Përgjigje Ndaj Reagimit të Avni Kastratit

Shpresojmë, se do t’na lejoni që në vazhdim ta argumentojmë shkrimin tonë dhe ta sqarojmë atë që ju e quani si “të vërtetë të konstruktuar”. 

Së pari, të sqarojmë se ekipi jonë ua ka dhënë tërë hapësirën e duhur për t’i publikuar qëndrimet tuaja lidhur me këtë temë. Pas intervistës së parë me anë të telefonit që e kemi bërë me ju gjatë kohës sa ishit jashtë vendit, ju kemi pritur edhe një javë për t’ju intervistuar sërish drejtpërdrejt në zyrën tuaj. 

E tëra kjo është bërë për t’ju dhënë sa më shumë mundësi për prezantimin e versionit tuaj dhe për ta respektuar parimin e prezantimit të barabartë në artikullin tonë. 

Ne ju kemi pyetur pse bizneset tuaja të cilat ende figurojnë në faqen e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) nuk janë të paraqitura në deklaratat tuaja të pasurisë (Shikojeni dokumentin e plotë).

Ju na keni thënë se bizneset tuaja nuk janë më aktive dhe ne e kemi prezantuar këtë deklaratë në shkrimin tonë. Shpresojmë se do të pajtoheni se redaksia jonë i ka publikuar në plotësi të gjitha faktet të cilat ju na i keni parashtruar në atë kohë, duke mos hequr apo ndryshuar asgjë. 

Tash, në reagimin tuaj, i cili në redaksinë tonë ka ardhur dy javë pas publikimit të artikullit, ju i referoheni ligjit 03-L/222 për ATK-në, përkatësisht nenit 12, në lidhje me çregjistrimin e biznesit, përkatësisht pikës (5) që thotë:

“në rast se brenda 60 ditësh nga data e marrjes së kërkesës për çregjistrim nga tatimpaguesi, ATK-ja nuk e ka njoftuar tatimpaguesin sipas paragrafit 3, të këtij neni, tatimpaguesi do të konsiderohet të jetë i çregjistruar”;

si dhe pikës (6) e cila thotë:

“ATK-ja ka të drejtë që të çregjistrojë nga regjistri i saj aktiv çdo tatimpagues, kur provohet se ai për çfarëdo arsye në vitin e fundit fiskal nuk ka ushtruar veprimtari. Në këtë rast, këta tatimpagues do të vihen në një regjistër të veçantë të tatimpaguesve joaktivë dhe ATK-ja do ta njoftojë Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në lidhje me atë regjistër”.

Ky ligj kishte hyrë në fuqi më 12 korrik 2010. 

Për redaksinë tonë mbeten të paqarta arsyet pse ju keni dështuar të merrni parasysh Ligjin për Shoqëritë Tregtare, nr.02/L-123 të hyrë në fuqi më 27 shtator 2007 dhe ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji nr. 04-L-006, të hyrë në fuqi më 23 qershor 2011. 

Arsyeja pse po ua cekim këtë ligj dhe këtë plotësim ligji është se në faqen zyrtare të ARBK-së mund ta shihni se është saktësisht ky ligj i cili konsiderohet nga ARBK si ligj bazë për veprimtarinëe vet. 

Ju informojmë se saktësisht neni 40 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare, nr.02/L-123 të hyrë në fuqi më 27 shtator 2007 të ndryshuar e plotësuar me ligjin nr. 04-L-006, të hyrë në fuqi më 23 qershor 2011, saktësisht flet për shpërbërjen e shoqërive me përgjegjësi të kufizuara – sikurse figuronin bizneset tuaja. 

Ndër të tjera, ky nen thotë:

“Për të realizuar shpërbërjen vullnetare të kompanisë, ‘Njoftimi i Shpërbërjes Vullnetare’ duhet të dorëzohet në Zyrën e Regjistrimit, në pajtim me paragrafin 2, të nenit 118…”.

Neni 118.2 thotë:

“Menjëherë, pasi që të jetë e mundur por jo më shumë se pesë (5) ditë punë nga ngjarja që shkakton shpërbërjen vullnetare, shoqëria duhet të dorëzojë në Zyrën e Regjistrimit ‘Njoftimin për Shpërbërjen Vullnetare’, sipas nenit 40 të këtij ligji. Shoqëria nuk duhet të shesë ose shpërndajë cilëndo nga asetet e saj, së paku katërdhjetëepesë (45) ditë nga dorëzimi i njoftimit në Zyrën e Regjistrimit. Shitjet ose shpërndarjet e hershme mund të deklarohen të pavlefshme dhe nule nga gjykata, në bazë të kërkesës së një kreditori të papaguar”. 

Po ashtu, neni 118.3 e sqaron këtë edhe më tej:

“Njoftimi i Shpërbërjes Vullnetare thekson, në cilëndo gjuhë zyrtare (i) se shoqëria ka vendosur ta përmbyllë veprimtarinë e saj tregtare dhe t’i likuidojë asetet e saj; (ii) datën e ngjarjes që shkaktoi shpërbërjen; (iii) vendin për paraqitjene pretendimeve të kreditorëve; (iv) datën ose datat në të cilat shoqëria planifikon ta fillojë shitjen dhe shpërndarjen e aseteve siç lejohet nga ky nen , data këto që mund të caktohen më pak se katërdhjetë e pesë (45) ditë, por jo më shumë se nëntëdhjetë (90) ditë nga koha e dorëzimit në Zyrën e Regjistrimit tëNjoftimit për Shpërbërje Vullnetare; dhe (v) kohën dhe vendin në të cilën do të bëhet shitja ose shpërndarja”.

Pas reagimit tuaj, ne kemi kontaktuar sërish Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK). Koordinatori i agjencionit, Mehdi Pllashniku, ka thënë se Ligji për Shoqëri Tregtare është ligj bazik për hapjen dhe mbylljen e një biznesi. Ju lusim që në vijim ta lexoni deklaratën e z.Pllashniku: 

“Ligji Nr.02/L-123 për Shoqëritë Tregtare është bazik për hapjen dhe mbylljen e një biznesi. Në ARBK hapet dhe në këtë agjencion edhe mbyllet apo shuhet një biznes. Nuk ka institucion tjetër përveç ARBK-së që bën mbylljen e një biznesi. 

Personi që dëshiron të mbyllë një SH.P.K. apo një biznes me status tjetër, vepron në bazë të specifikimeve të këtij ligji. Përmbyllja e veprimtarisë së një SH.P.K. është paraparë në nenin 118 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare. 

Fillimisht bëhet Njoftimi për Shuarjen Vullnetare, shoqëria duhet të publikojë në një gazetë me tirazh të madh në Kosovë, në gjuhët zyrtare të Kosovës, një shpallje në madhësi jo më të vogël se një e dhjeta e faqes se biznesi mbyll veprimtarinë dhe pas kalimit të 30 ditëve duhet të nxirret një vërtetim nga ATK-ja se ky biznes nuk ka borxhe tatimore dhe se qëllimi i këtij vërtetimi është shuarja, si dhe një vërtetim nga Gjykata Ekonomike se biznesi nuk ka konteste gjyqësore (nuk ka ndonjë delikt ekonomik). 

Në vërtetim ceket që brenda dhjetë ditëve nga sigurimi i këtij vërtetimi duhet që të aplikohet në ARBK për mbylljen e një SH.P.K-je . Ndërsa për bizneset e thjeshta nuk ka nevojë për shpallje në gazetë, mjafton vetëm vërtetimi nga ATK”.

Në artikullin tonë ne kemi treguar edhe se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka hapur hetim ndaj jush në lidhje me mosdeklarimin e bizneseve në deklaratat tuaja të pasurisë të vitit 2010,2011 dhe 2012 (Deklaratat 1, Deklarata 2, Deklarata 3)

AKK ka thënë se bizneset i konsideron të mbyllura atëherëkur për to sillet dokumenti përkatës nga ARBK dhe, sikurse u theksua më lart, sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare, bizneset hapen e shuhen në ARBK. 

Po ashtu, ju dështoni të konsideroni Ligjin Nr. 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, të hyrë në fuqi më 14 shtator 2011. 

Me nenin 5, përkatësisht pikën 1.3, obligoheni të deklaroni zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare. Pika 3 e nenit 6 ndërkohërregullon se këto deklarime “i paraqiten Agjencisë nga vetë zyrtari i lartë publik, apo nga personat e autorizuar nga ai”. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar, dhe konsideron se këtë e ka bërë me të drejtë, se ju z.AvniKastrati, për tri vjet me radhë nuk keni dërguar këtë informacion në AKK. 

Ne ende e konsiderojmë si të paqartë arsyen pse ju z.Kastrati nuk e keni parë të arsyeshme që edhe t’i drejtoheni ARBK-së për sqarime shtesë në mënyrë që eventualisht t’i evitoni dilemat dhe gabimet e “paqëllimshme” në mungesë të informatave të sakta lidhur me procedurat valide dhe ligjore të shuarjes dhe mbylljes së bizneseve të cilat kanë qenë apo edhe janë në pronësi tuajën. 

Për këtë arsye kemi konsideruar se është në të mirë të publikut që të publikohet një “paqartësi” apo lëshim i tillë i një personi me post publik dhe përgjegjësi të tilla si ato që i keni ju z.Kastrati si kryetar i Komunës së Mitrovicës.   

Po ashtu, në reagimin tuaj, ju sërish dështoni ta merrni në konsideratë edhe një fakt tjetër të rëndësishëm: qënë vitin 2011 ju keni qenë garantues në një borxh bankar të djalit tuaj, edhe ai zyrtar i lartë publik në qeverinë e Kosovës. 

Prapë, sipas Ligjit Nr. 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë, neni 5, pika 1.6, ju jeni i obliguar që të deklaroni “detyrimet financiare ndaj personave fizikë dhe juridikë”. 

Për ne mbetet e paqartë pse ju keni vendosur që mos ta paraqisni as këtë fakt në deklaratat tuaja të pasurisë në AKK.

Për fund, z.Kastrati, mbesim me shpresën që ju do t’i korrigjoni deklaratat tuaja të pasurisë në AKK ashtu si ju obligon ligji në fuqi. Ne ju sigurojmë se me kënaqësi do të raportojmë për një gjest të tillë tuajin. 

 

Sinqerisht,
Redaksia e Gazetës Jeta në Kosovë