Daut Haradinaj Tërhiqet Zyrtarisht nga Biznesi

Deputeti Daut Haradinaj është tërhequr nga kompania private “Erc Trade”, ku kishte deklaruar se punonte si Këshilltar i Jashtëm.

Këtë veprim, ligjvënësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ka bërë pasi që një gjë e tillë i është kërkuar  nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Bazuar në konkludimin e kësaj agjencie, Haradinaj ishte duke shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, pasi që mbante njëkohësisht poste në sektorin privat si dhe në sektorin publik ku ushtron pozitën e deputetit.

Kundër-Korrupsioni kishte nisur një hetim administrativ ndaj Haradinajt që në gusht të këtij viti. Pasi Haradinaj i dëshmoi agjencisë se ka shkëputur kontratën me këtë kompani private, ajo mori vendim që të mbyllen hetimet ndaj tij për konflikt interesi.

Në vendimin e bërë publik të premten thuhet se Agjencia mund të rihapë rastin në çdo kohë, nëse paraqiten rrethana të reja.

Agjencia, fillimisht, i ka dërguar një shkresë Haradinajt ku e ka informuar se ka filluar procedura e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit. Haradinaj, në bazë të kësaj shkrese, kishte të drejtë që në afatin prej 15 ditësh të njoftohet me faktet që posedon agjencia.

“Pas këtyre procedurave z.Daut Haradinaj ka komunikuar me zyrtarët e Agjencisë dhe e ka konfirmuar se e ka marrë shkresën njoftuese dhe dëshiron të njoftohet në detaje për situatën që dyshohet për konflikt të mundshëm të interesit”, theksohet në këtë vendim.

Haradinaj, bazuar në këtë vendim, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se mbajtja e të posteve përbënte shkelje ligjore.

“Nëse Agjencia e konstaton se ushtrimi i veprimtarisë si këshilltar i jashtëm në kompaninë private ‘ERC TRADE’ ka mos pajtueshmëri me funksionin e deputetit, menjëherë do të shkëpusë kontratën e punës me kompaninë dhe nuk do të vazhdojë që ta ushtrojë më atë”, citohet të ketë thënë Haradinaj, para zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Vendimi thekson se zyrtarët e Agjencisë e kanë njoftuar Haradinajn për kufizimet që dalin nga Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të ushtrojë veprimtari private si: (këshilltar në kompani private), andaj ushtrimi i veprimtarisë private paraqet mospajtueshmëri në Ushtrimin e Funksionit Publik dhe duhet që të shmanget nga kjo situatë”, theksohet në këtë vendim.

Pas kësaj, në tetor të këtij viti Haradinaj e ka njoftuar me shkrim agjencinë se e ka ndërprerë kontratën dhe nuk gjendet në marrëdhënie pune dhe nuk ushtron më funksionin si këshilltar në kompaninë private “ERC Trade”, Prishtinë.

“Zyrtari i lartë Haradinaj ka shmangur gjendjen e mundshme të konfliktit të interesit, në të cilën ndodhej pasi që ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit në kompaninë private ERC Trade, Prishtinë dhe mbetet vetëm në funksionin e Deputetit të Kosovës”, theksohet në këtë vendim.

Në korrik të këtij viti Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se vëllai i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ishte i angazhuar si këshilltar i jashtëm në një kompani private.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2012, Haradinaj ka shënuar se merr 18 mijë euro pagë vjetore si këshilltar i jashtëm në “Erc Trade”.

Në vitin 2010, kur kishte deklaruar pasurinë në KQZ, Haradinaj si kandidat për deputet kishte shënuar se është menaxher i blerjes në “Erc Trade”.

Kjo kompani, e cila u krijua në vitin 2003, sipas shënimeve në faqen zyrtare të saj, është përfaqësuese e kompanisë sllovene “ISKRA” në Kosovë e po ashtu tregton pastën e dhëmbëve Colgate, shamponin “Palmolive”, deterxhentin “Ajax”.

Po ashtu ajo është përfaqësuese e kompanive si “Belux”, “Lariplast”, “Tomil”, “Rollopack”, “Lusso”,  “Casalini” e “Pochista”. Në certifikatën e biznesit të saj shkruan se ka 10 punëtorë të regjistruar.

Haradinaj në një deklarim të mëhershëm për Gazetën Jeta në Kosovë pat deklaruar se nuk ka qenë kurrë pronar aksionesh në këtë kompani, porse është vetëm nëpunës i saj.

“Aty jam vetëm këshilltar i jashtëm për shkak se Arbenit, i cili është vëlla i Avni Arifit (ish-këshilltar në Qeverinë e Ramush Haradinajt), i duhet një njeri me autoritet. Për shkak të autoritetit dhe respektit që kanë njerëzit për mua, mund t’i ndihmojë atij në biznes”, pat thënë Haradinaj për Gazetën Jeta në Kosovë.