Hakmarrja e UNMIK-ut Ndaj Zyrtarit Rebel

Tribunali i Kontesteve në OKB nxori vendim javën e kaluar që trajtimi ndaj James Wasserstromit ishte “tërësisht i papranueshëm” dhe se misioni i OKB-së kishte shkelur të drejtat e tij ligjore gjatë hetimit të tij.

Amerikani, i cili tani punon si ekspert kundër korrupsionit pranë Ambasadës së SHBA-së në Kabul, kishte ngritur dyshime të mëdha të pagesave të haraçit në ndërtimin e planifikuar të termocentralit të ri në Kosovë, që në atë kohë njihej si Kosova C.

Pas ankesës, atij nuk iu vazhdua kontrata, zyra e tij u mbyll dhe nisën hetimet për “konflikt të interesit”.

Përkundër faktit që kishte imunitet diplomatik, ai u arrestua në kufirin me Maqedoninë, gjatë udhëtimit për në Greqi, në maj të vitit 2007, iu bastis shtëpia, si dhe në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut u vendos një poster në të cilin thuhej se e kishte të ndaluar hyrjen në objekt.

Ai pretendonte se e tëra ishte akt i hakmarrjes, qëndrim të cilin fillimisht e mbështeti Zyra e Etikës në OKB, e cila kërkoi nga Divizioni i Hetimeve të OKB-së të bëjë hetime të mëtejme.

Mirëpo më vonë, Zyra e Etikës ktheu mbrapsht gjetjet e saj fillestare bazuar në konkluzat e Divizionit të Hetimeve.

Pas ankesës së Wasserstrom për trajtimin e tij, Tribunali i Kontesteve në OKB tani zbuloi defekte të rënda në këtë vendim dhe vuri dyshime në atë se pse nuk është bërë më shumë në shqyrtimin e dëshmive  të ofruara nga zyrtarë të lartë të OKB-së.

Dyshime për pagesa haraçi

Më 2007, Wasserstrom, i cili kishte historik të përsosur të shërbimit, kishte dëgjuar zëra, sipas një kopjeje të aktgjykimit të OKB-së të publikuar të hënën, se ministri i atëkohshëm i energjisë, Ethem Çeku, dhe zëvendësshefi i UNMK-ut, Steven Schook, do të pranonin ryshfet si pjesë e marrëveshjes së termocentralit.

“Thashethemet kishin të bënin me pagesën e asaj që quhej ‘tarifë e lehtësimit’, në vlerë prej qindra miliona eurosh për një partner lokal,  në rast se ai ofertues do të fitonte tenderin”, kishte shkruar Wasserstrom në parashtrimin e tij për tribunalin. 

“Flitej se një pjesë e kësaj pagese do t’i takonte Ministrit Çeku dhe z. Schook, mes tjerash”, shtoi ai.

“Flitej se një pjesë e kësaj pagese do t’i takonte Ministrit Çeku dhe z. Schook” James Wasserstromit  

Wassertrom, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e Ndërmarrjeve Publike, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës, KEK, e përcolli këtë informatë te Zyra e OKB-së për Shërbime të Mbikëqyrjes së Brendshme, bashkë me shqetësimin e mëvonshëm se krijimi i Bordit të ri të KEK-ut, me përfshirje të Çekut dhe pjesëtarëve të tjerë të qeverisë, ishte i jashtëligjshëm.

Sipas deklaratës së tij, përpjekjet e tij për t’i ndalur politikanët nga emërimi në borde të ndërmarrjeve publike e kishin futur atë në konflikt të vazhdueshëm me Schook-un.

“Diku rreth datës 1 shkurt 2007, më ftuan që të takohem me z. Schook”, kujton Wasserstrom. 

“Ai ishte i zemëruar. Ai më tha, ‘Dëgjova nga Shtylla IV [për Rindërtim dhe Zhvillim Ekonomik] dhe njerëz të besueshëm se ke folur keq për mua.’ Unë e mohova një gjë të tillë. Ai më tha, ‘Nuk e di se çfarë bën ti tërë ditën. Më trego, çfarë bën ti tërë ditën?’”.

“Kur fillova t’i përgjigjem, ai më ndërpreu. Pastaj më tha, ‘Mendoj se zyra juaj duhet të mbyllet.’ Iu përgjigja se isha i pakënaqur me mungesën e mbështetjes së tij për çështjet të cilat mendoj se janë me rëndësi të madhe për të ardhmen e Kosovës. Ai e mbylli këtë bisedë duke thënë, ‘Më vjen keq që shqetësimet tua nuk janë me rëndësi kulmore për mua’”.

Sipas një kabollogrami të lëshuar nga ambasadorja e atëkohshme e SHBA-së, Tina Kaidanow, në maj 2007, Wasserstrom kishte ngritur edhe shqetësimet e tij lidhur me ambasadën e tij.

Kablloja të cilën e publikoi faqja e internetit Wikileaks, konfirmon se Ambasadorja ndante disa nga shqetësimet e tij dhe nënvizoi “mosmarrëveshjet e qarta” në UNMIK.

“Diku rreth datës 1 shkurt 2007, më ftuan që të takohem me z. Schook, ai ishte i zemëruar. Ai më tha: Dëgjova nga Shtylla IV se ke folur keq për mua”  James Wasserstromi

“Prania e Çekut në bord paraqet konflikt të interesit në lidhje me përfshirjen e ministrit në tenderin e madh të zhvillimit të sektorit të Energjisë ‘Kosova C’ dhe praktikën ndërkombëtarisht të njohur të politikave publike për të mos lejuar një ministri që të administrojë më një ndërmarrje publike”, lexon kabllo. 

“Gjithashtu, Çeku është aktivisht i përfshirë në politikë si anëtar i lartë i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)”.   

Nuk është gjetur asnjë dëshmi e keqbërjes së Schook-ut, i cili tani është këshilltar për ish Kryeministrin Ramush Haradinaj, që aktualisht është në gjykim në Hagë. Ai la postin e tij në OKB më vonë më 2007.

Schook tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ishte “shumë i lumtur” që tribunali ka vlerësuar në favor të Wasserstromit. “Ajo që kishte ndodhur ishte gabim”, tha ai. “Unë shpresoj se do të merr kompensim të madh”.

Ai deklaroi të mos jetë në dijeni për pretendimet e bëra nga Wassertrom ndaj tij, duke shtuar se hetimet ndaj tij nuk kanë zbuluar dëshmi të veprimeve të jashtëligjshme. Ndërkohë, Çeku tha se kjo çështje është hetuar më herët dhe se emri i tij është pastruar nga të gjitha pretendimet.

Hakmarrja 

Më vonë, më 7 maj 2007, Wasserstrom pranoi një shkresë në të cilën thuhej se kontrata e tij nuk do të vazhdohet. Zyra e tij u mbyll më 30 qershor.

“Kur dëgjova për mosvazhdimin e kontratës sime, pranova të punoj me Drejtorët Menaxhues të PTK-së [Postë dhe Telekomunikacioni i Kosovës] dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për të punuar drejtpërsëdrejti me ta në qeverisjen, zhvillimin dhe llogaridhënien e korporatës,” shkroi ai, duke iu referuar dy ndërmarrjeve publike. 

“Ne nënshkruam një kontratë më 24 maj 2007, të cilën zyrtarisht ia paraqita UNMIK-ut më 30 maj 2007.”

Pas lajmërimit, shkruante ai, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, PSSP, Joachim Rucker, shef i UNMIK-ut, si duket ishte “inatosur” dhe filloi hetimet ndaj tij për “sjellje të keqe”.

Ai u dërgua në “pushim special” deri në fund të hetimeve, si dhe u bllokua llogaria e tij e postës elektronike dhe u sekuestruan kompjuteri dhe vetura e tij.

“Njësia e Hetimeve Financiare me ktheu në Prishtinë me urdhër të një gjykatësi, ndërsa shtëpia dhe vetura ime u bastisën dhe kontrolluan pa më treguar një urdhër të bastisjes” James Wasserstrom 

Pastaj, Wasserstrom u ndal në kufi të Kosovës gjersa udhëtonte për në Greqi në maj të vitit 2007, dhe atij iu tha se nuk mund ta lëshonte shtetin.

“Njësia e Hetimeve Financiare me ktheu në Prishtinë me urdhër të një gjykatësi, ndërsa shtëpia dhe vetura ime u bastisën dhe kontrolluan pa më treguar një urdhër të bastisjes, ndonëse kërkova ta shoh atë,” tha ai. 

“Ata thanë se kishin marrë urdhër ‘gojor’. Gjithashtu, ata thanë se më është tërhequr imuniteti, ndonëse nuk me treguan dëshmi të kësaj,” shkroi ai. “Ata mi konfiskuan disa gjëra.” 

Posterët me fotografi të tij ku shkruhej “I kërkuar” janë vendosur në hyrje të selisë së UNMIK-ut për të parandaluar hyrjen e tij në ndërtesë dhe zyra e tij është mbyllur me trakë policore. 

Shpërfillje e të drejtave të tij

Wasserstrom u ankua për trajtimin e tij në Zyrën e Etikës, e cila fillimisht përfundoi se kishte dëshmi se përjetimi i tij i rëndë ishte rezultat i hakmarrjes për shkak të ankesës së tij.

“Zyra e Etikës zbuloi se veprimet e ndërmarra nga UNMIK-u ndaj [parashtruesit të ankesës] ishin joproporcionale me keqbërjen e pretenduar dhe janë të ndërlidhura me bashkëpunimin e tij me ZSHMB-në,” përfundoi Zyra e Etikës.

“Prandaj, aktiviteti i mbrojtur [informimi] ishte faktor kontribuues për veprimet hakmarrëse.”

“Zyra e Etikës zbuloi se veprimet e ndërmarra nga UNMIK-u ndaj [parashtruesit të ankesës] ishin joproporcionale me keqbërjen e pretenduar dhe janë të ndërlidhura me bashkëpunimin e tij me ZSHMB-në” Zyra e Etikës. 

Kjo çështje pastaj iu bart zyrës hetimore të OKB-së, e cila vendosi se vendimi për të mbyllur zyrën e Wasserstrom ishte marrë para ankesës së tij, prandaj dhe nuk mund të ishte faktor motivues.

Gjithashtu, kjo zyre gjeti se “hapat hetues që janë marrë gjatë këtij hetim ishin të gjithë brenda juridiksionit të saj dhe janë bërë nën mbikëqyrjen e prokurorit ndërkombëtar dhe gjyqtarit të procedurës paraprake”.

Pas kësaj, Zyra e Etikës i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Wasserstrom.

Mirëpo, Tribunali i Kontesteve në OKB ka vënë dyshime në përfundimet e zyrës hetimore, dhe kërkoi sqarime se pse Zyra e Etikës nuk ka shqyrtuar vetë dëshmitë e ofruara.

“Tribunali konstaton se Zyra e Etikës është dashur të konsiderojë faktin që OKB-ja, si organizatë parësore që promovon respektimin e normave dhe praktikave të të drejtave të njeriut, nuk ka mundur, dhe nuk mund të miratojë dhe lejojë trajtim të tillë nënçmues dhe degradues ndaj një pjesëtari të tij të stafit,” shkruan ai.

“Në përputhje me këtë, të përballë me gjetje të pastra të trajtimit të dëmshëm ndaj Parashtruesit të Ankesës dhe duke pasur parasysh gjetjen prima facie të hakmarrjes, Zyra e Etikës është dashur të kryej hulumtime të mëtejme për t’i konstatuar arsyet për një trajtim të tillë. Duke mos e bërë një gjë të tillë, gjetjet e tyre se trajtimi nuk është hakmarrës kanë të meta themelore.”  

Gjithashtu, ky aktgjykim nënvizon se gjersa raporti hetues ka dhënë “një koment kritik mbi mënyrën e trajtimit të Parashtruesit të ankesës” megjithatë, ai ka përfunduar se trajtimi nuk është rezultat i hakmarrjes. 

“Kjo gjë parashtron pyetjen se si apo për çfarë arsye një pjesëtar i stafit me historik tërësisht të pastër të shërbimit në këtë organizatë do t’i nënshtrohej një trajtimi krejtësisht të papranueshëm, duke shkelur të drejtën e tij për gjykim të paanshëm,” shkruan ai.

Aktgjykimi vijon me pyetjen se pse raportet hetuese përfunduan se PSSP nuk është dashur të ndërhynte në rastin ndaj Wasserstrom.

“Zyra e Etikës është dashur të konsiderojë faktin që OKB-ja nuk ka mundur dhe nuk mund të lejojë trajtim të tillë nënçmues dhe degradues” Tribunali i OKB-se

“Gjersa ishte e qartë që PSSP-ja kishte përgjegjësi mbikëqyrëse [mbi gjyqësorin], nuk mund të përfundohet se, siç ka theksuar pala e paditur [UNMIK], prokurori ndërkombëtar dhe gjyqtari ndërkombëtar i procedurës paraprake kanë qenë tërësisht të pavarur nga menaxhmenti i lartë i UNMIK-ut,” lexon aktgjykimi.

Zyra e Etikës, thekson aktgjykimi, është dashur ta pyes edhe prokurorin edhe gjyqtarin paraprak se pse kishin vijuar me hetimin e “shkeljeve të dyshuara administrative” duke parasysh mandatin e tyre të kufizuar për të hetuar zyrtarë të UNMIK-ut dhe imunitetin e Wasserstrom. 

Së paku, lexon aktgjykimi, Zyra e Etikës, është dashur të konstatojë zbulojë se “si, pse dhe për çfarë arsye prokurori ndërkombëtar ka vepruar me kaq shpërfillje të pacipë ndaj të drejtave të Parashtruesit të ankesës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.  

Jeta në rrezik

“Ishte kohë e tmerrshme për mua, familjen time dhe të gjithë të afërmit e mi”, tha Wasserstrom të martën.

“Mendoja që e kisha të rrezikuar jetën dhe e dija që nëse zhdukesha askush nga OKB-ja nuk do të më kërkonte.”

Ai tha për agjencinë e lajmeve se ndjehet i shfajësuar dhe përligjur me këtë aktgjykim. Çështja e kompensimit ende nuk është vendosur, dhe pritet të zgjidhet në tetor.

Wasserstrom kritikoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, që ka dështuar të reagojë në ankesat e tij.

“Atij (Ban) i dërgova email-a gjatë tërë kohës duke kërkuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë të tij, për të parandaluar përfaqësuesin e tij në Kosovë nga shkelja e rregullave, rregulloreve, politikave dhe procedurave, si dhe të drejtave të mia ligjore. A vendosi të më injorojë,” tha për Reuters.

Në një intervistë për the Guardian,  javën e kaluar, ai e përshkroi përjetimin e tij si një “persekutim gjigand”. 

“E dija se nuk kishte asgjë të keqe në asnjë veprim timin. Por ata nuk ndërmorën as përpjekjet më bazike të mbledhjes së fakteve duke u ngutur për të më shpallur të fajshëm.”

“Mendoj se ky vendim mund të çojë në rihapjen e pretendimeve të më se 200 informatorëve të tjerë” James Wasserstromit

Ai shtoi se aktgjykimi i tij mund të çojë në qindra ankesa të reja të keqtrajtimit të informatorëve.

“Mendoj se ky vendim mund të çojë në rihapjen e pretendimeve të më se 200 informatorëve të tjerë, rastet e të cilëve janë hedhur poshtë, sepse ka gjasa të mëdha që ato janë rrëzuar në të njëjtat baza të çuditshme,” tha Wasserstrom. “Ata mund të përballen me një mal të njerëzve që paraqiten.”

Në përgjigje të aktgjykimit, zëdhënësi i Ban Ki-Moon, Martin Nesirky, tha se zyra e Sekretarit të Përgjithshëm nuk do të komentojë deri në përfundimin e procedurës. Gjithashtu, edhe në UNMIK nuk pranuan të komentojnë.