Asnjë Gazetar Nuk Rekomandohet për KPM

Lista e komisionit ad-doc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), që i është dërguar deputetëve dhe kryesisë së Kuvendit e që pritet të votohet në sesionin vjeshtor, ka juristë, politologë, aktorë, inxhinierë e kimistë por jo edhe gazetarë.

KMP-ja, e cila në bazë të ligjet jep licenca dhe përcakton politikën e transmetimit, drejtohet nga një këshill prej shtatë personash i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

Ky institucion i kishte dërguar kuvendit një listë me 40 propozime për pesë anëtarë të këshillit, ndërsa komisioni ad-hoc e ka ngushtuar atë në dhjetë. Për dy anëtarë të tjerë do të ketë konkurs tjetër.

Për tri pozita, në fushën e financimit, menaxhimit dhe të drejtësisë, janë propozuar gjashtë persona. Ardian Bajraktari (shqiptar) magjistër i shkencave juridiko-penale, Driton Qeriqi (shqiptar) jurist, Emrush Kastrati (shqiptar) magjistër i shkencave juridike-penale, Shefki Ukaj (shqiptar) politolog, Xhavit Shala (shqiptar) doktor i shkencave juridike dhe Xhemail Krasniqi (shqiptar) inxhinier i elektros.

Për pozitën e anëtarit të Këshillit të KPM-së nga radhët e gjinisë femërore janë propozuar aktorja Drita Begolli (shqiptare) dhe kandidatja për doktoraturë në xehtari e metalurgji Sadija Niksiq (boshnjake).

Kimisti Nevzat Hydaverdi (turk) dhe inxhinieri i telekomunikacionit Mejdin Saliji (boshnjak) janë propozuar për për pozitën e anëtarit nga radha e komuniteteve jo-shqiptare.

Komisioni i rekomandon KPM-së po ashtu që në afatin e lejuar ligjor të bëjë shpalljen publike edhe për dy anëtarë të Këshillit, njëri nga ta të cilët duhet të jetë nga komuniteti serb.

Me ligjin e ri për KPM-në, roli i këtij institucioni në zgjedhjen e anëtarëve të tyre është zbehur dhe është shndërruar në atë të natyrës administrative. Ligji parasheh që KPM-ja duhet të shpallë konkursin për zgjedhjen e anëtarëve, të mbledhë nominimet dhe listën e të nominuarve ta dërgojë në komisionin ad-hoc të Parlamentit. Ky komision, pasi të intervistojë kandidatët nga lista e derguar nga KPM-ja, dërgon propozime e pas intervistimit të tyre rekomandon dy kandidatë për çdo pozitë të anëtarit të KPM-së dhe Kuvendi zgjedh njërin nga kandidatët e rekomanduar me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë.

Me ligjin e vjetër, KPM-ja ka pasur kompetenca të zgjeruara në zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të vetë. Nga shtatë anëtarë sa duhej të ishin gjithsej, dy prej tyre emëroheshin nga PSSP-ja, një nga Kuvendi i Kosovës dhe 4 nominoheshin nga shoqëria civile dhe KPM-ja përpilonte listën e ngushtë të të nominuarve të cilët pastaj votoheshin në Kuvendin e Kosovës.

Dhjetë propozime edhe për Bordin e RTK-së

Një komision tjetër ad-hoc i caktuar për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së, nën drejtimin e deputetes Xhevahire Izmaku, ka propozuar dhjetë kandidatë për pesë vende.

Adem Gashi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Enver Bucaj, Fadil Bajraktari, Ismet Bexheti, Majlinda Hajrullahu dhe Rrahman Paçarizi garojnë për katër vende, ndërsa Ivan Veljkovic dhe Zharko Joksimovic për vendin tjetër.