Kosova dhe Serbia Lobojnë Fuqishëm në UNESCO

Ditën e hënë, Ministritë e Jashtme në Prishtinë dhe Beograd hyrë në javën e fundit të lobimit para konferencës së përgjithshme të UNESCO-s në Paris, e cila më 9 nëntor pritet të marrë një vendim në lidhje me nëse do të lejojë që Kosova t’i bashkohet apo jo asaj.

Të dy vendet kanë planifikuar disa takime bilaterale me shtetet anëtare të UNESCO-s gjatë kësaj jave, ndërsa Prishtina përpiqet ta avancojë çështjen e saj për anëtarësim dhe Beogradi përpiqet ta bllokojë atë.

“Tani ne do të punojmë me të gjithë miqtë dhe partnerët që të kemi mjaftueshëm vota që më 9 nëntor Kosova të bëhet anëtare të UNESCO-s,” tha ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, për agjencinë e lajmeve Kosovapress me bazë në Prishtinë.

“Në të njëjtën kohë jemi përballur me një fushatë agresive krejtësisht e papranueshme nga Serbia, të cilës iu bashkua edhe shteti, kisha dhe akademia serbe e shkencave,” tha Thaçi.

Homologu i tij nga Serbia, Ivica Daçiç, tha se ministria e tij po punonte “ditë e natë” për të parandaluar bashkimin e Kosovës në UNESCO. Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe po përpiqet të mos lejojë që ajo t’i bashkohet ndonjë organizate ndërkombëtare.

“Ne punuam dje, sot dhe do të punojmë edhe nesër për shkak të ndryshimit të orës në disa vende. Po bisedojmë me të gjithë. Jam i bindur se e gjithë kjo nuk do të jetë aq e lehtë sa mendon Kosova. Dhe kjo do të jetë fitorja më e ëmbël për mua,” tha Daçiç në një konferencë për shtyp të dielën.

Një nga frikët kryesore të Beogradit është që trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe në ish-krahinën e saj mund të shkatërrohet.

Por Thaçi tha se qeveria e Kosovës ka dhënë garanci të plota për mbrojtjen e saj.

“Serbia me veprimet e saj po sillet padrejtësisht, duke vepruar kundër shpirtit të marrëveshjes së arritur në Bruksel në prill të vitit 2013 për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë,” tha ai.

Një nga kundërshtarët më të fortë të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është Kisha Ortodokse Serbe.

Sava Janjiç, abati i Manastirit Ortodoks Serb Visoki Deçani, një vend Trashëgimi Kulturore Botërore e UNESCO-s në qytetin kosovar të Pejës, tha se organi i OKB-së duhet ta shtyjë votimin e përgjithshëm në konferencë.

“Ne jemi seriozisht të shqetësuar në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO jo sepse jemi kundër promovimit të kulturës dhe arsimit në Kosovë, por në radhë të parë e kemi të vështirë t’i besojmë institucioneve të Kosovës, pasi ka një mospërputhje të madhe në deklaratat e tyre zyrtare në mediat ndërkombëtare ku premtojnë mbrojtje ndërsa në shtëpinë e tyre kanë një sjellje diskriminuese,” tha Janjiç në një mesazh me video në kanalin e tij në YouTube.

Bordi Ekzekutiv i organit kulturor të OKB-së votoi më 21 tetor 27 mei 14 vota në favor të kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s, duke ia kaluar çështjen konferencës së përgjithshme për votimin përfundimtar. Dy të tretat e 195 anëtarëve të UNESCO-s duhet të votojnë në favor të më 9 nëntor, në mënyrë që Kosova të lejohet t’i bashkohet UNESCO-s.

Beogradi e sheh Kosovën si djep të shtetit mesjetar serb. Shumë nga manastiret dhe kishat më të rëndësishme ortodokse serbe ndodhen atje, duke përfshirë kishat manastir të Graçanicës dhe Deçanit si edhe kompleksi patriarkal në Pejë, të cilat janë në listën e vendeve Trashëgimi Botërore të UNESCO-s.

Beogradi e akuzon Prishtinën se ajo nuk po kujdeset si duhet për to dhe po bashkëpunon në shkatërrimin e disa prej vendeve.

Megjithatë, Serbia nuk ka të drejtë të ushtrojë veton e saj ndaj anëtarësimit të Prishtinës në UNESCO dhe Kosova do të jetë në gjendje t’i bashkohet asaj, edhe pse nuk është një shtet anëtar i OKB-së.