Isa Mustafa e Noton me 7-she LDK-në

Lideri i opozitës Isa Mustafa është i pakënaqur jo vetëm me punën e Qeverisë gjatë 2012-tës, por edhe me pasivitetin e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Parlament.

“Nuk ishin edhe më të zëshëm”, vlerëson deputetët e tij, kryetari i Prishtinës.

Madje, partinë më të madhe opozitare që vet e drejton, ai e noton me 7-she në nivel vendi.

“5 e poshtë janë nota të dobëta. Grupi ka luajtur rolin e opozitës, por nuk ka qenë shumë aktiv në dhënien e propozimeve dhe kundërshtimin e disa çështjeve”, tha ai.

Mustafa tha se nuk ka arsye të veçantë se pse LDK-ja nuk ishte më e zëshme.

“Grupi ka luajtur rolin e opozitës, por nuk ka qenë shumë aktiv në dhënien e propozimeve dhe kundërshtimin e disa çështjeve”

Të arriturën më të madhe për vitin 2012 e cilëson përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës dhe nxjerrjen e disa rezolutave e dokumenteve të aprovuara në Kuvend me vullnetin shumicës së deputetëve. 

E dobësinë më të madhe, Mustafa e cilëson rastin kur pozita lëshoi sallën e Parlamentit për ta dështuar seancën për miratimin e mocionit për shitjen e distribucionit të rrymës elektrike, gjatë vjeshtës.

“Kësi pozite nuk ka kund në botë”, thotë ai.

Po ashtu, Kuvendi ka pasur në plan të aprovojë 105 ligje, shtoi Mustafa, kurse janë ofruar 87 e janë miratuar 64 gjatë vitit.

Qesharakët e politikës së jashtme dhe një leksion tjetër

Isa Mustafa thotë se për politikën e jashtme të Kosovës ka pasur shumë dyshime, ndonëse e pranon se kohëve të fundit ka lëvizje më aktive në njohjet e reja.

“Shtetet që po na njohin nuk kanë rëndësi të madhe në politikat ndërkombëtare, por në numra na bëjnë mirë”, tha ai.

Sidoqoftë, me disa zyrtarë që merren me politikën e jashtme, thotë ai, shpesh vendi “ka dalë qesharak në sytë e ndërkombëtarëve”.

Lideri i LDK-së, në anën tjetër, e pranon se kjo parti në procesin e njohjeve ka dhënë kontribut të paktë. “Nuk mund të them e kemi kontribut të veçantë”, tha ai.

Por pasi LDK është anëtarësuar tek Partitë Popullore Europiane, shtoi Mustafa, tani do ta ketë rastin të flas me përfaqësuesit e partive nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. “Nga kontaktet me spanjollët e qipriotit, kam parë se ka mundësi të bisedohet”.

Ai është më i preokupuar me zhvillimet e brendshme politike.

Bllokimin e reformës zgjedhore e sheh si pasojë të dështimit të krejt marrëveshjes nga e cila u zgjodh Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në pranverë 2011.

“I kam besuar asaj marrëveshje, por thënë troç: është dështim”, u shpreh Mustafa.

“I kam besuar asaj marrëveshje, por thënë troç: është dështim”

Lideri i LDK-së shtoi se për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet tij, Hashim Thaçit e Behxhet Pacollit, i kishte besuar Ambasadës së SHBA-së dhe ish-ambasadorit Christopher Dell.

“E kam nënshkruar me vetëdije të plotë, por nuk është përmbushur marrëveshja për Presidentin”, tha ai. “Pa zbatim të saj, nuk ulem me Hashim Thaçin”.

“Është dashur që për gjashtë ose nëntë muaj të përfundojë reforma kushtetuese e brenda gjashtë muajve pas reformës të shpallen zgjedhjet”, tha Mustafa.

Nga e tërë kjo, ai thotë se ka mësuar një leksion. “Për marrëveshjen kemi treguar kulturë, por edhe se dimë ta mashtrojmë njëri-tjetrin”.

Tutje, në çështjet e brendshme, Mustafa thotë se vendi vështirë ka arritur diçka të veçantë. “Për forcim të rendit e ligjit jemi shumë keq, për zhvillim ekonomik jemi edhe më keq. Buxheti po mbushet vetëm në kufi dhe i ngarkojmë bizneset me TVSH para se ta shesin mallin”.

Të arritur e përmend funksionalizimin e autostradës, por tërheq vërejtjen për çmimin e lartë.

Skandalin me pasaporta e vlerëson të rëndë. “Ka ndodhur në një ministri ku nuk ka guxuar të ndodhë. Në MPB duhet ta kemi besimin e plotë. Nuk ka transparencë. Sa më shpejt duhet të thuhet nga kanë shkuar 1.4 milionë, kush i ka marrë?”.

“Edhe me përgjigje në këto pyetje, damkosja e Kosovës përballë BE-së dhe opinionit të  brendshëm nuk do të shlyhet”, u shpreh ai.

Kadri Veseli, vetëvrasja e Dino Asanajt dhe përgjimet

Mustafa thotë ndërkohë se hyrja e Kadri Veselit, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) në politikë, ka qenë imitim.

“S’ka pasur hyrje, por imitim të hyrjes. Veseli ka qenë gjithmonë aty”.

 
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së dhe Prishtinës  

 

Për këtë i referohet edhe Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi i cili pati deklaruar se “Kadri Veseli ka qenë gjithmonë pjesëmarrës i vendimeve të mëdha në PDK”.

Por, thotë Mustafa, “anëtarësimi i Veselit tregon rrëshqitje të PDK-së kah strukturat e SHIK-ut” në kohën kur, sipas tij, të gjitha partitë politike duhet të lirohen nga struktura të tilla.

Në një ngjarje tjetër të vitit, vetëvrasja e ish-kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, ka qenë shumë e dhimbshme për Isa Mustafën. 

“Ka mbetur fatkeqësisht si enigmë”, thotë ai. “Problemi është pse ka ndodhur e pse ka ardhur në situatë ta masakrojë vetën?”.

Mustafa mendon se duhet sqaruar nëse puna në AKP është e tillë që njeriu e bën me aq shtrëngesë e presion sa dikush duhet t’i japë fund jetës së vet në atë mënyrë.

I dhimbset Dino Asanaj, por thotë se nëse nuk sqarohet se si ka ndodhur rasti do të ketë pasoja. Për këtë, insiston ai, duhet të flasin edhe zyrtarët në AKP edhe ata në qeveri që ia kanë dhënë mandatin. 

“S’ka pasur hyrje, por imitim të hyrjes. Veseli ka qenë gjithmonë aty”

“Domethënia e kësaj vetëvrasje është e rëndë. Ngjarjet e tilla kthehen më vonë nëse nuk merret kush me to”, shprehet Mustafa.

Në lidhje me përgjimet telefonike të liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të rrjedhura në publik, Mustafa thotë se ato kanë shpërfaqur kulturën e sjelljes tonë e të shprehjes, por edhe se “të gjithë po përgjohen”.

“Kjo nuk është në rregull. Ato që janë për opinion të nxirren, e të tjerat të mbahen ku e kanë vendin”, tha kreu i LDK-së.

Mustafa e pranon se niveli i atyre bisedave përdoret edhe në Parlament e institucione tjera “nga njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty”.

“Mendoj se ky standard i bisedave nuk është vetëm i PDK-së”, tha ai.

Arrestimet spektakolare

Kreu i LDK-së kritikon edhe EULEX-in për stilin e arrestimeve të personave publik.

“Çështja tash me z.Limaj apo mënyra e shpejtë, ka lënë hapësirë të flitet se si duhet apo nuk duhet të jetë”, shprehet Mustafa, në lidhje me arrestimin dhe vendosjen në paraburgim të deputetit Fatmir Limaj, i detyruar të kthehet nga Shqipëria ku merrte pjesë në festimet e nëntorit.

Ai thotë se burgosja apo arrestimi i individëve nganjëherë po bëhet në mënyrë spektakolare.

“Njerëzit po shpallen fajtorë para se të thuhet drejtësia. Puna më e lehtë është të t’i vihen njeriut prangat. Rasti është me Guvernatorin (Rashim Rexhepi) i cili edhe pse është i pafajshëm, në pamjen time, është gjithmonë me pranga në duar para bankës”.

Për Sami Hamitin, kryetarin  e Asamblesë komunale i arrestuar e më parë nën dyshime për ryshfet, Mustafa tha se nuk mundur të shkarkohet sepse është zgjedhur në mënyrë direkte.

“Fajësia e tij [Sami Hamitit] nuk është përcaktuar. Ai është dyshuar. Si do ta verifikojnë organet e drejtësisë, është punë e tyre”

“Fajësia e tij nuk është përcaktuar. Ai është dyshuar. Në komunë nuk ka ndodhur asgjë për të cilin është ngarkuar. Si do ta verifikojnë organet e drejtësisë, është punë e tyre”, thotë Mustafa.

“Çështja morale është diçka tjetër”, shtoi ai.

Mustafa thotë se edhe në rastet e kryetarëve komunalë, si në atë të Skenderajt nën hetime, qëndrimi në poste nuk është në mos-përputhje me ligjin.

“Nëse ligji e parashikon qëndrimin e tyre, atëherë kurrkush nuk mund të vihet mbi ligjin, e të thotë se për çështje morale duhet të vihet mbi ligjin”, tha ai.