Trendët e Votimit të Deputetëve Kosovarë

Kur lideri i AAK-së në opozitë Ramush Haradinaj zbriti në Aeroportin e Prishtinës më 29 nëntor 2012, i liruar nga Tribunali i Hagës, me vete kishte edhe ofertë.

“E di që nuk jemi parë moti dhe kemi shumëçka të flasim, por si gjithmonë do të kursej fjalët, por jo edhe punën”, tha Haradinaj. Më vonë ai bëri të ditur synimin për postin e Kryeministrit. 

Fjalët e Haradinajt i dëgjoi edhe Kryeministri Hashim Thaçi i cili doli ta priste. Thaçi u mjaftua duke e quajtur Haradinajn ish-Kryeministër. Epitet që ende e mban. 

Efektet e ofertës së ish-Kryeministrit, në Kuvendin e Kosovës u ndien para se vetë të parakalonte në tepihun e kuq në muzgun e 29 nëntorit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shikuar trendin e votimeve në Kuvendin e Kosovës nga shkurti 2012 deri në shkurt 2013. Aty vërehet afria e AAK-së me Qeverinë.

Gjatë kësaj periudhe, ka edhe deputetë që kanë votuar kundër projektligjit për pastrim të parave ose edhe rezolutës për aplikimin e kodit telefonik të Shqipërisë.

Të tjerë kanë votuar pro miratimit të projektligjit që kundërshtohej nga një kryetar komune pavarësisht se deputeti është i së njëjtës parti. 

“E di që nuk jemi parë moti dhe kemi shumëçka të flasim, por si gjithmonë do të kursej fjalët, por jo edhe punën. Ramush Haradinaj

AAK-ja në dispozicion të PDK-së

Në seancën e 15 nëntorit 2012, Kuvendi bëri shqyrtimin e parë të projektligjit për Buxhetin e  Kosovës për vitin 2013.

Deputetët e AAK-së votat i bashkojnë me ato të koalicionit qeveritar. Deputetët e LDK-së e Vetëvendosjes votojnë kundër. Votimi është  62 vota për, 31 kundër e 1 abstenim.

Kështu ndodhi edhe më 6 dhjetor 2012 kur Adem Grabovci (PDK) kërkoi të hidhet në votim mocioni për shtyrjen e shqyrtimit të propozim-vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Me 46 vota për, 34 kundër e 1 abstenim, ky mocion kaloi. Votat e deputetëve të AAK-së iu bashkuan atyre të koalicionit qeveritar.

Më 13 dhjetor 2012 votat e AAK-së iu bashkuan partive në pushtet për miratimin e shqyrtimit të dytë të projektligjit për buxhetin e Kosovës. Ai kaloi me 64 vota për, 26 kundër e 1 abstenim. 

Burim Ramadani, sekretar i Përgjithshëm në AAK dhe deputet i kësaj partie, e mohon se ata votojnë sipas planit të kreut të partisë. “Jemi të pavarur në votim”, thotë Ramadani.  

“Kemi dhënë numër të vërejtjeve dhe kërkesat për buxhet janë përfshirë”, thotë Ramadani për  Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nëse iu kujtohet, shefi ynë i grupit parlamentar (Ardian Gjini v.j) ka dalë në foltore e ka thënë se nëse hyn në buxhet vazhdimi i rrugës për Pejë mund ta votojmë buxhetin, nëse jo votojmë kundër”, rikujton Ramadani.

“Vazhdimi i rrugës për Pejë ka hyrë e tash a duhet të rrejmë e të mos votojmë. Burim Ramadani

“Vazhdimi i rrugës për Pejë ka hyrë e tash a duhet të rrejmë e të mos votojmë. Kemi pasur edhe një varg kërkesash tjera e të gjitha janë përfshirë”.

 Por trendi i votimit të deputetëve të AAK-së në Kuvend  ka ndryshuar menjëherë sapo partia me deklaratë zyrtare për media, më 4 shkurt 2013, njoftoi se përfundimisht nuk ka koalicion me PDK-në.

“Pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”, shkruante në njoftimin zyrtar.

Në muajin janar 2013 është mbajtur vetëm një seancë nga Kuvendi e nuk ka pasur asnjë votim. Në votimin e parë për këtë vit, në seancën e 11 shkurtit, votat e AAK-së ishin kundër.

Aty u votua shqyrtimi i propozim-strategjisë dhe planit të veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017. Deputetët e AAK-së iu bashkuan atyre të LDK-së e VV me votim kundër (45 vota kundër, 54 pro, 2 abstenime).

Kështu ndodhi edhe në seancën e 14 shkurtit 2013 kur u votua shqyrtimi  i parë i projektligjit për investimet e huaja (42 vota kundër, 29 për, 1 abstenim).

Trendi i njëjtë ka vazhduar edhe me dy votimet në seancën e  21 shkurtit 2013 për shqyrtimin e Propozim-vendimit të  Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të  Bordit të AKP-së dhe votimi i debatit parlamentar sipas kërkesës së deputetit Bekim Haxhiu lidhur me gjendjen e sportit në Kosovë.

Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja, megjithatë, thotë se deputetëve të kësaj force politike votën ua diktojnë interesat e vendit.
 
“AAK-ja ka votuar pro atëherë kur ka konsideruar se janë në pyetje interesat nacionale të vendit, ndërkaq në momentet tjera kur kemi konsideruar se votimet nuk janë pro interesave të qytetarëve, kemi votuar kundër”.

Votimet kundër dhe leksionet për patriotizëm

Votimet e deputetëve shpesh nuk përputhën me fjalët që thonë. As atëherë kur me pasion ligjërojnë patriotizmin.

Më 6 shtator 2012, deputetët votuan për rezolutën me të cilën i kërkohej Qeverisë së Kosovës zëvendësimi i tri kodeve telefonike që përdor vendi (+381, +377, +386), me atë të Shqipërisë (+355). 

“AAK-ja ka votuar pro atëherë kur ka konsideruar se janë në pyetje interesat nacionale të vendit. Donika Kadaj Bujupi

Në mesin e 9 deputetëve që votuan kundër ishin edhe Ramiz Lladrovci (PDK), Ali Sadriu (LDK)  e Myzejene Selmani (AKR).

“Qashtu qite, për qejf t’k…, a do me ta përsërit”, thotë Lladrovci (PDK) kur pyetet përse ka votuar kundër. Rezoluta ishte miratuar me 47 vota për, 2 abstenime e 9 vota kundër.

Shpjegim nuk jep as Ali Sadriu (LDK). Pasi dëgjon pyetjen, arsyetohet se nuk ka kohë. “Thirr në një rast tjetër”, thotë dhe e mbyll telefonin. 

Deputetja Myzejene Selmani(AKR) nuk e fsheh votën kundër asaj rezolute, por thotë se e ka arsyen e vet.

“Kam votuar kundër sepse kam kërkuar që Qeveria ime dhe Kuvendi i Kosovës të nxjerr kodin e  Kosovës”, thotë Selmani për Gazetën Jeta në Kosovë.
 
Selmani thotë se derisa tri kode janë rezervë në ITU (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit), njërin duhet ta marrë Kosova.

“Nuk dua të bëj hajgare as me ndjenjat e qytetarëve as me shtetin shqiptar”, thotë deputetja Selmani nga partia e Behgjet Pacollit.

“Kërkojmë kodin e Shqipërisë sikurse që kemi miratuar rezolutën dhe prapë s’kemi kodin e Shqipërisë”.

 

 
Parlamenti i Kosovës  


Votime kundër rrymës së partisë

Me 20 mars 2012 ishte votuar shqyrtimi i dytë i projektligjit për fshatin Hoçë e Madhe ku 59 deputetë kanë votuar pro, 26 kundër e 7 kishin abstenuar.

Burim Ramadani e Blerim Shala(AAK) ishin të vetmit nga partia e tyre që votuan pro këtij projektligji.

Ramadani njësoj ka vepruar edhe me 20 prill 2012 kur ishte votuar shqyrtimi i dytë i projektligjit për Qendrën Historike të  Prizrenit, e miratuar me 56 vota për, 30 kundër e 4 abstenime.

“Votoj sipas bindjeve të mia”, thotë Ramadani për Gazetën Jeta në Kosovë. “Kam qenë i bindur se këto dy projektligje nuk e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe as të komunave Rahovec e Prizren”.

Në shtator 2011, Smajl Latifi (AAK) kryetar i Rahovecit ishte shprehur i zhgënjyer kur deputetët e Kuvendit miratuan në parim projektligjin për Hoçën e Madhe.

“Nuk ka nevojë që Hoça e Madhe të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe nuk ka nevojë që ky fshat të trajtohet ndryshe ngaqë është trajtuar deri më tani”, kishte thënë Latifi. 

“Qashtu qite, për qejf t’k…, a do me ta përsërit. Ramiz Lladrovci

“E si mund të pajtohemi me një ligj që kishës ortodokse serbe i jep autoritet mbi krejt zonën kadastrale të fshatit?”, kishte thënë ai.

Kur më 11 shkurt 2013 në Kuvend u hodh për votim ndryshimi i Ligjit, përkatësisht shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, 94 deputetë votuan pro.

Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ishte i vetmi deputet që votoi kundër e Alma Lama nga e njëjta lëvizje kishte abstenuar.

“Kam votuar gabimisht”, tha Aliu në bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë. “Jo vetëm në këtë rast, por ka qenë edhe një herë tjetër kur votimi ka qenë gabim”.

Aliu thotë se nuk ka reaguar për gabimin e vet. “Po të kishte qenë çështje që ligji varet prej asaj vote, do të reagoja”.

Ai thotë se sustat e votimit funksionojnë mirë, por problemi qëndron se deputetët harrojnë radhitjen e tyre se cila është për të votuar për, abstenuar dhe kundër.

“Por në këtë rast edhe nuk kam qenë aq i kënaqur me ligjin e jo pse kam gabuar tërësisht”.

Deputetja Alma Lama (VV) e  pranon se ka abstenuar në këtë rast sepse nuk ka qenë e kënaqur me disa pika të projektligjit.

“Ligji është i nevojshëm e shumë i domosdoshëm, por kam pasur kontestime për përmbajtjen sepse nuk  është cilësia e duhur”, thotë Lama.

“Një nga vërejtjet është koha që sipas ligjit pasuria duhet të shikohet nga viti 1999 e këtej, e unë mendoj se nuk duhet të ketë limite kohore”.

Gabimet e deputetëve gjatë votimit

Huqje të votës nga ana e deputetëve ka pasur  edhe më herët. Ato janë evidentuar edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës në raportin e publikuar në maj 2011.

“Sjellja e tillë e deputetëve nxjerr përfundimin se jo rrallë herë votojnë jashtë vullnetit të tyre. Driton Selmanaj

Në seancën e 5 majit 2011, 17 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan kundër propozimit që Qeveria e Kosovës të shtrijë autoritetin e vet edhe në veri të vendit. 

 

Një veprim i tillë i deputetëve ka ndodhur gjatë votimit të propozim-mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë interpelancës së Kryeministrit lidhur me dialogun Kosovë- Serbi.

“Sjellja e tillë e deputetëve nxjerr përfundimin se jo rrallë herë votojnë jashtë vullnetit të tyre”, thotë Driton Selmanaj nga KDI-ja.

“Çka është më e dhimbshme ka pasur mjaft raste kur disa nga deputetët nuk e dinin fare se për çfarë kanë votuar”.

Ai thotë se deputetët votojnë amendamentet me porosi, votojnë për kolegët e tyre, kopjojnë ligje dhe e shndërrojnë veten në lektorues të tyre aq sa pesë minuta më vonë pendohen se nuk dinë çka kanë votuar.

“Këto skena tragjiko-komike s’mund të kuptohen ndryshe vetëm se Kuvendin e Kosovës kjo klasë politike e ka shndërruar në një institucion pa dinjitet, pa integritet dhe pa pushtet duke e rrezikuar edhe pozicionin e tij në sistemin politik institucional sado të brishtë tanimë të etabluar në Kosovë”, thotë Driton Selmanaj.

Ai thotë se deklarimet e tyre publike për çështje të caktuara në shumë raste nuk përputhen me votimet që pasqyrohen në të dhënat zyrtare për publikun.

Një nga rastet e rralla kur deputetët kanë votuar me shumicë absolute për një çështje është me 24 maj 2012 për shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike për statusin e forcave të huaja ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Nga 96 deputetë të pranishëm në sallë, të gjithë kishin votuar për.