Koalicioni në Balanc

(Ky artikull ishte botuar në Gazetën JnK, më 3 tetor 2011)

Aktvendimi i nxjerrë nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX’it për ta futur Fatmir Limajn nën arrest shtëpiak, dhjetë ditë më parë, nuk ishte lëvizje e madhe vetëm duke gjykuar nga fuqia e tij politike.

Mbyllja e tij edhe teknikisht e vë në pikëpyetje shumicën parlamentare, pra Qeverinë Thaçi II. Shumica aktualisht ka vetëm 60 deputetë.

Ish-Ministri, i akuzuar për krime lufte dhe nën hetime korrupsioni, e mban në dorë fatin e jetëgjatësisë së koalicionit të drejtuar nga Hashim Thaçi – eprori e tij i dikurshëm me të cilin ka kohë që nuk flet.

Masa e arrestit shtëpiak e pengon Limajn të ushtrojë detyrën e deputetit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, ai tash ka tri opsione: të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit për t’ia lënë vendin një pasardhësi nga PDK’ja, të mungojë gjashtë muaj dhe pastaj mandati t’i mbarojë automatikisht ose mandati do t’i merret në rast se ndërkohë dënohet nga gjyqi për vepër penale për një ose më shumë vjet burgim.

Gjasat janë të vështira që ai të ofrojë dorëheqje pasi këtë nuk e kishte bërë as kur u hap çështja e imunitetit të tij nga arresti. Për më shumë, qe një kohë ai ka thumbuar hapur Qeverinë e Kryeministrit Thaçi.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ia ka treguar Gazetës Jeta në Kosovë raportin e ulëseve mes pozitës dhe opozitës.

“Pozitën e përbëjnë deputetet nga PDK (34 deputetë), KKR ( 9 deputetë), SLS (12 deputetë), 6+ (6 deputetë)”, ka thënë Krasniqi. “Opozitën e përbëjnë deputetët nga: LDK 27 deputetë, Vetëvendosje (14  deputetë), AAK (12 deputetë). Deputet pa grup parlamentar janë 6 dhe atë nga radhët e  minoriteteve”.

Kjo nënkupton që me Limajn, shumica i kishte 61 deputetë.
 
Adem Grabovci, drejtuesi i grupit parlamentar dhe njeriu i dytë pas Limajt në Ministrinë e Transportit mandatin e kaluar, thotë se grupi është dëmtuar nga futja nën arrest e ish-eprorit të tij. “Kjo sepse atij i është pamundësuar pjesëmarrja në mbledhje dhe kontributi në grupin parlamentar të PDK’së”, ka thënë Grabovci.

Por, ai ka hedhur poshtë mundësitë se shumica është vënë në terren të rrëshqitshëm pas këtij zhvillimi. “Ne kemi fuqi të mjaftueshme në shumicën parlamentare për të punuar me komoditet. Me numër i bie se i kemi diku 66 ulëse”, ka thënë Grabovci. “Plus, kemi edhe disa të tjerë që janë nuk janë të koalicionit. Bëhen rreth 70 në momentin e duhur”.

Grabovci nuk ka pranuar të numërojë se me çfarë mbledhje arrin ai në këtë rezultat.

Qeveria Thaçi II ishte votuar me 65 vota në muajin shkurt të këtij viti pasi Kryeministri kishte arritur një marrëveshje me Koalicionin për Kosovën e Re të drejtuar nga Behgjet Pacolli së bashku me minoritetet.

Se kush ishin deputetët e mistershëm që votuan për Qeverinë, nuk është zbuluar asnjëherë. Në të njëjtën ditë, ato vota nuk ishin dhënë edhe për pretendentin për President Behgjet Pacolli. Limaj ishte i vetmi që pati treguar se nuk e votoi biznesmenin e kthyer në politikan.

Megjithatë, që atëherë, gjendja ka ndryshuar. Limaj, i cili kishte mbështetjen e vazhdueshme të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nuk është më, ndërsa lëvizjet brenda Parlamentit vazhdojnë.

Përveç problemeve brenda grupit parlamentar të PDK’së, pothuajse të pazakonshme në dekadën e shkuar për këtë subjekt, jostabiliteti i Qeverisë është reflektuar shpesh në partnerin e vogël – Koalicionin për Kosovën e Re.

I pari që është distancuar nga politikat e Qeverisë ka qenë deputeti Muhamet Mustafa, profesori shumëvjeçar i ekonomisë. “Unë jam i pavarur në parti dhe nuk kam dashur që të jem
pjesë e Qeverisë. Jam anëtar i grupit parlamentar, por askush nuk ma ndalon mundësinë që ta kritikoj Qeverinë nëse mendoj se diçka nuk është në rregull”, ka thënë Mustafa për Gazeta JnK.

Dy deputetë tjerë, nga nëntë votat sa ka gjithsej ky grup, janë përfaqësues të Partisë së Drejtësisë – Amir Ahmeti dhe Jeton Svirca. Sidomos Ahmeti ka paralajmëruar zëshëm kohës së fundit se ai do të largohet nga grupi parlamentar nëse Qeveria nuk kalon në ligjin për arsim nenet që ky subjekt kërkon, por të cilat do të ndryshonin statusin përndryshe laik të sistemit të arsimit në vend.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, thotë për Gazeta Jeta në Kosovë se Qeveria do të duhej të bënte transparentë numrat që i ka në Kuvend.
“Kjo Qeveri është fragjile në numra, por edhe më shumë bazuar në atë që po vjen – tema të mëdha politike si veriu dhe të ngjashme”, tha Tahiri.

Një ekspert i njohur i veprimtarisë së Parlamentit, i cili ka pranuar të flasë vetëm në kushte anonimiteti për Gazetën Jeta në Kosovë, ka thënë se vendi aktualisht ka ‘Qeveri të pakicës’.

Sipas shpjegimit të tij, Qeveria do të mund të jetojë derisa të mund t’i shmanget votëbesimit nga opozita.

Sipas Kushtetutës, për të nisur procedurën e votëbesimit, kërkohen 40 deputetë ndërsa votëbesimi do të konsiderohet i suksesshëm vetëm nëse është mbështetur nga shumica e thjeshtë, pra të paktën 62 deputetë.
Eksperti ka treguar se në rastet kur rezultati i votimeve në Kuvend është i barabartë, atëherë vota e Kryeparlamentarit ka peshën edhe të një gjysmë vote tjetër. Mirëpo, edhe vet pozicioni i Krasniqit është i paqartë pas pikëpamjeve të tij të largëta me Kryeministrin që ai vazhdon t’i shpërfaqë në opinion.

Rreziku më i madh për Qeverinë, sipas këtij eksperti, do të mund të vinte nëse opozita do të vendoste të bojkotojë seancat e Parlamentit.
“Që Kuvendi t’i vazhdojë punimet, kërkohen 61 deputetë prezentë për të ndërtuar kuorumin”, ka thënë ai. “Në rast se Kuvendi nuk do të mblidhej për 30 ditë rresht, atëherë ai do të ishte jofunksional dhe do të pasonte shpërbërja”.

Se si do t’i bëjë koalicioni 61 deputetë, është dilemë.

Adem Grabovci, nga ana e tij, thotë se fuqia e shumicës vetëm se po rritet. “Jemi në përpjekje për ta përforcuar mazhorancën”, tha ai. “Ka grupe parlamentare që përkrahin vendimet dhe qëndrimet e Qeverisë, që janë progresive”.