Një Vend Politik

Ish-shefi i misionit të EULEX-it, gjenerali Yves De Kermabon, më 5 gusht 2009, kishte marrë nga vartësit e tij një memorandum se si duhej të reagohej në raste të ndërhyrjes së politikanëve vendorë në shërbimet e sundimit të ligjit, e që ishte rrjedhur në publik nga wikileaks.

Afër një muaj më herët, më 7 korrik 2009, Kryeministri Hashim Thaçi, në fillim të një mbledhje të kabinetit qeveritar, kishte thënë se ish-bashkëluftëtarët e tij Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti – atëherë në gjykim nën akuza për krime lufte – ishin të pafajshëm.

“Ka pasur shembuj të ndërhyrjes politike në pavarësinë e sundimit të ligjit së voni”, thoshte memorandumi. “Më prominenti është deklarata e Kryeministrit”.

Sipas zyrtarëve të EULEX-it, reagimi ndaj këtyre rasteve ishte i rëndësisë parësore sepse kredibiliteti i misionit vihej në pyetje dhe se, besonin ata, reagimi do të ndikonte që shoqëria, në plan afatgjatë, të kuptonte rëndësinë e pavarësisë së këtij sektori.

“Shumë shpesh këto institucione (vendore) nuk e kanë përbrendësuar kulturalisht ose si mentalitet konceptin e pavarësisë së shërbimeve të tyre”, shtohet në memorandum. “Për më shumë, reagimet e këtyre shërbimeve (të sundimit të ligjit) do të mund t’i ekspozonin ato radikalisht tek politikanët vendorë dhe kështu do të hapej rrugë për frikësim/cenueshmëri”.

Në raste kur zyrtarët politikë si Presidenti, Kryeministri, kryetari i Parlamentit, kryetarët e partive, sekretarët permanentë dhe zyrtarët tjerë shkaktojnë incidente të ndërhyrjes politike, EULEX-i udhëzohej të dilte me deklarata shtypi ndërsa, në raste të niveleve më të ulta, obligoheshin drejtuesit e misionit të flisnin me zyrtarët e lartë politikë.

Për të gjitha rastet, EULEX-i do të njoftonte Zyrën e BE-së në Kosovë, shtetet anëtare të bllokut dhe ato kontribuuese në EULEX, në Prishtinë dhe Bruksel, nëpërmjet obligimeve raportuese.

Por, që atëherë, ndërhyrjet e kësaj natyre kanë vazhduar.

Kryeministri Hashim Thaçi kishte reaguar ashpër në rastin e paraburgimit të deputetit Fatmir Limaj, më 24 nëntor 2012, në pritje të rigjykimit të rastit Kleçka.

“Askush nuk mundet, as EULEX-i, që në errësirën e natës të arrestojë luftëtarët e lirisë. Kjo është e padrejtë, ky është turp, padrejtësi. Kjo është fyerja më e rëndë që na bëhet në këto ditë feste (28 Nëntori)”, thoshte Thaçi. “Ne jemi sovran në këtë vend, kemi kushtetutën dhe ligjet. Ne jemi shtet modern dhe demokratik”.

Përveç Kryeministrit, për paraburgimin e Limajt, kishte reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili kishte thënë se duhej rishikuar mandati i EULEX-it.

Deklarata e Grabovcit nuk ka gjetur zbatim deri më tash, por ka bërë që udhëheqësi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, të kërkonte që të mos ndërhyhej në procese gjyqësore.

Dy ditë pas arrestimit të Limajt, më 26 nëntor 2012, Zhbogar pati deklaruar se “një ndër parimet kryesore të çdo shoqërie demokratike dhe moderne është mos ndikimi në procese gjyqësore”.

Sipas tij, “gjykatësit dhe prokurorët veprojnë në mënyrë të pavarur ndërsa të akuzuarit janë të pafajshëm derisa nuk vërtetohet e kundërta”.

“Vendimet e gjykatësve dhe prokurorëve të EULEX-it nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë të motivuara politikisht”, shtonte ai.

Ndikimet politike i ka quajtur të papranueshme edhe zyra e përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, në një deklaratë të lëshuar më 27 nëntor 2012.

“EULEX është ftuar nga autoritetet kosovare për të ndihmuar Kosovën dhe ne presim që autoritetet kosovare të mbështesin EULEX-in në punën e tyre”, thuhet në komunikatën e saj.

Vetë Rrustem Mustafa, tani zyrtar i lartë në Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se hetimet e EULEX-it janë të mirëseardhura për këdo dhe për çfarëdo qoftë. “Megjithatë, ato nuk duhet të jenë selektive dhe duhet të kenë më shumë rezultate”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare (HRC) thotë se Qeveria e Kosovës apo institucionet tjera të vendit nuk duhet ta komentojnë punën e EULEX-it.

“Reagimet e këtilla ndikojnë në proceset gjyqësore. Por, mbi të gjitha nuk do të duhej të paragjykoheshin apo të komentoheshin vendimet gjyqësore sepse janë të dëmshme”, thotë Blakaj.

Në një intervistë të botuar në Gazetën Jeta në Kosovë në fillim të janarit, ish-zëvendësshefi i EULEX-it Andy Sparkes, thoshte se një pjesë e elitës kosovare ka qenë dhe është nën hetime. Pikërisht kjo elitë, shtonte ai, do të vendosë për mandatin e misionit europian.

“Ky është një vend shumë politik”, thoshte ai.

Bardha Azari, zëdhënëse në mision, thotë se prokurorët e EULEX-it kanë qenë të përfshirë në rreth 2080 raste, se misioni ka realizuar rreth 400 aktgjykime, mes tyre më shumë se 320 në çështje penale.

Po ashtu, sipas saj, janë nxjerrë 35 aktgjykime korrupsioni me 11 aktakuza të konfirmuara aktualisht. Janë nxjerrë 25 aktgjykime në krime lufte dhe 8 aktakuza janë të konfirmuara aktualisht. Janë nxjerrë 17 aktgjykime për krim të organizuar dhe 10 aktakuza janë tani të konfirmuara.

“Për momentin ka 265 hetime në vazhdim për krime të rënda”, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili në nëntor fliste për iniciativë parlamentare për t’i dhënë fund mandatit të EULEX-it, tash thotë se “askush nuk është mbi ligjin” dhe se kjo qasje “është e vetmja rrugë drejt ndërtimit të shtetit ligjor”.

Megjithatë, presioni politik vazhdon dhe nuk kufizohet vetëm me deklarime politike.

Legjislacioni – emërimi i gjykatësve në kundërshtim me standardet europiane

Kushtetuta e Kosovës, e cila rregullon emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve, duket se kontribuon në ofrimin e mundësisë për ndikim në pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Neni 105 i kushtetutës, me të cilën përcaktohet mandati dhe riemërimi i gjykatësve, parasheh mandat fillestar (periudhë provuese) trevjeçar për gjyqtarët. Sipas po të njëjtit nen, në rast të riemërimit, mandati është i përhershëm deri në moshën e pensionimit.

Kjo bazë ligjore është kundërshtuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

Enrico Vinsentin, menaxher i projektit në sektorin e sundimit të ligjit, thotë për emërimin dhe riemërimin  se “legjislacioni aktual është i dobët dhe nuk është i harmonizuar”.

“Gjykatësit e sapo emëruar duhet t’i nënshtrohen periudhës provuese prej tre vjetësh, që nuk është në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venedikut”, tha Vinsentin.

Kësi konstatimi ka nxjerrë edhe Studimi i Fizibilitetit i Kosovës i miratuar në dhjetor 2012. Plotësimi i kushteve të kërkuara nga ky studim është përcaktues për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës.

Komisioni i Venedikut është trup këshillëdhënës në çështje kushtetuese i Këshillit të Europës.

Në një raport të publikuar në vitin 2010, ky komision ka rekomanduar që gjykatësit të emërohen përjetësisht.

“Periudhat provuese për gjykatësit janë problematike nga këndvështrimi i pavarësisë së tyre”, thuhet në raport.

Varësinë e gjyqësorit, sidomos në rastet politike të ndjeshme dhe gjykimet e profilit të lartë, e ka konstatuar edhe një raport i OSBE-së i titulluar “Pavarësia e gjyqësorit në Kosovë: Dimensionet Institucionale dhe Funksionale”, publikuar në janar 2014.

Sipas këtij raporti “pavarësia gjyqësore mbetet e sfiduar në shumë fronte”.

“Përmirësime të mëtejshme janë të nevojshme sidomos në ofrimin e një ambienti të sigurt të punës së gjykatësve dhe prokurorëve,  të liruar nga ndërhyrja e pavend dhe e papërshtatshme sidomos në rastet politike të ndjeshme dhe në profilet e larta”, thotë raporti. “Kjo është esenciale për të siguruar sundim të ligjit, mbrojtje të të drejtave të njeriut, siguri dhe stabilitet ekonomik…”.

Periudha testuese nuk shihet si shumë shqetësuese nga Betim Musliu, kërkues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (KLI). “Në kontekstin e Kosovës, IKD konsideron se një përvojë e tillë testuese nuk paraqet ndonjë rrezik ose së paku deri më tash nuk është dëshmuar se kjo fazë është keqpërdorur”, thotë ai.

Por, shton ai, “politikat shtetërore për gjyqësorin duhet të marrin parasysh konceptin e ndarjes së pushteteve dhe kompozimin e funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ”.

Parlamenti – rasti “Kiçina” dhe ligji për përgjimet

Javën e kaluar Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Zyra e Bashkimit Europian në vend doli kundër diskutimit në parlament të procesit gjyqësor “Kiçina”, pas qëndrimit të njëjtë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kjo zyrë i rekomandoi Kuvendit të Kosovës të përmbahet nga veprimet të cilat mund të interpretohen si tentim për të ndikuar ose për të kthyer ndonjë vendim gjyqësor.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”, thoshte Fjolla Çeku, zyrtare informimi e BE-së, e pyetur nëse parlamenti duhet të diskutojë për rastin gjyqësor  “Kiçina”.

Rasti Kiçina është ndër më të gjatët në gjyqësorin e vendit dhe ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë për motive të hakmarrjes ndaj familjes së Hamëz Hajrës në gusht të vitit 2001.

Por, një muaj më parë, Ramiz Lladrovci, deputet i Partisë Demokratike në pushtet, kërkoi që të futet në rend dite në parlament diskutimi për këtë rast.

Gjykata e Qarkut, ajo Supreme dhe Kushtetuese, kishin shpallur e vërtetuar fajtor Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçinën për këtë vrasje. Megjithatë, deputeti Lladrovci beson se gjykimi i rastit Kiçina është bërë në mungesë të argumenteve faktike.

Deputeti pati bërë kërkesë që rasti Kiçina të diskutohej në seancën parlamentare të datës 14 dhjetor 2012. Por, ende nuk është paracaktuar një datë dhe kryesia e kuvendit, edhe pse e kishte në agjendë diskutimin e këtij rasti, e kishte shtyrë dhe kishte paralajmëruar mundësinë e formimit të një komisioni ad hoc për të.

 
Ilustrimi: eulex-kosovo.eu  

 

Po ashtu, në dhjetor, në një mbledhje të kabinetit qeveritar, u vendos që të procedohej për miratim në parlament Projektligji për Përgjimet Telefonike, përmbajtja e të cilit është vlerësuar në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Europian të përmendura në Dokumentin e Studimit të Fizibilitetit.

Përgjimet telefonike nga të gjitha organet hetuese koncentroheshin në Agjencionin Kosovar të Inteligjencës (AKI), ku duhet të krijohet një qendër përkatëse, ndërsa gjyqtarët vendës u ankuan se ligji nuk merrte për bazë ndarjen e pushteteve mes ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Ky projektligj ishte proceduar vetëm disa ditë pasi në publik rrodhën biseda të përgjuara telefonike nga hetues të EULEX-it ku ishin protagonistë pesë liderë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Bisedat mes drejtuesve të partisë në pushtet u bënë të famshme për sharjet në adresë të kundërshtarit partiak të Kryeministrit Hahsim Thaçi, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, kualifikimit si “zagarë” të elektoratit që nuk i bindej liderit të partisë në pushtet, sharjet mes drejtuesve partiakë, kërkesave për favore si dhe përdorimit të italishtes.

Shembulli i EULEX-it

Por, në anën tjetër, a është EULEX-i duke dhënë një shembull të mirë në ndryshimin e kulturës dhe mentalitet për pavarësinë gjyqësorit, siç kërkonte memorandumi i referuar në fillim të analizës?

Ish-zëvendësshefi Sparkes pati pranuar ndërhyrjet politike. “Personalisht mendoj që ka pasur diçka të tillë në rastin e guvernatorit (Hashim Rexhepi, aktakuza ndaj të cilit nuk ishte konfirmuar) dhe njëri nga gjyqtarët përgjegjës në këtë rast është akuzuar për korrupsion”, thoshte Sparkes.

Ai shtonte se Brukseli ende supozon se ka nevojë për ta ruajtur stabilitetin dhe zgjidhjen politike në sfond të gjerë në rajon, “prandaj nuk dëshiron ta trazojë situatën”.

Edhe prokurorët e misionit janë ankuar për ndikim politik. Në aktakuzën e ngritur kundër ish-ministrit dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Bujar Bukoshi dhe Ilir Tolaj, prokurorja e rastit, Maria Bamieh, thotë se gjatë procesit ka pasur tentime për ndikim politik në drejtësi.

“Ata [të akuzuarit] i kanë dërguar letra zyrtarëve të misionit EULEX duke kërkuar nga ta që të ndalen hetimet dhe që prokurorja të largohet nga rasti”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza përmban edhe porosi telefonike të shkëmbyera ndërmjet të akuzuarve ku ndër të tjera thuhet se “…aspekti politik është neutralizuar, tash vetëm na mbetet të mbyllin këtë kapitull”.

 
Ilustrimi: eulex-kosovo.eu  

 

Bekim Blakaj i FDH-së thotë se krahasuar me UNMIK-un, EULEX-i ka punuar më shumë por prapë, sipas tij, rastet duhet proceduar më shpejtë dhe në numër më të madh.

“Ka pasur dështime edhe nga ana e prokurorëve të EULEX-it, sidomos në mbrojtjen e dëshmitarit X”, thotë Blakaj. 

Agim Zogaj, dëshmitari kryesor në rastin Kleçka, ishte gjetur i vdekur në një park në Gjermani. Në kohën e ngjarjes, në banesën ku jetonte, nuk kishte pasur mbrojtje sikur ka Nazim Bllaca në shtëpinë e tij në Ribar, Lipjan. 

Edhe Ministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, e kishte kritikuar më herët programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Armend Zemaj, deputet nga LDK-ja, thotë se deklarimet politike kundër veprimeve të EULEX-it kanë  më shumë si qëllim “konsumin e brendshëm” politik. Por, tha ai, “EULEX-i duhet të punojë më shumë sepse ka fuqi ekzekutive dhe ka kapacitete të mjaftueshme”.

Më herët, EULEX-i është cilësuar si i mbyllur dhe është kritikuar edhe nga vetë institucione të BE-së dhe vende tjera anëtare. Gjykata e Auditorëve të Europës, në një deklaratë për shtyp më 30 tetor të këtij viti, ka kritikuar misionin duke thënë se asistenca e misionit nuk ka qenë efektive sa duhet.

Edhe perceptimi i vetë qytetarëve të Kosovës për punën e EULEX-in nuk është gjithaq pozitiv.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë publikoi në dhjetor raport mbi të gjeturat e një sondazhi të saj, sipas së cilit, vetëm 22 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur të kënaqur me punën e EULEX-it.