“Autonomi” Energjetike dhe Telefonike në Veri

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) publikoi në muajin shkurt raportin me titull “Kosova dhe Serbia: Rruga drejt normalizimit” që, ndër të tjera, rekomandon që Kosova të pranojë ofertën e Serbisë për kodin telefonik katërshifror +3815, vendosjen e një nënkontraktori lokal në veri që do të inkasonte dhe faturonte parapaguesit e energjisë elektrike në komunat veriore si dhe legalizimin e operatorëve ilegalë që të veprojnë si operatorë “virtualë” të telefonisë atje.

Çështjet e telefonisë mobile në veri, kodit telefonik të vendit dhe energjisë kanë qenë tema të pasuksesshme në bisedimet e deritashme teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas ICG-së, Serbia kishte propozuar që të përdorej kodi katërshifror +3815 ndërsa Kosova kishte insistuar që kodi i saj të ishte i dallueshëm nga ai i Serbisë duke marrë +383 ose 384.

Naim Rashiti, analist nga grupi, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se anëtarësimi i Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), tash për tash, mbetet i pamundshëm pasi që kjo organizatë, shton ai, është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara dhe pranon vetëm anëtarësimin e vendeve anëtare.

“Pranimi i kodit telefonik +3815 është një zgjidhje e përkohshme e cila do t’i kursente Kosovës shuma të mëdha parash për tarifat që ajo ia paguan Monakos dhe Sllovenisë për përdorimin e kodeve të telefonisë mobile (+377 dhe +386)”, thotë Rashiti. “Natyrisht kjo është një zgjidhje e përkohshme pasi, në këtë fazë, nuk po bisedohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

 
Naim Rashiti, ICG  

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, njëkohësisht përfaqësuese e palës kosovare në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, thotë për gazetën se Kosovës i takon kodi telefonik 383 ose 384, pasi, sipas saj, ITU ka alokuar tetë kode telefonike për tetë ish-njësitë federale të ish-Jugosllavisë dhe “Kosova është njëra ndër to”.

“Gjithashtu, ITU ka të alokuara tetë breza frekuencorë nga të cilët njëri i takon Kosovës, në bazë të statusit federal që Kosova ka pasur në ish-shtetin federal të Jugosllavisë”, shtoi Tahiri.

Tahiri i tha Gazetës Jeta në Kosovë se çështja e kodit telefonik do të mund të përfshihej në një marrëveshje të mundshme me Serbinë. Pjesë e kësaj marrëveshje do të mund të ishte, shtoi ajo,  “vendosja e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në fushën e telekomit duke marrë parasysh edhe një marrëveshje roaming-u për të ulur shpenzimet për qytetarët e të dyja shteteve”.

Propozimi i Qeverisë për energjinë

ICG-ja përkrah edhe vendosjen e një kompanie serbe në veri të Kosovës e cila do të shërbente si nënkontraktuese e shpërndarjes dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat e veriut të Kosovës.

Humbjet nga energjia e futur në sistemimin e shpërndarjes së KEK-ut janë të mëdha. Në vitin 2011 ato, përfshirë humbjet komerciale dhe teknike, kanë qenë 38.15 për qind, bazuar në raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Sipas raportit, humbjet më të mëdha janë në rajonin e Mitrovicës me 62.47 për qind. Energjia e dërguar në veri është 4.57 për qind e totalit të energjisë së futur në shpërndarje.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në qershor të vitit të kaluar ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, pjesë e të cilit është edhe rrjeti i shtrirë në veri të vendit. Pronarët e ri të këtij rrjeti janë konzorciumi i dy kompanive turke Limak Insaat AS dhe Calik Holding AS të cilat privatizuan rrjetin për 26.3 milionë euro. Vendosja e një nënkontraktuesi do të thoshte se pronarët e ri turq të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike nuk do të mblidhnin vet faturat e rrymës në veri.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, konzorciumi “Çalik-Limak” refuzoi të japë përgjigje lidhur me propozimet e ICG-së për rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në veri të vendit.

Njësoj ka vepruar edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës e cila ka sugjeruar të kontaktohet zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pasi këto “çështje teknike janë përgjegjësi e saj”.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është përgjegjëse për dhënien e licencave për operatorët në fushën e energjisë në Kosovë. Zëdhënësja Adelina Murtazaj thotë se ekziston legjislacioni që rregullon licencimin e operatorëve në fushën e energjisë.

Megjithatë, vendosja e një kompanie serbe në veri të vendit për shpërndarjen e energjisë elektrike dhe faturimin e saj është një temë për të cilën ZRRE nuk ka dëshirë të deklarohet.

“Bisedimet teknike janë çështje politike”, tha Murtezaj.

Zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se një marrëveshje e mundshme do të përfshijë kërkesat që Serbia të ndërpresë shkeljet e Traktatit të Athinës në raport me Kosovën, “përkatësisht të ndalë ndërhyrjet ilegale në sistemin e transmisionit energjetik të Kosovës dhe të bëjë kompensimet për dëmet e shkaktuara deri më tash si në shfrytëzimin e jashtëligjshëm të linjave transmetuese të Kosovës ashtu edhe kompensimet për ngarkesat e shkaktuara”.

“Në kuadër të normalizimit të pagesave dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, ne kemi ofruar krijimin e një kompanie komerciale lokale e cila do të ishte nënkontraktues e KEK-ut që do të bënte faturimin e energjisë elektrike”, konfirmoi Tahiri.

 
Edita Tahiri | Foto: kryeministri-ks.net  

Shmangia e obligimeve ndaj KEK-ut në veri, sipas saj, është bërë nga banorët që kanë rënë prej e “manipulimeve të Serbisë”.

Por marrëveshja, shtoi Tahiri, po ashtu do të kërkojë ndaljen e operatorëve ilegalë të Serbisë në Kosovë, “përfshirë ndërhyrjet në hidrocentralin e Ujmanit dhe nënstacionin e Vallaqit”.

“Nga ana tjetër, kjo marrëveshje do të hapte mundësitë për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, në bazë të parimeve të Traktatit të Athinës,  por me kusht që Serbia të ndalojë ndërhyrjet ilegale përkatësisht të zhbëjë strukturat ilegale në fushën e energjisë”, tha Tahiri.

Operatorët virtualë

Ndërkohë, çështja e “operatorëve virtualë”, sipas Tahirit, do të mund të rregullohej lehtë pasi, thotë ajo, “një praktikë e tillë është në përputhje me ligjet e Kosovës”.

“Kompani të tilla tanimë operojnë në Kosovë, siç është rasti i kompanisë Z-mobile dhe D3”, thotë Tahiri.

“Në bazë të ligjit për telekomunikacion të Kosovës dhe rregullave të ART-së, ka mundësi për licencimin e operatorëve virtualë nëse aplikuesi i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj”, shtoi ajo.

Bazuar në ligjin për komunikimet elektronike, ART është përgjegjës për miratimin e vendimeve lidhur me përcaktimin e ofruesve të shërbimeve dhe obligimeve e të drejtave të tyre.

Aleksander Vulin, drejtor i zyrës për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se çdo marrëveshje jashtë pakos së emisarit Martti Ahtisaari është në dëm të Kosovës. “Bisedimet që po zhvillohen me Serbinë mbi çështje teknike në fakt do të rezultojnë në marrëveshje politike të cilat janë përtej pakos së Ahtisaarit dhe si të tilla janë të dëmshme për Kosovën”, thotë Sejdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por, në raportin e ICG-së thuhet se “thelbi i vetë-qeverisjes në veriun e Kosovës duhet të jetë mundësia për të vendosur se si do të merren vet me nevojat e tyre lokale”.

“Ajo që i duhet veriut të Kosovës është që t’i adaptojë trupat e krijuar nga Serbia në institucione autonome të Kosovës bazuar në një marrëveshje që i jep Serbisë mbikëqyrje shtesë në emërimet e zyrtarëve lokalë”, thuhet në raport.