PDK Ruan Kontrollin në PTK

Postë-Telekomi i Kosovës, ndërmarrja më fitimprurëse publike në vend, do të udhëhiqet nga Agron Mustafa që është parë në afërsi të Kadri Veselit, zëvëndës kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet.

Mustafa, po ashtu, figuron të jetë edhe anëtar i kryesisë në degën e PDK-së në Prishtinë.

Ai në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së u përzgjodh në mënyrë unanime nga Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje që udhëhiqet nga Rexhë Gjonbalaj, një ish-këshilltar komunal i PDK-së në komunën e Pejës.

Megjithatë Bordi i Drejtorëve njoftoi të enjtën se përzgjedhja e Mustafës u bë në mënyrë transparente dhe të ligjshme.

“Kjo përzgjedhje është bërë pas një procesi shumë transparent të udhëhequr nga Bordi i Drejtorëve të PTK Sh.a dhe në përputhje të plotë me ligjin për ndërmarrjet publike”, thuhet në kumtesën për media të Postë-Telekomit të Kosovës.

Bordi i Drejtorëve të PTK-së, bazuar në këtë kumtesë për media, ka përzgjedhur kandidatët në listën e ngushtë dhe pas intervistimit të tyre ka ardhur në përfundim se kandidati që mori më së shumti pikë është Agron Mustafa.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Mustafën por ai nuk deshi të komentoi dhe mbylli telefonin kur iu kërkua një koment rreth zgjedhjes së tij në postin më të rëndësishëm në PTK.

“Të lutna mos më pengo”, tha Mustafa.

Për të është raportuar se ka afërsi me Kadri Veselin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Kur Veseli më 23 nëntor të vitit 2013  kishte vizituar terminalin e ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ishte i shoqëruar nga Agron Mustafa.

Gazeta Zëri raportoi atë ditë se ishte Mustafa që publikoi në Facebookun e tij foton ku ai dhe Veseli ishin takuar me drejtorin turk të aeroportit dhe kishin vizituar terminalin.

Nuk ishte qartësuar nga Mustafa se në çfarë cilësie ishte pjesë e vizitës së Veselit në Aeroport.
Mustafa gjatë viteve 2008-2011 ka qenë drejtor menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës para se ai të merrej me koncesion nga konzorciumi Limak-Aeroports de Lyon.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi zyrën e kryetarit e Kuvendit të Kosovës për të marrë një koment nga Veseli lidhur me zgjedhjen e Mustafës në krye të PTK-së.

Uran Ismaili, këshilltar i Veselit, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk mund të japin një koment gjatë ditës së sotshme.

Ndërkohë edhe paraardhësi i Mustafës, Ejup Qerimi, kishte qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Qerimi që kishte qenë këshilltar komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan ishte avancuar në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së.

Qerimi në periudhën 2002-2007 ka qenë këshilltar lokal i Partisë Demokratike të Kosovës.

Qerimi ishte shkarkuar nga Bordi i PTK-së më 1 tetor të vitit të kaluar me arsyetimin se nuk kishte pasur përformancë të mirë. Qerimi nuk kishte dashur të komentonte vendimin e Bordit Drejtues kur ishte kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.