Kontrata Me Zyrën e Kryeministrit dhe Kompanitë e Lidhura me PDK-në

Kompania e udhëhequr nga ish-drejtuesi i SHIK-ut, Kadri Veseli, kishte fituar kontrata nga prokurimet publike dhe me kompanitë private e organizatat e ndërlidhura me njerëz të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gazeta Jeta në Kosovë kishte zbuluar në muajin mars se Veseli më parë kishte në bashkëpronësi një kompani në Zvicër që merrej me tregtinë e kompjuterëve me emrin “FK Computers” ndërsa kishte shërbyer për vite edhe si shef ekzekutiv i kompanisë “Kobit PC” në Kosovë. Ndërkohë, gazeta ka gjetur të dhëna të reja që tregojnë se “Kobit PC” kishte fituar prokurime publike që arrijnë deri tek Zyra e Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Kobit PC”, që ka për pronar Hylmi Veselin, djalin e vëllait të Kadriut, është një kompani që merret me tregti kompjuterësh që nga viti 2008. Atë vit, ishte shuar zyrtarisht Shërbimi Informativ i Kosovës, një organizatë spiunazhi shumë nga drejtuesit e së cilës i përkasin PDK-së së Thaçit.

Hylmi Veseli kishte konfirmuar në muajin mars se Kadri Veseli ishte shef ekzekutiv në kompaninë që tash del se ka fituar një numër kontratash publike. Kobit PC ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit Thaçi, më 20 korrik të vitit 2009, ka shpallur fituese këtë kompani në tenderin për furnizim me mallra të teknologjisë informative. Oferta e Kobit PC ishte 8 mijë e 547 euro.

Një tjetër institucion që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kishte zgjedhur të njëjtën kompani private më 22 mars 2010. Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës kishte shpallur fitues këtë kompani që kërkonte 9 mijë e 954 euro për furnizim me pajisje të teknologjisë informative.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në bazë të ligjit përkatës, përbëhet prej institucioneve më të larta në vend dhe jep këshilla në lidhje me sigurinë, bën strategji dhe jep informacione sigurie për Qeverinë.

Institucione tjera publike të cilat kanë lidhur marrëveshje me kompaninë Kobit PC janë edhe Komuna e Malishevës e Qendra Klinike e Universitare e Kosovës (QKUK).

Ajo kishte fituar kontratë në shumë prej 3 mijë e 94 eurosh nga Komuna e Malishevës më 29 mars të vitit të kaluar. Në QKU, ajo kishte fituar njërin prej loteve të tenderit, për furnizim me tonerë. Kontrata mes palëve ishte lidhur më 16 dhjetor të vitit 2009 dhe kapte shumën prej 9 mijë e 534 eurosh.

Po ashtu, siç ka raportuar gazeta më parë, Kobit PC më 5 maj të vitit 2011 ishte shpallur fitues i tenderit për furnizim me tonerë nga komuna e Fushë-Kosovës, që ishte një lot i tenderit “Furnizim me Pajisje të IT”. Oferta e kësaj kompanie ishte 15 mijë e 142 euro.

Në Komunën e Obiliqit kompania e auditimit “Deloite” kishte gjetur se nga “Kobit PC” ishin blerë pajisje kompjuterike pa pasur tender publikë. Kjo komunë kishte pasur një kontratë me një kompani tjetër për furnizim me mallra të teknologjisë informative por përkundër kësaj kishte blerë pajisje në vlerë afro 200 euro nga Kobit PC.

Prej këtyre institucioneve vetëm Komuna e Fushë Kosovës, QKU-ja e Komuna e Malishevës kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës rreth tenderëve të fituar nga Kobit PC. Të tri institucionet thonë se kanë përzgjedhur këtë kompani për shkak të çmimit më të lirë të ofruar në tenderët publikë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka kthyer përgjigje përkundër se gazeta e ka kërkuar atë për rreth dy muaj.

Florian Qehaja, ekspert i sigurisë nga Qendra Kosovare për Siguri, thotë se pa marrë parasysh e kujt është kompania furnizuese, “këto kontrata janë të njëjta me të tjerat ku njerëzit e partisë fitojnë tenderët publikë”.

“Por është e rëndësishme në këso raste të respektohet Ligji për Klasifikimin e Informatave si dhe një rregullore e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës që është Rregullorja për Mbrojtjen e Informacioneve në Teknologjinë Informative”, tha ai.

Kompanitë e lidhura me PDK-në kontraktojnë “Kobit PC”

Ndër konsumatorët privatë të Kobit PC ndërkohë, sipas faqes së saj në internet, janë “Kolegji Victory” dhe “Kosova Petrol”. Bedri Selmanit, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga PDK-ja dhe ish-këshilltar i Hashim Thaçit, tek i pari bezines është themelues ndërsa tek Kosova Petrol pronar.

Selmani po ashtu është pronar i “Hotel Victory”, ku është mbledhur partia e Kryeministrit aktual në kuvendet e saj dhe që sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) është ndërtuar kundërligjshëm në pronë shoqërore.

Në muajin prill, gazeta po ashtu ka raportuar Bedri Selmani ka përfituar nga shfrytëzimi i më shumë se 20 pompave të naftës që i takonin ndërmarrjes shoqërore “INA” pa paguar asgjë për dhjetë vjet, duke i dëmtuar kështu institucionet e Kosovës me mbi katër milionë euro.

Bedri Selmani nuk ka pranuar të komentojë rreth këtyre kontratave dhe kohëzgjatjes së tyre kur është kontaktuar nga Gazeta “Jeta në Kosovë.

foto  
Klientet e Kobit PC sipas faqes së kompanisë në internet  

 

Klient i kompanisë Kobit PC është edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ku postin e nënkryetarit e mban deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”. 

“Unë sot po marrë vesh që një kompani kompjuterësh udhëhiqet nga Kadri Veseli”, tha Haxhi, ish-pjesëtar i SHIK-ut, i kontaktuar nga gazeta të hënën, më 10 shtator. “As nuk di që kjo kompani furnizon federatën e as që e kam ditur që Kadriu e udhëheq atë”. .

Zyrtarët e FFK-së të kontaktuar nga gazeta nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë kontratë.

Konsumator i saj është edhe Banka Ekonomike ku ka hise edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli. A zyrtarë të kësaj banke nuk e kanë komentuar këtë kur janë pyetur nga gazeta.