Kthehet i Zbutur Ligji i Premtuar dhe i Keqkuptuar

Qeveria e Kosovës kishte arsye të forta kur këmbëngulte që projektligji për amnisti duhej të kalonte në Parlament patjetër të enjten më 27 qershor.

Ajo i kishte premtuar Brukselit se ky ligj do të ishte i gatshëm në mes të qershorit.

Kështu, dështimi i qeverisë që të kalojë projektligjin për aministi paraqet shkeljen e parë të një prej premtimeve kryesore që i ka dhënë në Bruksel në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Marrëveshja e 19 prillit mes palve, e cila ndër të tjera parasheh shuarjen e institucioneve ilegale, është pasuar nga një plan i zbatimit të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Plani i zbatimit mban datën 25 maj 2013 dhe përcakton që ligji për amnisti duhej të përfundohej “në mes të qershorit”. 

Në mënyrë që të realizonte këtë premtim, javën e kaluar qeveria me shpejtësi procedoi projektligjin në seancë parlamentare përmes komisionit për legjislacion me gjithë kundërshtimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Për të njëjtën arsye kryeministri Hashim Thaçi kishte pranuar të hiqte nga rendi i ditës në Parlament projektligjin që mundëson krijimin e komunës “Kodra e Trimave”, të cilën e kundërshton Lidhja Demokratike e Kosovës që e ka bastion këtë lagje, pasi kjo e fundit e paralajmëroi se do ta lëshonte sallën parlamentare.

Pas një debati prej më shumë se dy orësh, projektligji nuk mori dritën e gjelbër në leximin e parë.

Për miratimin e këtij ligji votuan 70 deputetë, 21 ishin kundër, ndërsa 2 abstenuan.  

Janë dhjetë deputetë që nuk lejuan kalimin e këtij ligji, sipas listës së votimit të siguruar nga Koha Ditore. 

Lumnije Morina dhe Nait Hasani janë të vetmit deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës që ka votuar kundër projektligjit. 

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës projetkligji nuk u mbështet nga Vjosa Osmani, Armend Zenelaj dhe Kimete Bytyqi.

Kundër kanë votuar edhe Aurora Bakalli dhe Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim, deputetët e pavarur Muhamet Mustafa dhe Emin Gerbeshi dhe Suzan Novoberdaliu nga Aleanca për Kosovën e Re.

Projektligji nuk është mbështetur nga asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Një ditë pas seancës parlamentare, më 4 korrik, kuvendit të Kosovës iu dërgua për herë të dytë projektligji për amnistinë.

Sekretari Ismet Krasniqi i konfirmoi Gazetës Jeta në Kosovë se projektligji i ri tashmë gjendet në kuvend.

Projektligji për amnistinë, që të kalonte në leximin e parë, duhej të merrte 2/3 e votave të deputetëve, ose 80 vota, procedurë që duhet ta kalojë edhe projektligji i ndryshuar i amnistisë. 

Nuk ka ulje të dënimeve për 20 për qind

Disa orë para se projektligji të shkonte përsëri në Kuvend, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 5 korrikut, të premten, nga projektligji i parë hoqi komplet nenin 3.

Se neni 3 nuk ishte i rëndësishëm kishte paralajmëruar edhe ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi, gjatë seancës parlamentare kur deklaroi se ky nen mund të diskutohej por se neni 5 është i padiskutueshëm.

Neni 3 është kundërshtuar nga deputetët e Kuvendit në fjalimet e tyre lidhur me projektligjin dhe shoqëria civile.

Ky nen ofronte ulje të dënimit prej 20 për qind për disa kategori, përfshirë personat të cilët ende nuk janë dënuar, pra dënimi i të cilëve ende nuk është përcaktuar.

“Personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur aktakuza [e të cilët kanë kryer vepra penale deri më 20 qershor 2013 apo kundër të cilëve ende nuk ka filluar ndjekja…”, thuhej në nenin 3 të projektligjit për aministi.

Kështu 20 për qind zbritje nga dënimi do të merrnin personat e hetuar, akuzuar dhe dënuar për veprat penale si disa lloje të vrasjeve, shtrëngimi, kanosja, pengimi i tubimit publik, vjedhja, uzurpimi i paligjshëm i pronës dhe vepra të tjera penale.

Mirëpo me këtë nen ishin përcaktuar disa kushte të cilat ndikonin dukshëm në zvogëlimin e rrethit të personave që do të përfitonin nga ky nen.

Të gjithë personat të cilët janë dënuar dhe i kanë ikur burgut nuk përfitonin nga ky ligj.

Nga ky nen nuk përfitonte as Xhabir Zharku pasi që vepra penale e detyrimit nuk parashihej fare. Zharku do të mund të përfitonte vetëm nga neni 5 i këtij projektligji për armëmbajtje pa leje, por për të është dënuar me gjobë dhe jo me burg. 

Nga ky nen nuk përfitonin as personat që janë dënuar më shumë se një herë me burg. 

Vërejtja kryesore e deputetëve dhe organizatave jo qeveritare ishte se veprat e parapara me nenin 3 që ishin vepra penale kryesisht kundër jetës, trupit dhe pasurisë nuk mund të faleshin nga shteti.

Burim Ramadani (AAK) në seancën plenare shprehu shqetësimin për numrin e madh të veprave të amnistuara.

“Besoj që vjedhja nuk mund të amnistohet…Shtrëngimi,-haraçet është totalisht e pakuptueshme”, thoshte ai.

Pas debatit të nxehtë ai ka votuar në favor të projektligjit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi në reagimin e publikuar më 3 korrik rekomandonte të mos miratohej projektligji. 

“Shteti nuk ka asnjë të drejtë… që të falë vepra që janë kryer kundër një individi tjetër sepse në këto raste kemi të bëjmë me viktima dhe amnistia e këtyre krimeve cenon të drejtën për mjet efektiv ligjor që është parim i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Ky nen tashmë është larguar nga drafti i projektligjit dhe askush nuk do të përfitojë zbritje të dënimit për 20 për qind.

Përfitojnë kryesisht ata që s’kanë pranuar institucionet e Kosovës

Projektligji i ri i dërguar në Kuvend ofron amnisti në tri raste përkatësisht ndaj atyre që kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues, atyre që kanë bërë thirrje për rezistence dhe falë huliganët. 

Në bllokun e parë disa prej 14 veprave penale që do të amnistohen janë veprat kundër rendit kushtetues, për kryengritje të armatosur, rrezikim të tërësisë territoriale, spiunazh, kalim të paautorizuar të kufirit, nxitje të urrejtjes, ushtrim të kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe armëmbajtja pa leje.

Tek veprat penale thirrje për rezistencë, përkundër faktit që parashihet një listë prej rreth 19 veprash penale, ato do të falen vetëm nëse kanë rezistuar në thirrje për rezistencë.

Thirrje për rezistencë konsiderohet kur bëhet thirrje që të mos zbatohen vendimet e nxjerra nga personat zyrtarë [institucionet] dhe dënohet deri me pesë vjet burg.

Për shembull, nëse një person nuk ka paguar tatimet për arsye se nuk i ka pranuar institucionet e vendit, ajo konsiderohet si thirrje për rezistencë.

Por nga ky ligj, edhe pse parashihet vepra penale shmangie nga tatimi, nuk përfiton përshembull i sapodënuari Ilir Tolaj sepse, sipas vendimit gjyqësor, ai nuk i ka ikur tatimeve për shkak të rezistencës ndaj shtetit të Kosovës.

Disa vepra tjera të cilat amnistohen me projektligjin e ri e të cilat duhet fillimisht të rezultojnë në thirrje për rezistencë janë parandalimi i ushtrimit të se drejtës për të votuar, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, tregtia e ndaluar, shmangia nga pagesa e obligimeve doganore, falsifikimi i dokumenteve dhe sulmi ndaj personit zyrtar.  

Më këtë nen i cili nuk ka ndryshuar nga projektligji i parë nuk përfitojnë as dy Guxim e Ngadhnjim Grabovci, djemtë e deputetit Adem Grabovci, të cilët dyshohen se me 14 shkurt të këtij viti kanë sulmuar një polic.

Projektligji nuk liron as ish punëtoren e Ministrisë së Shëndetësisë Arbenita Pajaziti dhe ish gjykatësin Kolë Pukaj të cilat janë dënuar për falsifikim dokumentesh, sepse vepra e tyre nuk ka qenë thirrje për rezistencë.

Në pjesën e fundit të nenit 3, i cili në draftin e parë ishte neni 5, parashihet se do të aminstohen edhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në turma dhe kanë shkaktuar vepër penale dhe hiliganët.

Bashkimi Europian kërkon që ligji të aprovohet sa më shpejtë

Një ditë pasi projektligji nuk kaloi në Kuvend Zyra e Bashkimit Europian ka kërkuar që projektligji të aprovohet.

“Ne presim nga të gjitha palët përgjegjëse që të jenë në gjendje të pajtohen për ndryshimet  e nevojshme në mënyrë që të  kalohet sa më shpejt  një  ligj i drejtë dhe transparent i amnistisë ” ka deklaruar Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së  Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë përmes një komunikate për shtyp.

Ambasador i Italisë në Kosovë Michel Giffoni, për Gazetën Jeta në Kosovë tha se i ka ardhur keq që partitë politike nuk e kanë përkrahur këtë ligj. Ai shton se shpreson që në seancën e ardhshme ligji të miratohet. 

“Në bazë të asaj që më ka thënë zëvendëskryeministri (v.j Hajredin Kuçi), ligji është i mirë pasi që në bazë të kësaj amnistie serbët e veriut do të integrohen në institucionet e Kosovës”, tha Giffoni.

Një ditë para aprovimit të projektligjit, ambasadorja franceze Marsye Daviet ka deklaruar për gazetën Jeta në Kosovë se projektligji duhet të aprovohet nga Parlamenti.“Ne duam fuqimisht që ky projektligj të aprovohet nesër”

Por si do të zbatohet projektligji në praktikë nëse ai aprovohet nga Parlamenti?

Ditën kur ligji hyn në fuqi burgjet obligohen që brenda 72 orësh të informojnë gjykatën për të dënuarit që përfitojnë nga ky projektligj.

Kur gjykata merr këtë njoftim nga burgjet e Kosovës brenda shtatë ditës nxjerrë vendim për personat që duhet të lirohen nga burgjet.

Të gjitha vendimet që do të merren për amnistinë e të dënuarve do të merren me “ndihmën e EULEX-it”.

Ndërsa, në rastet në rastet kur është bërë kallëzim penal, është nisur një hetim, apo është ngritur aktakuzë, prokurori merr vendim për të dhënë amnisti nga ndjekja penale. Hedhja e kallëzimeve penale ose pushimi i hetimeve do të bëhet brenda 30 ditësh.

Nëse një person i është shmangur pagesës së tatimit si rezultat i thirrjes për rezistencë ndaj shtetit të Kosovës pas 30 ditësh do të shndërrohet në person pa precedent penal.

Përderisa në Kosovë amnistia është caktuar në bazë të veprës penale, në Kroaci si bazë është marrë periudha kohore e kryerjes së veprës penale.

Shteti më i ri në Bashkimin Europian, Kroacia, ka miratuar ligjin për amnisti në vitin 1996, disa muaj pas përfundimit të luftës me Serbinë.

Sipas ligjit kroat janë amnistuar të gjitha veprat penale të bëra nga kushdo gjatë agresionit, rebelimit të armatosur ose konfliktit të armatosur. 

“Amnistia nga ndjekja penale ndërlidhet me të gjitha veprat penale të bëra nga 17 gusht 1990 deri në 23 gusht 1996”, thuhet në ligjin kroat i cili është aprovuar më 20 nëntor 1996.