Dekretimi- Nuk ka Dëshmi të Dorëheqjes nga Sistemi Paralel

Institucionet e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë dërguar emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Presidencën e Kosovës për dekretim për të ushtruar funksionin e tyre në  komunat veriore të vendit.

Dekretimi i tyre vjen pas Marrëveshjes për Drejtësi të nënshkruar më 10 shkurt 2015 nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq  dhe shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sipas Marrëveshjes për Drejtësi, gjyqtarë serbë do të ketë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në njësinë e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, ndërsa prokurorë në Zyrën e Prokurorisë Themelore.

Po ashtu është paraparë që kryetari i Gjykatës Themelore të jetë një serb i Kosovës nga Mitrovica, ndërsa kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Themelore të jetë shqiptar i Kosovës.

Por gjyqtarët dhe  prokurorët serbë të cilët pritet të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë nuk dihet se a kanë dhënë dorëheqje në ushtrimin e funksionit të tyre në Serbi.

Dorëzimi i kësaj dëshmie garanton që gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të Kosovës nuk ushtrojnë funksionin e tyre në një shtet tjetër, në këtë rast në Serbi.

Marrëveshja për drejtësi parasheh shuarjen e gjykatës paralele në veri të Mitrovicës  dhe funksionimin e një gjykate themelore ku do të punojnë gjyqtar shqiptarë dhe ata nga radhët serbe.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pati  thënë se marrëveshja për Drejtësi do t’i shuajë gjykatat paralele, ndërsa opozita dhe minoritetet kanë kritikuar këtë marrëveshje duke thënë se është antikushtetuese.

Ndërsa kryeministri serb Aleksander Vuçiq  pati deklaruar pas nënshkrimit të marrëveshjes se Serbia përfiton nga kjo marrëveshje pasi që ka përfaqësim të duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjykatë.

 A ka dëshmi të dorëheqjes?

Besnik Berisha,  këshilltari i Kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa, tha se kandidatët serbë nuk duhet të jenë edhe pjesë e sistemit të drejtësisë në Serbi.

“ Nuk jam i sigurt që kjo çështje është përfshirë në Marrëveshjen për Drejtësi , por ata gjyqtarë dhe prokurorë që do të punojnë në Kosovë duhet të heqin dorë nga puna e tyre në Serbi,” tha Berisha.

Burime të Gazetës Jeta në Kosovë brenda Presidencës së Kosovës kanë bërë të ditur se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial nuk kanë ofruar kurrfarë dëshmie se gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk ushtrojnë funksionin e tyre në Serbi.

“ Emrat për gjyqtarë dhe prokurorë serbë janë në Zyrë të Presidentes, por nuk ka dëshmi tjera për ta,” tha ky burim për Gazetën Jeta në Kosovë.

Presidenca nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës se pse nuk janë dorëzuar edhe dëshmitë e dorëheqjes , bashkë me kandidimin për prokuorë e gjykatës.

Mosdorëzimin e dëshmive në Presidencë e ka pranuar edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci. 

“Unë po shpresoj që kjo është një çështje e marrëveshjes mes dy shteteve dhe po besoj që Serbia do të sjellë dëshminë për të gjithë ata gjyqtarë që do të dekretohen që heqin dorë nga sistemi të tyre, sepse në të njëjtën kohë edhe atje është e ndaluar të ushtrojnë funksion të gjykatësit në një shtet tjetër,” tha Peci.

Sipas tij këto dëshmi duhet të sillen nga shteti i Serbisë te Zyra e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga  para se kjo e fundit të dekretojë gjyqtarët dhe prokurorët serbë.

I pyetur se përse Këshilli Gjyqësor nuk ka kërkuar këto dëshmi, kryesuesi i KGjK-së është përgjigjur që kjo çështje është politike.

“Është çështje më tepër politike e  marrëveshjes, sepse edhe mënyra se si është arritur marrëveshja është pak jashtë rregullave procedurale që vlejnë për të gjithë,” deklaroi Peci.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi për të marrë një deklaratë për këtë çështje, por nuk ka arritur të marrë një përgjigje.

Kryesuesi i KGjK-së, tregoi se për pozitën e gjyqtarëve për komunat veriore kanë konkurruar 84 gjyqtarë serbë, prej tyre vetëm 34 janë pranuar ku më pas emri i tyre është dërguar për dekretim.

Peci tha se konkursi nuk është përmbushur i tëri, ngaqë nuk janë plotësuar edhe 14 pozita për gjyqtarët serbë.

Kryesuesi i KGjK-së ka treguar se është hetuar e kaluara penale e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë serbë për komunat veriore.

“ I kemi marrë informatat e tyre përmes EULEX-it, është hetuar e kaluara e tyre penale. Ju e dini që kanë qenë 84 kandidatë dhe janë 34, sepse disa s’i kanë plotësuar kushtet formale, disa nuk kanë qenë në sistem që kanë aplikuar, por ka edhe prej tyre që sipas komisionit tonë vlerësues nuk janë të denjë ta kryejnë pozitën e gjyqtarit,” tregoi Peci.

Ai pranoi që shumica e gjyqtarëve serbë që kanë kandiduar kanë qenë pjesë e sistemit të ish-Jugosllavisë që kanë shërbyer në vitet ’80- 90.

Ndërsa Prokuroria e Shteti në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë ka treguar se janë nëntë prokurorë, emrat e të cilëve janë dërguar për dekretim në Presidencë.

“ Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dërguar te Presidentja propozimet për emërim të kandidatëve sipas Marrëveshjes së Brukselit. Numri i të propozuarve është nëntë dhe tani jemi në pritje të dekretimit, ose jo nga Presidentja,” tha Liridona Kozmaqi zyrtarja për Informim në Prokurorinë e Shtetit.

Kozmaqi tha se për pozitën e prokurorit për komunat veriore kanë aplikuar 30 kandidatë.

“ Ju informoj se në konkurs kanë aplikuar 30 kandidatë, prej tyre 27 serbë dhe vetëm për kandidatët që është dërguar propozimi për emërim te Presidentja, Komisioni për emërim dhe KPK-ja kanë konstatuar se i kanë plotësuar kriteret e parapara me konkurs,” tha Kozmaqi.

Ajo nuk tregoi nëse bashkë me emrat e prokurorëve serbë për tu dekretuar kanë dorëzuar edhe dëshmi nëse ata janë larguar nga sistemi i drejtësisë në Serbi.