Qëndrime të Ngjashme të OJQ-së, Deputetit dhe Kryeministrit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet Arsim Bajrami figuron si themelues në në organizatën jo-qeveritare Instituti për Studime Kushtetuese e Politike, ISKP.

Bajrami më herët kishte mbajtur pozita shtetërore si Ministër i Administratës Publike, rektor i Universitetit të Prishtinës e zëvendësministër i Drejtësisë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës në vitin 1999. 

Funksionimi i organizatave joqeveritare rregullohet me ligjin për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare, që ka hyrë në fuqi në vitin 2011. 

Ky ligj ndalon organizatat joqeveritare të bëjnë fushata ose të mbështesin parti politike.

Ministria e Administratës Publike pohon se të gjithë kanë të drejtë të asociojnë në organizata joqeveritare, por nuk kanë të drejtë ta përdorin organizatën për qëllime politike. 

“OJQ-të janë apolitike”, thotë Zeqir Bekolli, zëdhënës në Ministrinë e Administratës Publike e cila regjistron organizatat jo-qeveritare që veprojnë në Kosovë. 

Sipas tij, një person mund të kontribuojë në OJQ për çështje të organizatës, “por nuk ka të drejtë që OJQ-në ta përdorë për çështje politike ose për të dhënë deklarata politike”. 

Por qëndrimet publike të OJQ-së ku Bajrami është themelues janë të ngjashme me qëndrimet e deputetit të PDK-së i cili ishte kryetar i komisionit parlamentar për ndryshime kushtetuese. 

Përfaqësuesit e OJQ-së nuk pajtohen me këtë. Florent Muçaj nga ISKP dhe njëkohësisht asistent i Bajramit në Universitetin e Prishtinës thotë se “…një deputet por edhe çfarëdo personi tjetër në poste publike ka të drejtë të themelojë OJQ”. 

“Pra kjo është një liri dhe e drejtë elementare kushtetuese”, thotë Muçaj. Arsim Bajrami nuk ka pranuar të komentojë. 

Ky institut ka faqe zyrtare me të dhëna të mangëta sepse seksionet që tregojnë për bordin ekzekutiv, këshillëdhënës si dhe departamentet nuk përmbajnë asnjë informatë.

Gjithashtu, aty organizata nuk bën të ditur as donatorët e saj e as nuk jep të dhëna për të hyrat financiare.

Instituti, sipas personit të autorizuar të organizatës Florent Muçajt, është themeluar më 2011. Kjo e dhënë nuk figuron në websajtin zyrtar. 

Muçaj thotë se financimi i OJQ-së është transparent dhe se për çdo aktivitet të organizatës është bërë publik donatori. 


Arsim Bajrami | Foto: FB

Qëndrime të njëjta të PDK-së, Bajramit dhe ISKP-së

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar disa studime të publikuara nga OJQ-ja dhe deklaratat publike të deputetit Arsim Bajrami, të bëra në cilësinë e deputetit të PDK-së dhe ka vërejtur se ato janë të njëjta. 

Qëndrimet janë në linjë të njëjtë edhe me ato të PDK-së.

Një studim i publikuar nga ISKP me titull “Aspekte të ndryshme kushtetuese me theks të veçantë Republikën e Kosovës”, që ka për autor edhe Arsim Bajramin, mbështet zgjedhjen e presidentit të Kosovës drejtpërsëdrejti nga qytetarët. (Shih publikimin)

“Zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetaret konsiderohet si një element i stabilitetit politik dhe kushtetues të vendit”, konstaton raporti. 

Autorët, Arsim Bajrami dhe Florent Muçaj, përmes raportit vlerësojnë se “ndryshimet kushtetuese do t’i sigurojnë presidentit kredibilitetin e nevojshëm politik dhe demokratik… dhe ky element do të shmangte krizat politike që janë tipike për president parlamentar”.

Për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, Bajrami ka dhënë të njëjtën deklaratë edhe si kryetar i komisionit për ndryshime kushtetuese. 

Ai gjatë tërë kohës sa janë shqyrtuar amendamentet kushtetuese ka deklaruar se  Presidenti duhet të zgjedhet nga populli.

Analiza e Institutit dhe qëndrimi i Bajramit që në Komisionin për Reformën Kushtetuese përfaqëson PDK-në vijnë pak muaj pas marrëveshjes në mes të PDK dhe LDK-së e cila ishte ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan Chris Dell.

Partia Demokratike e Kosovës gjatë vitit 2011 dhe 2012. kur punohej në reformën kushtetuese. mbronte përzgjedhjen e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit të vendit.

Kryeministri, më 6 prill 2011 – ditën kur është nënshkruar marrëveshja – ka deklaruar se duhet amendamentuar legjislacionin “në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli”. 

Ky qëndrim ishte mbështetur nga një raport tjetër i ISKP-së me titull “Ndryshimet Kushtetuese, nevojë e kohës dhe funksionalitetit” me të cilin thuhej se ka nevojë për ndryshimin e dispozitave për zgjedhjen e presidentit.    

Në një tjetër publikim, që shpjegon procedurën e paraqitjes së ankesave në Gjykatën Kushtetuese, me autorë Florent Muçajn dhe Luz Balajn, thuhet se në ankesë duhet të përmendet lloji i shkeljes së pretenduar. 

Për të forcuar këtë argument, raporti citon themeluesin e saj, deputetin Bajrami. “Këtë linjë të mendimit e mbron edhe profesor Arsim Bajrami gjatë trajtimit të procedurës para gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Gazeta ka gjetur se ngjashmëri edhe mes qëndrimeve të organizatës dhe të Bajramit gjatë kundërthënieve që ky i fundit ka pasur  me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Bajram dhe Hasani gjatë shtatorit të vitit të kaluar kanë polemizuar në mes tyre lidhur me çështje nga e drejta kushtetuese.

Më 21 shtator Hasani ishte paraqitur publikisht në televizionin publik ku kishte deklaruar se disa amendamente kushtetuese të përpiluara nga komisioni i kryesuar nga Bajrami janë në kundërshtim me Kushtetutën. 

Bajrami kishte replikuar publikisht ndaj deklaratave të Hasanit duke i kërkuar këtij të fundit që të mos ia tregonte muskujt institucioneve publike dhe të mos jepte deklarata politike. 

Më 22 shtator ISKP ka kundërshtuar kryetarin e kushtetueses duke e kritikuar për “prononcimet e tij të shpeshta publike për çështje politike”.


Florent Muçaj | Foto: iskp-ks.com

ISKP-: Mbështesim qëndrimet prej eksperti të deputetit Bajrami 

Muçaj, personi i autorizuar i  ISKP-së, thotë se një zyrtari publik ia jep të drejtën e këtij angazhimi edhe neni 11 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. 

Ky nen në fakt thotë se zyrtari mund të jetë drejtues i një organizate jo-qeveritare por specifikon edhe fushat e veprimtarisë së OJQ-së. Çështjet kushtetuese e politike nuk përmenden si të lejuara. 

“Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues të organizatës joqeveritare nga lëmi i veprimtarisë humanitare, të kulturës, sportit dhe të ngjashme pa të drejtë pagese, përjashtimisht kompensimit për shpenzime të udhëtimit dhe të ngjashme”, thuhet në këtë nen.

Ndërkohë Muçaj mohon se ngjashmëritë e deklarimeve të OJQ-së e Bajramit mund të paraqesin përkrahje politike ndaj një deputeti. 

“…të gjitha prononcimet e OJQ-së në këtë rast madje kanë qenë në kundërshtim me vijat politike, të partisë të cilës i takon Prof.Bajrami”, thotë ai. 

ISKP-ja qëndrimet e deputetit Bajrami i vlerëson si profesionale e jo politike. 

“….qëndrimet e Prof.Bajramit, në këtë rast janë krejt profesionale dhe aspak politike”, thotë Muçaj.

Por, shton Muçaj, ato janë qëndrime të dhëna në cilësinë e udhëheqësit të reformës kushtetuese dhe qëndrime të një profesionisti dhe eksperti.

Komisioni për reformën kushtetuese të cilin e udhëheq Arsim Bajrami është trup politik i cili ka dalë si rezultat i marrëveshjes politike PDK-LDK në prill të vitit 2011. 

Disa nga propozimet e komisionit, si zgjedhjet e drejtpërdrejta për Presidentin e shtetit, ende nuk kanë marrë përkrahjen përfundimtare të partive më të mëdha politike të cilat në muajt e kaluar janë shfaqur hezituese ndaj kësaj iniciative.  

Por, ngjashmëri ka edhe deklarata e Bajramit dhënë mediumit gjerman Deutche Welle me një tjetër analizë të publikuar në faqen zyrtare të ISKP-së. 

Më 11 dhjetor 2011 Barajmi ka deklaruar për Deutche Welle se “…krahas fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, duhet të fillojë debati që këto kompetenca të barten te institucionet vendore. Pra kjo kërkon rishikimin komplet të një kaptine të Kushtetutës, që quhet dispozita tranzicionale dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë rishikim”.

Konstatim të njëjtë ka dhënë edhe raporti i IKSP-së me titull “Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur dhe ndryshimet kushtetuese” sipas së cilit “…si  përfundim, del se pavarësia e mbikëqyrur, pas koordinimit të vullnetit politik, do të hiqet përmes ndryshimeve kushtetuese”.  

Por, Muçaj thotë se kjo analizë është e publikuar fillimisht në një gazetë të përditshme më 6 e 7 janar të vitit 2012 dhe paraqet qëndrime personale të autorëve.  

 “…as që eksiton ndonjë tendencë që OJQ-ja të përdoret për qëllime politike”, thotë Muçaj.

Instituti për Studime Kushtetuese e Politike, sipas Muçajt, është regjistruar si OJQ më 25 nëntor të vitit 2011.

Ndërkohë për deputetin Bajrami, ai thotë se nuk mban asnjë pozitë tjetër në OJQ përveç që është themelues i saj. 

Ai thotë se Bajrami nuk merr pagë nga OJQ-ja, por merr vetëm mëditje. 

“Paguhet vetëm kur është pjesë e ndonjë projekti në cilësinë e ekspertit, në formë mëditje”, thotë Muçaj. 

Ligji për Parandalimin e Konfliktit e Interesit thotë se zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të paguhet nga fondet e organizatave jo-qeveritare. 

“Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues të organizatës joqeveritare nga lëmi i

veprimtarisë humanitare, të kulturës, sportit dhe të ngjashme pa të drejtë pagese, përjashtimisht kompensimit për shpenzime të udhëtimit dhe të ngjashme”, thuhet në nenin 11 të këtij ligji.