Ata i mashtruan viktimat duke u thënë se po marrin një rrugë tjetër për në Graçanicë, duke i vozitur në “Korado” me regjistrim të Zvicrës.

 

Në fjalën e tij, prokurori i rastit thekson se përkundër lutjeve të viktimave të cilat qanin tërë kohës dhe kërkonin që mos t’i dhunonin sepse ishin të virgjëra, ato edhe ishin rrahur e maltretuar.

Në deklaratën e viktimave, theksohej se Nenadi mbretëronte me situatën në atë shtëpi dhe caktonte se kush kishte radhën për të hyrë në dhomat ku gjendeshin viktimat.

Në aktakuzë, prokurori Momçilo Antiq thekson se Nenad Cvetkoviqi zhvirgjëroi viktimën A.P.

Nenadi kishte kërcënuar viktimën që të zhvishej se përndryshe do ta vriste. Sa herë që viktimat kishin refuzuar që të shtriheshin në shtrat me dhunuesit, ato qenë kërcënuar ose rrahur me shuplaka

Në një seancë gjyqësore, viktima i drejtohet masës dhe thotë: “Nenadi është manijak”.

Në aktakuzë thuhet se, pas gjakderdhjes nga vagina e viktimës, Nenadi madje i kërkon asaj që të shkojë në banjo dhe të pastrohet duke i kërkuar po ashtu që t’ia pastrojë edhe penisin e tij të gjakosur. Gjithashtu ai i kërkonte asaj që t’ia lajë edhe këmishën e cila ishte bërë me njolla gjaku.

Të dyja viktimat kishin pësuar tronditje të madhe psiqike, thuhet në aktakuzë.

Më vonë, dhunuesit kishin lëshuar muzikë në dhomën e ditës dhe i kishin kërkuar viktimave që të vallëzojnë me ta. Ato refuzonin.

“Hajde ngrihuni se përndryshe e dini se çfarë mund t’u presë”, ishin fjalët e Cvetkoviqit drejtuar viktimave, thuhet në aktgjykim.

Nenad Cvetkoviq dhe shtatë burrat tjerë i mohonin akuzat kundër tyre. Që të gjithë i thoshin gjykatësit Ivan Bajazit se vajzat kishin ardhur me dëshirë të tyre dhe po ashtu kishin pranuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale me ta.

Miroslav Saviq kishte deklaruar se ai nuk kishte pasur fare marrëdhënie seksuale me viktimat.

Dhunimi i të miturës vazhdoi të nesërmen

Të nesërmen, më 15 shtator 1996, dhunuesit u fjalosën për atë se kush duhej t’i dërgonte viktimat në Graçanicë.

Në fund këtë e kishte pranuar Nenad Cvetkoviqi, thuhet në aktgjykimin 55 faqesh.

Ai së bashku me dy shokët, Brankon dhe Zoranin, me veturën e tij Porsche, me tabela të regjistrimit nga Zvicra, mori dy viktimat gjoja për t’i dërguar ato në fshatin e tyre, Graçanicë.

Rrugës ai ishte ndalur në Gjilan në banesën e Dragan Karagjiqit, dhëndrit të të akuzuarit Branko Periq, me arsyetimin për të pirë kafe.

Cvetkoviq merr përsëri viktimën A.P. dhe fillon ta dhunojë edhe pse ajo bërtiste, mbrohej dhe e luste atë që mos e prekte më.

Branko kërkon nga Cvetkoviqi që të ngutej sepse frikohej se fqinjët do të dëgjonin britmat e viktimës.

Cvetkoviqi iu jep 25 dinarë viktimave që të shkojnë me autobus për në Graçanicë.

 

 

“Cvetkoviq merr përsëri viktimën A.P. dhe fillon ta dhunojë edhe pse ajo bërtiste, mbrohej dhe e luste atë që mos e prekte më.

 

Viktimat me të dalë nga banesa hasin në patrullën e policisë duke treguar se çfarë u ka ndodhur.

Kur merr vesh Cvetkoviqi se policia ishte duke i kërkuar, fillon të ikë. Ndalet pasi njëri nga policët gjuan me armë në ajër.

Për ikjen e tij, Cvetkoviq ishte arsyetuar në gjykatë se asnjëherë nuk ka pasur kontakte me policë dhe ishte i frikësuar.

Në deklaratën e tij në gjyq, ai thoshte: “Kam dëgjuar se ata të rrahin, me siguri për këtë arsye, dhe isha i përgjumur kur kam dalë nga banesa”.

Në dëgjimin e deklaratave të të akuzuarve gjykatësi thekson se shumë prej tyre kanë ndryshuar deklaratat dhe se në përfundim asnjëri prej tyre nuk ishte bindës.

Më 17 janar 1997, gjykata e qarkut në Gjilan sjell verdiktin për tetë të akuzuarit. Cvetkoviq dënohet me 6 vjet burgim.

Në skenë del edhe viktima e tretë

Me të dëgjuar për rastin makabër, viktima e tretë V.P. (atëherë 15 vjeçe) lajmëron rastin e saj në polici ku akuzonte Srgjan Ivkoviqin, Todor Ivanoviqin dhe Mirosllav Saviqin.

Këta të tre, më 23 gusht 1996 e kanë parë viktimën e cila po priste transportin e saj në stacionin e autobusit në Prishtinë.

Viktima kthehej nga shkolla e muzikës për të shkuar në shtëpi në Graçanicë.

Srgjani njihej me viktimën dhe i ofron transport për në shtëpi. Ajo pranon. Në aktgjykim thuhet se Srgjani kishte nxjerrë një thikë dhe ia kishte vënë në fyt, duke e kërcënuar me fjalët: “Sonte duhesh të vish me mua”.

Srgjani e dërgon në shtëpinë e tij në Pasjan, ku së bashku me dy shokët – Todorin dhe Miroslavin – e dhunojnë.

 

 

“Ajo nuk kishte treguar ngjarjen në shtëpi me frikën se mos u shkaktonte telashe familjarëve.

 

Viktima kishte prindërit jashtë Kosovës dhe ajo jetonte me gjyshen dhe motrat. Ajo nuk kishte treguar ngjarjen në shtëpi me frikën se mos u shkaktonte telashe familjarëve.

Srgjani i kishte marrë një qafore viktimës dhe po ashtu kërkonte para.

Kur vijnë prindërit e viktimës për pushime, nëna e saj e pyet për qaforen. Viktima i thotë se ia kishte dhënë një kushërirës. Nëna kupton që kushërira nuk e kishte dhe viktima i tregon se ia kishte marrë një person.

Viktima së bashku me babanë e saj shkojnë tek Srgjani dhe ia marrin qaforen po ashtu edhe paratë që viktima i kishte dhënë.

Më pastaj, babai së bashku me viktimën shkojnë në polici për të raportuar rastin ndërsa viktima tregon të gjitha që i kanë ndodhur.

Cvetkoviq bëhet kryetar i Parteshit më 2010

Në zgjedhjet lokale të fundit në vitin 2010, komuna e Parteshit u fut në raundin e dytë të garës ndërmjet Nenad Cvetkoviqit (Lista Zaviqaj) dhe Todor Mirkoviqit (JSL-Jedisntvena Srpska Lista).

Garën e fiton Cvetkoviqi duke mbledhur 57,63 për qind të votave ndërsa Mirkoviq kishte 42,37 për qind.

Komuna e Parteshit është krijuar sipas planit të Martti Ahtisaarit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, në Kosovë është autoriteti i cili certifikon kandidatët të cilët garojnë në zgjedhje.

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së, thekson se ai vetë nuk ka pasur informacion se kryetari i Parteshit ka qenë i dënuar më herët.

 

 

“I shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Ligji i Zgjedhjeve

 

Megjithatë, ai thekson se ligji kosovar për zgjedhje nuk lejon kandidatët të garojnë vetëm nëse ata janë dënuar në tri vitet e fundit.

Në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, neni 29 që flet për certifikim të personave si kandidatë, ndalohet të kandidojë kandidati  “i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”.

Edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, MAPL, thekson se nuk ka në pasur informacion më herët për të kaluarën e Cvetkoviqit.

MAPL drejton gishtin kah KQZ duke thënë se është autoriteti që certifikon kandidatët për zgjedhje.

“Pavarësisht faktit që Ministria e Administrimit të Pushtetit  Lokal monitoron zbatimin e ligjshmërisë në komuna, në rastin konkret MAPL nuk ka kompetencë dhe përgjegjësi për të trajtuar një çështje të tillë”, zëdhënësja e MAPL-së, Lumnije Demi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.