Gjykata Kushtetuese Aprovon Ndryshimet në Kushtetutë

Gjykata Kushtetuese në Kosovë i ka dhënë dritën jeshile planeve për të hequr 21 amendamente nga kushtetuta dhe të përfundojë pavarësinë e mbikëqyrur ndërkombëtarisht të Kosovës.

Më 31 janar, Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë që bën thirrje për përfundimin e pavarësisë “të mbikëqyrur ndërkombëtarisht” në fund të vitit 2012.

Duke e çuar rastin në Gjykatën Kushtetuese, qeveria e Hashim Thaçit i kërkoi gjykatës nëse ndonjë ndryshim i paraparë në kushtetutë do të cenojë ndonjë nga të drejtat ose liritë themelore të garantuara në të.

Gjykata e ka dërguar tani opinionin e saj në qeveri, që i kërkoi gjykatës të ekzaminojë ndryshimet në kushtetutë.

Gjykata vendosi që vetëm një nga 22 amendamentet në pyetje, që merret me refugjatët, nuk mund të hiqet nga kushtetuta.

“Nga 22 amendamentet, gjykata vendosi që një nga këta, amendamenti 17, nëse hiqet, do të zvogëlojë të drejtat dhe liritë themelore”, tha ajo.
 
“Kjo i referohet nenit 156 të kushtetutës që ka lidhje me refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit”, shpjegoi gjykata.

Kosova deklaroi pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008. Që nga ajo kohë, 91 shtete, përfshirë 22 vende anëtare të BE-së , si dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur.

Por, si pjesë e procesit të pavarësisë, vendi ka mbetur nën një formë të monitorimit ndërkombëtar, me fuqi të konsiderueshme të rezervuara për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar.

Heqja e neneve do t’i lërë serbët e Kosovës pa 10 ulëset e rezervuara në parlament, të cilat i kanë tani.

Minoritetet e tjera etnike, përfshirë turqit, boshnjakët, romët, ashkalitë dhe egjiptianët, do të humbin gjithashtu 10 ulëset e tyre të rezervuara nëse neni 148, që merret me këtë çështje, hiqet nga kushtetuta, siç po planifikon qeveria të bëjë.

Propozimi i qeverisë për të ndryshuar kushtetutën nuk do të dërgohet për miratim në parlament para shtatorit, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar, që mbikëqyr progresin e Kosovës, pritet të deklarojë përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës.

Grupi i 25 shteteve anëtarë, i njohur si “miqtë e Kosovës” u takua janarin e shkuar në Vjenë dhe shpalli përgatitjen për të përfunduar mbikëqyrjen në fund të 2012-ës.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar, organi që ka për detyrë të mbikëqyrë pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, ka përdorur një strategji dy-rrugëshe për fillimin e fundit të procesit, më parë duke kërkuar më shumë garanci nga qeveria në fusha si decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, trashëgimia kulturorë dhe ballafaqimi me të shkuarën.