Deklarojnë 6 Mijë € Shpenzime në Udhëtimin Amerikan

Udhëtimi dyjavor i drejtuesve të saj në më shumë se pesë shtete në SHBA i ka kushtuar lëvizjes Vetëvendosje vetëm rreth gjashtë mijë euro ndërsa shpenzimet tjera janë mbuluar nga “nikoqirët”.

Lëvizja nuk ka ofruar të dhëna të detajuara për shpenzimet për fjetje, ushqim dhe qëndrime nga një shtet në shtetin tjetër brenda SHBA-së, të cilat nuk i ka paguar vetë.

Përreth dy javë qëndrim në SHBA delegacioni i përbërë nga kryetari i lëvizjes Albin Kurti, nënkryetari Shpend Ahmeti dhe kryetari i grupit parlamentar Visar Ymeri kanë shpenzuar vetëm 5 mijë e 627 euro për udhëtim, 115 euro për akomodim dhe 172 euro për ushqim. 

Shpenzimet tjera janë mbuluar “nga organizatat shqiptaro-amerikane dhe nga universitetet ku ne kemi mbajtur prezantime”, thotë zëdhënësi i lëvizjes Erzen Vraniqi.

Sipas tij, lëvizja Vetëvendosje ka bërë “shpenzime minimale” sepse shumica e shpenzimeve janë hequr nga organizatorët e aktiviteteve në SHBA. 

“Emrat e këtyre organizatave i gjeni në agjendë”, tha Bojken Abazi, koordinator i sekretariateve në lëvizjen Vetëvendosje. 

Gjithashtu, sipas tij, për të mos pasur shpenzime shtesë delegacioni është “akomoduar në shtëpitë e bashkatdhetarëve”. “Kemi qenë të ftuar te njerëz si Florin Krasniqi, Gent Carrabregu, Ylli Zhubi, Indrit Reso”.    

“Tek unë kanë qëndruar për një natë Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti”, Gent Carrabregu i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Të njëjtën ditë ka qenë për disa orë në Chicago edhe Visar Ymeri, por ai është detyruar të kthehet vetëm pas dy ose tre orësh meqë kishte detyrime në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Carrabregu.

Deputeti Visar Ymeri është kthyer për në Kosovë ditën e pestë të udhëtimit në SHBA.

“Për shkak të mundësisë së ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë në Kuvendin e Kosovës, Ymeri kthehet në Kosovë për të ndihmuar në organizimin e kundërshtimit të kësaj marrëveshje”, thuhet në agjendën e dërguar nga VV-ja.

Sipas lajmërimit të mëhershëm të VV-së, Kurti është ftuar në cilësinë e kryetarit të komisionit për punë të jashtme të Kuvendit të Kosovës.

“Albin Kurti është ftuar disa herë në Shtetet e Bashkuara nga organizata të ndryshme shqiptaro-amerikane. Herën e fundit është ftuar edhe nga Zëri i Amerikës”, thuhet në përgjigjen e Vraniçit.  

Për Kurtin kjo është vizita e parë në SHBA pasi që më herët i është refuzuar viza.  

Koktej dhe mbrëmje muzikore falas

Gjatë udhëtimit 24 maj – 7 qershor, VV-ja ka vizituar rreth dhjetë organizata të komunitetit shqiptar në SHBA.

Disa prej tyre janë Vatra, Apen, Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci, Ana e Malit, Vizion 21, Qendra Kulturore Shqiptaro Amerikane, Qendra e Këshillit Shqiptaro Amerikan, Kombi, shoqata Kosova-Boston dhe shoqata Maas-Besa.

Ekipi i VV-së ka bërë edhe prezantime në Gerogetown University, Northwestern University, Harvard University, Columbia University dhe Johns Hopkins University. 

“Në disa raste këto institute kanë marrë përsipër edhe të na i heqin shpenzimet e një dreke”, tha Abazi, për gazetën.

Gjithashtu janë vizituar qendra të ndryshme fetare si Qendra e Bashkësisë Islame Shqiptare, Kisha Katolike Shqiptare, Kisha Ortodokse Shqiptare dhe Katedralja Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston. 

Udhëtimit nuk i kanë munguar as mbrëmjet dëfryese.

Më 30 maj Florent Nushi dhe një grup i bashkatdhetarëve kishte organizuar koktej dhe mbrëmje muzikore shqiptare në restorantin Andiamo. Dy ditë më pas, një takim tjetër me bashkatdhetarë është mbajtur në restorant Vlora në Boston. Natën e 3 qershorit delegacioni i VV-së ka marrë pjesë edhe në koktejin e organizuar nga Space 56 në New York. 

Vetëvendosje nuk ka ofruar të dhëna konkrete se kush nga këta nikoqirë sa ka mbuluar në shpenzimet e pijeve, ushqimit etj. Disa prej nikoqirëve të kontaktuar nga gazeta kanë konfirmuar se kanë pritur përfaqësuesit e Vetëvendosjes, mirëpo as ata nuk kanë dhënë detaje të shpenzimeve të bëra.  

Vetëvendosje ofron qasje në financat e partisë

Gazeta Jeta në Kosovë, në fund të muajit shkurt përmes të drejtës për qasje në dokumente publike, ka kërkuar nga lëvizja Vetëvendosje qasje në regjistrat financiarë të kësaj saj e të cilët tregojnë mënyrën e financimit dhe shpenzimet e bëra përgjatë vitit 2012.

Ilir Cacaj, drejtues i sekretariatit të financave në VV, ishte përgjigjur pozitivisht brenda afatit të përcaktuar kohor duke ofruar kështu kopje të raportit financiar. Raporti financiar i VV ka qenë i plotësuar sipas rregullave të përcaktuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe në to shiheshin edhe kontribuuesit e subjektit. 

Lëvizja Vetëvendosje raportet financiare vjetore dhe ato të financimit të zgjedhjeve i ka të publikuara edhe në faqen e saj zyrtare.  

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca për Kosovës e Re nuk kishin lejuar gazetën të ketë qasje në raportet e tyre financiare.