Qeveria Kritikohet për Mos-Aplikim në Këshillin e Europës

Kosova asnjëherë nuk ka aplikuar për tu bërë shtet anëtar i Këshillit të Europës (KE), edhe pse nga 47 vende anëtare,  33 prej tyre e njohin pavarësinë e saj.

Pranimi i një shteti anëtar të ri në këtë organizatë nuk kërkon konsensusin e plotë të 47 vendeve, por vetëm shumicën dërmuese ose 2/3. Gjykuar nga ato shtete që e kanë njohur Kosovën, anëtarësimi nuk del të jetë mision i pamundur. 

Bazuar në një hulumtim të bërë nga Klubi për Politikë të Jashtme, anëtarësimi në KE i Kosovës, do t’i jepte shtytje pozitive imazhit të përgjithshëm të vendit në skenën ndërkombëtare pasi do të shihej si respektuese e vlerave dhe parimeve që janë karakteristike për të gjitha vendet e  Evropës.

Si anëtare e KE-së, bazuar në të dhënat e përafërta të vendeve fqinje Kosova do të duhej të paguante rreth 300 mijë euro çdo vit, thuhet në raportin e KPJ-së. 

Vjosa Osmani, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se më vështirë është anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, proces të cilin Kosova e përmbylli me sukses në javët e fundit, sesa pranimi në Këshillin e Evropës (KE). 

“Këtu ka vetëm neglizhencë”, thotë Osmani për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Por këto pretendime i kundërshton Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës. 

“Zyrtarët e KE-së tash kanë rritur kontaktet dhe komunikimin me zyrtarë të Kosovës. Para dy vjetësh, ata as që flisnin me institucionet e vendit.”, thotë Selimi. 

“Zyrtarët e KE-së më herët kanë refuzuar të takohen me zyrtarë të MPJ-së, qoftë edhe privatisht – ndërsa përfaqësuesi i KE-së në Kosovë e ka pasur të ndaluar të hyjë në çfarëdo godine të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thotë Selimi.

Vjosa Osmani insiston se MPJ nuk ka iniciativa. “Politika e jashtme e Kosovës për momentin është reaktive. Vetëm reagon ndaj ndonjë aktiviteti të Serbisë”.  

“Një prej problemeve kryesore të Kosovës që e përmendin edhe miqtë tanë është se nuk kemi njerëz në Strasbourg që do të lobonin në KE”, thotë ajo.

Zyrtarë të KE-së në Prishtinë, të kontaktuar për disa ditë radhazi, nuk kanë janë prononcuar rreth aplikimit të Kosovës në KE. 

Në vitin  2011,  MPJ-ja ka nisur një valë lobimi të drejtpërdrejtë me KE-në, thotë zëvendësministri Selimi. 

“MPJ nuk ka pasur lobistë të angazhuar enkas për KE, por ka pasur këshilltarë eksternë (të jashtëm v.j) nga donatorë si Ministria e Jashtme e Britanise se Madhe (FCO) që kanë ndihmuar përpilimin e dokumenteve dhe analizave që kanë të bëjnë me veprime të ndryshme me KE-në”, thotë ai.

Ndërkohë, ekzistimin e një strategjie nëpërmjet së cilës vendi do të mund të anëtarësohej në KE, e konfirmon edhe analisti Ardian Arifaj nga instituti KIPRED. 

“Strategjia ka qenë shumë e mirë, por me sugjerim të miqve të Kosovës, aplikimi për anëtarësimi është shtyrë”, thotë Arifaj për Gazetën  Jeta në Kosovës. “Në këtë pikë, tanët nuk e kanë lënë punën pas dore”. 

Sipas raportit të KPJ-së, në rast se Kosova synon të bëhet një ditë pjesë e BE-së, anëtarësimi paraprakisht në KE është një nga kushtet joformale që duhet plotësuar. 

“Anëtarësimi në KE dëshmon një standard të arritur në zhvillimin e demokracisë, të zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit. Pa e arritur këtë standard atëherë nuk mund të synohet hyrja në BE”, thuhet në raport. 

Vjosa Osmani | Foto: Vjosa Osmani, Facebook

 

Pa konsensus

Për anëtarësim të plotë të vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar fillimisht rekomandimi duhet të vijë nga Asambleja Parlamentare e KE-së, thotë deputetja Osmani. 

“Problemi për momentin është se aty ka deputetë të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por jo domosdoshmërisht e përkrahin atë”.

Selimi thotë se rregulla është që duhet 2/3 e votave, por realiteti është se për  anëtarësim, si  zakon është bërë të jetë konsensusi. 

Takimet janë koordinuar shumë ngushtë me Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë si dy kryesuese radhazi të KE-së, shton Selimi. 

“Ne koordinim me ta, është vlerësuar se Kosova është ende herët të aplikojë për anëtarësim duke konsideruar se për anëtarësim kërkohet konsensus i të gjitha shteteve edhe pse formalisht nuk ka veto në këtë organizatë”, thotë Selimi.

“Në KE posaçërisht të fuqishëm janë Rusia edhe Serbia, dhe shume shtete jo njohëse të cilat janë të zëshëm në KE dhe kanë ndikim të madh”.

Por Vjosa Osmani thotë se “në vend se të bëhet lobim i fuqishëm me anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KE-së, shteti ka vendosur të mos lobojë te ata njerëz në mënyrë që ta japin një rekomandim pozitiv para votimit përfundimtar që bëhet në Këshillin e Ministrave”. 

Deri tani Kosovën e kanë njohur 33 nga 47 shtete  anëtare të KE-së, që përbën më shumë se dy të tretat e votave në Këshillin e Ministrave dhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Sipas studimit të KPJ-së, çështja e Kosovës mund të ndërlikohet nëse lihet të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e zëvendësve të Ministrave të Jashtëm në kuadër të Këshillit të Ministrave. 

“Në nivel të zv. Ministrave/ambasadorëve të përhershëm në KE, vendimet për çështjet më të rëndësishme, siç është pranimi i anëtarëve të ri, merren me konsensus”, thuhet në raport. 

Në qoftë se do të ndodhte anëtarësimi në KE, në Këshillin e Ministrave Kosova do të përfaqësohej nga Ministri i Jashtëm dhe nga ambasadori i cili do të caktohej si Përfaqësues i Përhershëm në KE. 

 
Petrit Selimi | Foto: MPJ  

 

Konsullata në Strasburg nuk është hapur ende

Më 23 maj të këtij viti, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, në emër të Shqipërisë, gjatë sesionit të 122-të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, pati marrë në mënyrë simbolike çelësin e drejtimit të këtij organi politik të organizatës.

Për herë të parë, pas 17 vjetësh anëtarësimi të Shqipërisë në KE, ky vend kryesoi për gjashtë muaj një organizatë mbarë-europiane të këtyre dimensioneve. 

“Kemi pasur deklarime të shumta të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për anëtarësim të Kosovës në KE, e kjo asesi nuk është përdorur, madje fare nga ana e Kosovës”, thotë Osmani nga LDK-ja.

“Britania e Madhe, Shqipëria e Andora, janë shumë përkrahëse ndaj Kosovës”. 

Më 8 tetor të këtij viti, gjatë një takimi me 20 përfaqësues të Shkollës Politike nga Kosova në Strasbourg, të cilët merrnin pjesë në akvitivitetin një-javor të Këshillit të Europës – Forumi Botëror për Demokraci, Berisha ka deklaruar se top prioriteti i presidencës së radhës shqiptare i KE-së, është anëtarësimi i Kosovës. 

“Shqipëria po bën gjithçka që Kosova ta zërë vendin e saj në KE, por për shkak të disa procedurave burokratike ka vonesa”, thoshte Kryeministri Berisha. Sipas tij, të gjithë në Këshillin e Europës e kanë të qartë se Kosova është vend i pavarur dhe sovran.

Petrit Selimi,  zv/ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, thotë se mos aplikimi i Kosovës në KE nuk është bërë pikërisht në koordinim me këto vende. Meqë anëtarësimi nuk do të ishte i sigurt, është vendosur të vazhdohet me normalizimin e marrëdhënieve me KE-në.

Derisa fajëson MPJ-në për mos angazhim në anëtarësim të Kosovës në KE, deputetja Vjosa Osmani, përmend edhe paralajmërimin nga ana e zyrtarëve të këtij dikasteri se shteti do ta ketë konsullatën e vet në Strasbourg. 

“Këtë, ministri i jashtëm e ka premtuar që sa kohë dhe nuk po realizohet. Konsullata në Strasbourg nuk ka filluar punë, pra janë vetëm fjalë”, thotë Osmani për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Aty do të mund të krijoheshin kontakte direkte me KE-në”. 

Një paralajmërim i tillë është bërë në korrik të këtij viti. Më 7 korrik, Artan Behrami, këshilltar i ministrit Enver Hoxhaj, pati thënë se konsullata pritet të hapet në muajin shtator. 

“Duke pasur parasysh përgatitjet që po bëhen, konsullata e Kosovës në Strasburg mund të hapet në shtator të këtij viti”, kishte thënë Behrami.

Por konsullata ende nuk është hapur. 

“Pritet leja e autoriteteve franceze që kjo pikë diplomatike të jetë edhe bazë e kontakteve më të shpeshta dhe me të drejta me KE-në”, thotë Selimi, pa dhënë ndonjë afat se kur mund të ndodh kjo.

Analisti Ardian Arifaj thotë se në shtetet perëndimore, roli i KE-së është zbehur shumë dhe vazhdon ta humbasë rëndësinë, që nga koha e raportit të senatorit zviceran Dick Marty, sipas të cilit, në disa vende të BE-së ka pasur burgje sekrete të CIA-s. 

“Raporti i Martyt për këtë çështje dhe ndikimi i madh i Rusisë, kanë bërë që shtetet perëndimore të humbasin interesimin për KE-në”, thotë Arifaj. 

Në raport me Kosovën, KE-ja njihet edhe si organizatë nga i cili ka dalë edhe raporti i Dick Martyt në dhjetor 2010, sipas të cilit pretendohet se ish UÇK-ja ka kryer trafikim organesh të serbëve të zënë robër lufte.  

Më 12 mars të këtij viti, ish ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, duke tentuar t’i minimizojë shanset e anëtarësimit të Kosovës në KE, gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të këtij këshilli, Torbjorn Jagland në Beogard, kishte deklaruar se nuk mund të ketë anëtarësim.

“Nuk ka asnjë shans për ndonjë lloj të anëtarësimit të Kosovës në KE, sepse anëtarët e KE-së janë shtete e për këtë arsye Kosova nuk ka asnjë vend në të”, ishte shprehur Jeremiq.