Arrestimet Ndikuan në Reformat Shëndetësore

Më 13 tetor 2011, në një debat në emisionin “Jeta në Kosovë”, ministri Ferid Agani thoshte se kishte projektuar zgjidhjen për krizën e sektori – vështirësitë në qasje të shërbimeve nga pacientët, mungesën e disiplinës së stafit mjekësor, qarkullimin e pambikëqyrur të barnave etj.

“Pse nuk e siguruam deri më sot një përkrahje të Bankës Botërore për krijimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore?”, pyeste vet ai, në debat. Dhe më pas i përgjigjej vetes duke thënë se reforma shëndetësore në Kosovë do të fillonte në korrik të vitit 2012 me miratimin e ligjit për sigurime, kurse më 1 janar 2013 do të fillonte kontraktimi i sigurimeve shëndetësore. 

Me këtë ligj, kostoja e të cilit llogaritej fillimisht rreth 40 milionë euro, pritej t’u kërkohej pacientëve që të paguajnë për polisë të sigurimit për të marrë shërbimin shëndetësor. Në të kundërtën, pacienti duhej të paguante për shërbimin. Një çmimore përkatëse e shërbimeve shëndetësore do të nxirrej nga autoritetet kosovare dhe mendohej se konkurrenca për shërbime brenda sistemit do të rritej.

Kështu, jo të gjitha mjetet do të shkonin në ndërtime autostradash dhe projekte tjera infrastrukturore duke lënë anash zhvillimin social. Banka Botërore, përmes një letre dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë, kishte mbështetur projektligjin.

Por ligji i sigurimeve nuk kaloi në Kuvend. Më 24 dhjetor 2012, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po ashtu lejoji masë të përkohshme duke pezulluar edhe zbatimin e disa neneve të Ligjit për Shëndetësi, miratuar më herët atë muaj nga Parlamenti. Pika më diskutabile e tij ishte ndalimi i mjekëve të punësuar në sektorin publik që të punojnë edhe në sektorin privat. (Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese)

Ndërkohë, datat kanë kaluar.

Reforma nuk ka ndodh.

Ministri Ferida Agani e lidh pamundësimin e saj edhe me arrestimet në Ministrinë e Shëndetësisë në fillim të vitit 2012 – në krye me ish-sekretarin permanent Ilir Tolaj – si dhe zhvillimet e ngjashme në sektorin civil të ministrisë.

Tolaj para gjykatës do të përgjigjet këtë vit për tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose  autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.

Për më shumë, sipas ministrit Agani, eksperimentet në rastin e krijimit të fondit të sigurimeve – përgjegjës për drejtimin e parave të mbledhura nga sigurimet – do të rezultonin me futjen në sistem edhe të 50 – 60 milionë eurove “që do të ishin pre e njerëzve që kanë korruptuar sistemin e shëndetësisë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë”.

Deklarata e tij vjen ndonëse kishte punuar në të që kur kishte marrë detyrën në fillim të 2010-tës i bindur se “lëvizje nga zeroja”.

Pastaj, thotë tash Ministri, “ishte vlerësim edhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe i Bankës Botërore, që ministria nuk ka fuqi që t’i zbatoj njëkohësisht dy ligjet reformuese”.

“Ishte vlerësim edhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe i Bankës Botërore, që ministria nuk ka fuqi që t’i zbatoj njëkohësisht dy ligjet reformuese” Ferid Agani

Agani shton se edhe vetë ai ishte pajtuar me këtë qëndrim.

Banka Botërore në fakt e kishte mbështetur projekt-ligjin me një letër të saj, pati raportuar gazeta vitin e kaluar.

Dhe ndërkohë që ai koncentrohej në reforma e ato nuk erdhën, gjendja në shëndetësi vazhdoi të përkeqësohej. Sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim “Mozaiku i Kosovës 2012”, të dhjetorit të vitit të kaluar, qytetarët ishin më pak të kënaqur me shërbimet shëndetësore më 2012 në krahasim me 2009. Disponimi i tyre zbriti për 31 për qind në lidhje me qendrat e mjekësisë familjare. Disponim të përafërt ata kishin edhe në lidhje me spitalet.

“Ne ballafaqohemi çdo ditë me jetën e vdekjen, me kërkesa urgjente”, pranon ministri Agani.

Por ai tha se më 2013, MSh do të ketë 19 milionë euro më shumë buxhet.

Me to, planifikohet që pagesat në sektorin publik të stafit mjekësor të bëhen sipas punës. Deri më tash, pagesat kanë qenë të njëjta si për ata që kanë kryer 10 operacione gjatë javës, edhe për ata që kanë kryer më pak.

Agani shton se 4.5 milionë euro do të shkojnë në Fondin e Agjencisë për Financimin e Shëndetësisë, nga ku do të paguhen të punësuarit – sipas performancës së tyre.

Tre milionë euro më shumë do të jenë në dispozicion të buxhetit për barna. “Do të punësohet më shumë staf dhe do të ketë një milion euro më shumë në programin për trajtimin jashtë institucioneve publike shëndetësore”, tha ai.

Tema e të dashurit të vajzës…“nuk përket me nivelin e bisedës”

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në prill 2012 se i dashuri i vajzës së Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Ferif Agani, Vullnet (Destan) Destani, bashkë me të vëllain e tij Zeqiria (Destan) Destanin si dhe Yll e Vlera Halimin, dy fëmijët e deputetit të vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës në Parlamentin serb në Beograd, kishin vetëm edhe një hap për të kaluar për të fituar specializime të ndara nga Bordi Qendror për Shkollim Specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

Ata kishin marrë këto specializime.

“Fillimisht dua të them se unë nuk kam dhëndër. Vajza ime nuk është e martuar…”, thotë Aganai në intervistë, pa dashur që të sqarojë në detaje këtë raport. “Kjo mendoj se nuk përket me nivelin e bisedës”.

“Fillimisht dua të them se unë nuk kam dhëndër. Vajza ime nuk është e martuar… kjo mendoj se nuk përket me nivelin e bisedës”.

Specializantët ishin kandidatë nga Lugina e Preshevës, për të cilët ishte krijuar një kuotë e veçantë nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, me qëllim që të mbështeteshin kuadrot shqiptare nja Jugu i Serbisë.

Po ashtu, gazeta kishte raportuar se që nga viti 2007 mbi 200 produkte medicinale serbe që mund të blihen në Kosovë ishin regjistruar nga autoritetet kosovare, përkundër se certifikatat e kualitetit të produkteve (CPP) ishin të falsifikuara dhe ndonëse autoritetet kishin njohuri për këtë.

Tash Agani thotë se produktet serbe nuk mund të regjistrohen në Kosovë, derisa shteti serb të mos lëshoj garanci për produktin e barit.

Kjo garanci, shton ai, duhet që nga shteti serb t’i dedikohet ekskluzivisht shtetit të Kosovës.

Megjithatë, në treg vazhdojnë të shiten produkte të paregjistruara të Serbisë.

Dhe prapë, gjatë vitit 2012, barnatoreve u janë dhënë vetëm 18 ndëshkime për shkelje të ndryshme ligjore. 

Ky numër i ndëshkimeve, sipas Aganit, nuk është aq i vogël sa duket.

Ai pranon se nuk është i kënaqur nga ndëshkimet që ka dhënë Inspektorati, mirëpo, thotë se shifrat e ndëshkimeve, nëse krahasohen me masat e ashpra të ndërmarra, dalin se nuk janë pak. “Kishte vendime edhe për mbyllje të barnatoreve”, thotë ai.

Agani po ashtu shton se Inspektorati Shëndetësor do të riorganizohet ashtu që në kuadër të tij do të futet Inspektorati Farmaceotik. Me këtë rast, sipas tij, do të krijohet një organ i pavarur, me kompetenca shumë më të mëdha, e që “do të ketë shumë më shumë rezultate”.