Pushteti Rregullore për Mediat Pa i Konsultuar

Agjensioni për Mbrojtjen e të dhënave Personale (AMSHDP) gjatë kësaj vere ka draftuar një rregullore për media, përmbajtjen e së cilës deri më tani e ka mbajtur vetëm për zyrtarët e vetë. Kjo rregullore pritet të “udhëzojë mediat si të raportojnë informatat që ndërlidhen me të dhëna personale”.

I themeluar nga Kuvendi i Kosovës para vetëm një viti, ky Agjencion është treguar aktiv në ndërmarrjen e disa veprimeve të cilat janë konsideruar se mbrojnë interesat e pushtetit dhe mbrojnë jotransparencën e institucioneve publike.

Iniciativa për përpilimin e draft rregullorës për media vjen pak kohë pasi Gazaeta Jeta në Kosovë raportoi se ky agjension ka obliguar Agjensionin Kundër Korrupsionit (AKK) që të mos publikojë detaje të pronave të 3353 zyrtarëve publikë. ASHMDP synon t’ia ndalojë AAK-së edhe krejt vazhdimin e publikimit të deklaratave të pasurisë pasi kjo, sipas tyre, bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Draftimi i kësaj rregullore është bërë pa u konsultuar me asnjë nga palët e interesit dhe përmbajtja e tij mbahet e fshehtë nga ana e kryetarit të AMSHDP-së, Ruzhdi Jashari. Se drafti është bërë u tregua për publikun rastësisht nga njëri ndër mbikqyrësit shtetërorë të Agjensionit, në një debat të hapur.

“Në përpilimin e këtij drafti të veçantë për mediat kanë marrë pjesë Këshilli i Pavarur i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara” Ruzhdi Jashari

Jashari, i cili nuk ka pranuar të ofrojë një kopje të draft-rregullores, ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo draft rregullore “në esencë nënkupton përcaktimin e konturave të përgjithshme mbi bazen e të cilave mund të bëhen publike të dhënat e subjekteve të caktuara nga shtëpitë mediatike në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Sipas tij, “në përpilimin e këtij drafti të veçantë për mediat kanë marrë pjesë Këshilli i Pavarur i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara”.

Kjo është mohuar nga përfaqësuesit e KPM-së dhe KMSHK-së.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Nehat Islami, ka thënë se askush nga Këshilli nuk kanë marrë pjesë në përpilimin e ndonjë rregullore nga ana e Agjensionit për të Dhënat Personale.
 
“Ne kemi marrë pjesë në një tryezë të cilën e ka organizuar Agjensioni për Mbrojtjen e të Dhënave Oersonale, ku secili ka shprehur mendime rreth çështjeve që janë diskutuar aty, por jo lidhur me këtë draft-rregullore për media”, tha  Islami për Gazetën JnK.

“Askush nga Këshilli nuk kanë marrë pjesë në përpilimin e ndonjë rregullore nga ana e Agjensionit për të Dhënat Personale” Nehat Ismali 

Përfaqësuesit e KPM-së gjithashtu kanë mohuar se kanë marrë pjesë ose janë konsultuar në çfarëdo forme gjatë draftimit të kësaj rregullore nga ana e Agjensionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Liridon Dalipi, Drejtor i Departamentit Ligjor pranë KPM-së, është shprehur i habitur kur ka kuptuar ekzistimin e një draft-rregulloreje për media, të përpiluar nga Agjensioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Si Këshill i Pavarur për Media mund të konfirmojmë se nuk kemi marrë pjesë në përpilimin e asnjë drafti që rregullon se çfarë duhet të publikojnë mediat nga të dhënat personale dhe çka jo”, tha Dalipi. Sipas tij, do të ishte mirë që një rregullore e tillë të ndahej edhe me KPM-në në mënyrë që të shikohet se çka përmban ajo.

I kontaktuar përsëri, Jashari ka këmbëngulur se “në tryezën e organizuar nga Agjencia për këtë çështje ka marrë pjesë  edhe z.(Nehat) Islami”.

“Si KPM mund të konfirmojmë se nuk kemi marrë pjesë në përpilimin e asnjë drafti që rregullon se çfarë duhet të publikojnë mediat nga të dhënat personale dhe çka jo” Liridon Dalipi

Shqetësimet rreth mos konsultimit të institucioneve shtetërore me palët e interesuara gjatë përpilimit të legjislacionit i nënvizon edhe kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Astrit Gashi. Sipas tij, legjislacioni që po nixerret pa i përfshirë të gjitha palët pas miratimit po prodhon efekte të kundërta.

“Në përpilimin e ligjeve dhe akteve nënligjore duhet të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara, në të kundërten pas aprovimit, po ndodhin kundër-efekte siç ishte rasti i Kodit Penal”, tha Gashi.

Për këtë draft rregullore nuk është konsultuar as Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Kryetari i Bordit të AGPK-së, Arben Ahmeti, thotë se dëri më tash nuk kanë dëgjuar për draftimin e ndonjë rregullore nga ana e Agjensionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

Ndërkohë, një redaktor i një prej portaleve kryesore në vend i ka treguar Gazetës Jeta në Kosovë se ishte ftuar nga zyrtarët e AMSHDP-së. “Pranova të takohem me ta, siç bëjmë normalisht me palët e interesuara, dhe të diskutojmë çkado që atyre mund të hyjë në punë në përpilimin e ligjeve”, tha ai. “Por ata nuk më treguan se për çfarë konkretisht punonin dhe mu duk se e kishin keqkuptuar detyrën e tyre. Ngjanin si pyetje policësh. ‘Psh. Si keni të drejtë të publikoni këtë e atë koment ne portalin tuaj? etj.’”. 

Dëgjimi publik mund të organizohet në vjeshtë

Rregullorja për media e Agjensionit për Mbrojtjen e të Dhënave pritet të prezantohet në një dëgjim publik në vjeshtë të këtij viti. 

Mbajtjen e dëgjimit publik, Agjensionit ia obligon ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas nenit 45 të këtij ligji, me të cilin rregullohet publiciteti i punës së këtij institucioni, Agjensioni mund të publikojë në faqen e saj publike ose në një tjetër mënyrë çdo njoftim të rëndësishëm. Tutje, ajo obligohet të mbajë konferenca të rregullta për media lidhur me punën e saj dhe inkurajohet që të bashkëpunojë me përfaqësues të shoqatave dhe organizatave joqeveritare.

Sipas Ruzhdi Jasharit, gjatë këtij dëgjimi publik do të merren mendimet e të gjitha palëve të interesit dhe pastaj drafti do të merr formën e prerë. “Aktualisht ky udhëzim administrativ është në fazën e draftimit, por do të jetë i hapur për komente dhe sugjerime që mund të jenë relevante për ta bërë sa më komplet dhe gjithëpërfshirës këtë akt nënligjor”, tha Jashari për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Këto rregullore nuk i ndihmojnë shoqërisë në zhvillimin e transparencës dhe zyrtarët duke dashur ta mbrojnë veten po e shkatërrojnë shoqërinë” Astrig Gashi

Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së Nehat Islami ka kërkuar që përpara se kjo rregullore të miratohet, të definohen qartë se çka nënkuptohet me të dhëna personale. Islami ka thënë se “është me rëndësi të përcaktohet saktë se çka është e dhënë personale e çka nuk përbën të dhënë personale”. Sipas tij, jo të gjitha të dhënat duhet të fshihen nga publiku.

Kryredaktori i gazetës “Zeri” ka vënë në pikëpyetje tërësisht nevojën për një rregullore të tillë pasi që kjo, tha ai, nuk do t’i ndihmonte transparencës së institucioneve publike. Gashi është shprehur se “këto rregullore nuk i ndihmojnë shoqërisë në zhvillimin e transparencës dhe zyrtarët duke dashur ta mbrojnë veten po e shkatërrojnë shoqërinë”.

I të njëjtit mendim është edhe kryetari i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Arben Ahmeti. Sipas tij, draftimi i kësaj rregullore është vazhdimësi e qasjes së institucioneve shtetrore që përmes legjislacionit të cenzurojnë mediat. Së fundi kemi pasur pasur rastin e Kodit Penal, i cili sikur kjo rregullore, është draftuar pa u konsultuar palët e interesit, ka shtuar Ahmeti.

“Draftimi i kësaj rregullore është vazhdimësi e qasjes së institucioneve shtetrore që përmes legjislacionit të cenzurojnë mediat” Arben Ahmeti

Ruzhi Jashari i ASHMDP-së thotë se të dhënat personale, sidomos në internet dhe rrjetet sociale, janë të atakuara. “Kjo ndodhë për faktin se domenet qendrore ku grumbullohen këto të dhëna ndodhen jashtë territorit të Republikës së Kosoves dhe derisa neve akoma nuk jemi në marrëdhënie kontraktuale me ato shtete ku është vendndodhja e këtyre serverëve, ne nuk mund të ndërmarrim veprime të cilat i parashohin dispozitat ndëshkuese te Ligjit per Mbrojtjen e të Dhenave Personale”, tha ai. “Për rrjedhojë ne nuk kemi qasje direkte në këto të dhëna që publikohen përmes internetit, me theks të veçantë permes rrjeteve sociale”.

Jashari tha se ky udhëzim “bazohet në plotni me dispozitat e Ligjit per Mbrojtjen e të Dhënave Personale, legjislacionin europian per mbrojtje të privatësisë dhe legjislacionit në përgjithësi për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe kodin e etikës gazetareske”.

Edhe në shkrimin e kaluar të Gazetës JnK, ku trajtohej iniciativa e këtij agjensioni për të hequr deklaratat e pasurisë së zyrtarëve publikë nga faqja e internetit, Mentor Hoxhaj mbiqkyrës shtetror pranë ASHMDP-së, kishte deklaruar që një inicativë e tillë qëndron në “rreziqet” që mund të sjellë moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale ndaj zyrtarëve, por ai nuk kishte mundur të tregojë nëse deri më tash ka pasur ndonjë sulm të ndonjë zyrtari publik për shkak të deklarimit të pasurisë.

Raporti i Progresit për Kosovën i vitit 2011 ka listuar mungesën e transparencës gjatë ushtrimit të veprimtarive të ndryshme të institucioneve publike dhe ka kërkuar për më shumë transparencë nga ana e tyre. Sipas këtij raporti, transparenca ka munguar gjatë zbatimit të ligjeve, gjatë shpenzimit të buxhetit të Kosovës dhe gjatë prokurorimeve publike.