Incidenti Diplomatik: Versioni i Ministrit

“Ka ndodhur një keqkomunikim në mes meje, atij [Lulzim Pecit] dhe kryeministrit”.

Ky është versioni i ministrit të punëve të jashtme Enver Hoxhaj për dorëheqjen e Lulzim Pecit, ish të dërguarit të Kosovës në Beograd, në një intervistë dhënë emisionit Jeta në Kosovë.

Misioni diplomatik në Beograd që zgjati katër ditë mund të konsiderohet si misioni më i shkurtër i një diplomati kosovar në historinë e re diplomatike të vendit dhe ishte vlerësuar si “incident” pasi ndodhi pikërisht me të dërguarin e parë në Serbi.

Presidentja e vendit Ahtifete Jahjaga kishte dekretuar Lulzim Pecin si shef të misionit të posaçëm në Beograd më 15 qershor 2013. 

Katër ditë më vonë, më 19 qershor, Peci është vendosur në Beograd. Disa orë më pas ai është kthyer në Prishtinë ku edhe publikisht ka dhënë dorëheqje nga shërbimi diplomatik i Kosovës.

Atifete Jahjaga dhe Lulzim Peci | Foto: Presidenca

Në letrën drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga, ai shkruante se arsyeja e dorëheqjes ishin kritikat e bëra nga kryeministrit Hashim Thaçi për një deklaratë të Pecit dhënë mediave.

“Më kritikoi pse kam deklaruar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Peci për emisionin “Interaktiv” të Kohavisionit më 20 qershor. 

Takimi, sipas Pecit, kishte ndodhur rastësisht në një lokal ku ai po pinte kafe me një mik.

Hoxhaj thotë se nuk ka qenë kritikë nga ana e Thaçit. “Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga ai [Lulzim Peci] që të ketë koordinim”.

“S’ka të bëjë me substancën e deklaratës… ka të bëjë me sjelljen e një diplomati i cili nuk mund të shkojë në ora 12 në Beograd dhe të kthehet në mbrëmje në kafiteritë e Prishtinës”.

Disa orë pas dorëheqjes së Pecit, Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate akuzoi Pecin për lëshime gjatë kryerjes së punës së tij si ambasador në Suedi dhe se ai kishte qenë i propozuar për shkarkim.

I pyetur për këto lëshime dhe nëse MPJ i ka dhënë vërejtje zyrtare Pecit, Hoxhaj thotë se ministri nuk merret me këso çështjesh.

“Arsyeja e dorëheqjes dhe qortimit të tij janë situata të tri-katër javëve të fundit. Unë nuk i di komunikimit, ministri nuk merret me koordinimin e ambasadorëve…”.

Lidhur me misionin e posaçëm në Beograd, Hoxhaj kishte konsideruar ambasadorët Lulzim Peci (Suedi), Ylber Hysaj (Maqedoni) dhe Valdet Sadiku (Kroaci).

Sipas tij, Hysaj nuk ishte zgjedhur sepse nuk ka qenë i gatshëm të lëvizë nga Shkupi në Beograd ndërsa Sadiku i është dukur i ri.

Më 20 qershor presidentja Jahjaga ka dekretuar ambasadorin Valdet Sadiku si shef të misionit diplomatik në Serbi.

“Unë nuk di që kam dërguar shkresë për Ahmet Shalën për Belgjikë”

Rreth dy vjet më parë, më 2 nëntor 2011, Enver Hoxhaj i kishte propozuar Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës ish udhëheqësin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit për ambasador në Mbretërinë e Belgjikës. 

“Unë nuk di që kam dërguar shkresë për Ahmet Shalën për Belgjikë. Unë kam dërguar shkresë për Ahmet Shalën vetëm për Japoni”, thotë Hoxhaj.

Ahmet Shala | Foto: Petrit Rrahmani

Gazeta e posedon këtë dokument-propozim, të cilit ministri Hoxhaj ia kishte bashkangjitur edhe biografinë me plot të arritura të kandidatit Shala, e cila fillon në vitin 1985 si i punësuar në Kombinatin “Trepça” dhe kulmon me postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave në vitin 2008.

Shala nuk është bërë ambasador në Belgjikë por është dekretuar si ambasador në Japoni.

I pyetur nëse Belgjika ka refuzuar Ahmet Shalën si ambasador, Hoxhaj thotë “absolutisht jo”.

“Në Belgjikë ka pasur një rivlerësim nga ana jonë se duhet të qëndrojë Ilir Dugolli [ambasadori aktual]”.

“Jam marrë me çështje më strategjike për vendin”

Ministri Hoxhaj është kritikuar disa herë nga Komisioni për Punë të jashtme që udhëhiqet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për mos raportim të rregullt.

Më 23 maj të këtij viti Kurti kishte ftuar Hoxhajn që të raportonte në këtë komisionin për aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. 

Hoxhaj nuk ishte përgjigjur fare në këtë ftesë, bazuar në një komunikatë të lëshuar nga Kurti.

Më 19 qershor Hoxhaj kishte ofruar gatishmërinë e tij që të paraqitet para këtij komisioni. Komisioni i është përgjigjur pozitivisht ofertës së Hoxhajt duke i caktuar takim më 24 qershor.

Mirëpo, Hoxhaj nuk ishte paraqitur as më 24 qershor. Tash, ministri sqaron rrethanat e mosparaqitjes së tij në komisionin për punë të jashtme të Kuvendit të Kosovës. 

Hoxhaj thotë se një ndër presionet e tij kryesore gjatë tre muajve të fundit ka qenë marrëdhënia me Britaninë e Madhe.

Hoxhaj shton se për këtë arsye së bashku me kryeministrin ka vizituar Londrën.

“Kjo ka qenë arsyeja se pse atë të hënë të famshme unë nuk kam mundur të jem në komisionin për politikë të jashtme por jam marrë me çështje më strategjike për vendin”. 

I pyetur rrethe bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe lidhjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve Hoxhaj beson që veriu i vendit do të integrohet pas mbajtjes së zgjedhjeve më 3 nëntor.

“Ajo çfarë ka ndodhur në 2-3 javët e fundit në veri është se janë mbyllur stacionet policore të strukturave [paralele] në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç” thotë Hoxhaj.

Barrikadat tjera do të hiqen, shton ai. “Unë jam shumë i sigurt që deri më 3 nëntor, barrikadat, organizimi i zgjedhjeve lokale, lëvizja e lirë në veri dhe riintegrimi i asaj pjese do të jetë realitet”.

Hoxhaj ka premtuar se do të realizojë intervistë për emisionin Jeta në Kosovë më 10 nëntor në pjesën veriore të Mitrovicës.

Intervistën e plotë mund ta shikoni në: <iframe width=”420″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/5TnrBMtToc0″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>