Bashkësia Islame Nuk Deklarohet Për LISBA-n

Një ditë pasi Lëvizja Islame “Bashkohu” u regjistrua zyrtarisht si subjekt politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të enjten, doli një komunikatë e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kjo shoqatë sindikale, që mbledh të pakënaqurit me politikat aktuale të Bashkësisë Islame të Kosovës, kërkoi riorganizim të jetës fetare islame në Kosovë, “në përputhje me rrethanat e reja demokratike e post-moniste dhe ligjet e tashme të Republikës së Kosovës”.

Shoqata akuzoi ekzekutivin e BIK-ut në disa raste edhe për shmangie nga hanefizmi, vija tradicionale islame e praktikuar në Kosovë.

Kreu i shoqatës sindikale, Idriz Bilalli, për Gazetën Jeta në Kosovë, daljen e komunikatës nuk e lidhi me shfaqjen si subjekt politik të Lëvizjes Islame “Bashkohu”, por ai pranoi se neglizhenca e Bashkësisë Islame u ka dhënë hapësirë LISBA-s dhe rrymave tjera që të interferojnë nga jashtë.

“Por duhet lexuar programin e statutin dhe ta shohim çka mendon e çka bën LISBA”, tha Idriz Bilalli.

Për daljen si subjekt politik të Lëvizjes “Bashkohu”zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, nuk pranoi të flasë me arsyetimin se Bashkësia Islame është organizatë e natyrës tjetër që nuk përzihet në politikë.
Sipas tij, Ramiqi të gjitha ato që i bën, i bën vetë.

Lëvizja “Bashkohu” që nga shfaqja e saj e organizuar më 2011 ka mbajtur një kurs më të ashpër se islami zyrtar i aplikuar në Kosovë.

Gjatë verës së vitit 2011, kjo lëvizje organizoi disa herë faljen e namazit të xhumasë në rrugë e në sheshet publike të Prishtinës, në kërkim të ndërtimit të një xhamie të madhe në kryeqytetin e Kosovës.

Lëvizja më pas në vazhdimësi ka protestuar kundër përjashtimeve nga shkolla të nxënëseve që bartnin shami gjatë mësimit  dhe kundër Udhëzimit Administrativ 7/9 të Ministrisë së Arsimit, që ndalon përdorimin e simboleve fetare nëpër shkollat fillore e të mesme publike.

“Bashkohu” në dhjetor të vitit 2012, bashkë me disa organizata tjera, ndërhyri për ta ndërprerë një edicion të Revistës “Kosova 2.0”, në të cilin flitej për seksualitetin.

Kundër regjistrimit të saj ishte dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një ankesë e tre qytetarëve të vendit që thoshin se pranimi i LISBA-s parti politike binte ndesh me kushtetutën e vendit, ndërsa Avokati i Popullit ka paralajmëruar se do të shikojë bazën ligjore të këtij regjistrimi.

Lideri i LISBA-s, Fuad Ramiqi, më herët i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se kjo parti do të regjistrohej, duke pasur në plan të inicionte amendamentimin e disa ligjeve të vendit dhe ishte shprehur kundër komunitetit të homoseksualëve. 

 Foto: Gjykata Europiane Për të Drejtat e Njeriut  
 

Shpërbërja e një partie islamike në Turqi

Në Turqi, ku gjithashtu vlen shteti laik, në janar të vitit 1998, Gjykata Kushtetuese e këtij vendi vendosi për shpërbërjen e Partisë së Mirëqenies (Refah Partisi, RP), një parti kjo me orientim islam, pas ankesave të institucioneve përkatëse për monitorimin e jetës politike në Turqi.

Refah Partisi e themeluar në vitin 1983, pas rritjes së vazhdueshme në vitin 1996, ishte bërë partia më e madhe në parlamentin turk dhe udhëheqësi i saj Necmettin Erbakan ishte edhe kryeministër i Turqisë.

Refah Partisi ishte akuzuar të ketë kryer aktivitete që janë në kundërshtim të principeve të sekularizmit. Ndër këto aktivitete ishte përmendur se sa herë që liderët e kësaj partie flisnin në publik ata avokonin për mbajtjen e shamive islame në shkollat publike dhe objektet administrative.

Po ashtu kjo parti disa herë kishte aluduar në ndërrimin e rendit politik në Turqi dhe kishte përmendur xhihad dhe gjakderdhje, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese turke ishte mbështetur edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Me inicimin e prokurorit të shtetit turk, rrugës së ngjashme po shkonte edhe fati i partisë së Recep Tayyip Erdoğan-it, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit(Adalet ve Kalkınma Partisi).

Partia e kryeministrit Erdoğan shpëtoi nga shpërbërja për vetëm një votë diferencë, në seancën e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, që u mbajt më 30 qershor 2008. 

Politologu Bekim Baliqi, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, tha për gazetën se “Bashkohu” pjesërisht frymëzimin e gjen të lëvizjet e ngjashme në vendet tjera, si “Vëllazëria Myslimane” e “Pranverës Arabe”.

Vëllazëria Myslimane u themelua në vitin 1928 në Egjipt, nga Hassan al-Banna, si një lëvizje panislamiste, fetare, politike dhe sociale. Al Banna ishte një mësimdhënës dhe e themeloi lëvizjen bashkë me nxënësit e tij.

Sot kjo lëvizje është shndërruar në lëvizjen më të fuqishme nga bota arabe, ndërsa vazhdimisht rritet dhe vazhdon të marrë pjesë nëpër revolucionet e shumë shteteve në këtë pjesë të botës.

“Vëllazëria Myslimane” është e njohur për format e veta paralele të organizimit, jashtë institucioneve shtetërore. Ajo kombinon aktivitetin me bamirësinë, duke propaganduar një jetë sipas normave islame, nga individi, familja e deri te shteti.

Islami tradicional do të mbrohet

Politologu Baliqi, duke iu referuar Lëvizjes “Bashkohu”, tha se kjo lëvizje politike vjen edhe për shkak të fragmentarizimit (të atyre që mendojnë njësoj) dhe reagimit ndaj subjektit politik parlamentar- Partisë së Drejtësisë, që nuk arriti t’i plotësojë premtimet dhe pritjet.

Pavarësisht aktivizimit të Lëvizjes Islame “Bashkohu” në politikë dhe ndikimeve të jashtme që i vijnë Bashkësisë Islame të Kosovës, që nga paslufta, drejtuesi i Shoqatës Sindikale të Punëtorëvë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Idriz Bilalli, deklaroi se hanefizmi do të ruhet në Kosovë.

“Jemi duke e bërë punën tonë, do ta mbrojmë islamin tradicional në Kosovë, por nuk jemi në pozita drejtuese”, i tha Bilalli Gazetës Jeta në Kosovë.

Edhe Ferdi Kamberi, sociolog i specializuar në fushën e religjionit, nuk pret ndonjë ndryshim të vijës islame tradicionale në Kosovë me aktivizimin e Lëvizjes “Bashkohu” në politikë.

“Shqiptarët tradicionalisht kanë pasur religjionin si dytësor në raport me kombin. Po ashtu, këtu rol me rëndësi ka luajtur edhe promovimi i tolerancës fetare”- tha sociologu Kamberi.

Sipas Kamberit në bazë të disa sondazheve të bëra shihet se ndikimi i subjekteve politike me orientim fetar nuk është i lartë në raport me atë sa bëhet propagandë mediatike, ndërsa politologu Baliqi thotë se nuk dihet forca reale numerike e subjekteve të tilla.

Ata nuk i pengon regjistrimi i Lëvizjes “Bashkohu” si subjekt politik, nëse kjo lëvizje nuk bie në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.