Behgjet Pacolli

Pacolli Biznes me të Kërkuarën e Interpolit

(E plotësuar)

Behgjet Pacolli përgjatë viteve si zyrtar i lartë shtetëror nuk ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion aksionet që posedon në një biznes të regjistruar në Kosovë.

“W-Intramedia” Sh.P.K me bazë në Prishtinë, me aktivitet primar telekomunikimin, u regjistrua në Ministrinë për Tregti e Industri më 30 mars të vitit 2005.

Bazuar në certifikatën e regjistrimit të këtij biznesi, Behgjet Pacolli ka 70 për qind të aksioneve ndërsa tre hisedarë tjerë kanë nga 10 për qind.

Ligji për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë obligon zyrtarët e lartë që të deklarojnë aksionet nëpër biznese private.

Pacolli në deklarimin e pasurisë për vitin 2012 e deklaroi si biznes të tij “NTSH Tempore” dhe sqaroi se bëhet fjalë për një biznes jo-aktiv. 

“Biznes i regjistruar por pasiv që nga regjistrimi dhe në shuarje e sipër”, Behgjet Pacolli

“Biznes i regjistruar por pasiv që nga regjistrimi dhe në shuarje e sipër. Nuk ka kapital e as aksione”, shënoi Pacolli në formularin e deklarimit të pasurisë së tij.

Por, të njëjtën nuk e bëri me kompaninë “W-Intramedia” Sh.P.K.

Kundër-Korrupsioni në nëntor të vitit 2012, kur trajtoi rastin e kryetarit të Mitrovicës Avni Kastrati, konstatoi se zyrtari duhet të deklarojë e të mos jetë person i autorizuar në një biznes edhe përkundër mungesës së qarkullimit financiar.

Mehdi Pllashniku, koordinator ligjor në Agjencionin për Regjistrimin e Biznesit, vlerësoi se çdo biznes që figuron në regjistrat online të ARBK-së llogaritet si biznes aktiv.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës Behgjet Pacolli kur u kontakua nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk deshi të komentojë rreth biznesit të tij si dhe ortakëve të përfshirë në këtë kompani.

Multimilioneri Pacolli është themelues i kompanive të mëdha si “Mabetex”, “Siguria”, “Banka Ekonomike”, “Swis Diamond”, “Sine Tempore”,  “IMK-KS”, “Travel Diamond”, “BS Medical”  e “BG Entertainment”. 

“Çdo biznes që figuron në regjistrat online të ARBK-së llogaritet si biznes aktiv” Mehdi Pllashniku

Ortakët e Pacollit – Të dënuar për vrasje e të kërkuar nga Interpol

Kompaninë private “W-Intramedia” Sh.P.K e përbejnë aksionarët Behgjet Pacolli, Leme Xhema, Aziz Kelmendi e Max Tairi.

Adresa e aksionarit Tairi është në Suedi.

Dy ortakët tjerë shqiptarë janë njerëz të kërkuar nga “Interpol” e të dënuar për “vrasje në pakujdesi”.

Njëra prej tyre, Leme Xhema, ish-drejtoresha e PTK-së, është në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol” që nga marsi i vitit 2012. 

Kishte fletë-arrest që nga gushti i vitit 2011 por autoritetet lokale nuk patën sukses në gjetjen e saj.

Gjykata Supreme e Kosovës më 3 gusht 2011 kishte shqiptuar dënimin në mungesë prej tri vitesh burgim për Leme Xhemën.

Supremja po shqyrtonte rastin e saj pas apelimit të vendimit të Gjykatës së Qarkut nga ana e mbrojtës. Vendimi i supremes konfirmonte dënimin e njëjtë të Gjykatës së Qarkut të marrë në vitin 2008.

Ajo ishte dënuar për transferimin prej 300 mijë eurosh që e kishte bërë gjatë kohës që ushtronte pozitën e drejtoreshës së PTK-së. Me këtë veprim Xhema i kishte krijuar përftim të paligjshëm kompanisë “Norwy Invest”, duke dëmtuar kështu ndërmarrjen publike kosovare.

EULEX në vitin 2008 për këtë rast kishte dënuar edhe menaxherin e kësaj kompanie Uve Johansen me dy vjet burgim me kusht, si dhe kthimin e 300 mijë eurove në konton e PTK-së. 

“Dy ortakët tjerë shqiptarë janë njerëz të kërkuar nga “Interpol” e të dënuar për “vrasje në pakujdesi”.

Hisedar në këtë kompani private është edhe Aziz Kelmendi biznesmen nga Mitrovica.

Gazeta nuk ka mundur të vë kontakt me biznesmenin Kelmendi përkundër kontaktimit nëpërmjet të gjithë numrave kontaktues që figurojnë në bizneset private të tij.

Kelmendi u dënua në qershor të vitit 2011 nga Gjykata e Tiranës  për veprën “vrasje nga pakujdesia”.

Ai kishte shkaktuar vdekjen e këngëtares Elsina Hidersha e njohur si Emmy.

Emmy është kapur tek xhami i makinës me të dyja duart. Kelmendi ka mbyllur xhamin e derës duke i zënë gishtat dhe në këtë mënyrë Emmy nuk ka lëvizur dot. Më pas, i ka dhënë gaz makinës me të cilën ishte përplasur e ndjera.  
Në qershor të viti 2011 Gjykata e Tiranës morri vendim që ta shpallë fajtor biznesmenin Kelmendi dhe e dënoi atë më burg për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.

Ndaj tij u shqiptua dënim me kusht.

Kelmendi do të burgoset në rast se brenda periudhës dyvjeçare kryen ndonjë vepër penale.

Gjykata e Lartë në Tiranë në prill të këtij viti ka kthyer në rigjykim procesin ndaj Kelmendit dhe Gjykata e Faktit do ta shqyrtojë  sërish rastin.

Pacolli i shkruan ARBK-së pas artikullit

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i ka shkruar Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) pas shkrimit në Gazetën Jeta në Kosovë duke thënë se vetëm atëherë ishte njoftuar se biznesi figuronte i regjistruar.

“E vërteta është se në prill të 2005-tës zonja Leme Xhma dhe zoti Aziz Kelmendi (këtë të fundit nuk e kam njohur, i paraqitur prej saj) kanë kërkuar pjesëmarrjen time (për shkak të nevojave financiare) në një projekt të gatshëm për rrjetin e internetit me një firmë koreane dhe që do të ishte kontribut për zhvillimin e shpejtë të telekomunikimit në Kosovë”, shkruan Pacolli. “Më kanë bindur me fjalë dhe i kam dhënë miratim me kusht që ta shoh projektin dhe mundësinë e implementimit të tij”.

“Pas rreth dy javësh, diku në maj, nga zoti Azis Kelmendi në Zvicër, ku banoja atëherë, më është prezantuar i ashtuquajturi projekt”, thotë Pacolli. “E kam parë, e kam verifikuar menjëherë se nuk bëhej fjalë për një projekt, por për import të materialit harxhues elektrik”.

“Menjëherë e refuzova këtë projekt, duke i thënë se nuk jam i interesuar për importin e materialeve harxhuese, duke mohuar çdo lloj bashkëpunimi në këtë drejtim”, shton Pacolli në letër.

“Unë nuk e kam ditur (pasi nuk jam nënshkruesi i kurrfarë marrëveshjeje) se ajo firmë në atë kohë ishte regjistruar si biznes në Kosovë. Prej asaj kohe deri më sot, nuk kam qenë në dijeni se ky regjistrim formal kishte mbetur si i tillë”, vazhdon Pacolli. “(Pas shkrimit në Gazetën Jeta në Kosovë) e kuptova se nënshkrimin në emër timin e kishte bërë i autorizuari im, në bazë të një autorizimi të përgjithshëm që ai e kishte”.

“Kjo shoqëri nuk ka bërë asnjë veprimtari të evidentuar në anën biznesore dhe komerciale. Në këto kushte, kërkoj nga organi që ju drejtoni, që të bëni gjithë hapat e duhur legalë, që të bëni çregjistrimin, gjegjësisht heqjen e emrit tim nga kjo shoqëri”.