Kryeministri Nuk i Deklaron Financuesit e Partisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, mban të fshehur njerëzit që kanë mbështetur financiarisht aktivitetet politike të partisë në pushtet gjatë vitit 2012, bazuar në raportin financiar që PDK ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Raportimi vjetor financiar i partive politike obligohet me ligj.

Thaçi është përgjegjës direkt për financat e PDK-së, sipas ligjit për financimin e subjekteve politike.

“Zyrtari i autorizuar financiar i subjektit politik dhe kryetari i subjektit politik janë ligjërisht përgjegjës për saktësinë e të gjitha informatave të dorëzuara në KQZ-së…”, thuhet në ligj.

Përgjegjësinë për fshehjen e donacioneve e bart edhe Fexhrije Luta, e cila, sipas raportit financiar të KQZ-së, është përfaqësuesja e autorizuar financiare e Partisë Demokratike.

Fillimisht kjo parti ka deklaruar se ka pranuar donacione dhe kontribute në vlerë prej 29 mijë e 947 eurosh, por në dokumentin “shënimi 3” që është i bashkangjitur në formular, e me të cilën partitë politike duhet të tregojnë se kush i ka financuar, PDK ka deklaruar vetëm një financues.

Aty figuron kompania “Magjistralja” nga Gjilani e cila ka dhënë pesë mijë euro. 

Në dokument mungon data e dhënies së këtij donacioni, numri personal i financuesit dhe adresa e saktë e cila figuron vetëm si “Gjilan” – të dhëna këto që ligji kërkon të bëhen publike.

Por kush janë personat ose kompanitë që kanë dhuruar pjesën tjetër të donacioneve, 24 mijë e 947 eurot, për PDK-në?

PDK ka refuzuar të tregojë financuesit. Ajo ka refuzuar kërkesat për qasje në regjistrat financiare dhe asnjëri nga zyrtarët e shumtë të kontaktuar nga gazeta nuk ka pranuar të deklarohet.

Për Leon Malazogun, drejtorin ekzekutiv të organizatës joqeveritare D4D, e cila merret me çështjen e zgjedhjeve, partia në pushtet nuk ka interes të publikojë financat e saj.

“PDK harxhon shumë më tepër mjete se sa që ka edhe mund të ngriten dyshime se një pjesë të tyre i paguan përmes kontratave publike”, thotë Malazogu.

Kompania “Magjistralja”, kontribuuesi i deklaruar nga Gjilani, kishte fituar një tender më 30 tetor 2012 në vlerë të mbi 80 mijë eurove për mirëmbajtjen e rrugëve nga komuna e Gjilanit e drejtuar nga PDK-ja, por kontrata i ishte anuluar më vonë në dhjetor nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) pas ankesës së kompanisë “Tali” se kompania fituese kishte procedurë në gjykatë, se nuk kishte paguar krejt obligimet në taksa ndaj komunës etj. 

“Tali” dhe “Magjistralja” që të dyja kishin fituar tenderë nga Ministria e Transportit në kohën e ish-Ministrit Fatmir Limaj dhe përmenden për kontrata të dyshimta në aktakuzën e prokurorit kundër “Grupit Limaj” për krim të organizuar. Tali kishte dhënë ryshfete, Magjistralja kishte fituar tenderë të cilët nuk do të duhej të fitoheshin prej saj, thuhet në aktakuzë. Fatmir Limaj ishte nënkryetar i PDK-së.

Sipas të dhënave në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, vetëm në vitin 2012 “Magjistralja” figuron në konzorcium edhe si fitues në një tender tjetër në vlerë afër 150 mijë eurosh nga komuna e Gjilanit, një tender në vlerë afër 50 mijë eurosh nga komuna e Graçanicës, dy tenderë nga komuna e Kaçanikut në vlerë 1330 euro dhe afër 40 mijë eurosh, një tender me mbi 230 mijë euro në koncorzium nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, rreth 90 mijë tender euro komuna e Vitisë etj. Në disa nga njoftimet e dhënies së kontratës adresa e saj figuron, si në formularin e PDK-së, vetëm si “Gjilan”. 

Edhe pas anulimit të saj të tenderit të mirëmbajtjes së rrugëve nga OSHP, “Magjistralja” kishte dalë fituese në një tender tjetër në vlerë 8 mijë eurosh nga komuna e Gjilanit në dhjetor 2012. 

 
Hajredin Kuçi dhe Arianit Bytyçi, maj 2012 | Foto: kryeministri-ks.net 

Gazeta për katër javë me radhë ka dërguar në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës kërkesa për qasje në regjistrat e donacioneve, por kjo parti nuk ka lejuar qasje në to. As “Magjistralja” nuk është përgjigjur. 

Fillimisht gazeta ka pyetur përgjegjësin ligjor për financa, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin.

I kontaktuar përmes zëdhënësit të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, dhe drejtorit të zyrës për informim të Kryeministrisë, Arianit Bytyçi, lideri i PDK-së nuk është përgjigjur në pyetjet dhe kërkesat e gazetës lidhur me donacionet partiake.

Stavileci dhe Bytyçi nuk kanë kthyer fare përgjigje për më shumë se një muaj. 

Përgjigje nuk ka kthyer as zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi i cili më 29 maj të vitit 2012 gjatë publikimit të raportit të Qeverisë për qasje në dokumente publike pati deklaruar se “është orientim i qartë i institucioneve qendrore e lokale që të respektohet ligji për qasje të dokumente publike.”

“Mbi të gjitha t’iu mundësohet publikut dhe medieve të kenë informacionet e parapara me ligj, për çdo aktivitet që kanë mundësi të marrin” kishte deklaruar Kuçi.

 “Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë të kemi një qeverisje të mirë, programe reale dhe një mënyrë ose tjetër dhënien e transparencës për implementimin e këtyre programeve”. 

Në pyetjet e gazetës nuk është përgjigjur as Fexhrije Luta, e cila, sipas raportit financiar të KQZ-së, është përfaqësuesja e autorizuar financiare e PDK-së.

Ligjërisht të hollat, prejardhja e të cilave nuk dihet, duhet të kalojnë në buxhetin e Kosovës.

“Nëse nuk mund të dëshmohet prejardhja e kontributit, kjo vlerë mbetet në Buxhetin e Republikës së Kosovës” thuhet në nenin 5 të ligjit për financimin e partive.

Për subjektet politike të cilat nuk dëshmojnë origjinën e të hyrave të tyre, siç është rasti me PDK-në, ligjërisht KQZ obligohet ta gjobitë atë me trefishin e shumës së cilës s’i tregohet origjina.

Pra nëse KQZ vendosë të shqiptojë gjobë, PDK në këtë rast duhet të paguajë 74 mijë e 841 euro.

Lëvizja Vetëvendosje deklaron më së shumti donacione

Bazuar në raportet financiare të partive politike të dorëzuara në KQZ, partia e cila më së shumti ka deklaruar të hyra është Lëvizja Vetëvendosje! ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës më së paku.

Gazeta ka shikuar raportet e PDK-së, LDK-së, AAK-së, AKR-së dhe Vetëvendosjes.

Grafika: Ardian Haxha

Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar donacione në vlerë prej 100 mijë e 855 eurosh, Aleanca për Kosovën e Re 38 mijë e 230 euro, Partia Demokratike e Kosovës 29 mijë e 947 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dymijë euro dhe Lidhja Demokratike njëmijë e nëntëdhjetë euro.

Sipas këtij raporti, kontribuuesit kryesorë të VV-së janë deputetët dhe anëtarët e saj. 

Albin Kurti ka dhënë dymijë euro ose më së shumti nga të gjithë deputetët tjerë. Albulena Haxhiu, Visar Ymeri, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Albana Fetoshi kanë dhënë donacione në vlerë prej njëmijë eurosh. 

Puhie Demaku ka dhënë 700 euro, Alban Krasniqi 930 euro, Nol Nushi 20 euro, Artan Abrashi 20 euro etj. Disa anëtarë kanë dhënë më shumë se njëherë.

Donacione kanë dhënë edhe kompanitë private si Drini Company, Albimi Ltd Sh.p.k, Budallaj, Intermarket, Ben Af Prizren, Askfoods NTP, Iliria Prizren, Mart Mex Kosova, Keramika Gjilan etj. 

Zyrtarët e VV-së kanë lejuar qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me financat e partisë.

E dyta për nga shuma e donacioneve renditet partia e milionerit Behxhet Pacolli, e cila ka deklaruar se gjatë vitit 2012 ka pranuar 38 mijë e 230 euro.

Disa prej personave të listuar si kontributdhënës janë Vegim Gashi, Fatime Pacolli, Driton Pacolli, Banush Pacolli, Elsabah Pacolli, Musli Cakolli, Enver Makolli etj, të cilët kryesisht kanë dhënë nga një mijë euro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga AKR qasje në dokumentacionin e kësaj partie për të hyrat që kanë, por AKR ka refuzuar kërkesat e gazetës.

“As vetë nuk e dinë nga ju vijnë paratë”

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se ka pranuar donacione në vlerë prej dymijë eurosh të cilat janë dhënë nga kompania “Prompt Prishtina Sh.p.k”.

Kjo kompani ka dhënë dy herë nga njëmijë euro, më 26 dhe 28 dhjetor 2012, tre muaj para se AAK të deklaronte pasurinë në KQZ.

Edhe Prompt Prishtina figuron si fitues në tender publik në KRPP, janar 2013, dhënë nga Postë-Telekomi i Kosovës (PTK) në vlerë të mbi 160 mijë eurove.

Valon Tolaj, i cili figuron si i autorizuar për financa në AAK, ka ofruar për gazetën raportin e njëjtë që ka dërguar në KQZ.

Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini, thotë se partitë politike nuk i deklarojnë financat sepse nuk e dinë nga i marrin.

“Po u siguroj që as vetë nuk e dinë nga ju vijnë paratë”, tha Gjini.

Sipas tij, ka ndërmarrje që ndoshta u japin të holla të gjitha partive politike, por që kanë frikë t’u përmendet emri. 

LDK është partia që ka qenë më së paku e financuar gjatë vitit 2012.

Në raportin e tyre financiar shkruan se të vetmit persona që kanë financuar këtë parti janë udhëheqësi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ka dhënë 590 euro dhe financieri i saj, Lutfi Zharku, i cili ka dhënë 500 euro.

Gjithsej LDK ka deklaruar se gjatë vitit 2012 ka pranuar njëmijë e nëntëdhjetë euro.

Zharku nuk ka pranuar të flasë për donacione apo të lejojë qasje në raportet financiare të partisë.

Sipas Malazogut, ndodh që opozita nuk i publikon donatorët për shkak se i frikohen pasojave.

“Nuk guxojnë t’i publikojnë sepse mund të jetë ndonjë donator që i jep donacion opozitës, por nëse ka tender në qeveri frikësohet se mund të humbë tenderin”.

 

Grafika: Ardian Haxha

PDK dhe AKR fshehin veturat e blera – LDK ka më së shumti para “kesh”

Partia Demokratike e Kosovës ka pasur më së shumti të hyra gjatë vitit 2012 në krahasim me katër partitë tjera që kryesojnë Kuvendin e Kosovës. 

Ajo gjatë vitit 2012 ka gjeneruar 1 milionë e 187 mijë e 265 euro.

Pas saj radhitet LDK-ja me 904 mijë e 511 euro, VV-ja me 621 mijë e 315 euro, AAK me 397 mijë e 899 euro.

Më së paku të hyra ka pasur Aleanca Kosova e Re, që udhëhiqet nga zëvendkryeministri milioner Behxhet Pacolli, e cila ka deklaruar se gjatë vitit 2012 ka pasur 240 mijë e 471 euro. 

Të hyrat e partive politike përfshijnë të hyrat nga buxheti (fondi për mbështetjen e subjekteve politike), të hyrat nga anëtarësia, donacionet dhe kontributet, kontributet në mall dhe shërbime, të hyra të fushatës etj. 

PDK ka kryesuar edhe me të hollat e shpenzuara në vetura.

Ajo gjatë vitit 2012 ka deklaruar se ka blerë vetura në vlerë prej 52 mijë e 252 euro ndërsa partneri i saj i koalicionit, Aleanca për Kosovën e Re, ka shpenzuar 12 mijë e 990 euro për vetura.

Asnjëra nga to nuk bëjnë të ditur sa dhe çfarë lloje veturash janë blerë. 

Deputetja Myzejene Selmani nga AKR thotë se edhe në shtetet europiane ose edhe më gjerë njerëzit nuk mund të kenë qasje të plotë në faturat e financave.

“Një cent hyn e dy centë dalin [në parti politike]”, thotë Selmani. 

Për deputeten Selmani “kjo është një temë shumë e ndjeshme” që “nuk mund ta saktësojnë mirë edhe personat përgjegjës”. 

LDK, AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk kanë blerë vetura gjatë vitit 2012.  

KQZ kërkon nga partitë politike të deklarojnë edhe të hollat që kanë në arka apo në llogari bankare dhe AKR ka më së paku mjete në llogarinë bankare.

Në formularin e KQZ-së paratë e gatshme hyjnë në kategorinë “paraja dhe ekuivalentët e parasë”, sipas Ilir Cacajt, zyrtar për financa në Vetëvendosje. 

Lidhja Demokratike e Kosovës është parti që ka më së shumti të holla pasi që ka deklaruar se më 1 dhjetor 2012 kishte në llogari 564 mijë e 397 euro. Një vit më herët, një të njëjtën periudhë kohore LDK kishte në llogari rreth 120 mijë euro.

E dyta parti për nga paratë e gatshme është PDK e cila në llogarinë e saj në dhjetor 2012 kishte 293 mijë e 964 euro apo shtatëdhjetë herë më shumë se në vitin 2011.   

VV-ja ka deklaruar se ka 89 mijë e 324 euro apo tri herë më shumë se vitin e kaluar kur kishte deklaruar rreth 30 mijë euro.

AAK nuk ka deklaruar sa të holla ka pasur në llogari në vitin 2011, ndërsa në vitin 2012 ka pasur 65 mijë e 145 euro.

AKR ka deklaruar 29 mijë e 622 euro ndërsa një vit më herët kishte rreth dymijë euro.

Miradije Mavriqi: “Nuk e di me numër sa gjoba kemi shqiptuar”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar që të bëjë kontrollin financiar të partive politike, por deri më tash kjo ka ndodhur vetëm njëherë.

Miradije Mavriqi, e cila drejton Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike, thotë se këtë kontroll nuk e kanë bërë vazhdimisht.

“Është e vërtetë që zyra jonë është e obliguar që të bëjë kontroll të dyfishtë, por në mungesë të stafit nuk e kemi bërë”, thotë Mavriqi.

Auditimin e partive politike nuk e bën as Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

“Ne nuk jemi të obliguar [me ligj] të bëjmë auditimin e fondeve të partive politike”, thuhet në përgjigjen e ZAP-it.

Në vitin 2011 shumica e partive politike kanë paraqitur raporte financiare të mangëta.

Kështu ka konstatuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e saj për KQZ në vitin 2011.

“Raportimi financiar i subjekteve politike nuk është në nivelin e duhur”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Zyra për Regjistrim është dashur të shqiptojë gjoba lidhur më këto mangësi, por kur Mavriqi është pyetur se sa gjoba janë shqiptuar ajo ka thënë se “nuk e di numrin e gjobave” duke mos ofruar të dhëna më të detajuara.

ZAP kishte gjetur edhe se “subjektet politike gjatë viteve kanë pranuar të hyra në kundërshtim me ligjin për financimin e subjekteve politike dhe me rregullat zgjedhore”.

Mënyra e financimit të partive politike është kritikuar edhe nga studimi i fizibilitetit i publikuar në janar 2012 nga Komisioni Europian.

“Financimi i partive politike nuk është transparent sa duhet. Ligji për financimin e partive politike përmban disa të meta të cilat duhet të adresohen”, konstaton ky studim.

Raporti rekomandon që “[Ligji] duhet të ndalojë ose të rregullojë mirë donacionet nga personat juridikë që ofrojnë mallra dhe shërbime për administratën publike”