Pagesa të Parregullta për Lobuesin Amerikan

Kompania amerikane “Patton Boggs” u pagua nga qeveria e Kosovës përkundër shkeljes së kontratës për shkak të mos dorëzimit me kohë të raporteve për aktivitetet lobuese për muajt gusht e shtator të vitit të kaluar. 

Kontrata e lidhur mes palëve më 2011 parashihte dorëzimin e përmuajshëm të raporteve para kryerjes së pagesave, por auditorët zbuluan se raportimi ishte bërë vetëm pasi që ishin dhënë paratë. 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm publikoi gjetjet që lidhen me këtë kontratë në raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme për vitin 2012, të publikuar javën e kaluar. 

Ministria e Punëve të Jashtme nuk komentoi gjetjet e auditivit. Nuk komentoi as kompania amerikane. 

“Patton Boggs” vitin e kaluar, nëpërmjet zyrës për komunikim, kur ishte pyetur rreth kontratës kishte pohuar se për çdo gjë duhet të pyetet qeveria e Kosovës. 

Kontrata “Për Lobim dhe shërbime këshillëdhënëse”, e lidhur mes Qeverisë dhe Patton Boggs-it, parasheh që kontraktuesi duhet të dorëzojë raportin e shërbimeve të kryera së bashku me faturën në mënyrë që të realizohet pagesa. 

Vlera mujore e shërbimeve sipas kontratës ishte 50,000 mijë dollarë ndërsa konvertimi i pagesës duhej të bëhej me datën e pagesës.

“Ne testuam shpenzimet e realizuara për periudhën gjashtëmujore në vlerë 238,809 euro. Testet tona shpalosën se te pagesa për muajin gusht në vlerë 39,802 euro, mungonte raporti për shërbimet e kryera”, thuhet në auditim. 

“Testet tona shpalosën se te pagesa për muajin gusht në vlerë 39,802 euro, mungonte raporti për shërbimet e kryera. Auditimi

 ZAP pohon se ky raport iu është ofruar auditorëve më 19 nëntor të vitit 2012 pas kërkesës që bëri.

Njëjtë kishte ndodhur me pagesën e kryer për muajin shtator të vitit të kaluar. Pagesa ishte kryer në tetor ndërsa raporti ishte dorëzuar tek në dhjetor.

“Pagesa në vlerën 38,645 euro, e cila ishte ekzekutuar më 15 tetor 2012, që përfshin shpenzimet për muajin shtator 2012, ishte bërë në mungesë të raportit për shërbimet e kryera. Ky raport ishte ofruar më 5 dhjetor 2012, përkatësisht afro 2 muaj pas ekzekutimit të  pagesës”, thuhet në raport.

Auditorët i rekomanduan ministrisë së jashtme që të bëjë ekzekutimin e pagesave vetëm pas pranimit të mallrave dhe shërbimeve në pajtim me kushtet e kontratës.

Auditorët konstatuan se kontrolli i brendshëm në ministri nuk ka arritur që të parandalojë pagesat të cilat nuk ishin të kompletuara me të gjitha dokumentet.

“Ekzekutimi i tyre bëhej në mungesë të raporteve për shërbimet e kryera. Kjo rrit rrezikun që të ekzekutohen pagesa për shërbimet të cilat ende nuk janë realizuar”, thuhet në raport.

Takimi i kryeministrit me Wisner-in para lidhjës së kontratës. 

“Ekzekutimi i tyre bëhej në mungesë të raporteve për shërbimet e kryera. Auditimi

Kontrata ishte përcjellë me parregullsi edhe kur ishte lidhur më 2011. 

Kompania fillimisht ishte angazhuar më 2010 nga kabineti qeveritar pa përfillur procedura tenderuese siç kërkohet nga ligji i prokurimit publik. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në nëntor të vitit të kaluar se kryeministri Hashim Thaçi kishte takuar në SHBA këshilltarin e çështjeve të jashtme të Patton Boggs, Frank Wisner, 

Takimi kishte ndodhur dy muaj përpara se kryeministri të miratonte marrëveshjen me kabinetin e tij të ministrave në shtator të vitit 2010. 

Megjithatë, Thaçi njihej me kompaninë amerikane që nga viti 1999 kur Qeveria e Përkohshme e Kosovës kishte paguar Patton Boggs-in në mënyrë që t’i aranzhonte një vizitë në SHBA. 

Qeveria më pas anuloi kontratën për ta ringjallur në korrik të vitit 2011 duke respektuar ligjin e prokurimit publik dhe duke marrë lejen e agjencisë së prokurimit publik për aplikimin e procedurave një burimore pa hapur garë tenderuese. 

Raportet e lobuesit përfshijnë aranzhime takimesh e paralajmërime njohjesh 

Në një raport të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, që i referohet periudhës janar-qershor të vitit 2012 përmendet edhe lobimi i “Patton Boggs”, në interes të Qeverisë së Kosovës. 

Kompania dha raport të njëjtë sikur për periudhën qershor-dhjetor të vitit 2011. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në nëntor të vitit të kaluar se qeveria kishte paguar për aranzhimin e takimeve të presidentes së shtetit Atifete Jahjaga me zyrtarë të qeverisë amerikane. Autoritetet në Kosovë nuk kishin komentuar raportimin e kompanisë amerikane në Departamentin Amerikanë të Drejtësisë. 

Po ashtu edhe më 2012 lobuesit amerikanë raportuan se kontaktuan kongresmenë e zyrtarë të qeverisë amerikane për interes të Kosovës si dhe mbështetën vizitat e Presidentes së Kosovës në Washington duke asistuar në aranzhimin e takimeve me zyrtarë të qeverisë amerikane. 

Jahjaga kishte vizituar SHBA-në në mars dhe në qershor të vitit të kaluar. 

Ndërkohë në dy raportet e dorëzuara me vonesë nga “Patton Boggs”, raportohen lobimet e kompanisë për njohje të shtetësisë së Kosovës.

“Jahjaga kishte vizituar SHBA-në në mars dhe në qershor të vitit të kaluar.

Raportet u siguruan nga Gazeta Jeta në Kosovë nëpërmjet Kërkesës për Qasje në Dokumente Zyrtare drejtuar Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. 

Në raportin për muajin gusht kompania raporton se gjatë kësaj kohe ishte angazhuar që të ndihmonte në aranzhimin e një vizite të ministrit të bujqësisë, Blerand Stavileci, në shtetin e Iowa-s në SHBA. 

Ministria e Bujqësisë më 24 gusht të vitit të kaluar kishte njoftuar se Stavileci kishte vizituar këtë vend dhe se kishte takuar zyrtarë shtetërore për agrokulturë. 

Në dy raportet e dorëzuara me vonë përmendet se lobistët takuan Jaison Steinbaum këshilltar i jashtëm i kongresmenit Eliot Engell. 

Takimi ishte zhvilluar me qëllim të futjes së Kosovës si pjesë e programit të “Millenium Challenge Corporation Compact”, një agjenci amerikane këshillëdhënëse që ndihmon zhvillimin  e  vendeve të varfëra. 

“Patton Boggs” pohoi në raporte se do të do asistojë që Kosovë të bëhet pjesë e këtij programi. 

“Do të do asistojë që Kosovë të bëhet pjesë e këtij programi. Patton Boggs

Ndërkaq raporti i dorëzuar në dhjetor e që flet për lobimet në muajin shtator pohon se anëtarët e“Patton Boggs”, Graham e Frank Wisner, takuan ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj dhe biseduan me të për mundësinë e njohjes nga vende si Timori e Tunizia. 

Raporti pohon se Frank Wisner kishte takuar presidentin e ministrin e jashtëm të Tunizisë për të kërkuar njohjen e Kosovës. Po ashtu “Patton Boggs” raportoi se ka lobuar për të sjellë njohjen nga Republika e Fixhit dhe Egjipti. 

Prej këtyre vendeve zyrtarisht vetëm Republika e Fixhit e ka njohur Kosovën si shtet më19 nëntor të vitit 2012.