Mbyllja e Dialogut Nxit Interpretime të Ndryshme

Qytetarët në Kosovë e Serbi duhet të kënaqen me komunikatat e lëshuara nga BE-ja dhe deklaratat e kryeministrave që po udhëheqin dialogun.

Interpretimet e ndryshme për çështjet për të cilat flitet ose arrihet pajtim në BE, të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Ivica Daçiq, po shkaktojnë huti në skenën politike në të dyja vendet.

Në Prishtinë rriten dyshimet për “lëshimet e bëra” dhe “shkeljen e vijave të kuqe”.

Për këtë arsye, opozita kosovare shtoi këtë muaj kërkesat për informata të detajuara lidhur me dialogun duke ia rikujtuar kreut të ekzekutivit të vendit nevojën për respektimin e kushtetutës së Kosovës dhe rezolutës për procesin në fjalë.

Thaçi “raportoi” para deputetëve më 1 mars, një ditë pasi fjalimi i tij i paraparë në Kuvend ishte pamundësuar nga një aksion i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Edhe këtë të premte opozita bllokoi me 41 vota një mocion për raportimin e tij mbi takimin e fundit me Daçiqin “si çështje urgjente” në Kuvend. Zyra e Ashtonit paraprakisht kishte kumtuar pas takimit me kryeministrat, prej të cilit po vinte Thaçi, se ishte “bërë progres i mirë”.

Por, për çfarë progresi bëhej fjalë? Deputetët dhe opinioni nuk morën përgjigje.

Kryeministri thoshte se Kosova do të shtrijë autoritetin e institucioneve në gjithë vendin dhe se të gjitha aranzhimet ishin brenda kushtetutës, por të kundërtën e thotë kryeministri i Serbisë.

Asnjë transkriptë ose raport i detajuar për ecurinë e këtyre bisedimeve nuk i është dhënë mekanizmave parlamentarë.

Madje një fotografi e publikuar pas takimit të 4 marsit në Bruksel u bë objekt shakaje në rrjetin social Facebook, pasi përfaqësuesit e opozitës dhe ata të shoqërisë civile vinin në pikëpyetje përgatitjen e palës kosovare e cila në tavolinën e diskutimit nuk kishte para vetës ndonjë bllok shënimesh siç kishte delegacioni serb dhe ndërmjetësuesja europiane Ashton.

Në të kaluarën, gjatë bisedimeve në Rambuje më 1999 dhe më pas gjatë “procesit të Vjenës” 2005-2008, përveç konferencave të shpeshta për media, gjithmonë ishin përfshirë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Qeveria refuzon të japë hollësi për dialogun

Gazeta Jeta në Kosovë që nga 30 Janari është përpjekur të ketë qasje “në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me dialogun teknik dhe atë për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Më 18 shkurt, gazeta raportoi se në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit ishin të bashkangjitura vetëm konkluzionet e arritura gjatë dialogut teknik të nisur në mars të vitit 2011 dhe të ndërmjetësuar atëkohë nga diplomati Robert Cooper.

Gazeta bëri një ri-kërkesë për “qasje në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë” bazuar në të drejtën që ofron Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare.

Kërkesa u pranua nga Zyra për Informim e Kryeministrit, u pajis me numër protokolli, ndërsa u tha se “do të shqyrtohet konform Ligjit për Qasje në Dokumente Publike”.

Por që atëherë, sa herë që gazeta shikoi ecurinë e kërkesës, Zyrës e Kryeministrit përgjigjej duke dhënë numër të ri protokolli dhe duke e regjistruar kërkesën si të re ndonëse bëhej fjalë për të njëjtën. (shih komunikimin)

Këtë javë, kjo zyrë ktheu një përgjigje që thotë: “Kërkesa juaj, së bashku me të gjitha rikërkesat janë përcjellë në kabinetin e Kryeministrit. Në momentin që do të marrim përgjigje, do t’ua përcjellim”.

Kabineti i kryeministrit asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë argumentim se përse i mban detajet e dialogut larg opinionit.

Pas mbylljes, interpretimet e ndryshme

Në fazën e ardhshme të dialogut thuhet se mund të arrihet një marrëveshje për funksionet dhe kompetencat që do të ketë Asociacioni i Komunave Serbe, ndërkaq pritet të vendoset edhe për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve në zonat në pjesën veriore të Mitrovicës.

Për të shtyrë përpara këtë çështje, baronesha Ashton do të zhvillojë takime konsultative me palën kosovare dhe atë serbe në javën që vjen.

Kryeministri, Hashim Thaçi e krahasoi Asociacion me një organizatë joqeveritare duke thënë se “nuk do të ketë rol ekzekutiv e as ligjvënës”.

“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, autonomi, Republikë Sërpska, status special, shkëmbime territoresh, Ahtisaari+, as Tirol, as Kataloni…në Republikën e Kosovës”, garantoi ai para deputetëve, në fjalimin e tij.

Por, Daçiq, ndërkaq, nënvizoi se në takimin e radhës Serbia “do të paraqes unitetin shtetëror dhe do të konfirmojë se Beogradi dëshiron një marrëveshje, por se kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton pranimin e Kushtetutës së Kosovës”.

Gazetari i revistës britanike “The Economist”, Tim Judah, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se asociacioni që pritet të themelohet “do të jetë një lloj Ahtisaari +”.

“Kjo do të thotë se asociacioni mund të ketë disa kompetenca më shumë sesa do të kishte bazuar në planin Ahtisaari. Shtrohet gjithashtu pyetja se si do të organizohen zgjedhjet aty – si në çdo komunë tjetër apo do të ketë rregulla tërësisht të tjera për ato?”, tha ai.

Çfarëdo marrëveshje eventuale, shtoi Judah, do të interpretohet ndryshe nga secila palë.

“Thaçi do të duhet të thotë se [marrëveshja] nuk ka të bëjë me autonomi për veriun dhe Daçiq do të duhet të thotë se ajo s’ka të bëjë me planin Ahtisaari”, theksoi ai.

Deklaratat kundërthënëse të dy kryeministrave kanë shkaktuar dilema edhe sa i takon mënyrës së zbatimit të çështjeve për të cilat është arritur pajtim deri më tash.

Si pasojë, mbetet e paqartë se kush do të zotërojë mjetet e derdhura bazuar në marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në pikat kufitare në veri të Kosovës, se kush do të kontrollojë Fondin Zhvillimor për Veriun dhe se cilat do të jenë detyrat e shefave të zyrave ndërlidhëse të dyja palëve në vendet respektive.